ZOLLA KUNDËR ASAMBLESË KUSHTETUESE

SHKRUAR NGA F. VELIU

I dashur lexues, më poshtë ju sjellim të dhënat nga dokumentet sekrete të Gestapos gjermane. Çfarë shënon ditari i gjeneralit gjerman, Hermann Neubacher?

Nga cikli – “Vijon zbardhja e arkivave më sekrete të Gestapos gjermane”.

Çfarë ka shënuar në bllokun e tij misterioz, vet kryekomandanti suprem i ushtrisë gjermane, Herman Neubacher, për ditët e nxehta të shtatorit 1943, kur në Pallatin Mbretëror të kryeqytetit shqiptar ishte mbledhur Asambleja Kombëtare e cila kishte vendosur ta shpallte Bashkimin dhe Neutralitetin e Shqipërisë etnike. Dy ditë më vonë, në qytetin e Prizrenit u mblodh Kuvendi i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, i cili shpalli bashkimin e të gjitha viseve të lierueme shqiptare me Nanën Shqypni. 

Urgjenca e krerëve të Regjencës Shqiptare për të takuar kryegjeneralin e Hitlerit, Neubacher, të cilit i kërkuan në mënyrë insistuese që Rajhu gjerman të njihte sa ma parë pavarësinë e Shqipërisë së bashkuar. – Cilat janë shënimet e gjeneralit në atë 14 shtator të ‘ 43- shit, për atë që ndodhte me 20 intelektualët e spikatur në kryeqytetin e kombit të vogël, ku kryente misionin e ngarkuar nga vet Adolf Hitleri?

– Reagimi i Fyrerit të Gjermanisë, kur gjenerali Neubacher i raportoi situatën e çuditshme, të krijuar në qoshen e vogël të Europës, për të cilën Hitleri shprehej se e kishte shumë për zemër.

– Momentet e veçanta kur gjenerali pompoz i ushtrisë së hekurt kaloi portën e madhe të Pallatit Mbretëror të ndodhur në rrugën e Elbasanit dhe mes Gardës ceremoniale të nderit, hyri në ambientet ku njerëzit e njohur të Shqipërisë zhvillonin punimet e Asamblesë Kombëtare.

– Si e përshkruan Neubacher momentin e shumënjohur, kur ndërsa ishte në lozhën e sallës gjigande ku zhvilloheshin punimet solemne të asamblesë intelektuale, u erdhën predhat e topit italian, të hedhura nga një grup partizanësh që prej kodrave periferike të Saukut.

– Cilat ishin marrëveshjet që krerët e shqiptarëve bënin me gjeneralin e Hitlerit, në ditët kur ata krijuan strukturën drejtuese të shtetit të tyre?

– Si i përshkruan në shënimet e tij, takimet sekrete që bënte me njerëzit e regjencës shqiptare dhe kërkesat e tyre për qeverinë e Rajhut gjerman.

Më 14 shtator dy grupet ranë dakord mbi një komitet që do të drejtohej nga Ibrahim Beu. Ai do të përbëhej nga 20 personalitete të njohura dhe të respektuara. Partitë politike nuk luanin asnjë rol në këtë mes. Prita delegacionin në Konsullatën e Përgjithshme. Profesor Zallari, që fliste rrjedhshëm gjermanisht, më informoi përmes një fjalimi plot pasion dhe perfekt, që ishte ngritur një Komitet Kombëtar, i cili kishte shpallur Pavarësinë e Shqipërisë. Komiteti kërkonte që qeveria e Rajhut gjerman ta njihte pavarësinë e Shqipërisë së Madhe të bashkuar. Me ndërgjegje të qetë, unë i sigurova që do t ´ ia transmetoja menjëherë kërkesën e Komitetit Kombëtar Shqiptar Qeverisë gjermane dhe i thashë se kjo kërkesë përputhej edhe me qëllimin e misionit tim. Në të njëjtën ditë i bëra një vizitë zyrtare Komi tetit Kombëtar, i cili do të mblidhej në godinën e Kryeministrit dhe të nesërmen u ktheva në Beograd, nga ku pas një qëndrese të shkurtër u ktheva në Zyrën Qendrore për të dorëzuar raportin tim. Hitleri, i cili kishte një interes të madh për këtë qoshe të fundit romantike të Europës, u duk mëse i kënaqur me rrjedhën e ngjarjeve.

Problemi i parë që duhej të zgjidhte qeveria e përkohshme ishte mbledhja e Asamblesë Kombëtare, në mënyrë që të krijohej një qeveri e bazuar në Kushtetutën e Mbretit Zog. Kjo Asamble u mblodh në tetor në Pallatin Mbretëror. Ndërkohë, përmes një letre drejtuar kryetarit të Komitetit Kombëtar, Ibrahim Bej Biçaku, unë informova qeverinë e përkohshme që Gjermania e njihte pavarësinë e Shqipërisë etnike.

Zonjusha Lytcen, duke pasur parasysh kuptimin historik të këtij dokumenti, siguroi një fletë programi, por kjo nuk na mjaftonte. Na duhej një vulë dhe një lidhëse për të. Unë nuk kisha vulë, por gjeta një zgjidhje. Në një shënim në fund të faqes vërtetuam se një kopje e këtij dokumenti gjendej në arkivat e Konsullatës së Përgjithshme Gjermane dhe e vulosëm me vulën e Konsullatës së Përgjithshme. Tani dokumenti dukej mjaftueshëm solemn për të përmbushur pritshmëritë e Orientit, i cili ishte shumë më i dhënë se Perëndimi pas këtyre detajeve. U prita nga një Gardë nderi e përbërë nga dhjetë burra, që kishin një qëndrim ushtarak. Kjo nuk ishte aspak e vështirë për këtë racë dinamike. Ngjita shkallët dhe hyra në hollin në të cilin ishte mbledhur Komiteti Kombëtar. Në raste të tilla nuk mjafton një ecje e thjeshtë, duhet një ecje solemne me hapa të vendosura. U mbajtën fjalime dhe meqë nuk kishte ndonjë protokoll për t’u ndjekur, ngritëm dolli për sovranitetin e Shqipërisë më vete. Ishte një ngjarje e këndshme.

* * * Asambleja Kombëtare Kushtetuese dhe Këshilli i Regjencës që zgjidhej nga kjo e fundit, zgjodhën qeverinë definitive. Kryeministër u caktua kosovari Rexhep Mitrovica. Xhafer Deva u emërua Ministër i Brendshëm, ndërsa Vehbi Frashëri Sekretar i Shtetit për marrëdhëniet me jashtë. Kushtetuta zogiste ishte akoma e vlefshme. Mbreti u zëvendësua nga Këshilli i Regjencës. Asambleja Kombëtare shkëputi çdo lidhje me Italinë dhe shpalli një aleancë me fuqitë e Boshtit Qendror. Çdo gjë rrodhi pa problem, por ama jo pa bujë. Një grup partizanësh, që njiheshin si shumë impulsivë dhe që kishin marrë pjesë në çarmatosjen e njësive italiane, vendosën një grykë artilerie italiane në afërsi dhe bombarduan Pallatin Mbretëror në të cilin ishte mbledhur Asambleja Kombëtare. Por ato u dëbuan menjëherë nga ushtarët gjermanë, të cilët rikthyen çdo gjë në normalitet. Nuk pati të plagosur. I gjithë incidenti dukej sikur koincidonte me të ashtuquajturin ” genius loci”. Shqiptarët janë një ndër popujt më të apasionuar në shtënien me armë zjarri. Pushka nuk është një instrument për një shqiptar, por pjesë e trupit të tij. Vizita e një miku nderohet duke shtënë me armë në një distancë të caktuar kur ai largohet. Armët e reja moderne ofronin mundësi pa kufi për ceremoni të tilla. Në një vend kaq të dhënë pas armëve, një përgjigje me artileri ndaj një ceremonie zyrtare dukej si diçka e dëshiruar dhe nuk përbënte ndonjë problem nga pikëpamja e protokollit.

* * * Mehdi Bej Frashëri, nëse më lejohet të gjykoj, ishte shpikësi i një kategorie të re në të drejtën ndërkombëtare. Ai sugjeroi që Gjermania të njihte neutralitetin e Shqipërisë. Duhej të ishte një “neutralitet relativ”. Shqipëria i konsideronte forcat e armatosura gjermane si miq dhe ndërhyrjen e tyre ushtarake si të domosdoshme, pavarësisht neutralitetit të saj ndaj fuqive që ishin në luftë. Qeveria shqiptare do të vepronte kundër çdo spiunazhi që vinte në rrezik rendin e brendshëm të vendit. Në rast se armiqtë e Gjermanisë do të sulmonin me trupa të karakterit ushtarak, Shqipëria do të ishte neutrale.

Si rrjedhojë e kësaj, unë e përkufizova sovranitetin shqiptar si sovranitet relativ. “Forcat e armatosura gjermane, si miq të popullit shqiptar dëshironin vetëm mikpritje nga një vend, në të cilin kemi hyrë nga domosdoshmëria ushtarake dhe jo me qëllime pushtimi, andaj do të tërhiqemi nga vendi i shenjtë i shqiponjave ariane posa të krijohen kushtet.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: E drejta e autorësisë i përket autorëve! Ju lutemi për mirëkuptim.