Sot bëhen 106 vjet nga lindja e humanistes së njohur shqiptare, Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nënë Tereza.
“Nënë Tereza” është fituese e çmimit Nobel për Paqen, kurse më 19 tetor të vitit 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani.
Gonxhja mësimet e para i mori në një shkollë shqipe në Shkup, ku po ashtu e kreu dhe gjimnazin, por në gjuhën serbo-kroate. Pasionet e rinisë së Gonxhes ishin tre: të bëhej mësuese, të shkruante dhe recitonte poezi dhe të kompozonte e të luante muzikë. Emrin “Tereza” e mori kur ishte 18 vjeçe dhe u dorëzua murgeshë.
Nënë Tereza u vendos në Kalkuta të Indisë ku fillimisht u bë mësuese dhe shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave. “Nënë Tereza e Kalkutës” u quajt kur themeloi urdhrin “Misionaret e Dashurisë” në vitin 1951, për t’u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës, Indisë dhe gjithë botës.
Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel më 1979, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezën se nga ishte. Ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.
Nënë Tereza u bë një nga urat ndërlidhëse të njohjes së shqiptarëve në botë. Presidenti I ShBA-ve, Bill Clinton, është shprehur në qershor 2002: “Nënë Tereza, ishte e para ajo qe më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”.
Nënë Tereza lindi në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 dhe vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta.