ZYRA E PRESIDENTIT E DO COPËTIMIN E KOSOVËS

SHKRUAR NGA ABDULLAH HOTI, KRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR TË LDK-së

Është e tmerrshme që i gjithë ekipi i zyrës së Presidentit, që paguhen me taksat e qytetarëve te Republikës së Kosovës, janë angazhuar për të arsyetuar idenë e shefit të tyre për copëtimin e shtetit të Kosovës. Sonte njëri prej tyre, që kane qenë pjesë e të gjitha etapave të shtetndërtimit të Kosovës, e arsyeton me pasion një marrëveshje të balancuar me Serbinë, ku Serbia duhet të marrë diçka. Për keqardhje.

Angazhimi kundër kushtetues i Presidentit për ta shtyrë përpara ‘korrigjimin e kufijve’, si dhe mospajtimet brenda “koalicionit të punëve të mëdha” PAN rreth taksës dhe dialogut me Serbinë, kanë bërë që në Republikën e Kosovës të thellohet kriza institucionale.

Si rezultat, raportet e Kosovës me partnerët janë në pikën më të ultë historikisht. Zbatimi i MSA-së ka ngecur. Njohje të reja nuk ka, ndërkaq po rrezikohen njohjet ekzistuese. Në veri të vendit nuk ka pushtet lokal që është ligjor dhe efektiv.

Kjo gjendje nuk duhet të vazhdojë më tutje. Përgjegjësinë për këtë degradim duhet ta marrë ai që po e quan veten shef të PAN-it, duke dhënë dorëheqje për të hapur mundësinë që qytetarët të thonë fjalën e tyre në zgjedhje të lira dhe të mandatojnë ata që duhet të udhëheqin Kosovën drejt integrimit euro-atlantik.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top