AH, POPULLI IM!

SHKRUAN: RAMIJE AJDINI

Ata që të prijnë dhe të qepin këmishën, gjithmonë të trajtuan e të quajtën “kope”. Dhe kush!?

Subjektet politike (fjalën e kam për subjektet politike dhe popullin jashtë kufijve administrativ veçanërisht në Iliridë), që lindin e shuhen brenda natës, si kërpudhat pas shiu.
Më thoni ju lutem, ka ngelë një subjekt politik apo kulturor, që u themelua me zhbërjen e socializmit!?- jo, nuk kemi, ngase kanë shpirt bajraktarë, moto e kanë: “më mirë i pari në katund se i fundit në qytet”. Dhe po të rikujtojmë vetëm dekadat e fundit do të shohim se, pjesa më e sinqertë dhe më e padjallëzuar e popullit, mbeten mërgimtarët, ata që u bënë çdo herë kurban të profiterëve politikë.

Ata dhe vetëm ata, u dogjën materialisht e shpirtërisht, sa herë që pati nevojë populli. Ata edhe sot e kësaj dite janë me qindra e qindra që nuk kanë nënshtetësinë e shtetit ku kanë pronat e stërgjyshërve dhe për çudi, askujt nga politikanët nuk i kujtohet për këtë hall të vjetruar gati tri dekada. Mërgatën e kujtojnë vetëm kur bien ngushtë, atëherë i bien mbas, atëherë kujtohen se ajo ekziston.

Ti populli im me dekada ëndërrove, ëndërron dhe do ëndërrosh të bëhet mirë për ty.

-Po si do të bëhet!?- kur gjithmonë për bari(çoban) zgjodhe delen.

Më e keqja, kurrë nuk tentove të ndryshosh diçka me gjithë mend. Edhe kur bëre ndryshime, gjithmonë të mashtruan keq, gjithmonë të servuan për të zgjedhur për prijës matrapazin më të padenjin, gjithmonë në ballë na prijnë puthadorët, servilët; nepotist, nuk do t’u them, sepse këtë e marrin si virtyt…. dhe jo si fyerje, shpesh kur ua themi; ata krenohen-mburren se, qenka aftësi sot të vjedhësh e përvetësosh djersën kolektive.

Nuk u shkon ndërmend ose shtiren se nuk e dinë që vjedhja është vjedhje, qoftë nga individi apo kolektiviteti-popullata.

Vetëm në tek ne në javë lindin e shuhen 7-8 parti politike e shoqata (anti)kulturore me të vetmin synim; -jo për të mirën e popullatës, por për të mirat materiale individuale. S’ke çka thua: shati tërheq dheun kah veti!

E ti popull hesht, ke rënë në letargji, këta bukëharamët, këta rrahaderët të kanë bë anestezi frontale afatgjate, që kurrë mos të hiqen prangat e robërisë dikur nga armiqtë, e sot nga…”miqtë”?!

Kudo në botë dëgjojmë se, klasa politike për veprimet antipopullore, si: vjedhjet uzurpimet, korrupsioni e mashtrimet dënohet me metoda nga më të ndryshmet. Vetëm te ne, sidomos në Iliridë sikur populli pajtohet me zhgjedhën që e ndërton vet për qafën e vet, dhe këtë e bën përmes votës që sa për sy e faqe e quan të shenjtë.

Do thoni qysh, si!?

Eee, qysh!? -Në prag të zgjedhjeve politikanët flasin me butësi dhelpre, premtojnë dhe populli nis e ëndërron parajsën, u beson verbërisht premtimeve të pacipëta; dhe pastaj, ata zënë postet populli zë gjumin.

Dikur qaheshim se nuk e zgjidhim çështjen dot, ngase jemi të pashkolluar sa duhet.

Po sot…!?

-Sot…!!! Edhe më zi, sot jemi të keqshkolluar.

Dje ishim gjysmë-analfabet, sot jemi analfabet të “arsimuar” të “edukuar”.

Sot, shkollimin e kryejmë “sa për sy e faqe”, në i thënçin shkollim! Shkollim që zgjat një zierje-pirje të një kafe ekspresso. Zihet e pihet në këmbë, sa mbyll e hap sytë. Pas mbarimit të palodhshëm, hop me një intervenim miqësore drejt në punë pa mund e përvojë, pa djersë.

A ka më lehtë!? Jo nuk ka; -po e pate babanë imam, ti myezin gjithsesi… s’ka bir nëne që të pengon; po e pate ligjërues apo drejtor, ti asistent i tij do apo nuk do.
Kështu ka ardhur kjo kohë demo(n)kratike.

Dhe, me këto kuadro mendoni të zgjidhim problemet. Jo, jo me dekada e shekuj do mbetemi të nënshtruar e të poshtëruar, sepse duhet njëherë e përgjithmonë “punës t’i gjejmë njeriun, e jo njeriut punë”.

Nuk i zgjidh problemet e popullit politikani “analfabet i arsimuar”, i cili nuk është në gjendje t’i lidh dy fjali. Shumica e politikanëve pajisen me diploma fakulteti, pasi ulen në karrige qeveritare, dhe vazhdojnë të radhisin gradat shkencore në mënyrë marramendëse brenda javës. Subjektet politike sidomos në Ilirida, formohen e riformohen nga individ dhe anëtarë të një subjekti të mëparshëm tanimë të harxhuar, pra, u mungon gjaku i ri.

Nuk ndërtohet shtëpi e re, me tulla të vjetra, sepse as nuk është estetike as e shëndoshë!

 

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top