Pordhopol

Shkruan: Edison YPI

-Ku është vendi më i përshtatshëm për të pjerdhur ?

-Në katundin tonë. Ku pordha vlerësohet. Ku nëse do bësh pordhën e duhur, të gjithë do të nderojnë, të gjithë do thonë për ty fjalët më të mira, do të ftojnë për kafe, për drekë, për darkë. Katundi ynë katund pordhe, nuk është tamam katund, madje as qytet, kryeqytet, apo metropol, por Pordhopol. Ne banorët e Pordhopolit jemi pordhanjosë, pordhacakë, pordhamanë, pordhëtarë me nam. Unë vetë jam një pordhëtar Pordhopoli. Këtu në Pordhopol, që thua ti, i vetmi mjet për të çarë në jetë është pordha. Ne pordhopolitanët, në dallim nga budallenjtë e botës, nder e lavdi nuk kemi punën por pordhën. Këtu në Pordhopolin e pordhacakëve po i the tjetrit “punë të mbarë” e bëre hasëm për gjithë jetën, po i the “pordhë të mbarë” e bëre mik për kokë. Ne pordhanjosët e pordhopolit, mes pordhësh gdhihemi e ngrysemi, lindim e vdesim. S’kemi muhabet tjetër ne veç pordhës; pordha jote, pordha ime, pordha e këtij, pordha e atij, pordhë kot, pordhë plot, pordhë për pordhë, pordhë për hall, pordhë për sebep, 24 orë pordhë, non stop pordhë. E gjithënjohura “pordhë me rigon” për shembull, këtu në pordhopol nuk është e vetmja pordhë e sofistikuar. Ne pordhamanët pordhën e gatuajmë edhe me mish, me presh, me spinaq, me qepë, me hudhra. Ne me pordhë bëjmë edhe ëmbëlsira, kadaif, revani, bakllava, madje edhe tavë me pordhë të mbushura.

-Po më çmend.

-Çmendja është pa bereqet. Më mirë pordhu. Pordhët në Pordhopolin tonë variojnë; Nga pordhët më të thjeshta, që janë pordhët e heshtura të cilat i lëshojnë zakonisht langaraqët, pordhët bombë që i lëshojnë frikacakët, pordhët artistike të legenave që e quajnë veten “krijues”, pordhët sizmike që tundin dheun, pordhët karizmatike përmes të cilave intelektualët tanë mahnitin miletin, deri tek pordhët e larta, pordhët historike, pordhët patriotike, pordhët akademike dhe filozofike. Pordhët tona nuk janë të njëllojta. Secili pordhën e vet. Pordha pordhës nuk i ngjan. Ka pordhë e pordhë. Ka pordhë të shtëna me profesionalizëm në momentin e duhur nga njeriu i duhur në mënyrën e duhur, për të bërë efektin e duhur, po ashtu si ka edhe pordhë kotmëkët pa asnjë efekt.

-Po flet si pordholog.

-Pordholog jam, dhe për nder e kam. Ty të ndihu fati që më pordhe, domethënë që më takove mua dhe jo ndonjë tjetër bashkpordhopolitan pordhëtar që pordhë bën por nga pordhët njohuri s’ka. Unë nuk jam nga më të shquarit pordhëtarë. Kemi studiues të regjur pordhësh të cilët njohuritë e tyre pordhopologjike i pjerdhin rregullisht nëpër gazeta pordhacake, revista pordhanjose, televizione pordhëtare. Kemi gjithashtu komisione të posaçme për dhënien e çmimeve e dekoratave; “Pordha e Merituar”, “Pordha e Kombit”, “Pordha e Popullit”, “Pordhë për merita të veçanta”. Për dhënien e titujve kemi ngritur juri të posaçme të përbërë nga pordhologë me nam të cilat seleksionojnë dhe vlerësojnë me kujdesin më të madh pordhët e të gjitha llojeve; Pordhë nga para, pordhë nga pas, pordhë nga brënda, pordhë nga jashtë, pordhë nga lartë, pordhë nga poshtë, pordhë frontale, pordhë anësore, pordhë tërthore, pordhë diagonale, pordhë vertikale, pordhë spirale, pordhë rrethore, pordhë trekëndore, pordhë kuadratike, pordhë kubike, pordhë piramidale, pordhë shumë dimensionale, pordhë multifunksionale, pordhë primitive, pordhë integrale, pordhë e ngrohtë, pordhë e ftohtë, pordhë firmato, pordhë e piratuar, mono pordhë, multi pordhë, pordhë lokale, pordhë ndërkombëtare, pordhë totale, minipordhë, maksi pordhë, stërpordhë, super pordhë, mega pordhë, giga pordhë, pordhë e direkte, pordhë e nënkuptuar, pordhë e formatuar, pordhë e zip-uar, pordhë e enkryptuar etj. etj. Që ta kuptosh më mirë sa po të them, duhet të dish se jeta këtu në Pordhopol është e tëra një kampionat pordhe ku garojnë parreshtur pordhanjosët më të mëdhenj të cilët hedhin pordhë nga më të ndryshmet; pordhë të madhe, pordhë të vogël, pordhë batare, pordhë me të shtëna një nga një, pordhë nazelie, pordhë lozonjare, pordhë tradhëtare, pordhë qesharake, pordhë serioze, dhe me rradhë, pordhë që zgjat, pordhë që bëhet për një çast, pordhë me pasoja imediate, pordhë me sahat që plas pas një kohe, pordhë që e bën kur do vetë apo pordhë që të shpëton, pordhë e folur, pordhë e shkruar, pordhë e printuar, pordhë elektronike, etj. etj. nuk po t’i rendis të gjitha se duke folur mund të më vijë për të pjerdhur, dhe pordhën s’dua ta humbas por ta shes.

-Mos j’a fut pordhës.

-Nuk po j’a fus pordhës. S’lë pordhë të më shkoj dëm. E sheh atë vilën atje ? Me pare pordhe e kam ngritur. S’dimë mënyrë tjetër ne për të fituar veçse duke shitur pordhë. Pordha është malli më me vlerë që kemi. Pordhën, e cila, siç ka dalë nga studimet më të fundit, është më unikale edhe se shenjat e gishtave, ne e përdorim edhe si mjet identifikimi, pasaportë, kartë identiteti. Ne nuk e pyesim mysafirin për emrin, mbiemrin, moshën, grupin e gjakut. Ne, pasi i dëgjojmë pordhën, kemi të qartë gjithçka, dimë për mysafirin më tepër se guglli. Nuk të pyeta kot nëse e bëre apo e mbajte. Po ta kishe shtënë pordhën në prezencën t’ime, nga gjëmimi dhe kundërmimi i pordhës tënde, do të thosha atypëraty gjithçka për fatin tënd prej pordhe, me më tepër saktësi se çdo sferë e kristaltë, magjistar, psikanalist, apo llum kafeje. Për ta njohur një njeri, s‘është i rëndësishëm emri që ai mban por pordha që ai bën. Më thuaj çfarë pordhe bën, të të them se cili je, themi ne këndej. Pa pordhë nuk çahet jeta. Nga pordha dhe për pordhën ne bëjmë mbledhje, mbajmë kongrese, sympoziume, organizojmë panaire, shkruajmë libra,kompozojmë muzikë, vemë në skenë pjesë teatrale, bëjmë filma.

-Më le pa fjalë.

-Pa fjalë s’është problem. Pa pordhë mos mbetsh.

1 koment te “Pordhopol”

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top