AGRON TUFA, “EDHE I VETËM, TRIM NË LUFTË”…

SHKRUAN: TANUSH KASO

Duke ndjekur zhvillimin e luftës së pabarabartë midis një lukunie enveristësh ekstremistë nga njera anë, dhe drejtorit të Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, z. Agron Tufa nga ana tjetër, vetiu na kujtohet titulli i një libri dhe filmi të dikurshëm: “Edhe i vetëm, trim në luftë”!

Po ku janë shokët dhe shoqet e tij, që paguhen nga ai institucion dhe që kanë botuar libra për krimet e komunizmit?! Madje, ndonjeri prej tyre ka marrë edhe gradën shkencore “doktor i shkencave historike”, për listimin e kriminelëve komunistë! Përse nuk dëgjohen fare ata dhe ato, po qëndrojnë të tulatur e të strukur në strofkën e tyre, duke menduar “larg vetes sime”?

Është interesante se “korbat e kuq” nuk krrakavisin aspak kundër atyre që i ka mbërthyer heshtja dhe paniku, edhe pse në librat e tyre janë përmendur emra kriminelësh komunistë!!

Kësisoj, drejtorit Agron Tufa i duhet t’i përballojë i vetëm kërcënimet e atyre qenve dhëmbërënë e të sklerozuar, të cilët “lehin kundër hënës”.

Ai Institut, të paktën, duhej të kish dalë me ndonjë deklaratë publike në mbrojtje të drejtorit të tyre, të firmosur nga i gjithë kolektivi. Po mund të përgatisnin edhe ndonjë Peticion, me firma intelektualësh të nderuar dhe të përndjekurish politikë të mirëfilltë. Sepse atij institucioni shtetëror, nuk i mungojnë burimet financiare edhe nga fondacione të ndryshme, për ta përmbushur atë detyrë, duke kontaktuar me firmëtarë në Tiranë e në rrethet e tjera të vendit tonë.

Ai Peticion, përveç botimit në gazetat kryesore, t’i dërgohet edhe Këshillit të Evropës, OSBE-së, Përfaqësive Diplomatike dhe organizmave të tjera ndërkombëtare, ku të theksohet se në Shqipëri po ringjallet Stalinizmi; dhe të kërkohet ndërhyrja e tyre për zbatimin e Rezolutës Evropiane “Për Dënimin e Krimeve të Komunizmit”, të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2006.

Shoqata e ish të Burgosurve Politikë dhe nja dy të tjera që janë aktive, do ta mbështesnin një Peticion të atillë.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top