KUR TIRANASIT LUFTONIN NË KOSOVË KUNDËR ÇETNIKËVE

Shkruan: DASHNOR KALOÇI

“Ndërsa kishin filluar përgatitjet dhe ishte caktuar edhe data e nisjes, vëllai im, Hamiti, i cili ishte një nga eksponentët e rinisë së Ballit Kombëtar dhe kishte shoqëruar Mit‘hat Frashërin në Kongresin që ishte mbajtur në Berat në shkurtin e 1944-ës, nuk kishte asnjë lloj dijenie rreth dy batalioneve që do të niseshin për në Kosovë. Atë ditë, para se të bëhej nisja e vullnetarëve nacionalistë, ndërsa kamionët që kishin hipur ata bënë një xhiro demonstrative në disa rrugë të Tiranës, Hamiti sapo i pa, vrapoi dhe u bashkua me shokët e tij, duke më thënë mua që të lajmëroja në shtëpi”. Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë, është 72-vjecari Ali Troplini, i cili rrëfen gjithë historinë e vëllait të tij, Hamit Troplinit, njërit prej eksponentëve të rinisë nacionaliste të Ballit Kombëtar, që u vra nga forcat cetnike serbo-malazeze të Radisav Pecit në korrikun e vitit 1944. Po cili ishte Hamit Troplini dhe nga c‘familje rridhte ai? Si u bashkua Hamiti me forcat nacionaliste të rinisë së Ballit Kombëtar dhe në c‘rrethana ndodhi vrasja e tij? Si e mësoi familja e Hamit Troplinit vrasjen e djalit të saj dhe si u trajtua ajo nga regjimi komunist i Enver Hoxhës deri në fundin e viteve ‘80?

FAMILJA E LIDHUR ME MONARKINË

Hamit Troplini u lind më 26 maj të vitit 1926 në lagjen “Ismail Efendi”, ose sic është njohur pas vitit 1944 me emrin “Vojo Kushi”, e cila ndodhet diku prapa maternitetit të vjetër të Tiranës, që sot mban emrin “Mbretëresha Geraldinë”. Hamiti ishte i pari nga djemtë e familjes Troplini, nga njëmbëdhjetë fëmijët që patën Jonuzi me bashkëshorten e tij, Nurie Krujën. Shtëpia ku u lind Hamiti është një shtëpi e vjetër tiranase, e cila ndodhet edhe sot e futur diku aty midis rrugicave të ngushta të asaj lagjeje, ku mbizotërojnë banesat prej qerpici e të rrethuara me mure e avlli të ulëta. Origjina e hershme e familjes Troplini është nga fshati Romanat (ku ndahet rrethi i Tiranës me atë të Durrësit), ku edhe sot një lagje e atij fshati mban mbiemrin Troplini. Të parët e atij fisi thuhet se kanë zbritur e janë vendosur në atë lagje që përpara 150 vjetësh. Babai i Hamitit, Jonuzi, përvecse ka qenë i njohur si zanatci, që rregullonte opinga, ka shërbyer edhe për shumë kohë si përgjegjës i lulishtes së Pallatit Mbretëror të Zogut. Atë punë, Jonuz Troplini e bënte më shumë për kënaqësinë e tij shpirtërore, për shkak të adhurimit që ai kishte për monarkinë dhe familjen mbretërore, sesa për pagesën që merrte. Po kështu, edhe i ati i Jonuzit, Abdyli, kishte punuar për vite me radhë në administratën e Bashkisë së Tiranës. Për lidhjet e ngushta të familjes Troplini me administratën e monarkisë së Zogut, 72-vjecari Ali Troplini dëshmon: “Babai im, Jonuzi, ishte një simpatizant i flaktë i monarkisë dhe ato bindje ai i kishte të trashëguara nga i ati i tij, Abdyli. Po kështu, përvec babait dhe gjyshit që shërbenin në administratën e Mbretit Zog, edhe dy xhajat e mi, Ymeri dhe Qazimi, gjithashtu shërbenin në policinë bashkiake”, kujton Ali Troplini, për lidhjet e familjes së tij me administratën shtetërore të monarkisë së Zogut.

HAMITI, ME RININË E BALLIT

I lindur dhe i rritur në atë rreth familjar, Hamit Troplini, pasi mbaroi shkollën shtatëvjecare te “Hasan Prishtina”, vazhdoi mësimet në gjimnazin klasik të Tiranës, i cili asokohe ndodhej në fillimin e Rrugës së Kavajës. Lidhur me rrethin shoqëror që kishte Hamiti në atë kohë, i vëllai i tij, Ali Troplini, dëshmon: “Që në moshë fare të re, Hamiti dallohej nga të gjithë bashkëmoshatarët e tij për fizikun që kishte dhe gjithashtu njihej edhe si trim i madh që s‘i bënte syri tërr. Që kur hyri në vitin e parë të gjimnazit, ai u bashkua me një grup shokësh që ishin simpatizantë të rinisë nacionaliste të Ballit Kombëtar. Në këtë rreth shoqëror të Hamitit, bënin pjesë dhe Osman Saraci, Xhemal Alimehmeti, Musa Murra, Rizvan Banka, Ali Plava etj., të cilët vinin shpesh në shtëpinë tonë dhe bisedonin gjatë me Hamitin. Përvec rrethit tonë familjar, një ndikim të madh në bindjet nacionaliste të Hamitit, patën edhe eksponentët kryesorë të Ballit Kombëtar, si: Ramazan Jarani, Halim Begeja dhe Vasil Andoni, të cilët i kishin shtëpitë vetëm disa hapa më larg nesh në të njëjtën rrugicë. Duke e njohur Hamitin si djalë trim dhe tepër të zgjuar, ata ia propozuan atë Mit‘hat Frashërit, i cili e mori si shoqërues të tij në Kongresin e Ballit Kombëtar, që u mbajt në fillimin e muajit shkurt të vitit 1944 në qytetin e Beratit. Bashkë me Hamitin në atë kohë si shoqërues i Mit‘hat Frashërit ka qenë dhe shoku i tij, Ali Plava”, kujton Ali Troplini lidhjet që kishte asokohe i vëllai i tij, Hamiti, me Ballin Kombëtar dhe disa nga eksponentët kryesorë të asaj organizate nacionaliste. Si u nis Hamiti për në Kosovë Po si e mësoi Hamit Troplini lajmin e nisjes së dy batalioneve nacionaliste për në Kosovë dhe në c‘rrethana u nis ai për atje? Lidhur me këtë, i vëllai i tij, Aliu, dëshmon: “Aty nga fundi i muajit qershor të vitit 1944 u hap fjala se kreu i Ballit Kombëtar, Mit‘hat Frashëri, kishte thënë se do të conte dy batalione me të rinj nacionalistë në Kosovë, për t‘u ardhur në ndihmë kosovarëve nga reprezaljet që po iu bënin atyre forcat cetnike serbo-malazeze të Radisav Pecit. Pas thirrjes që kishte bërë Mit‘hat Frashëri, komanda e rinisë së Ballit, që e kishte selinë e saj te një barake aty te Rruga e Saracëve, filloi regjistrimet e vullnetarëve nacionalistë, që dëshironin të shkonin për të luftuar në Kosovë. Dhe për përgatitjen e listave ishin caktuar Halim Begeja, Arif Peza dhe Xhemal Alimehmeti. Ndërsa kishin filluar të gjitha këto përgatitje dhe ishte caktuar edhe data e nisjes, vëllai im, Hamiti, nuk kishte asnjë lloj dijenie rreth dy batalioneve që do të niseshin për në Kosovë. Atë ditë, para se të bëhej nisja e vullnetarëve nacionalistë, kamionët që kishin hipur ata bënë një xhiro demonstrative rrugëve të Tiranës. Atë ditë, unë dhe Hamiti u ndodhëm në Rrugën e Dibrës, ku familja jonë kishte një furrë dhe një dyqan të marra me qira. Në atë moment, të dy kamionët me të rinjtë nacionalistë kaluan përpara dyqanit tonë, Hamiti u thërriti atyre duke i pyetur se ku po shkonin. Shokët e tij, të cilët qëndronin në karroceritë e kamionëve të zbuluar me qeleshe të bardha në kokë dhe me pushkët në duar, iu përgjigjën duke i thënë se po shkonin për të luftuar në Kosovë, pasi serbët kishin sulmuar kosovarët. Në atë cast Hamiti më tha mua: ‘Ali, shko në shtëpi dhe lajmëro tatën, se unë ika për në Kosovë me shokët e mi‘. Pa mbaruar mirë ato fjalë ai u nis me vrap në drejtim të kamionëve dhe hipi lart, i ndihmuar edhe nga shokët që e pritën me brohoritje vajtjen e tij. Mbas pak aty te dyqani ku po qëndroja unë erdhi babai, të cilit i thashë se Hamiti u nis për në Kosovë. Babai në fillim shtangu, por nuk e dha veten. Ndërkaq unë u nisa me vrap drejt makinave dhe i arrita ato te sheshi përpara bashkisë, në afërsi të kafes “Kursalit”. Aty ishin mbledhur shumë njerëz për t‘u takuar me të afërmit e tyre që po niseshin për në Kosovë. Ndërkaq, Hamiti qëndronte në karrocerinë e kamionit me qeleshen e bardhë dhe me një xhaketë që sapo ia kishte blerë Muharrem Mumajesi, tek i cili Hamiti punonte si cirak. Në castin që u ndamë, Hamiti më tha: ‘Mos qaj Ali, ti je cuni i madh i shtëpisë dhe ki kujdes nanën e babën‘”, kujton Ali Troplini ndarjen me vëllanë, Hamitin, duke shtuar se fjalët e tij iu dukën si amaneti i fundit. Lajmi i vrasjes dhe persekutimi i familjes Po si e mësoi familja Troplini lajmin e vrasjes së djalit të tyre, Hamitit, i cili kishte shkuar për të luftuar në Kosovë? Lidhur me këtë, Ali Troplini dëshmon: “Lajmin e vrasjes së Hamitit na e solli xhaja jonë, Qazimi, (i cili në atë kohë punonte me policinë bashkiake) aty nga data 12-13 gusht e vitit 1944. Pas kësaj, për të na dhënë lajmin e vrasjes, në shtëpinë tonë erdhi vetë Halim Begeja, si përfaqësues i Komandës së Përgjithshme të Ballit Kombëtar, i cili në atë kohë ishte kreu i asaj organizate nacionaliste për Tiranën. Bashkë me Halimin në atë kohë në familjen tonë erdhën dhe një pjesë e madhe e batalionit të rinisë “Besnik Cano”, si: Xhemal Alimehmeti, Arif Peza, Ibrahim Haznaj etj., me të cilët kishte luftuar Hamiti në Kosovë. Që të nesërmen e ardhjes së tyre, në familjen tonë erdhën dhe shumë telegrame ngushëllimi nga Vlora, Korca, Berati, Kavaja, Shkodra etj., të cilat i kishin dërguar komandat e Ballit të atyre rretheve. Ndër telegramet e shumta që na erdhën në atë kohë, binin në sy ato të Mit‘hat Frashërit dhe Jup Kazazit, të cilat ne i ruajtëm deri vonë në familjen tonë”, kujton Ali Troplini atë kohë kur në familjen e tyre mbërriti lajmi i vrasjes së Hamitit dhe telegramet e shumta që u erdhën atyre nga disa rrethe të vendit. Po si u trajtua familja e Hamit Troplinit nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe a u shpall ai dëshmor i atdheut. Lidhur me këtë, Ali Troplini shton: “Jo vetëm që vëllai ynë Hamiti nuk u shpall Dëshmor i Atdheut, por komunistët që nga viti 1944 kur erdhën në pushtet, na quajtën ne familje ballistësh e tradhtarësh. Ky etiketim ndaj familjes sonë vazhdoi gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku ne u trajtuam si reaksionarë dhe të deklasuar, pavarësisht se vëllai ynë ishte vrarë duke luftuar në mbrojtje të vëllezërve kosovarë, kundër forcave cetnike serbo-malazeze”, e përfundon dëshminë e tij 72-vjecari Ali Troplini, i cili për plot dyzet vjet me radhë tregohej me gisht si “vëllai i ballistit”.

DËSHMIA E XHEMAL ALIMEHMETIT, NJERIU QË ISHTE ME TROPLININ NË NJË LLOGORE

“Ja si u vra Hamiti para syve të mi”

Njëri prej personave që e ka njohur nga afër të riun tiranas Hamit Troplinin dhe ka qenë bashkë me të në castin e vrasjes, është 85-vjecari Xhemal Alimehmeti, ish-pjesëtar i batalionit të rinisë së Ballit Kombëtar “Besnik Cano”. Lidhur me vajtjen e forcave të rinisë nacionaliste në Kosovë në qershorin e vitit 1944 dhe vrasjen e Hamit Troplinit, Xhemali dëshmon: “Nisja e dy batalioneve të rinisë së Ballit Kombëtar që mbanin emrat ‘Besnik Cano‘ dhe ‘Qeramudin Sulo‘ nga Tirana për në Kosovë, u bë më datën 16 qershor të vitit 1944. Të 200 vullnetarët që u mblodhëm aty te Rruga e Saracëve, hipëm në dy kamionë ‘Trentakuatro‘, të cilat u financuan nga qeveria e Kryeministrit Ibrahim Bicaku dhe pas një përshëndetjeje që na u bë te Sheshi i Shallvareve, u nisëm drejt Rrugës së Durrësit, e cila ishte mbushur plot me njerëz që na përshëndesnin me dorë dhe na hidhnin lule. Si komandant i dy batalioneve ishte caktuar Seit Kazazi, që rridhte nga familja e njohur e Kazazëve të Shkodrës, i cili në atë kohë punonte si prokuror në Tiranë dhe kishte mbaruar studimet e larta për Drejtësi në Romë. Kurse zv/komandant i batalionit ishte Halim Begeja, i cili gjithashtu kishte studiuar në Itali dhe në atë kohë punonte si avokat në Tiranë. Pasi fjetëm një natë në qytetin e Shkodrës, ku batalioni ynë u shtua me të tjerë të rinj nacionalistë nga ai qytet, u nisëm drejt Kukësit dhe pasditen e 17 qershorit mbërritëm në qytetin e Prizrenit, ku na u bë një pritje madhështore. Në mitingun e madh që u mbajt në atë qytet, fjalën e rastit e mbajti kryetari i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, Bedri Pejani, i cili na uroi mirëseardhjen. Nga ana e vullnetarëve nacionalistë fjalën e përshëndetjes e mbajti Ibrahim Haznai, i cili në atë kohë njihej si gazetar e shkrimtar që shkruante me pseudonimin Cen Qytyky. Pas fjalës së tij, që i preku të gjithë të pranishmit, të shoqëruar dhe me ushtarët e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, ne u nisëm për në drejtim të qytetit të Gjakovës. Më pas vazhduam rrugën drejt Ferizajt e Pejës dhe që aty morëm rrugën për në Grykën e Rugovës, për të zbritur më pas në Qafë-Morinë, ku ndodhej kufiri i vjetër me Serbinë. Në atë vend ndodhej një urë, e cila konsiderohej si tepër strategjike dhe lidhte rrugën kryesore që kalonte mbi lumin Lim. Kjo urë lidhte Pejën e Beranën me Plavën e Gucinë. Komandanti i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, caktoi batalionin tonë që të merrte nën mbrojtje atë urë, e cila pritej të sulmohej nga forcat cetnike serbo-malazeze të Radisav Pecit. Dhe ashtu sic pritej, forcat cetnike sulmuan forcat tona balliste akoma pa zbardhur mirë dita me një sulm me mortaja. Ne iu përgjigjëm gjithashtu me armët tona dhe kjo luftë zgjati deri në orët e mesditës, ku nga forcat serbo-malazeze pati mjaft të vrarë. Nga forcat tona mbeti i vrarë 19-vjecari Hamit Troplini, të cilit i ra një predhë mortaje në kokë. Në castin e goditjes, Hamiti kishte zënë pozicion vetëm dy tre hapa larg meje, pasi ishim shumë shokë dhe ai mbylli sytë në duart e mia. Të nesërmen e vrasjes së tij, më 10 qershor, u mbyllën të gjitha dyqanet dhe pothuajse i gjithë populli i Pejës mori pjesë në ceremoninë e varrimit të tij. Pas vrasjes së Hamitit, komanda e Ballit Kombëtar vendosi që trupin e tij ta sillte në Tiranë për ta varrosur pranë familjes, por autoritetet vendore të Pejës dhe i gjithë populli ngulën këmbë që ai të varrosej aty, duke thënë: “Troplini dha jetën për mbrojtjen e kësaj toke dhe i takon të prehet këtu në këtë tokë, ku do t‘i bëhen të gjitha nderimet që i takojnë”. Pas ceremonisë madhështore të varrimit që iu bë Hamit Troplinit, ne morëm rrugën e kthimit dhe në qytetin e Prizrenit mbajtën një fjalim Bedri Pejani dhe Fuad Dibra. Midis të tjerash, në fjalën e tij Pejani u shpreh duke na thënë: “Ju falënderoj në emër të popullit të Kosovës, që na dhatë një ndihmë shumë të madhe morale, duke i dhënë të kuptojë Kosovës që ajo nuk është vetëm”. Pas fjalimit të Pejanit turma të mëdha qytetarësh prizrenas na ndoqën nga pas, duke na hedhur lule, deri sa makinat tona morën rrugën në drejtim të Kukësit”.

Italia dhe Gjermania e njohën Kosovën si pjesë e Shqipërisë

Nga prilli i vitit 1939 e deri në nëntorin e vitit 1944 që Shqipëria ishte nën pushtimin italian dhe gjerman, këto dy shtete të fuqishme e njohën Kosovën si pjesë të pandarë të Shqipërisë etnike, duke i dhënë asaj të gjitha të drejtat njëlloj si viset e tjera shqiptare kudo që ato ishin. Ndonëse njohja e Kosovës prej tyre bëhej edhe për qëllime politike dhe propagandistike, qeveritë italiane e gjermane, si dhe diplomacia e tyre, nuk e kishin shumë të vështirë t‘u shpjegonin kancelarive të ndryshme evropiane se Kosova ishte një territor shqiptar dhe etnikisht i pastër. Në kuadrin e njohjes së Kosovës brenda Shqipërisë etnike, që nga viti 1939 e në vazhdim, Kosova pati një administratë të mirorganizuar, e cila varej nga qeveria e Tiranës që dërgonte atje herë pas here mjaft kuadro të përgatitur, sidomos në sektorin e arsimit. Por, edhe pse Kosova njihej dhe ishte nën administrimin e Tiranës zyrtare, nisur nga pretendimet që kishin serbo-malazezët dhe qeveria e Beogradit për atë krahinë shqiptare, gjatë viteve 1939-1944, forca cetnike serbe, herë pas here sulmonin përgjatë kufirit të Kosovës, duke kryer masakra cnjerëzore në popullsinë e pambrojtur të atyre trevave. Aty nga viti 1944, kur forcat cetnike serbo-malazeze të ultranacionalistit Radisav Pecit po i përshkallëzonin masakrat e tyre ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës, krerët kryesorë të organizatës nacionalistë të Ballit Kombëtar, me në krye Mit‘hat Frashërin, vendosën që të dërgonin dy batalione të tyre në krahinë, me qëllim që të mbronin popullsinë vendase nga krimet e cetnikëve. Dërgimi i dy batalioneve nacionaliste në Kosovë, kishte më tepër karakter politik dhe lufta që do bënin ata atje në mbrojtje të vëllezërve të një gjaku ishte thjesht simbolike. Në këtë kuadër, në verën e vitit 1944, dy batalionet e rinisë nacionalistë të Ballit Kombëtar të Tiranës (“Besnik Cano” dhe “Qeramudin Sulo”), ku midis tyre bënin pjesë emra të njohur si: Seit Kazazi, Halim Begeja, Arif Peza, Xhemal Alimehmeti, Rizvan Banka, Hamit Shehi, Luan Dosti etj., shkuan në Kosovë dhe luftuan kundra forcave çetnike.

2 komente te “KUR TIRANASIT LUFTONIN NË KOSOVË KUNDËR ÇETNIKËVE”

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top