Hashim Thaçi tash e dy muaj është në pritje të sqarimit të lëndës nga Gjykata Kushtetuese, përmes së cilës vendoset nëse marrëveshjet ndërkombëtare që nënshkruhen nga presidenti nuk kanë nevojë të ratifikohen nga Kuvendi. Vlerësohet se Thaçi në këtë formë shpreson që Kushtetuesja do t’i japë leje ta anashkalojë Kuvendin për marrëveshjen me Serbinë në kuadër ta fazës finale të dialogut të Brukselit. Ndërkohë që edhe zyrtarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës po kërkojnë që marrëveshja me Serbinë të ratifikohet në Kuvend, shkruan gazeta “Zëri”.
Ndonëse rreth dy muaj më parë, Hashim Thaçi, ia parashtroi Gjykatës Kushtetuese kërkesën për interpretim të Nenit 18 të Kushtetutës së Kosovës, Kushtetuesja ende nuk ka dalë me një interpretim rreth kësaj çështjeje. Ky nen specifikon qartë se marrëveshjet ndërkombëtare miratohen nga 2/3-at e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Nga Gjykata i kanë thënë shkurt gazetës “Zëri” se kërkesa e presidentit mbi këtë çështje është në shqyrtim e sipër. Ky veprim i kreut të shtetit sipas përfaqësuesve të opozitës paraqet vetëm një tendencë të Hashim Thaçit për ta anashkaluar tërësisht Kuvendin e Kosovës. Në kërkesën e drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Hashim Thaçi ka kërkuar të saktësohet nëse marrëveshjet ndërkombëtare konsiderohen të ratifikuara vetëm me nënshkrimin e presidentit ose duhet edhe votimi i 2/3-ve të deputetëve të Kuvendit.