Zeusi nismëtar dhe mbrojtës i ligjeve hyjnore dhe atyre njerëzore

SHKRUAN: VALENTIN BATALAKU

Zeusi (latinisht Juppiter) ishte i biri i titanit Kroni dhe gruas së tij, Rea, zoti suprem i grekëve të lashtë. Nuk ka qenë përherë zot suprem dhe nuk ka sunduar prej kohërave të stërlashta. Sundimin mbi zotërat dhe njerëzit e ka marrë me kryengritje kundër babait të vet, Kronit, i cili po ashtu e ka rrëzuar nga froni babaine vet, Uran, sundimtarin mbi botë pas Kaosit të mirëfilltë. Për dallim nga zotërat suprem (apo të një zoti) të religjioneve të shumta, Zeusi e ka biografinë e vet. Nuk ka qenë gjithëherë dhe përgjithmonë i pandryshuar dhe vetes nuk ia ka mishëruar virtytet më të larta. Grekët e kanë krijuar simbas shembylltyrës së njeriut dhe sipas figurave të sundimtarëve tokësorë të asaj kohe. I ka pasur pra vetitë njerëzore dhe karakterin e njeriut, ndonëse, kuptohet, të egzagjeruara, siç i ka pasur hije atij që sundon mbi sundimtarët e vdekshëm dhe mbi zotërat e pavdekshem.

Zeusi ka lindur në shpellën e malit Dikta në ujëdhesën Kreta, ndërsa nëna e tij, Rea, fshehurazi e ka lindur në Kretë për ta shpëtuar prej Kronit, i cili ia ka marrë të gjithë fëmijët dhe i ka gëlltitur nga frika e kryengritjes së tyre të mundshme. Në vend të djalit, Rea ia jep Kronit gurin e mbështjellur në mantel, dhe kështu Zeusi i ka shpëtuar fatit të vëllezërve dhe motrave të veta më të vjetër, Hestiut, Demetrës, Herës, Hadit dhe Poseidonit. Pasi që Rea nuk ka mundur t’i kushtohet Zeusit të vogël, atë ia beson nimfave, Adrestesë dhe Idasë. Ato e kanë ushqyer me qumështin e Amaltesë, dhisë hyjnore dhe me mjaltë të bletës. Nga rreziku që mos ta zbulojë Kroni e kanë mbrojtur Kuretët, demonët e maleve. Kur qante i rrahnin mburojët e tyre me shpata dhe kërcenin në zhurmën shurdhuese dhe britmat e egra, kështu që Kroni nuk e dëgjonte. Në malin Dikta, por edhe më tepër në Ida, Zeusi u rrit dhe vendosi që të ngritet kundër Kronit dhe ta rrëzojë nga pushteti.

Kryengritjen kundër Kronit, Zeusi e filloi me lirimin e vëllezërve të vet që jetonin në barkun e Kronit, sepse si qenie hyjnore kanë qenë të pavdekshëm, dhe e detyroi Kronin që t’i vjellë. Motrat Hestinë, Demetrën dhe Herën i çoi në skaj të botës, ndërsa vëllezërit Adin dhe Poseidonin i ftoi që t’i bashkohen. Ata pa u hamendur e dëgjuan dhe të bashkuar e sulmuan Kronin. Ateherë Kroni i ftoi në ndihmë vëllezërit e vet titanët dhe, ndonëse të gjithë titanët nuk iu përgjigjën thirrjes, i shkon përdore ta zmbrapsë sulmin e Zeusit, dhe gradualisht ta zbrapsë deri në majën e Olimpit. Në çastin e ankthit më të madh, Zeusit i erdhën në ndihmë ciklopët viganë me një sy. I farkuan rrufetë dhe vetëtimat me të cilat u mbrojt dhe kaloi në kundërsulm. Gjasat e Zeusit me këtë iu përmirësuan dhe kur në mesin e titanëve shpërtheu mosmarrëveshja, Oqeani, Stiksi dhe Prometheu, si dhe disa të tjerë, kaluan në anën e Zeusit. Përkundër kësaj lufta dhjetëvjeçare mbeti e pavendosur. Andaj Zeusi vendosi që nga brendësia e tokës t’i lëshojë Hekatonkeiret, viganët e tmerrshëm njëqinduarësh, të cilët atje i kishte burgosur babai i tyre Urani. Me ndihmën e aleatëve të vet, Zeusi, më në fund, korr sukses. Kronin dhe titanët e tjerë armiqësorë i rroposi në errësirën e amshueshme të Tartarit dhe shpallet sundimtar i gjithësisë.

Të shpallesh mbret dhe të bëhesh mbret nuk është e njëjta gjë, dhe Zeusi për këtë u bind shpejt. Para së gjithash, këtu ishin vëllezërit Hadi dhe Poseidoni, por lufta për pushtet në mes tyre nuk u bë, sepse u paraqit armiku i përbashkët. Hyjnesha Gea u hidhërua në Zeusin për shkak të dënimit të ashpër të titanëve, u bashkua me zotin e errësirës së pafund, Tartarin dhe e sjell në botë Tifonin, viganin njëqindkrerësh të shëmtuar për ta vrarë Zeusin. Tifoni ka qenë aq i madh sa që nën të u fut gjarpri, bërtiste me zëra të kafshëve dhe nga fyti i dragoit villte zjarrin shkatërrues. Zeusit i shkoi për dore që me vetëtima dhe me rrufe pas betejës së rëndë t’i mundë dhe t’i rroposë në Tartar. Pastaj u propozon vëllezërve që pushtetin ta ndajnë me short. Kur u pajtuan me këtë, Zeusi u kujdes që për vete ta ndalë pjesën më të mirë. Poseidonit i takoi deti, Hadit bota nëntokësore, ndërsa Zeusit qielli dhe toka.

Në fillim ka sunduar si titan dhe dy herë është përpjekur për ta ç’farosur njerëzimin. Herën e parë këte ka dashur ta bëjë për arsye se njerëzit i dukeshin të pavlefshëm. Këtë e ka penguar titani Promethe, krijues i njerëzve, i cili u ka sjellë zjarrin dhe u ka mësuar shkathtësi dhe dituri të ndryshme. Herën tjetër Zeusi ka dashur ta ç’farosë njerëzimin për arsye se iu kanë dukur tejet të fuqishëm, dhe kjo gati i shkoi përdore. E çoi në botë përmbytjen, por Prometheu ua mundësoi djalit të vet, Deukalionit dhe gruas së tij Pirhës të shpëtojnë dhe që sërish ta popullzojnë botën me njerëz. Kur Zeusi e forcoi pushtetin e vet, kështu që asgjë nuk mund ta rrezikonte, i lëshoi frerët e sundimit të vet dhe i lëshoi në liri armiqtë e vet të dikurshëm. Kuptohet, se edhe më tutje mbeti sundimtar absolut jo vetëm si udhëheqës i kryengritjes së vet ngadhënjimtare dhe zgjedhjes së vet me short, por edhe pse vet zotërat kanë qenë të vetëdijshëm për fuqinë e tij, kështu që edhe kanë degjuar. Nganjëherë, kuptohet, këtë e bënin kundër vullnetit të tyre, dhe ndonjëherë çoheshin edhe kundër tij. Njëherë kanë dashur që ta rrëxojnë nga froni, por ky mbrohet me ndihmën e Briareut, viganit njëqinduarësh. Gjatë tërë sundimit të Zeusit ka shpërthyer vetëm një kryengritje, e cila e ka rrezikuar seriozisht. Ishte kjo kryengritja e gjigantëve, mirëpo, Zeusi, me ndihmën e zotërave të tjerë dhe Herakliun, djalin e vet të botës tokësore, në një luftë të pakompromis, i ka mposhtur. Megjithatë, zotëra kanë qenë, në përgjithësi, të mendimit se me zotin suprem, duhet të jenë mirë. I këtij mendimi, tek e fundit, ka qenë shumica e njerëzve. Në periudhën heroike, Zeusi tani më ka qenë sundimtar i cili nuk e ka harruar pushtetin e vet. Ndonëse ka pasur shumë mungesa njerëzore, megjithatë ka qenë më i miri prej të gjithë sundimtarëve të njohur mhi zotërat dhe njerëzit.

Përkundër kësaj që Zeusi ka qenë sundimtar absolut nuk ka sunduar në mënyrë të pakufishme. Me këtë dallohej prej zotërave të religjioneve të tjera sipas të cilëve pa vullnetin e zotit nuk bie as një fije e flokut. Zotërat e tjerë, sikurse edhe njerëzit, e kanë pasur vullnetin dhe lirinë e vet. Mbi të gjithë zotërat dhe njerëzit, pra edhe mbi vetë Zeusin, ka mbizotëruar diçka më tepër, e pakuptueshme dhe e pandryshueshme: fati. Në të vërtetë flitej, se Zeusi sundon edhe me fatin, por kjo ka qenë vetëm metaforë. Me fat, Zeusi, sikurse secili zot ose njeri, ka mbizotëruar vetëm aq sa i ka kuptuar ndërlidhjet në mes shkaqeve dhe pasojave në pajtim me këto njohuri. Kundër fatit Zeusi ka qenë i paaftë të ndërmerrte çfarëdo. Nuk ka qenë sundimtar i fatit, por vetem rojtar dhe kryes i tij.

Si sundimtar suprem mbi zotërat dhe njerëzit, Zeusi ka qenë nismëtar dhe mbrojtës i ligjeve hyjnore dhe njerëzore. Mbretërve u jipte pushtet, i mbronte kuvendet popullore, e forconte rendin dhe të drejtën, ishte dëshmitar dhe mbrojtës i besës, e dënonte padrejtësinë dhe shkeljen e drejtësisë. Ishte mbrojtës i të gjithë atyre që prej tij kërkonin ndihmë (ndonëse në këtë nuk ka qenë konsekuent). E ka ditur poashtu edhe ardhmërinë dhe ndonjëherë i ka shpallur edhe ngjarjet e të ardhmes me shenja të ndryshme, kryesisht përmes dukurive natyrore, ëndrrave dhe profecive (sidomos poqese njerëzit e kanë lutur për këtë dhe i ofronin flijime gjegjëse). Njerëzve ua ndante të mirën dhe të keqen. Dhuratat e veta i zgjedhte, sipas dëshirës së vet, prej dy enëve të mëdha që i ka pasur në pallatin e vet. Arma më e fortë e Zeusit ishin vetëtimat dhe rrufetë e tij, ndërsa mburoja (egisi ose egida) ka qenë e pamposhtur.

Selia kryesore e Zeusit ka qenë maja e malit Olimp në Thesali, në Greqi, e cila zhdukej në re dhe mbërrinte deri në qiell. Atje ishte edhe pallati i tij madhështor, të cilin ia ka ndërtuar prej floriri zoti Hefest! Me ëndje qëndronte edhe në Ida, malin e Kretës, në Troadë, Parnas, në Fokidë, Kiteron, në Beoti dhe në malet e tjera. Kur nën emrin Jupiter u bë edhe zot i romakëve, banonte edhe në Kapitolin romak. Sa herë e merrte malli, nga Olimpi largohej me qerre prej floriri. Sidoqoftë ka qenë kudo i pranishëm dhe njeriu ka mundur ta lusë për ndihmë jo vetëm në tempullin e tij, por edhe kudo gjetiu. Ndonjëherë zbriste në botë me pamje të ndryshuar. Ta marrë pamjen e çfarëdo njeriu, kafshe ose dukurie natyrore ka qenë privilegj i secilit prej zotërave.

Sundimi me botën e zotërave dhe të njerëzve Zeusin nuk e ngarkonte tepër. Pjesën më të madhe të kohës e kaloi me zotërat e tjerë në gostitë madhështore në pallatet olimpike, ku shërbej ambrozi si ushqim dhe pije, përgatitjen e të cilëve, për fat të keq, ne nuk e njohim, zotërave ua ka siguruar pavdekshmërinë dhe freskinë e amshueshme, pa të cilat edhe vetë pavdekshmëria nuk do të kishte kushedi çfarë vlere. Gjatë gostive, të cilat njëherit kanë qenë edhe këshillimet e zotërave, Zeusi ulej në fronin e artë, e shërbente Ganimedi, i cili i mbushte gotat me verë dhe hyjnesha Heba, me vallëzim e argëtonin Karitet, hyjneshat e bukurisë dhe Muzat, hyjneshat e arteve të bukura. Gjatë kryerjes së detyrave të sundimtarit e përcillnin zotërat e hyjneshat Krato, Zelli, Bia dhe Nika si mishërim i fuqisë, zellit, forcës dhe të fitores. Me rastin e kryerjes së funksioneve të judikaturës pranë fronit të tij rrinin hyjneshat e rendit legjitim, Temida dhe hyjnesha e drejtësisë Dika. Me rastin e sigurimit të rendit në natyrë e kanë ndihmaur Horet, hyjneshat e stinëve të vitit. Përcjellëse të pandara të Zeusit kanë qenë Tika, hyjneshë e fatit të mirë, Eirena, hyjneshë e paqes dhe Irida, hyjnesha e ylberit, e cila së bashku me zotin Hermes ka qenë edhe kasnec i tij.

Gruaja e Zeusit ka qenë hyjnesha Hera, motra e tij e bukur dhe dinjitoze. Me të i ka pasur tre djem: Aresin, zotin e luftës, Hefestin, farkatarin dhe armëpunuesin e zotërave dhe Hebën, hyjneshën e rinisë së amshueshme. Ja shprehte të gjitha nderimet dhe e çmonte lartë. Kjo, kuptohet, nuk e pengonte që kohë pas kohe mos ta shikonte ndonjë femër tjetër, e cila i pëlqente.. „Kohë pas kohe” është shprehje tejet e butë. Në të vërtetë Zeusi ka qenë dashnor i madh dhe i zgjedhte dashnoret me dëshirën e zjarrtë të njëjtë si ndër hyjnesha ashtu edhe ndër gratë e gjakut vdekatar. Me hyjneshën Demetra e ka pasur të bijën Perzefonen, me Mnemozinën Muzat, me Eurinomën Karitet, me Tetidën Horet, Mioirën dhe Dikën, me Dionën Afroditën, me Maien Hermesin, me Letën bineqët Apollonin dhe Artemidën. Me to nuk e ka pasur përhere lehtë, aq më tepër, as shumë gra vdekatare nuk e dëshironin fort. Por ai nuk nguronte që të shndërrohet në bashkëshort të tyre, në dem, mjellmë, shi ose në çfarëdo tjetër, vetëm e vetëm t’i shtinte në dorë. Numri i pasardhësve të tij me gratë e kësaj bote ka qenë për çdo respekt: me Alkmenën e ka pasur Herakliun, me Semelën Dionizin, me Danaen Perzeun, me Europën Minosin, Sarpedonin dhe Radamantin, me Antiopën bineqët Amfionin dhe Zetin, me Ledën djalin Polideuk dhe vajzën Hekenën. Por Athenën, bijën e vet më të dashur, nuk e ka pasur me asnjë grua – e ka lindur nga koha e vet nga edhe ka kërcyer me armatim të plotë. Për të gjithë fëmijët e vet, ata të numëruar por edhe shumë të tjerë, Zeusi rëndom kujdesej madje në të shumtën e rasteve më mirë se sa për dashnoret e veta dhe të gjithë kanë pasur rol të rëndësishëm në botën e miteve. Hollësitë për ta janë dhënë pranë emrave gjegjës.

Hera, gjë që kuptohet, ndaj shkeljes së kurorës ka qenë mjaft xheloze. I përsekutonte dashnoret e tija dhe djemtë e tyre; Zeusit i kurdiste skena të tilla që dridhej Olimpi, ndërsa në tokë tërboheshin shtrëngatat. Zeusi përherë dinte që disi ta qetësojë. Tek e fundit ka qenë jo vetëm bashkëshort, por edhe zot. Përveç dobësive të veta ndaj grave ka pasur edhe mungesa të tjera.

Ka qenë i prirur kah verbësia, nganjëherë e mposhtë Ata, hyjnesha e gënjeshtrës, dhe ndonjëherë syçeltësinë e tij ka ditur ta mposhtë edhe Hipnosi, zoti i gjumit. Zotërat e tjerë i kanë njohur mirë dobësitë e Zeusit, dashamirsinë e tij dhe antipatinë ndaj konflikteve, me shkathtësi kanë ditur ta shfrytëzojnë këtë dhe më së shumti edhe më së miri Hera, gruaja e tij.

Përkundër kësaj, Zeusi ka qenë zoti më suprem dhe më i madhnueshëm prej të gjithë zotërave. I kanë takuar titujt dhe nofkat, të cilët në greqishtën e vjetër kanë tingëlluar më mirë se sa në përkthim: i gjithëpushtetshëm, i gjithëdijshëm, sundimtar i shtrëngatave, zotërues i vetëtimave, rrufedhënës, më i shkëlqyeshëm. Njerëzit më se shpeshti e quanin „Olimpik” ose „Më i larti”, dhe ndonjëherë në raste solemne, „Baba i zotërave dhe i mbretërve”. Simbolet e tij ishin rrufetë dhe vetëtimat, prej shpendeve shqiponja, ndërsa prej lisave bungu. Grekët (dhe romakët) e kanë imagjinuar si burrë të ndershëm menjëherë, me shikim të qetë, nga fytyra e të cilit rrezaton vetëdija madhështore e pushtetit suprem dhe të paluhatshëm të sundimtarit më të lartë.

Për nderë të Zeusit grekët ndërtuan tempuj dhe elterë, skalitën trupore anembanë botës dhe kuptohet se nuk kufizohej vetëm në Greqinë e sotme, por e ka përfshirë tërë Turqinë perëndimore dhe Italinë e Jugut dhe me degezimet e veta në veri ka arritur deri në Rostov në Don (Tanais), në jug deri në Nilin e mesëm (Hermopolisin), në lindje deri te India (Aleksandria) dhe në perëndim deri te Marseillei (Massalia). Prej tempujve që i janë përkushtuar më madhështorët janë Tempulli i Zeusit (në Olimpi nga mesi i shek, para e.s., tempulli në Arkagant (sot Agrigenti) në Sicili, përafërsisht rreth vitit 480 para e.s. (në sipërfaqe prej gati 7000 metra katror), dhe Olimpeoni në Athinë, i filluar në mesin e shek. V para e.s. dhe përfundon në shek. II të e. s. Sot të gjithë janë në gërmadha. Prej elterëve të Zeusit më i mrekullushmi ka qenë i ndërtuar në Pergam. Është i vitit 180-160 para e.s. dhe sot, i rekonstruktuar, është në Muzeun Shtetëror në Berlinin Lindor. Prej skulpturave të tij më e njohura është e ashtuquajtura Zeusi Otrikol dhe i ashtuquajturi Zeusi Verosp, kopjet romake të origjinaleve greke nga gjysma e dytë e shek. IV para e.s. (sot në Muzeun e Vatikanit). Skulptura më e lashtë e Zeusit me cilësi të larta artistike prej bronze, Zeusi nga Artemisia, është nga gjysma e parë e shek. V para e.s., dhe që është nxjerrë prej detit te kepi i Artemisisë në vitin 1928. Origjinali i tij gjendet në Muzeun Arkeologjik në Athinë, ndërsa kopja besnike e stolisë aulën e ndërtesës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Më e famshmja ka qenë Truporja e Zeusit në Olimp, që e ka punuar Fidia rreth vitit 430 para e.s. prej ari dhe fildishi. Antika e ka konsideruar njëren prej shtatë mrekullive të botës, por në fillim të shek V të e.s. qe bartur në Konstantinopol si kumir pagan, ku pastaj është zhdukur pa lënë gjurmë.

Shumë herë Zeusin e kanë pikturuar edhe artistët e kohës së re. Prej pikturave të shumta po e përmendim vetëm veprën e Rafaelit, në pikturën e të cilit Këshilli i zotërave (prej vitit 1515-1516.), sot në Villa Farnese (Farneze) në Romë), figura qendrore, sikurse edhe në pikturën Asamblea e zotërave Olimpik (me siguri nga vitit 1602), sot në Galerinë kombetare në Pragë.

Pas Uranit dhe Kronit, Zeusi ka qenë zoti i fundit më i lartë i grekëve të lashtë. I ka zëvendësuar zoti i krishterë, i cili në greqisht quhet Teos (Theos), dhe kur grekët e sotëm ndahen thonë „adio”, kështu që duket se në këtë „lamtumirë” ende gjithmonë tingëllon emri i Zeusit (greq. gjenitiv prej Ze-us = Dia).

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top