Zef Kolë Ndoka, komandant në rezistencën antiosmane dhe antiserbe në Kosovë

SHKRUAR NGA NIKOLLË LOKA, BOTUAR NË REVISTËN MIRDITA, NR. 22

Zef Kolë Ndoka, që njihet edhe si Zefi i Vogël lindi në Gjakovë në vitin 1883. I ati, Kolë Ndoka u shpërngul në Gjakovë për arsye ekonomike. Zefi që në moshë të re hyn në radhët e luftëtarëve të lirisë. Qendër e gjithë kësaj veprimtarie organizative e politike vijoi të ishte vilajeti i Kosovës. U krijuan çetat kryengritëse, në Rrafshin e Dukagjinit. Çdo familje që kishte tre djem duhet të jepte një djalë për luftë, në rast të kundërt duhet të paguante 25-40 lira turke. Ndër çetat e para ishin ato të Zefit të Vogël, Bajram Daklanit, Mahmut Zajmit, Zog Avdylit, e tjerë. Këto çeta lidhën marrëveshje bashkëveprimi dhe i shpeshtësuan veprimet kundër organeve të pushtetit osman dhe shërbimeve të huaja agjenturore. Në fillim të janarit të vitit 1912, konsulli austro-hungarez në Prizren, Prochaska, e informon Ministrin e Jashtëm në Vjenë për gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe ndër të tjera shkruan: “Muajt e fundit, numri i kaçakëve është rritur.

Në rajonet e Gjakovës dhe të Pejës veprojnë një radhë bandash, të përbëra prej katolikësh dhe myslimanësh, të cilët qëllojnë trupat osmane dhe xhandarët. Ata mbajnë qëndrim kundër shpërdorimeve të bejlerëve dhe e bëjnë të pasigurtë rrugën Mitrovicë-Pejë dhe Pejë-Gjakovë. Frikë kanë ngjallur veçanërisht disa cuba katolikë prej të cilëve Pjetër Çeli (Qerosi) dhe Zefi i Vogël gëzojnë nam të madh. Pas fillimit të trazirave, Sulltani dërgoi në trevat shqiptare Ministrin e Brendshëm Haxhi Adil Beu, gjoja për të përagtitur reformat administrative, por në fakt kishte si detyrë që t’i detyronte shqiptarët të hiqnin dorë nga kryengritja. Ai u prit me luftë nga çetat kryengritëse.

Pas qëndrimit në Pejë, më 7 mars, Haxhi Adil Beu, i përcjellë nga një ekskortë prej dy batalionesh këmbësorie, u nis për në Gjakovë. Gjatë udhëtimit, ndërmjet fshatrave Strellc dhe Isniq, e sulmuan çetat shqiptare, me rreth 100 veta, në radhët e të cilave kishte myslimanë dhe katolikë, të udhëhequr nga Mahmut Zajmi, Zefi i Vogël, Pjetër Çeli, Zef Gjidoda. Në luftimet e rrepta që zgjatën 3 orë, Ministri u detyrua të ndalej në Isniq, ku kaloi natën, duke pritur përforcime që ta vazhdonte rrugën. Me 8 mars, edhe në afërsi të fshatit Skivjan, kryengritësit sulmuan Ministrin dhe ekskortën që e shoqëronte. Vetëm në besën e bajraktarëve shqiptarë Adil Beu arriti të hynte në Gjakovë. Edhe kur Adil Beu ishte në Gjakovë, u sulmua nga shqiptarët, të cilët ishin të organizuar në tri çeta, të udhëhequra nga dy shqiptarë katolikë Zefi i Vogël, Pjetër Çeli dhe një mysliman, Mahmut Zajmi.

Më 21 prill 1912, krerët e malësorëve të Hasit, Rekës e Malësisë së Gjakovës u mblodhën në Kuvendin e Katër Bajrakëve dhe miratuan një dokument me dhjetë kërkesa, ndër të cilat dhe kthimin e armëve të marra nga qeveria turke, shërbim ushtarak në vend, hapje të shkollave shqipe, njohje të flamurit kombëtar, njohje e detyrueshme e gjuhës shqipe nga nëpunësit, shpallje e amnistisë së përgjithëshme, kompensim nga qeveria për dëmet e bëra etj. Si krerë të këtij tubimi dhe të kryengritjes së Kosovës, gazeta Liria e Shqipërisë përmend Mahmud Zajmin, Bajram Daklanin, Zefin e Vogël, Pjetër Çelin, Halil Mehmetin e Idriz Jahën.

Kajmekami i Gjakovës, për të fituar kohë, u premtoi atyre se brenda 15 ditëve do të vinte një përgjigje pozitive nga qendra e vilajetit për kërkesat e tyre. Ndërkaq, në drejtim të Gjakovës u dërguan nga Korpusi i 7-të i Shkupit dy batalione ushtarësh. Me 1 maj 1912, mbaroi afati i ultimatumit të kryengritësve dhe atëherë çetat kryengritëse të Malsisë së Gjakovës zbritën nga malet dhe vunë nën kontroll rrugën Gjakovë-Pejë dhe prenë linjat telefonike rreth Gjakovës. Pastaj nisi sulmi mbi Gjakovë, me datën 11 maj dhe luftimet vazhduan deri në orën 11 të ditës së nesërme.

Nga 2000 kryengritës 1000 ishin katolikë. Në ato forca, vend të rëndësishëm kishin forcat e Zefit të Vogël. U zhvilluan luftime të përgjakshme që zgjatën tri ditë, por për mungesë të municioneve, kryengritësit shqiptarë u tërhoqën. Sulmi mbi Gjakovë pati jehonë në trevat e tjera dhe përshpejtoi përfshirjen e popullsisë së tyre në luftën e armatosur. Në thirrjen drejtuar popullit shqiptar, në fillim të muajit maj, nga Malësia e Gjakovës shtrohej kërkesa e bashkimit të kryengritësve nën drejtimin e një komiteti të vetëm kombëtar. Thirrja ishte nënshkruar nga udhëheqësit e kryengritjes shqiptare, ndër ta Zefi i Vogël, Pjetër Çeli etj. Më 22 maj 1912 gazeta “Liri e Shqipërisë” botoi thirrjen e lëshuar nga Malësia e Gjakovës prej disa udhëheqësve të kryengritjes si Bajram Daklani, Zefi i Vogël, Hasan Ballanca, Sali Hidi, e tj. Ajo u drejtohej shoqërive kombëtare dhe patriotike me kërkesën për tu bashkuar nën drejtimin e një Komiteti Qendror jashtë vendit, por afër Shqipërisë, për organizimin e ndihmave për kryengritjen dhe të propogandës për çështjen kombëtare shqiptare, në mënyrë që të fitohej liria administrative e Shqipërisë.

Me 27 maj u mbajt Kuvendi i Junikut, ku mori pjesë dhe Zefi i Vogël, i cili u muar me organizimin e kryengritjes së përgjithëshme antiosmane.

Me 31 maj, rreth 2 000 veta, të përqendruara në fshatin Strellc, nën drejtimin e Isa Boletinit, të Bajram Daklanit, të Sadik Ramës, të Mahmut Zajmit, të Zefit të Vogël etj., filluan sulmin mbi Pejë, ku asgjësuan pozicionet ushtarake dhe postat e xhandarmërisë të rrethinave të saj. Luftimet ishin të rrepta dhe zgjatën disa ditë. Garnizoni i qytetit ishte në prag të kapitullimit, por në ndihmë të tij erdhën forca të reja ushtarake. Divizioni XIX i nizamëve, që mbërriti nga Mitrovica, pas përleshjes me forcat kryengritëse në fshatin Strellc (Klinë) arriti të futet në qytet. Pas shtatë ditë luftimesh u detyruan të tërhiqen. Gazeta “Vardar e radhit Zefin e Vogël në mes të udhëheqësve kryesorë të lëvizjes antiosmane.

Më 11 gusht hyri atje grupi i parë i kryengritësve, i përbërë nga 200 veta me Zefin e Vogël dhe me Bajram Daklanin në krye. Pas shpalljes së Pavarësisë, Zefi i Vogël dhe çeta e tij luftuan me vendosmëri kundër serbëve dhe malazezëve, që u lëshuan mbi trollin e Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit, trojet e të cilave u ishin dhuruar atyre nga Fuqitë e Mëdha. Kur ushtritë serbe mësynë Rrafshin e Dukagjinit, ndeshën në qëndresën e forcave kryengritëse të udhëhequra nga Sadik Rama, Ramë Alia, Azem e Shote Galica, Zefi i Vogël, Abaz Ostrozubi dhe mjaft çeta të tjera të atyre trevave, të cilat me luftën e tyre heroike çliruan shumë fshatra midis Pejës dhe Istogut. Në një dokument të qeverisë austriake dërguar përfaqësive të saj në Ballkan ju kërkohej atyre që: “ duhet të përgatisin terrenin për të ndërhyrë në mënyrë aktive në luftimet e çetave shqiptare”.[15] Qarqet serbe njoftonin se Austro Hungaria po punonte vazhdimisht me krerët e lëvizjes shqiptare si Isa Boletin, Bajram Curri, Hasan Prishtina etj. për të hapur një front të ri ndaj Serbisë dhe për të nxitur kryengritjen e shqiptarëve në Kosovë,

Emri i Zefit të Vogël dhe çetës së tij u bë tmerr për ushtritë serbe në të gjitha krahinat midis Gjakovës e Prizrenit. Të gjithë banorët e fshatrave Bardosan e Kusar, Bishtazhin e Marmull, Resnjë, Doblibarë e Rekë e pritën dhe e përcollën Zefin e Vogël me çetën e tij si djalin e tyre.

Kryengritësit shqiptarë që vepronin në kuadër të Komitetit të Mbrojtjes së Kosovës, vepronin në bazë të një programi ushtarak. Këto forca komandoheshin nga trima të shquar si Bajram Curri, Azem Bejta, Elez Isufi, Sadik Rama, Zefi i Vogël, Bajram Daklani, Beqir Vokshi, e të tjerë. Fama e Zefit të Vogël u rrit pas luftimeve kundër forcave serbe në rajonin midis Gjakovës dhe Prizrenit. Vritet në vitin 1924, si rezultat i intrigave të thurura kundër tij. Vdiq pa lënë trashëgimtarë.

Zefi i Vogël konsiderohet si një nga udhëheqësit e kryengritjes së Kosovës. Emri i Zef Kolë Ndokës si patriot përmendet për herë të parë nga Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia gjatë vizitës që bëri në Kukës në vitin 1982. Me dekretin Nr. 3608 të datës 26 nëntor 1982, me rastin e shtatëdhjetë vjetorit të Pavarësisë, Presidiumi i Kuvendit Popullor i dha urdhërin “Për veprimtari patriotike të klasit III”. Me dekretin Nr.7433, të datës 7 maj 2012, Presidenti i Republikës së Shqipërisë e ka dekoruar Zef Kolë Ndokën (Zefin e Vogël) me dekoratën e lartë “Medalja e Artë e Shqiponjës” me këtë motivacion: “Veprimtarit të shquar të Lëvizjes Kombëtare, luftëtarit trim e atdhetar që ia kushtoi të gjithë jetën luftës për pavarësi, ruajtjes së tërësisë së trojeve dhe krijimit të shtetit shqiptar”.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top