ZHBËRJA E SHTETIT TË DARDANËVE ËSHTË VEPËR ANTISHQIPTARE DHE ANTIEUROPIANE

SHKRUAN: ARBËR GASHI, KRYETAR I BALLIT NË MËRGIM

Në kohën kur agresioni për zgjerim territorial të Serbisë po mbështetet nga agjenturat dhe mediat pro-ruse në Shqipëri, Kosovë dhe disa vende europiane, ruajtja e integritetit territorial, sovranitetit shtetëror dhe rregullimit unitar të Shtetit të Dardanëve, është detyrë mbi të gjitha detyrat dhe obligim mbi të gjitha obligimet.

Agresionit pro-rus kundër ekzistencës së shtetit të Kosovës, shqiptarët duhet t’i përgjigjen me mbrojtje dhe promovim të vlerave të shtetit demokratik, kulturës autoktone kombëtare, si dhe vlerave tjera të trashëguara nga antikiteti e deri në ditët tona.

Pra, mbrojtja e Shtetit të Dardanëve, është detyrë dhe obligim i pashmangshëm personal i secilit bartës të funkcionit politik, akademik, intelektual, ligjor, medial, policor, ushtarak dhe fetar.

Është koha kur shqiptarët duhet t’ia bëjnë të qartë secilit mik dhe anmik, se kufiri aktual është rezultat i pastrimit etnik, gjenocidit shekullor dhe padrejtësisë historike të ushtruar ndaj shqiptarëve, dhe se, përkundër këtij fakti të dhimbshëm, ky kufi, i vendosur pa dëshirën e tyre dhe në kundërshtim të plotë me të drejtën historike të shqiptarëve për rikthimin e Sanxhakut të Tregut të Ri dhe Sanxhakut të Toplicës, duhet të mbetet kufi shtetëror, i paprekshëm dhe i panegociueshëm, ashtu siç duhet të mbetet i paprekshëm dhe i panegociueshëm edhe rregullimi i brendshëm unitar i Republikës së Kosovës.

Çdo veprim që synon ndryshime duke e cenuar rregullimin unitar, integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës, për shqiptarët është presion dhe imponim i papranueshëm, sepse ligjet e shkencës së Logjikës, këtë presion dhe këtë imponim e përkthejnë si shpallje direkte të luftës ndaj tyre!

Përveçse si shpallje të luftës së hapur ndaj ekzistencës dhe ndaj të ardhmes së shtetit funkcional, nga shqiptarët, çdo angazhim kundër Dardanisë interpretohet me të drejtë edhe si vazhdimësi e planeve serbe, ruse, greke dhe turke për zhdukjen e tyre nga faqja e dheut.

Andaj, kushdo që beson se duke e zgjeruar Serbinë ia shëron sëmundjen kancerogjene Siujdhesës Ilirike, gabon rëndë, sepse Historia është ajo që na mëson se, vetëm një Serbi e vendosur në pellgun e saj natyrorë krijon hapësirë të mjaftueshme për vendosjen e paqes së përhershme në siujdhesën tonë dhe në kontinentin Europian.

Për rrjedhojë, miqtë e shqiptarëve në botë, duke llogaritur këtu edhe në mbështetjen e Selisë së Shenjtë, e kanë për detyrë ta mbështesin kundërshtimin e shqiptarëve autokton ndaj idesë së vjetër gjenocidale për zgjerim territorial të Serbisë në Siujdhesën Ilirike, përkatësisht zgjerim të Rusisë në kontinentin Europian.

SHBA-të dhe vendet tjera mike duhet ta kuptojnë, se të vetmit përfitues të zgjerimit territorial të Serbisë në Siujdhesën Ilirike, përkatësisht zgjerimit të Federatës Ruse në kontinentin Europian, duke e ushqyer ambicien e pangopur me troje dhe gjak të pafajshëm të shqiptarëve, janë: Rusia, Serbia, Greqia dhe Turqia.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *