A FILLOI DIFERENCIMI NË VETËVENDOSJE !?

SHKRUAN: SEFEDIN KRASNIQI

Një shkrim i thjeshtë, por i guximshëm, i Sadri Ramabajës, për një çoroditje të shqiptarëve me prirje beduine në Dradanë (ish Kamenicë) dhe gjetiu, në një fare mënyre, e shndërroi në Dreyfus të LVV-së.

Pa kaluar nëpër forumet e LVV-së dhe pa u « diskutuar dy ditë » për ta shoshitur mirë, deri në shterrje këtë problem, siç do të thoshte Shpend Ahmeti, LVV reagoi fuqishëm duke e diferencuar Sadri Ramabajen nga klubi i shamiave të Albin Kurtit. Edhe xhemati i shamiave reagoi me « dinjitet » duke i duartrokitur gjatë këtij diferencimi, i cili s’di pse ma kujtoi kohën e diferencimeve të demonstratave pas viti 1981.

E di që edhe atëherë Ramabaja është deferencuar, madje dhe është burgosur nga sistemi sllavokomunist, por nuk di kur e ka pasur më vështirë ? Të diferencojë apo të denojë armiku është njëfarë krenarie, sepse në vetëdije je i sigurt që e ke dëmtuar, por të diferencojë partia jote, për iftar e per shami, është më tepër se denim. Është një denim që e ka shndërruar Sadri Ramabajen në njefarë Dreyfus-i të Vetëvendosjes. Ishte edhe diferencim shembullor, pasi u bë diferencim publik.

Kush e diferencoi Ramabajen ?

E diferencoi Albin Kurti dhe klika e tij, të cilët Ramabaja i mbronte me shkrime dhe me shumë përkushtim; si Albinin si klikën e tij, kur i denonte policia dhe drejtësia e Hashim Thaçit, me hir a me pahir ! E diferencuan kolegët e vet dhe njerëzit e ekstremit të majtë, të cilët për koketim me shamia e me islamin, një ditë do të kenë nevojë për mbrojtjen e Sadri Ramabajes.

Fytyra diferencuese dhe shkopi i fortë i lëvizjes marksiste i Vetëvendosjes, i mbështjellur me shaminë beduine të Erdoganit, do të shfaqen edhe më dukshëm në të ardhmen, por sipas nevojave dhe rastit. Të gjithë do të shohim se kush ka investuar kaq shumë në këtë lëvizje, sikur dikur në komandantët e Rognerit, të cilët, për t’i kthyer borxhet, u shnderruan në Klanin Pronto dhe ia futen kazmën Kosovës.

Por, komandantët e Rognerit, ia arritëm t’i zhveshim. Megjithatë, kaluan 20 vite derisa shqiptarët e Kosovës e kuptuan farsen e tyre « të çlirimtarëve », që në të vërtetë ishin mashtrues ordinerë, të cilët gjatë luftës bënin beteja bordelesh, në vend të betejave çlirimtare. Edhe marksist edhe me shami t’Erdoganit…

Sa vite na duhen t’i zhveshim marksistët e rinj të Kosovës të LVV të mbështjellur me shaminë e socialdemokracisë që i vjen era erdoganizëm ? Retorika marksiste e Albinit dhe socialdemokracia « paramenduese » e Shpendit, kërkon angazhimin e të gjithë pendave të ndritura dhe të patundur për t’i zhveshur sa nuk është vonë.

Ra Ramabaja e ua qiti të zitë me një shkrim ! I ndjeri Kadri Mani (Osmani) do të thoshte, “e si na qenka kjo punë, edhe marksistë edhe me shami t’Erdoganit*?

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top