ZOTËRINJ HAJDUTË, VIDHNI LEKË TË RAMËS

Të gjithë e kanë kuptuar se pushtetin dhe territorin realisht e kontrollojnë hajdutët dhe mafiozët, prandaj edhe apelet e përbashkëta u duhen drejtuar atyre. Ju lutemi, zotërinj hajdutë, korrigjoni shënjestrën, vidhni lekë të Ramës, pasi duart tuaja janë më të merituara sesa ato të kryeministrit. Pasuritë e tij gjenden lehtë: janë në Surrel, tek koncesionarët dhe 11 tenderxhinjtë e shpallur nga publiku. Ato synoni, dhe pasi të keni sukses, shpërndani ndopak edhe për të varfrit, sigurisht do të jeni më bujarë sesa kryeministri, me mashtrimet e tij të fundvitit.

Të legjitimosh një akt antiligjor siç është vjedhja e një banke, poste apo institucioni tjetër është ndoshta absurde, por në kushtet në të cilat Shqipëria e qeverisur nga “Rilindja” ndodhet, vjedhja është formë mbijetese në betejën e ashpër me varfërinë dhe skamjen, që ta bën peshqesh establishmenti dhe kryeministri që praktikisht i zotërojnë paratë që vidhen, sepse nëpërmjet bankave ata qarkullojnë miliardat e shqiptarëve, që i kanë përvetësuar me tendera e koncesione fiktivë. Praktikisht kemi të bëjmë me një rreth vicioz qarkullimi parash, ku qytetarët e gjendur nën trysninë e taksave, gjobave, deprimimit, pasigurisë dhe varfërisë totale shkojnë e vjedhin ato institucione që gjenerojnë paratë e tyre, ato para që ata i kanë paguar si detyrime taksative ndaj shtetit, por që eventualisht duke shkelur me të dyja këmbët ligjin kanë përfunduar në llogaritë bankare të kryeministrit, ministrave dhe drejtorëve të zgjedhur prej tij.

Kështu pra të dashur shqiptarë hajdutë, qofshi hallexhinj ose jo, kur shkoni të vidhni ato pak miliona që edhe në ëndrra e keni të vështirë ti shihni, sepse iu është brumosur fryma e varfërisë dhe skamjes nga politikat e dështuara të qeverisë, bëni një përpjekje për t’u informuar, në mënyrë që të vidhni bash ato lekë që janë përvetësuar nga nomenklatura edviniste. Pasi të gjeni këtë adresë, mos u pendoni aspak, sepse po vidhni lekët tuaja, ato lekë që Rama i ka bërë të vetat pasi iu mashtroi në 2013-ën. Zotërinj hajdutë mund t’i vidhni lekët e Ramës, sepse ai nuk iu ka dhënë asnjë mundësi tjetër për të jetuar si në një vend normal ku barazia para ligjit shtyn përpara jetën e shoqërisë dhe ku qeveria siguron punë për popullin e zhytur në krizë. Mund ta vilni llogarinë bankare të Ramës dhe hienave të tij, duke ia marrë të gjitha paratë tuaja që këta kriminelë i kanë përvetësuar nëpërmjet aferave korruptive, si formë përgjigjeje ndaj gjithë padrejtësive që bënë ndaj këtij populli në tre vite e gjysmë duke i bërë ceremoninë mortore shpresës, që kishte mbetur për një jetë më të mirë.

Informacionet se ku ndodhen lekët e Edi Ramës nuk janë të pakta. Ato janë në pronat e patundshme të entourage-it të tij të ngushtë, janë të ngurtësuara tek sarajet e Surrelit, janë të ngrira tek dhjetëra klientë ndërtues, të cilët i kanë marrë fondet në sajë të “bashkëpunimit” të tyre me ish-kryebashkiakun e Tiranës. Lekët e Edi Ramës janë tek të gjitha koncesionet e dhëna gjatë këtyre 3 viteve, janë tek pasuritë e deputetëve që s’janë ndëshkuar nga strukturat shtetërore për shkak se kanë fituar fonde në konflikt të pastër interesi e mbi të gjitha janë tek ekipi i 11 klientëve që sipas opozitës kanë përvetësuar nga buxheti i shtetit më shumë se 100 milionë dollarë vetëm në 2016-n. Ato lekë janë në dispozicion dhe nuk i dhimbsen kujt. Synojini, pasi sigurisht do të jenënë duar më të merituara sesa aty ku ndodhen. Ndoshta do të ishte e tepër të pretendonimin prej jush që të shndërroheni në Robin Hudë dhe tua shpërndani të varfërve, por apeli ynëështë minimalit: Synoni lekët e llogarive personale të Edi Ramës e bashkëpunëtorëve të tij! Ndryshoni sjellje, ndryshoni shënjestër, bëjuani shqiptarëve këtë dhuratë fundviti, kur të gjithë e kanë kuptuar se ju e keni pushtetin dhe e zotëroni territorin. / Gazeta55

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top