ZAJEDNICA E USHTRISE SE VDEKUR

Shkruar nga ARDIAN MUHAJ – Shkrim te cilin asnje nga gazetat e Tiranes qe ua kam derguar nuk e ka botuar.

Vendimi i qeverisë aktuale për vazhdimin e ndërtimit të varrezave të reja të ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941 është thjesht një vazhdim dhe aktualizim i absurditetit që trashëgohet nga qeveria në qeveria pa dallim kahu politik.Siç dihet ndërtimi i varrezave për ushtarët grekë që kanë rënë ose supozohet se kanë rënë në Shqipëri ka qenë një nga kushtet kryesore që ka vendosur çdo qeveri greke në bisedimet greko-shqiptare dhe njëkohësisht një nga kushtet kryesore që çdo qeveri shqiptare e ka përmbushur në kundërshtim të plotë dhe flagrant me të drejtën ndërkombtare me interesat kombtare dhe me të drejtën humanitare. Pra, pavarësisht pajtimit të qeverive tona me kërkesat absurde të qeverive greke, ato vendime bien në kundërshtim të plotë me të drejtën dhe praktikën ndërkombëtare, me rezolutat e OKB dhe konventat e Gjenevës.

Edhe pse janë ndërtuar në kohën e qeverisë Berisha në vitet 2010 e 2012, dy varreza të ushtarëve grekë, një në Këlcyrë dhe një në Dropull, do të ndërtohen edhe të tjera. Ka shumë mundësi që të tilla varreza të kërkohen nga pala greke, të miratohen e ndërtohen nga pala shqiptare në zonën e Korçës dhe në atë të Përmetit. Sipas vendimit thuhet se bëhet fjalë për zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë, për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941. Pjesa nevralgjike e vendimit dhe ajo që ia vë kapakun dhunimit të së drejtës ndërkombëtare dhe konkretisht të konventave të Gjenevës dhe rezolutës 3320 të OKB-së del aty ku thuhet se ndërtimi i vendprehjes për ta, do të bëhet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, në zbatim të marrëveshjes së ratifikuar me ligjin nr.10256, datë 25.3.2010, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes.

Kërkesa për zhvarrimin e të vrarëve mund të vijë vetëm i inicuar nga familjarët e tyre. Kjo sepse në praktikën ligjore ndërkombtare zhvarrimi i njerëzve për qëllime politike konsiderohet qartazi si dhunim i të vdekurve. Zhvarrimi i të vdekurve në luftë sipas Protokollit të Parë Shtesë të Konventave të Gjenevës miratuar më 1977, është rreptësisht i ndaluar. Ata mund të trazohen nga vendet ku ata prehen vetëm nëdy raste dhe për dy arsye të veçanta: 1. Me qëllim riatdhesimin e mbetjeve mortore drejt vendit përkatës dhe. 2. Në rast se parimi i ndalimit të zhvarrimit justifikohet me një nevojë madhore publike, siç është kur ato paraqesin rrezik për shëndetin e njerëzve në atë zonë apo në raste kur kërkohet të kryhen hetime kriminalistike. Pra, eshtrat e ushtarëve grekë në vend që t’u rikthehen familjarëve të tyre në përputhje me të drejtën ndërkombtare do mbahen peng politikisht. Ato eshtra të rekrutëve grekë të përdorur nga qeveria greke e kohës si mish për top për qëllime politike po ripërdoren sot tetë dekada mbas vdekjes në mënyrë makabre për të piketuar një zajednicë politike greke në territorin shqiptar të njohur ndërkombtarisht si shtet që më 1913.

Si është e mundur që ushtarët grekë sot trajtohen ndryshe nga ushtarët italianë? Shteti italian pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore duke u mbështetur dhe në përputhje me Konventat e Gjenevës shtroi kërkesën pranë qeverisë shqiptare të kohës për kërkimin, zhvarrimin dhe riatdhesimin e eshtrave të ushtarëve italianë të rënë në Shqipëri gjatë kësaj lufte. Nga ana e vet qeveria e kohës po ashtu në mbështetje dhe në përputhje me konventat e mësipërme, jo vetëm që e pranoi kërkesën por edhe vuri në dispozion mjetet dhe të dhënat e mundshme për realizimin me sukses të riatdhesimit të eshtrave të rekrutëve italianë dhe varrosjen pranë gjirit të familjeve të tyre. Ky është një nga episodet më të njohura të historisë së marrdhënieve dypalëshe edhe për shkak të përshkrimit me hollësi në romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të shkrimtarit Ismail Kadare. Nuk duhet harruar se ligji ndërkombëtar humanitar që rregullon procedurat e luftës (jus in bello) nuk bën dallim cilësor mes pushtuesve dhe madje e nënvizon qartë mosdiskriminin e të vdekurve në bazë të përkatësisë racore, kombtare, fetare apo politike. Kështu në atë pjesë të territorit shqiptar ku pretendohet të ngrihen varreza nga qeveria greke ka pasur edhe ushtri të tjera pushtuese jo vetëm ato greke. Aty kanë rënë edhe ushtarë gjermanë, madje po të shfrytëzonin gjermanët ekzagjerimet tona historiografike me dëshmorë e veteranë do të dilnin disafish më shumë se sa numrat e supozuar të pushtuesve grekë. Mirëpo në rastin e rekrutëve grekë shtrohet pyetja pse familjeve të tyre u hiqet e drejta që t’i kenë eshtrat e familjarëve dhe këto eshtra në vend që të riatdhesohen drejt familjeve të tyre siç është praktika dhe ligji ndërkombëtar është vendosur të mbahen të bllokuar në territorin shqiptar? Në se qeveria greke është aq e papërgjegjshme sa të pengojë riatdhesimin e eshtrave të tyre, duke preferuar që t’i ripërdorë për qëllime politike nënshtetasit e vet të vdekur, qeveria shqiptare kurrsesi nuk duhet të përfshihet në këtë aferë.
Nuk po merremi këtu me faktin që nderimi zyrtar i tyre që urdhërohet të organizohet çdo 28 tetor nga Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë në bashkëpunim me shtetin grek e hedh në kosh luftën nacional çlirimtare mbasi nderimet zyrtare nga shteti shqiptar për ushtarët pushtues të një vendi të huaj, të rënë gjatë agresionit kundër vendit tonë, e zhbëjnë dhe e zhverësojnë tërësisht retorikën dhe simbolikën e Luftës nacional çlirimtare. As nuk po merremi me faktin që kjo ushtri pushtuese greke hyri në territorin e një shteti të njohur ndërkombtarisht e paftuar nga askush. As nuk po merremi në këtë rast me pafytyrësisë që të kërkohen varreza ushtarësh pushtues grekë në Hormovën ku u krye një nga masakrat më të njohura, ku u torturuan e masakruan nga grekët 220 shqiptarë civilë të pafajshëm e të paarmatosur. As nuk po e shfrytëzojmë këtë rast për të përkujtuar se Shqipëria përpara se të ndërtojë monumente ushtarëve pushtues grekë, duhet së pari të ndërtojë varrezat dhe monumentin e përkujtimit të masakrës së kryer nga grekët në Hormovë më 1914.

Në këtë rast po e zbresim ose më saktë po e lartësojmë çështjen nga niveli diplomatik në atë humanitar, njerëzor. Rekrutët grekë të urdhëruar për të kryer shërbimin ushtarak dhe të urdhëruar të dhunojnë ushtarakisht territorin shqiptar me vdekjen e tyre e kanë kryer detyrimin ushtarak në bazë të ligjeve ndërkombëtare. Mbajtja e tyre peng, përdorimi i tyre edhe pas vdekjes për qëllime politike është makabritet që thyen praktikën dhe të drejtën ndërkombëtare por edhe atë humanitare si edhe të drejtën e përkatësisë familjare. Kjo e drejtë universale për respektimin e jetës familjare nuk zbehet aspak nga pretendimi po ashtu absurd grek se Greqia ishte zyrtarisht në luftë me Shqipërinë për arsye se ajo duke i shpallur luftë Italisë i kishte shpallur luftë edhe Shqipërisë, ngaqë Shqipëria ishte e inkuadruar në mbretërinë italiane. Në asnjë dokument dhe praktikë ndërkombtare, nuk flitet për mbajtjen peng të eshtrave dhe varrim të të vrarëve në fushëbetejë por për detyrimin e riatdhesimit të tyre, pra të rikthimit pranë familjarëve. Në se një ushtar nga Kreta apo Peloponezi ka rënë në territorin shqiptar në bazë të konventave të Genevës, rezolutave të OKB-së, dokumentave përkatës të Kryqit dhe Gjysëmhënës së Kuqe, ashtu edhe manualeve dhe rregulloreve ushtarake të vendeve në mbarë botën, ato eshtra duhen të identifikohen, zhvarrosen dhe të dërgohen pranë familjeve të tyre në Kretë apo Peloponez në rast se familjet e tyre e kërkojnë një gjë të tillë. Rezoluta 3220 e vitit 1974 miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së u bën thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin ato veprime që janë brenda mundësisë së tyre, të lehtësojnë zhvarrimin dhe riatdhesimin e mbejtjeve mortore, në rast të kërkesës nga familjet e tyre. (“to facilitate the disinterment and the return of remains, if requested by their families”. (UN General Assembly, Res. 3220 (XXIX). Askund nuk bëhet fjalë për zhvarrim dhe rivarrim të eshtrave në të njëjtin vend, por në rast të kërkesës nga familjarët për zhvarrim dhe riatdhesim. Zhvarrimi dhe rivarrimi i tyre në territorin shqiptar dhunon pikërisht këto ligje ndërkombëtare.

Tjetër problem që shton në vend që të zgjidhë kjo marrëveshje ka lidhje me vështirësinë e identifikimit të saktë të eshtrave sot pas tetë dekadash. Identifikimi i saktë i eshtrave në mënyrë që të mos cënojë ligjin humanitar ndërkombëtar sot mbas tetë dekadash, do të kërkonte mjete moderne dhe procedura hetimi dhe ekspertize shkencore që do të ishte e pamundur të sigurohej nga shtetet më të zhvilluara të botës. Kjo pamundësi e saktësimit të qartë dhe pamjaftueshmëri teknike në se nuk merret parasysh dhunon një tjetër parim të rëndësishëm të së drejtës humanitare ndërkombëtare që është e drejta e qënieve njerëzore për të mos rënë pre e humbjes apo tjetërsimit të identitetit pas vdekjes. (the right of human beings not to lose their identity after death.(ICPO-Interpol General Assembly, 65th session, Resolution AGN/65/RES/13 (1996). Për më tepër që detyrimi për respektimin e të vdekurve dhe parandalimin e dhunimit të kufomave apo eshtrave të tyre në bazë të të njëjtave ligje përfshin si të vdekurit nga ushtritë pushtuese ashtu edhe nënshtetasit e shtetit ku ka ndodhur lufta. Në bazë të këtij detyrimi shteti shqiptar përpara se të konsiderojë minimalisht kërkesën për varrezë greke në Hormovë, duhet pikësëpari të bëjë identifikimin e shqiptarëve të masakruar nga shteti grek në vitin 1914 pikërisht në Hormovë dhe vetëm pasi ato qindra viktima të jenë identifikuar plotësisht e qartësisht, atëherë mund të ndërmarrë apo të lejojë fillimin e procesit të identifikimit të eshtrave të ushtarëve të inkuadruar në forcat pushtuese greke në 1940-1941. Por a mundemi dhe a i kemi mundësitë për këtë? Pamundësia e identifikimit të saktë të shqiptarëve të masakruar nga shteti grek në Hormovë e bën të sigurtë mundësinë e dhunimit të parimit në fjalë, pra të drejtës së njerëzve që të mos u ndryshohet identiteti pas vdekjes.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top