Shkruar nga Arif Molliqi – Hamburg, qershor 2004
(Idriz Lamaj, “Xhafer Deva në dritën e letrave të veta dhe zbulesa tjera të mërgatës”, Botim i autorit, NY, 20029
Si do t´ia filloja këtij observimi për një libër që personazh kryesor ka njërin ndër figurat më interesante gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore në historiografinë shqiptare?
Observimin e nisa me një konstatim të dëgjuar: “ Nëse historia shkruhet vetëm nga fitimtarët, atëherë ajo nuk është histori”. Atëherë kush e shkroi historinë tonë, “fitimtari” apo “i munduri”?! Pa dashur të ndalem se kush e shkroi historinë tonë, nga literatura historike që kemi, shumica thonë se historia e jonë u shkrua jashtë normave shkencore, me dirigjime institucionale nga pseudo-historian. Nga gjithë ky mashtrim i dalë prej komunizmit si “fitimtar”, pollën pseudovlera historike, pseudolibra të mbushura me mite, legjenda, dhe plot sentimentalizma patetik. Pastaj u krijuan edhe anakronizma. Akademizma të shpifur që e penguan shkencën shqiptare që ta krijojë bazamentin e një historie të mirëfilltë dhe moderne.
Nëpër brumin e të gjitha këtyre librave, qofshin ato të botuara edhe nga emra të njohur të historiografisë shqiptare, ishin rezervuar vetëm personazhet ose heronjtë e tyre. Që kishin për detyrë të rrënojnë gjithçka që nuk u përkiste atyre si “fitimtarë”
Për dallim nga shumë prej këtyre librave që u botuan brenda kësaj periudhe, kohë më parë më ra në dorë libri i Idriz Lamajt, “Xhafer Deva-në dritën e letrave të veta dhe zbulesa të tjera të mërgatës”. Lamaj, edhe pse me vonesë, pas kaq shumë vitesh, më 2002, e nxori para opinionit shqiptar vetëm një pjesë nga të vërtetat për Xhafer Devën, por një pjesë të vlefshme për historiografinë shqiptare, që për aq vite regjimi totalitar komunist në Shqipëri dhe në Kosovë nuk e kishin thënë.
Struktura e librit dhe i ngjarjeve
Libri i Idriz Lamajt, “Xhefer Deva-në dritën e letrave të veta dhe zbulesa të tjera të mërgatës”, ka një kronologji të mbështetur në bazë të ngjarjeve të dokumentuara nga stenograme, letra të korrespodentuara mes Deves dhe bashkëpunëtorëve të tij, si dhe rrëfime të shkurtra nga vet Xh. Deva. Prandaj, sado që hetohet ndonjë kapërcim i ngjarjeve, shikuar nga aspekti kohor, libri ka strukturim të ndarë në katërmbëdhjetë kapituj: Jeta dhe vepra e Xhafer Deves në mërgim, Xhafer Deva në dritën e letrave të veta, Marrëdhëniet e Xhafer Deves me Bllokun Kombëtar Indipedent dhe misionet e tyre parashutiste në Shqipëri dhe në Kosovë. Xhafer Deva në Lëvizje, Parashutistet e Xhafer Deves hyjnë në Kosovë, Përpjekjet e Xhafer Deves për krijimin e një qendre sekrete informimi në Kosovë, në shërbim të amerikanëve, Xhafer Deva në SHBA, Riorganizimi i Lidhjes së Prizrenit në Mërgim dhe Kongresi i saj i parë, Kongresi i Dytë i Lidhjes së Prizrenit në Mërgim, Xhafer Deva dhe Mbledhja e Madridit, Porosia e fundit e Xhafer Deves: Mbajeni gjallë Lidhjen e Prizrenit dhe, kapitulli i fundit, Shkrime të Xhafer Deves.
Shtresimet e ngjarjeve dhe realiteti kohor
Që në fillim, duhet thënë se libri ka vetëm një pjesë nga veprimtaria e Xhafer Deves, kurse ajo pjesa shumë e përfolur sikur me qëllim ka mbetur të analizohet nga analitik dhe studiues të mirëfilltë, dhe që nuk janë as “fitues” e, as të “mundur”. Mirëpo, libri nuk ka as mite dhe glorifikime të një personaliteti, siç jemi mësuar të dëgjojmë apo lexojmë në ato libra të historisë.
Lamaj, në këtë libër gjithçka e nis me një shpjegim të qëlluar për momentin. Kuptimësinë që autori i jep nocionit “Shqipnia e Madhe”, është baza nga nuk i lë vend propagandës se qarqeve antishqiptare ta përdorin në kuptimin, se shqiptarët po kërkojnë një shtet dominues në Ballkan dhe më gjerë. Por do të ishte ajo një Shqipëri normale, e shtrirë në kufijtë ku janë shqiptarët, e që në popull me të drejtë është quajtur “Koha e Shqipnisë” (faqe 5). E personaliteti që lë vulën kryesore në këtë “Kohë të Shqipnisë” është Xhafer Deva me Prizrenin, kryeqytetin simbolik të Shqipërisë Etnike.
Kështu, në librin e Lamajt “Xhafer Deva-në dritën e letrave të veta dhe zbulesa të tjera të mërgatës”, përveç që njihemi me figurën e Xhafer Deves, me kohën e tij dhe pas tij, njihemi edhe më shumë veprimtarë të tjerë që luftuan për “Kohën e Shqipnisë”. S´ka se si të mos lexohet kjo periudhë historike, aq tragjike për shqiptaret në përgjithësi e të mos përmenden disa nga figurat shumë emblematike që u flijuan për një Shqipëri ashtu siç duhej të ishte.
Historia ka treguar se asnjëherë shqiptarët nuk kanë ditur, apo nuk kanë mundur ta shfrytëzojnë kohën në momentin e duhur. Deva për këtë thotë: “ Mirëpo Balli Kombëtar i bindur që aleatet do të fitonin luftën (krejt bota e dinte që Gjermania e kishte humb luftën me hymjen e Amerikës në luftë kundër saj), mbajshin lidhje me misionin anglez, të cilët përkrahshin për fushë komunistet…”
Ky fenomen i mos gjetjes se aleatëve, paqartësive në përcaktimin e tyre dhe ndasive, do t´i përcjellë më vonë. Ky fenomen, ka sjellë për pasojë dhe mungesë serioziteti, pa besueshmëri nga ana e qeverive perëndimore dhe asaj amerikane për krijimin pse jo më pas të një qeverie paralele në ekzil që me përmbysjen e komunizmit në Shqipëri do të kishin marrë frenat e pushtetit në dorë. Kjo praktikë ka vepruar me emigracionet tjera që vendi i tyre kishte regjim komunist apo diktatorial asokohe. Ky shpjegim, pa pasione e emocione politike, por me gjuhen e fakteve historike, duke i shpjeguar periudhat dhe figurat ashtu siç e kishin pozicionin, veprimin dhe siç e kryen detyrën, librin e bën të lexueshëm dhe kërkon studim të thellë. Është e pamundur që e gjithë koha nuk i ka ndritur disa nga shumë figurat lidhëse që vepronin dhe punonin me Xhafer Devën. Brenda këtij libri përveç Mit’hat Frashërit, që është i njohur, kemi një njoftim për bashkëpunimin e Xhafer Devës me Dr. Rexhep Krasniqin, Tahir Zajmin, Anton Arapin, Ibrahim Biçakun, me Kapedanin e Mirditës, Muharrem Bajraktarin e tjerë.
Kontaktet e Devës me Muharrem Bajraktarin kanë qenë të shpeshta, megjithatë në dosjet e korrespodencës së tij ndodhin vetëm tri letra të z. Bajraktari. Në një letër Bajraktari i shkruan Devës: “… Mora të gjitha hollësitë simbas porosisë tande… nëse realizohet pika e parë…zbarkimi në Veri… Unë sulmoj Prizrenin… kur të shihemi flasim gjansisht, të fala M. Bajraktari”. 29.06.1950 (faqe 77)
Pas tre muaj stërvitjeje nga specialistë amerikanë dhe italianë, parashutistet e Xhafer Devës zbarkojnë në Kosovë, gjatë gjysmës së parë të qeshorit 1950. Me rastin e këtij zbarkimi, njihemi edhe më shumë patriot tjerë antikomunist që luftuan për ta çliruar Kosovën nga kthetrat e Jugosllavisë. Janë këto figura shumë interesante që përbënin “Grupi kosovar”, Riza Osmani, Shaqir Kabashi, Hajredin Vuçitërni, Beqir Bajgora, Ahmet Kabashi, Musa Vuçitërni dhe Destan Berisha. Ajo që mbetet enigmë edhe gjatë leximit të librit, janë dy figura kontroverse të shumëpërfolura në këtë aksion të dështuar. Është ky Sheh Hasani dhe Hajredin Vuçitërni.
Meqenëse vetë titulli i librit është, Idriz Lamaj, “ Xhafer Deva-në dritën e letrave të veta dhe zbulesa të tjera të mërgatës”, mendojmë se prezantimi origjinal i këtyre letrave, e ka zbeh deri diku besueshmërinë e tyre. Megjithatë, aty takohemi me një varg letrash interesante dhe që kërkojnë analizë të mprehtë dhe gjakftohtë, pa patetizëm dhe ngjyrime ideologjike. Korespodenca e Xhafer Devës me Dr. Rexhep Krasniqin, Muharrem Bajraktarin, Ernest Koliqin, Shaqir Kabashin, Roger Hollinshead (me 14 shkurt 1951). Korespodenca e Xhafe Devës me udhëheqësit e “Lidhjes së Prizrenit në Mërgim”, Kalosh Hamdiun, Hysen Tërpeza, Ismet Berisha, Tahir Kolgjini, Gjon Shtufaj e letra tjera. Sidomos letërkëmbimi i Devës me mikun amerikan z. Harti, është kapitull në vete i këtij libri. Raporte që Deva ua dërgon ambasadave amerikane nëpër Evropë, e sidomos asaj në Romë, ishte njoftimi më bindës për masakrat që po bënte regjimi jugosllav mbi popullin shqiptar në Kosovë e Maqedoni.
Lidhja e Prizrenit në mërgim
Duke u gjendur nëpër shumë të papritura që ishin thurur në mërgatën tonë, Deva me bashkëpunëtorë riorganizoj Lidhjen e Prizrenit në Mërgim, dhe kongresin e saj të parë, por edhe të dytin që ndoshta kishte ardhur në momentin e duhur. Kongresi i parë, për nga aspekti juridik dhe ai kombëtar kërkon vëmendje të posaçme prej studiuesi të mirëfilltë. Por si çdo organizim tjetër, që kalonte në vështirësi për shkak të fërkimeve dhe divergjencave në mendime, edhe Lidhja i pati problemet e veta para dhe mbas këtyre Kongreseve, kur Deva ishte kryetar. Për tejkalimin e këtyre vështirësive, shuarjen e konflikteve brenda për brenda Lidhjes, rol vendimtar dhe të rëndësishëm në Kongresin e parë (16 dhe 27 nëntor 1966), luajti Mehmet Agë Rashkoci (daja i heroit Sali Çekajt, v. autorit), për të cilin kishin respekt të gjithë, kurse në Kongresin e dytë (26 nëntor 1971), Kalosh Hamdia.
Është më rëndësi se në Kongresin e Parë marrin pjesë përfaqësues të partive politike nacionaliste në mërgim, dhe personalitete të shquara të mërgatës: Antoni Athanasi, Kryetar i Federatës “Vatra”, Selim Damani, Halim Begeja, Prof. Jusuf Luzaj, Vasil Gërmenji, Dr. Rexhep Krasniqi, Dom Zef Oroshi, Sali Myftiu e tjerë. Kongresi mori letra dhe telegrame të veçanta përshëndetëse nga Mbreti Leka, Hasan Dosti, Ernest Koliqi, Ismail Vërlaci, baba Rexhepi, Muharrem Bajraktari, Ago Agaj e tjerë.
Në këtë Kongres është miratuar Statuti i Organizatës “Lidhja e Prizrenit”, statut ky i përgatitur nga Dr. Rexhep Krasniqi, që në aspektin juridik për kohën ishte quajtur Kushtetuta e Lidhjes së Prizrenit në Mërgim për një Shqipëri të lirë Etnike (faqe 127). Ky fillim i ri i politikës së Devës, i tmerroj pushtetarët e Beogradit të cilët në propagandën e saj (në mjetet e saja të informimit 1966), e filloj një fushatë kundër tij. Gezeta “Veçerni Novosti”, por edhe “Zëri i Popullit” i Tiranës shkruan fejtone kundër Devës dhe Lidhjes së Prizrenit në Mërgim, kundër përcaktimit të kësaj lëvizje për një Shqipëri Etnike.
Një fund i papërfunduar
“Xhafer Deva-në dritën e letrave të veta dhe zbulesa të tjera të mërgatës”, është një vepër që s´mund ta quajmë historike e, as letrare, por është mes monografisë dhe dokumentares që vjen në kohën e duhur për të përmbushur një zbrazëti të ndjeshme në literaturën tonë historiko-dokumentare. Ky libër, nëpërmjet të kokëfortësisë se fakteve që nuk mungojnë, i jep dritë dokumenteve historike, sado e shkruar pa metodologji historike megjithatë tregon një të vërtetë të qartë për luftën e popullit shqiptar për një Shqipëri Etnike, por jo në kuptimin mitik. Po ashtu, nga shënimet e mbetura të Devës, dhe përmbledhja e tyre në këtë libër, janë disa fakte nga mund të nxirren konkluzione e sinteza të rëndësishme, që mund të na shërbejnë për studime integrale të fenomeneve të caktuara për një periudhë tonën të pandriçuar ose të interpretuar ndryshe nga historian oborrtar.
Do t´i mbetesha borxh këtij libri dhe autorit, po mos t´i përmendja se libri sado i botuar nga vet autori dhe ndihmuar nga shokët e vet, kështu siç është, është një libër i papërfunduar, por që nuk e zbeh aspak figurën e Xhafër Devës, as nuk ia zbeh vlerën librit mbase ky kapitull i historisë është trajtuar për herë të parë jo nga “fitimtarët”.