Në vitin 1941, daja im ka qenë adjutant i kryeministrit të Shqipërisë, Mustafa Kruja. Më vonë ishte pjesë e Xhandarmërisë në Skenderaj, ku ka qenë edhe Mehmet Gradica. Është kjo koha e Luftës së Dytë Botërore, ajo që ne në Kosovë e quajmë Tri Ditë Shipni. Se sa të rëndësishme ishin ato tri “ditë” (vite) për ne, këtë e kemi kuptuar edhe më 1999, kur ua kemi parë shpinën ushtarëve dhe policëve serbë duke u larguar nga Kosova.
SHKRUAN: AGRON SHALA
Në kohën e Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët ishin të dobët për t’i përcaktuar rrjedhat e zhvillimeve të politikave globale. Shqiptari e kishte një qëllim: bashkimin e trojeve, arsimimin, mirëqenien e, mbi të gjitha, mbijetesën që ka qenë e rrezikuar gjithmonë nga Serbia.
Kur ministër i Brendshëm i Shqipërisë u bë Kolë Bibë Mirakaj, më 1943, nisi me të madhe armatosja e shqiptarëve të Kosovës (siç ka synuar më herët Hasan Prishtina, por që u pengua nga qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës). Sepse, mbijetesa e shqiptarëve rrezikohej përherë nga serbët – në këtë rast nga forcat çetnike të Drazha Mihajloviqit.
Duhet theksuar se pas pushtimit të Mbretërisë së Jugosllavisë më 1941, pjesa më e madhe e trojeve shqiptare që ranë nën juridiksionin italian, bëhen Shqipëri. Megjithatë, disa pjesë të zonës kufitare në veri të Kosovës dhe disa pjesë kufitare me Malin e Zi, ranë nën juridiksionin gjerman. Sanxhaku ishte nën juridiksionin e kombinuar italo-gjerman. Gjermanët nuk janë shqetësuar shumë se çka bëjnë serbët e shqiptarët. Thjesht donin që ata të mos i sulmonin. Prandaj, bashkëpunëtor i madh nazistëve ka qenë çetniku Drazha Mihajlloviq, i rehabilituar si patriot nga Serbia që kishte mbështetjen edhe të kryeministrit serb të asaj kohe, po ashtu bashkëpunëtor i nazistëve, Millan Nediq.
Sulmet më të mëdha të çetnikëve u bënë në rajonin e Sanxhakut. Se në çfarë rreziku ishin ata, e shpjegon fjalimi drejtuar luftëtarëve shqiptarë (në mesin e të cilëve ka qenë edhe Pajazit Boletini), që sipas dëshmitarëve kanë mbajtur Shaban Polluzha dhe Mulla Ilaz Broja. “Jemi këtu për t’i mbrojtur familjet e rrezikuara nga çetnikët e tërbuar”, ka thënë Polluzha. “Misioni juaj është njerëzor dhe dikush mund të bjerë edhe në vijën e frontit, prandaj përshëndetuni me njëri-tjetrin”, ka thënë Broja.
Luftime kishte edhe në Shalë e në Bajgorë. Çetniku që i udhëhiqte luftimet në këto anë ishte Kosta Peçanci, emër i urryer për krimet që kishte kryer më parë në Kosovë. Ai ishte vojvoda që gjatë Luftës së Parë Botërore kishte marrëveshje me Azem Bejtën që ta luftonin së bashku Austro-Hungarinë, gjoja se do të gjendej pastaj një zgjidhje për tokat e pushtuara shqiptare. Por, Bejta tradhtohet. Në një atentat Peçanci humb njërin sy nga plumbi i shokëve të Bejtës.
Luftimet kundër forcave çetnike në Shalë e në Bajgorë udhëhiqeshin nga Ahmet Selaci e Mehmet Gradica. Më 20 tetor 1941, me ndihmën e gjermanëve u organizua një takim mes sipërmarrësit, patriotit dhe intelektualit Xhafer Deva – ndër të tjera të shkolluar edhe në Vjenë – e çetnikut Peçanci. Ky i fundit, bazuar në përvojat e para të tij me shqiptarë, e duke mos e njohur Devën, mendonte se me lojë fjalësh e trillime për Bejtën dhe për babanë e tij, mund ta bindte t’i nënshtrohej kërkesave të tij. Por, reagimi i Devës e tmerroi. Kështu Peçanci e ka përshkruar takimin:
“Me çetnikët e mi isha në shtab, në Kurshumli, kur më thirrën nga Nishi që me arnautët të flas për kufirin. Shkuam dhe aty e takuam. I fola arnautqe, gjuhën që e njihja mirë, me shpresën se me shumë lëvdata edhe atë do ta përvetësojmë, siç kemi mundur t’i përfitojmë të gjithë udhëheqësit arnautë. ‘Me Azemin (Bejtën) e kam parë dhe takuar në Mitrovicë babanë tënd urtak, i cili si arnaut besnik që ishte e respektonte ushtrinë tonë, por edhe pushtetin serb. Ndaj, të lus si Zotin (përdor fjalën ‘Kumim te Bogom’, sepse kumbara te serbët cilësohet si diçka e shenjtë, ndërmjetës mes familjes dhe të parëve; është shprehje që përdoret kur kërkon nga dikush të bëhet mik e mbrojtës, i nderuar gati sa Perëndia për kërkuesin, gjë që nuk do të duhej të refuzohej, sidomos nga shqiptarët e besës), se nëse veç pak i ngjan atij, shmangu nga Borçani dhe Bajgora që me shekuj janë tonat’. Me një buzëqeshje poshtë syzeve të tij, të cilën unë e vëreja, qetë m’u përgjigj: ‘Për trimërinë tuaj kam dëgjuar shumë nga babai im. Mos u shqetësoni, se nesër ua dërgoj në Borçan dy njerëz të mi të qetë e të kuptueshëm, me të cilët mund të flasësh – Ahmetin (Selacin) dhe Mehmetin (Gradicën)’. Pas disa ditësh e kuptova se ky arnaut i vogël në të ardhmen ka me q… gjithçka serbe deri në Nish – nga ku vijnë të parët e tij”, ka thënë Peçanci.
Të parët e Devës ishin muhaxherë nga Nishi. E kanë vuajtur edhe ata të zezën që vinte nga Serbia. Deva ishte intelektual e patriot, siç ishte edhe Mustafa Kruja që ka nënshkruar dokumentin e Pavarësisë së Shqipërisë e që ka thënë: “Nuk mundem me dashtun sërbín, Beligradin – xhelatët e vllazënve të mij”. Njerëzor ishte edhe Kolë Bibë Marakaj që merrej me organizimin e mbrojtjes së hebrenjve në prag të shkuarjes së trupave gjermane në Shqipëri, pas kapitullimit të Italisë. Në mbrojtjen e tyre kontribuon edhe Xhafer Deva. Patriot ishte edhe Koço Tasi që ka themeluar administratën e parë lokale në Kosovë dhe Ernest Koliqi që, si ministër i Arsimit, i hap shkollat shqipe në Kosovë. Ishte edhe Qazim Mulleti që më 1941 ka qenë emisar special për çlirimin e territorit shqiptar të Kosovës. Po, sepse viti 1941 ishte çlirim për ne shqiptarët e Kosovës që vuanim sundimin serb. Krejt këta emra, e shumë të tjerë, janë anatemuar me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore e pas triumfit të komunizmit në Shqipëri e në Kosovë. Si shembull, hero në Shqipëri ishte Vojo Kushi që ka vrarë të birin e Isa Boletinit, Ademin. Rrugë me emrin “Vojo Kushi” ka edhe në Prishtinë (nëse jo sot, deri më 2016 po).
Në Shqipëri, Xhafer Deva u etiketua madje edhe si terrorist, me atë që neokomunistët ende e quajnë “Masakra e 4 shkurtit”. A ka pasë të vrarë? Po, por jo 86 sa thonë në Shqipëri. Sekretari privat i Xhafer Devër, Isuf Deva (i pushkatuar), në dëshminë e tij (janar 1947), në hetuesi e nën dajak ka thënë se “Deva pohoi se ishin vrarë jo më shumë se 7-8 njerëz dhe nuk pranoi 80 të vrarë”. Rol në etiketimin e Devës kanë luajtur edhe historianët e Kosovës, si Hakif Bajrami që “zbuloi” se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kurt Waldheim ishte nazist. Sipas tij, “Waldheim dhe Xhafer Deva janë përgjegjës për ekzekutimin e 104 patriotëve shqiptarë”. Ndërsa, nuk ka akoma historian që merret tamam me jetën e tij dhe me rrethanat në të cilat Deva ka vepruar.
Duhet ditur se pas vrasjes së ministrit të Punëve Botore, prishtinasit Iljaz Agushi (të cilit kryeministri Shefqet Vërlaci, në nëntor 1941 i drejtohet për të mbledhur dokumentacione dhe çdo gjë tjetër të nevojshme për të vërtetuar shqiptarizmin e gjithë zonave të Kosovës, të cilat ishin vënë nën administrimin e qeverisë së Tiranës), nga komunisti i Kosovës Ymer Pula, dhe pas vrasjes së familjarit të Devës, Fahri Ibrahimit, nis përndjekja e komunistëve në Tiranë. Sepse, po, komunistët vrisnin secilin që nuk mendonte si ata. Xhafer Deva shkoi për ta arrestuar Enver Hoxhën, që strehohej te dhëndri i tij Bahri Omari (që vritet nga komunistët). Shkon për ta arrestuar edhe Mehmet Shehun, që strehohej nga prifti Pjetër Meshkalla te qela e Kishës katolike në Rrugën e Kavajës. Ai e respektoi autoritetin diplomatik të Omarit dhe atë kishtar të Meshkallës. Nuk u fut brenda. Në Shqipëri sot shumëkush shprehet se po të futej me dhunë në shtëpinë e Omarit e në kishë, do ta shpëtonte Shqipërinë nga krimet e mëvonshme të komunizmit.
Xhafer Deva ishte nismëtar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, ku morën pjesë dy nënshkrues tjerë të Pavarësisë së Shqipërisë, Bedri Pejani dhe Rexhep Mitrovica. Qëllimi i lidhjes ishte bashkimi dhe mbrojtja e tokave shqiptare. Në anën tjetër, komunistët shqiptarë, në Kosovë e në Shqipëri luftonin më shumë për ideologji (komunistët shqiptarë e dorëzuan te serbët Bedri Pejanin). Të ashtuquajturit komunistë mendonin që me triumfin e komunizmit zgjidhen të gjitha problemet etnike. Prandaj, nuk është çudi që nga në Shqipëri, gjatë kohës së Enver Hoxhës, Kosova trajtohej si problem i çështjes së pazgjidhur të proletariatit botëror.
Ndaj, cilindo version që jeni të prirë ta besoni për Xhafer Devën, duhet ta dini se ai vdiq në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 22 vjet jetoi atje. Pra, ishte aleat i tyre. Ndaj, mos u merrni me atë që thotë ambasadori i Gjermanisë në Kosovë. Sepse, janë shqiptarët ata që flasin më keq për Devën. Pastaj, ka të tillë që mendojnë se Gjermania – që pas Luftës së Dytë Botërore e nisi procesin e denazifikimit – duhet të mbështesë renovimin e shtëpisë së tij në Mitrovicë, sepse “ishte njeri i tyre”. Xhafer Deva ishte njeriu ynë. Patriot e i intelektual që i theu i pari mitet serbe se mund të tallen me shqiptarët. Renovojeni shtëpinë, pa zhurmë, sepse edhe po të ishte gjallë Deva, në rrethana tjera historike, do ta dhuronte, meqë ka qenë nga shqiptarët më të pasur, aksionar në Trepçë dhe asnjë veprim nuk e ka bërë për përfitime personale. As mos u merrni me lajmet në Serbi sepse, siç ka thënë Bedri Pejani: “Shqipnija e së nesërmes mundet me jetue miqësisht me nji Serbi me mëndë në krye”.