SHKRUAN: BEDRI HALIMI
Pas vrasjes së civilëve shqiptarë forcat serbe me qëllim të zhdukjes së gjurmëve, disa të vrarë i kanë depërtuar me kamion në Serbi duke i groposur në varreza masive sikur të ishin kafshë të ngordhura. Disa të tjerë janë djegur, e disave akoma nuk u janë gjetur eshtrat. Të gjitha këto shteti serb i ka bërë me qëllim të humbjes së gjurmëve të krimit, duke u përpjekur të fsheh dhe eliminoj trupat e të vrarëve në masakrat e ndryshme si në Gjakovë, Isbicë, Rezallë, Krushë e Madhe, Krushë e Vogël, Suharekë, Koklekë, Sllovinjë, Tërnje, Pastaselë, Kotlinë etj. Përpos varrezave të shumta masive në Serbi, dyshohet se shumë kufoma të shqiptarëve janë djegur në furra të shkritoreve të ndryshme, si në Zveqan, në Kompleksin Trepça ku në bazë të raporteve thuhet se janë djegur mes 1200 – 1500 kufoma. Në mars të vitit 2001 qeveria Serbe ka publikuar se gjatë luftës në Kosovë, kamioni me 86 kufoma është zhytur në Danub. Kufomat kanë qenë kryesisht të grave, fëmijëve e pleqve. Automieti ishte pronë e kombinatit bujqësor industrial “Progres”. Një zyrtar i lartë nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë me 25 maj 1999 ka deklaruar se Millosheviqi e kishte urdhëruar ministrin e punëve të brendshme Vllajko Stojikolviqin që t’i menjanon të gjitha gjurmët të cilat mund të ishin dëshmi e krimeve në Kosovë. Kjo gjë potencohet edhe nga raporti i Human Rights Watch. Edhe sipas raportit të Fondit për të Drejtën Humanitare thuhet se në kohën e Sllobodan Millosheviqit është aplikuar fshehja e krimeve përmes djegies së kufomave të viktimave shqiptare në disa fabrika të cilat i kanë shfrytëzuar furrat me temperatura të larta. Kështu në një fabrikë në Maçkaticë gjatë bombardimeve janë djegur disa dhjetra kufoma të viktimave shqiptare të bartura nga Kosova. Prandaj nga kjo rrjedh se disa trupa të kufomave që janë djegur nuk do të gjenden kurrë, sepse janë djegur apo është vështirë të gjenden si në rastin me trupat e përmbytur në liqenin Peruqac.
Edhe qeveria e Zoran Gjingjiqit pati publikuar ekzistimin e varrezave massive në poligonin e Njesisë Speciale Antiterroriste të MPB të Serbisë, në Batanjicë, Banja Bashtë, Petrovo Selo, në afërsi të qytetit të Klladovës, në terrenin për trajnimin e njesive të operacioneve speciale në afërsi të liqenit Peruqac afër banja Bashtës, siç potencohet nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi. Janë zbuluar 5 varreza masive në Batanjicë dhe dy të tjera në Petrovo Selo afër Klladovës si dhe një tjetër është gjetur në afërsi të liqenit artificial Peruqac të Banja Bashtës. Lidhur me djegien e kufomave edhe avokati i Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) Dragulub Todoroviq ka deklaruar se dëshmitarët e krimit në Maqkaticë ku dyshohet se në një fabrikë janë djegur kufomat e shqipëtarëve të Kosovës frikësohen të dëshmojnë publikisht. Pra decidivisht avokati Todoroviq thekson: “ky krim ka ndodhur, ekzistojnë dëshmitarët, por ata kanë frikë të dëshmojnë publikisht me emër dhe mbiemër”. Për t’i fshehur gjithashtu gjurmët e krimit forcat serbe edhe para pushkatimit i kanë detyruar edhe të bëjnë ndërrimin e rrobave dhe gjerave tjera përsonale në mënyrë që ta ndërlikojnë procesin e identifikimit në rast zbulimi. Edhe në Kosovë pas lufte janë zbuluar dhe ende vazhdojnë të zbulohen varreza të shumta masive.
Forcat serbe disa kufoma i kanë djegur edhe në shtëpitë e tyre ku pas vrasjeve, i kanë mbyllur dyert e shëpive, u kanë vënë flakën shtëpive. Si shembull mund të sjellim edhe një fakt nga analiza e OSBE –së të tetorit të vitit 1998 dhe qershorit 1999 ku potencohet se në fshatin Poklek i Vjetër, kryersit e masakrave kanë djegur shtëpinë në të cilën ishin më së 45 përsona.
Format e zhdukjes gjatë vitit 1998 – 1999 kanë qenë të shumta, ku në këtë rast po përmendim: vrasjen dhe varrosjen në varreza masive e individuale me inicialet NN; vrasjen dhe varrosjen në vende të panjohura; vrasjen dhe djegien e kufomave; vrasjen dhe bartjen e kufomave si dhe hedhjen e tyre në lumenj; vrasjen e familjeve të tëra dhe zhdukja e gjurmëve të mbetjeve mortore; ndarja, vrasja dhe zhdukja vetëm e meshkujve të familjeve të caktuar; vrasja dhe zhdukja e gjurmëve të të burgosurve të likujduar; nxjerrja e individëve nga rreshti i qytetarëve nga kolonat për depërtim dhe zhdukja e gjurmëve të tyre; hedhja në puse e të gjallëve e të vrarëve dhe zhdukja e gjurmëve të puseve të tilla; marrja e foshnjëve nga nënat dhe zhdukja e gjurmëve të tyre duke lënë të nënkuptohet edhe mundësia e përvetësimit të foshnjëve etj. Këto gjëra janë potencuar edhe në Këshlin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Krimet e luftës në Kosovë 1998 – 1999 Monografi I, Prishtinë, 2010, fq. 88.
U theksua se disa nga të vrarët ende nuk janë gjetur, ku në bazë të regjistrit të Kryqit të Kuq ndërkombëtar deri më 17.05.2010 janë regjistruar 1862 përsona të pagjetur.
Vlenë për t’u theksuar se një numër i shqiptarëve gjatë kohës së luftës si civil janë marrë rob dhe janë maltretuar duke i detyruar që të hapnin istikame për forcat serbe. Pastaj disa janë liruar e disa janë pushkatuar me qëllim të mbulesës së informacioneve për veprimin e kryer, se si kishin hapur istikame, kishin pastruar bunker dhe kishin kryer punë të tjera të rënda fizike. Kjo veqmas ka ndodhë në pjesën e Prizrenit dhe Dragashit ku përgjatë kufirit me Shqipëri, meshkujt i kanë dërguar për të punuar në hapjen e kanaleve. Kjo gjë ka ndodhur edhe në vende të tjera si në Rahovec, Suharek, Gjakovë, Ferizaj etj., ku disa nga të burgosurit që janë detyruar të punojnë pastaj janë vrarë edhe në minierën e Feroniklit në Drenas.