Së fundmi, këndellja domosdoshmëri, Z. Isa Mustafa!

Shkruar nga Idriz Zeqiraj – Letër e hapur zotëri Isa Mustafa

Më vie plasja kur emri juaj, zotëri Isa Mustafa pason Hashim Thaçin e Kadri Veselin, të akuzuar si kriminelë nga shqiptarët. Sepse ju nuk jeni palë me ata në listimin dhe ekzekutimin e 1.820 ushtarakëve, kuadrove dhe veprimtarëve të Ibrahim Rugovës.

Koalicioni, sidomos ai paszgjedhor, nuk presupozon, domosdoshmërisht, shkrirjen e LDK-së në PDK-në. Marrëveshjet për Asosacionin dhe Demarkacionin, janë biseduar dhe pranuar pa praninë tënde dhe pa vullnetin e LDK-së. Prandaj, zelli juaj në mbështetje të Hashimit dhe të Kadrisë është irritues dhe provokues, madje, deri në skajmërinë uluritëse.

Demarkacioni aktual është aq i panatyrshëm, sa edhe homoseksualiteti. Andaj presioni, shantazhi juaj ndaj deputetëve të LDK-së, është jo njerëzor, satanik dhe unik, duke konsumuar thyerjen e ligjit, deri në penalizimin tënd meritor. Rikthimi i demarkacionit në tavolinën shkencore, bisedore ndërshtetërore, do të ishte zgjidhja më reale e kësaj çështjeje madhore.

Hashimi dhe Kadrija janë peng i krimeve seriale, andaj, për të shpëtuar lëkurën e tyre, e kanë vënë Kosovën në ankand. Ndërkohë, ju jeni të liruar nga kjo barrë-bjeshkë e krimit vrastar faktik. Andaj, kalaveshja juaj pas bartësve të krimit, duke e bërë një krim të ri kombëtar, është jo logjike e skandaloze. Pas provës së parë dështuese të demarkacionit, një përpjekje e dytë imponuese, për ta votuar, do të ishte supër kriminale.

Ngulmimi lajthitës i ndërkombëtarëve, për miratimin e marrëveshjeve fatale për Kosovën, pra, të Demarkacionit dhe të Asosacionit, buron nga joshja e Hashimit me bandën e tij, në këmbim të amortizimeve të akuzave të bazuara, për krime numerike të bëra ndaj shqiptarëve të pafajshëm, kryesisht, vrasjen e ushtarakëve të FARK-ut dhe të veprimtarëve të LDK-së. Ndërkomnbëtarët janë lodhur e ngopur me bandën e pushtetarëve të Kosovës, andaj, janë dakorduar ta bëjnë hisedare Serbinë në Kosovë, duke e shpërblyer edhe Malin e Zi me tokat e Kosovës.

Arsyeja: Shqiptarët në përgjithësi, ata të Kosovës në veçanti, nuk dëshmuan aftësi as shtetformuese dhe as shtetdrejtuese. Për rrjedhojë, ende duhet mbajtur nën fre, me tutor e mbikëqyerje, rrjedhimisht, me pavarësi relative, pse jo, edhe fiktive!

Mali i Zi, me popullësi numerike modeste, por me një traditë mbretërore solide, i vënë para dilemës: me Lindjen apo Perëndimin, ai zgjodhi këtë të fundit. Ndarja nga Serbia, fillimisht, shkëputja nga Rusia, më pastaj, u vlerësuan në masën e duhur nga Qendrat e Vendosjes Ndërkombëtare. Andaj, u përcaktuan, en bloc, për një shpërblim domëthënës: falja e hapësirave tokësore në kufirin me Kosovën, në dëm të shqiptarëve! Lidhjet e gjakut, gjuhës,  religjionit serbo-malazeze, për ndarjen e tyre është dashur një investim i madh, një ndërhyrje e mençur, profesionale dhe premtuese nga Amerika me aleatë.

“Nëna Rusi” ishte gjithëçka për malazezët dhe Malin e Zi. Kur populli malazez nuk shfrytëzonte minierat, nuk posedonte asnjë industri, madje as prodhimin e Teknikës së Bardhë, lagjet turistike të bregdetit jo se jo, pra, me zero turizëm, ky popull i ngulitur në kërshat bregorë e malorë, mbijetonte me grurin e sjellur me anije nga Rusia, fillimisht, cariste, më vonë staliniste.

Në fund të viteve `40-a e deri në mars të vitit 1953, kur krimineli Stalin u largua për në ferr e  turpshëm nga kjo botë, në rrugët dhe bulevardët e Beogradit dhe të kryeqendrave tjera jugosllave, jehonte kënga korale: “Oj Staline rusko sine, uzmi stapu çuvaj svinje”, (O Stalin o djali rus, merre shkopin e ruaj derrkucë”.)

Populli i Malit të Zi i ndejti besnik “Nënës Rusi” edhe pas prishjes të marrëdhënieve ruso-jugosllave, përkatësisht, Tito-Stalin. Dhe, këtë besnikëri e pagoi me 8.000 (tetë mijë) ushtarakë dhe kuadro malazezë të arrestuar dhe të dënuar me burg. Ishullin burg të “Golji Otokut”, në Kroaci, e populluan, me shumicë absolute, ushtarakët malazezë, pjesëmarrës në Luftën e Dytë Botërore dhe stalinistë të tjerë jugosllavë.

Me këtë burg, me torturë të tepëruar, Titua u njollos në sytë e botës demokratike. Por, për t`u mbrojtur nga rreziku real rus, bëri aleancë të fshehtë, më sakt, gjysmë të hapur, me Amerikën dhe aleatët e saj, duke ndjekur një politikë më liberale, në krahasim me vendet komuniste të Evropës Lindore, për të mos folur për rrugaçërinë kriminale të qeverisë shqiptare të filosllavit stalinist, Enver Hoxha.

Megjithatë, do të mjaftonte kundërshtia gjithëpopullore aktuale, për ta justifikuar tërheqjen pushtetare nga marrëzia pranuese e faljes të tokave Malit të Zi, që ndërkombëtarët të reflektonin, për ta kompensuar Malin e Zi me favore tjera, pa dëmtuar Kosovën. Ata kanë mundësi të panumërta, për ta stopuar lakminë, joshjen jo meritore dhe hiç të ligjshme mbi tokat shqiptare.

Këmbëngulja e sërishme, për ta vënë në rend të ditës votimin e Demarkacionit, është rrugaçëri pështirosëse e pushtetarëve cinikë, kriminelë e karrieristë të Kosovës së përtokur, të mbetur në mëshirën e halabakëve të LPK-së komuniste e staliniste, sabotatore e luftës dhe vrastare e atdhetarëve të dëshmuar dhe luftëbërës të Kosovës tonë.

Ju, zotëri Isa Mustafa, në Kuvendin e 7-të të LDK-së, me votë të fshehtë dhe transparente, u zgjodhet kryetar i partisë. Por, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së nuk iu nënshtrua as konkurrencës, as transparencës, por, u emërua dhe u votua me aklamacion. Kryesia e dalë nga ky Këshill i paligjshëm, e paligjësoi edhe vet Kryesinë e LDK-së. Ju, me një rreth vicioz, i dëmtuat edhe ata, të cilët mund të fitonin me votën fshehtë demokratike. Pse e degraduat praktikën e votimit të fshehtë?! Pse i imituat partitë-banda të së majtës ekstreme, PDK-në dhe AAK-në, me votimin aklamativ, duartrokitës, komunist e stalinist?!!
Kuvendi i 8-të i LDK-së e shkatërroi, madje, me fund, sistemin zgjedhor demokratik të kësaj partie, duke e bërë kopje zgjedhore të partisë-bandë në koalicion, PDK-së, dhe bisht i saj edhe në funksionimin dhe vendimet e saj, përfshi këtu edhe miratimin e marrëveshjeve fatale: Bashkësinë e komunave serbe dhe Shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Kuvendi i 8-të ishte një maskaradë kundra-demokratike dhe neveritëse. Akuza, shpifje, trillime e denigrime monstrume, kundër degëzimit reformator; përzgjedhje aklamative në disa Nëndegë e Degë të kryetarëve dhe të delegatëve, duke kulmuar me devijime dhe deformime të rënda “zgjedhore” në Kuvendin Qendror të LDK-së.

Debati, si normë demokratike, i cili përjashton kushtëzimin, u refuzua në masën absolute; konkurrenca gjithashtu; votimi i fshehtë dhe demokratik u përjashtua përgjatë procesit zgjedhor, për ta zëvendësuar me emërime dhe votime aklamative, ngritje dore, metodë kjo, tashmë, e demoduar, e shpëlarë, tipike komuniste e staliniste.

Rrjedhimisht, ju z. Isa Mustafa, e humbet të drejtën e titullarit – kryetar -, për të mbetur një administrator i vetemëruar i partisë, i pasuar nga një Këshill i Përgjithshëm dhe Kryesi, po aq të paligjshme, sa edhe ju. Pra, strukturat drejtuese e vendim-marrëse të LDK-së, janë në krizë të legjitimitetit dhe asnjë nga vendimet e tyre nuk mund të jenë valide, të vlefshme e ligjore. Prandaj, shthurja, tkurrja, hutia dhe pakënaqësia në organet drejtuese janë evidente, të dukshme dhe pa shpresë konsolidimi, avancimi, përparimi.

Në vitet `70-a, kur numri i studentëve në Kosovë po rritej në shpërputhje më mundësinë reale të punësimit, shqetësimit të pushtetarëve, profesori i nderuar Hasan Mekuli, (ndjesë pastë), i qetësonte me arsyetimin mençurak: “Më mirë të kemi armatën e fakultetlinjve të papunë, se sa të pashkolluar, që në mungesë të punës, mund të lëshohen në veprime rrugaçërore”.

Me keqardhje të thellë, pas tej katër dekadave të shkuara, ndodhi ajo që profesor Mekuli nuk e kishte parashikuar. Intelektualët titullarë, të thirrur fiktivisht në emër të LDK-së, sepse nuk kishin kaluar votimin e fshehtë e demokratik, mohuan pjesëmarrjen në Kuvendin e 8-të të delegatëve të Degës të LDK-së në Gjermani dhe Zvicër, me arsyetimin se kanë marrë një – SMS- nga një person, emrin e të cilit nuk e thonë(!), për parregullësi në zgjedhje në këto Degë!
Faturimi i shkeljeve flagrante të proceseve zgjedhore të disa Kuvendeve të Nëndegëve, Degëve dhe të vet Kuvendit Qendror të LDK-së në Prishtinë, ia faturuat Degëve të Mërgatës, deri në detyrimin e përsëritjes të zgjedhjeve, është rrugaçëri e shkallës sipërore e shefave shkollarë, të cilët sot merren me menagjimin e LDK-së.

Leximi i pastër i kësaj mujëshie rrugaçërore ka hasur në kundërshtinë e ligjshme të anëtarësisë të LDK-së në Mërgatë, për përsëritjen e zgjedhjeve, me arsyetimin se është nguti e kohës se zgjedhjet duhet të rimbahen, pikërisht, në Nëndegët dhe Degët e LDK-së në Kosovë, ku zgjedhjet janë bërë me aklamacion, përfshi këtu edhe Kuvendin e 8-të të LDK-së.

Rrena e madhe, sa bjeshka, që ju, z. Isa Mustafa, lansuat në Televizionin zyrtar e përrallë të Kosovës, se “një komision i LDK-së ka hulumtuar procesin zgjedhor, dhe ka gjetur shkelje e parregullësi”, ka acaruar deri në neveri e përbuzje anëtarësinë tonë. Tani ne presim praninë dhe raportin faktik të këtij komisioni imagjinar, për të shpalosur shkeljet, që ai komision pretendon, duke nxjerrë nga anonimiteti edhe autorin shpifës të – SMS -it, që mund të rezultojë, gjithashtu, imagjinar!

Ju, z. Mustafa, me përjashtimet dhe linçimet e bëra, në vijimësi, keni rrënuar LDK-në në Kosovë, dhe tani i jeni sulur LDK-së në Diasporë. Dihet qëndrimi juaj hiç miqësor karshi LDK-së në Mërgatë, qysh kur bënit detyrën e Ministrit të Financave; dihet edhe kontrabandimi që u bëre ndoca shefave të LPK-së, armiq të thekur të LDK-së, në krye të disa komisioneve, të cilët, qëllimshëm, krijuan hutinë e madhe në derdhjen e parave të Fondin zyrtar të Kosovës. Ju ndikuat që agjentët e UDB-së, brenda LPK-së, ta realizojnë atë vjedhjen industiale të parave nga “Fondi Vendlindja thërret”. Prandaj, ju jeni fort të interesuar t`i shuani Degët e LDK-së në Mërgatë.

Ju themi hapur se ne, delegatët e dy Dëve të Mërgatës, ishim të përjashtuar nga Kuvendi i 8-të qysh në fillim të fushatës parazgjedhore. Arsyet: 1) Mundësia e kandidimit të Donikë Gërvallës për kreun e LDK-së; dhe 2) Delegatët e Mërgatës nuk do të pranonin, madje, me asnjë çmim, zgjedhje farsë e fiktive, siç ishin “zgjedhjet” aklamative. Ne do të insistonim vetëm për zgjedhje të fshehta e demokratike, si normë e përbotshme e Partive Popullore të Evropës, me orientim djathtist.

Ju, z. Mustafa, më të madh e keni inatin se sa trupin. Ju kam thënë disa herë, po e përsërisë edhe tani, se inati në politikë është humbës. Hiqni dorë nga përsëritja e zgjedhjeve në Skënderaj, Kllokot dhe sidomos në Mërgatë, përkatësisht, në Gjermani dhe Zvicër. Sepse, rizgjedhjet në Mërgatë janë të lodhshme, shumë të kushtueshme: pagesa e sallave; udhëtimet tej 400 km brenda Landeve (Republikave) dhe mbi 1.000 kilometra në nivel Gjermanie.

Por, mbi të gjitha, zgjedhjet në dy Degët e Mërgatës, tashmë, të përgojuara nga gojë-këqinjtë, si ju me pak shokë, kanë qenë shumëfish më të rregullta, se sa ato që keni mbajtur ju në Kosovë. Prandaj, kërkesa juaj është cinike, inatçore, mujshore, e qëllimshme, për t`i dështuar Degët në fjalë. Pikërisht, atëherë, kur ju mendoni se mund të bëni ç`të doni me anëtarëinë e LDK-së, dështimi i juaj do të ishte sa i pashmangshëm, aq edhe i palavdishëm.

Me dhembje të thellë konstatojmë se LDK-ja është hutuar e çoroditur, deri në marramendje. Disa mendojnë se Gjykata Speciale ua sjell pushtetin! Në vend që të organizohen dhe mobilizohen, për ta fituar elektoratin, tashmë, të lodhur, të mëfshtë, të tërhequr nga zhgënjimi i madh, në udhëheqjen pasrugoviane, ata bëjnë argatin e dreqit, për rehabilitimin e kriminelëve të partive-banda në pozitë dhe opozitë!!

Administratorët aktual të LDK-së, duhet të pajtohen, madje, pa kushte, me reformatorët, që gjithësesi e drejta është në anën e tyre. Të dy palët, së bashku, duhet të përshkojnë, qysh tani, anëpërtej Kosovën dhe Diasporën, duke lënë menjanë zenkat në mes tyre, për ta bindur anëtarësinë, simpatizantët dhe elektoratin e dikurshëm rugovian, së punët po kthehen së mbari.

Sepse LDK-ja, si parti shtetformuese, bërëse e paqes dhe e luftës, është e vetmja forcë politike, e cila mund ta shpëtojë nga dështimi shtetin e Kosovës; ta konsolidojë shtetin e Kosovës, duke e transformuar nga një shtet të brishtë e të prishtë, siç është, faktikisht, sot, në një shtet të mirëfilltë dhe solid.

Ju, zotëri Isa Mustafa, me shokë keni shansin historik, për t`i bërë shërbimin e madh Lidhjes Demoktatike të Kosovës dhe, mbi të gjitha, Republikës të Kosovës. Këndellja juaj personale e grupore është domosdoshmëri e kohës. Me nismën tuaj për afrimin dhe bashkimin e anëtarësisë, simpatizantëve dhe të kuadrove e veprimtarëve të anashkaluar në vite, do ta fuqizonit LDK-në, deri në përmasën e forcës të parë politike në Kosovë. Agjitimi i përbashkët, pa ndërskamca dhe i siqertë, do të ngjallte frymëzim e shpresë për fitore. Këndellja juaj. gjithësesi, do të rezultonte edhe me këndelljen e popullit të nëpërkëmbur dhe të përtokur, nga partitë-banda të së majtës ekstreme, staliniste të Kosovës.

1 koment te “Së fundmi, këndellja domosdoshmëri, Z. Isa Mustafa!”

  1. Komunistet i hëngren kokën njeri tjetrit , mendoni ju z. Zeqiri se Isai ështe tjeter?
    Jo ,jo ështe i njejti ,vetem qe emrin e ka ndrrue !

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top