XHAFER DEVA - HERO I KOMBIT SHQYPTAR

XHAFER DEVA: E VERTETA E LIDHJES SE DYTE TE PRIZRENIT

Para shpalljes së kapitullimit të Italisë gjendja në Shqipni, tue përfshi edhe vendet fqij shkurtasi paraqitej si vijon:

Ushtrija italjane

Afër 7 divizione të kambësorisë të vendosuna nëpër qytetet kryesore të Shqipnisë, gjatë kufijvet të Greqisë, në Mal të Zi, në Dalmaci dhe në Sanxhak të Pazarit të Ri. Përveç këtyne, ishin edhe dy regjimente të thjeshta shqiptare të kambësorisë të vendosuna në qytetet e Prishtinës dhe të Gillanit në Kosovë. Me përjashtimin e aeroportave të Beranës dhe të Podgoricës (Mali i Zi), aeroportet në Shqipni gjindeshin n’at nën kontrollin e plotë të ushtrisë gjermane.

Masat ushtarake gjermane

Dy divizione t’ushtrisë gjermane, në pritje të ngjarjes së shënueme ma siper, ishin perqindrue rreth e perqarkë të kufijve të Shqipnisë, tue fillue prej Greqisë veriore deri në Mitrovicë, gati me nderhye me shpejtësi të madhe.

Gjendja e mbrendëshme në Shqipni

Nji qeveri shqiptare nën kryesinë e Ekrem Libohovës, i cili me kohë ishte largue në Itali, gjindej e kryesueme prej Iliaz Haxhi Agushit prej Prishtinës. Kjo qeveri ishte sa për emen, mbasi kishte humbë pothuajse kontrollin e drejtimit shtetnor për arsye se vendi gjindej në kaosin e plotë të nji lufte të pamëshirëshme vllavrasje midis nacionalizmit të vërtetë dhe komunistave të mbuluem nën emnin e famëshem të “nacional-çlirimtares”. Në Shqipninë e Jugut lufta ne mes të këtyne dy grupeve gjindej në fazen decizive të dallimit të marrjes së fuqisë. Siç dihet, kjo luftë përfundoj muaj ma vonë me fitimin e nacional-çlirimtares. Shqipnija e mesme dhe e veriut gjindej nën presionin ma të madh të agjitacionit dhe të propagandes së mbrendëshme e të jashtme komuniste dhe të radiovet përendimore. Nder këto rrethana, natyrisht jeta normale e popullatës shqiptare kishte pësue nji tronditje të thellë. Komunikacionet  midis qytetevet të Shqipnisë ishin vazhdimisht të rrezikueme jo vetëm prej luftës civile, por edhe prej bandave kriminelesh që vritshin dhe plaçkitshin ushtarët. Nder qytete, organet e sigurimit të dobsueme dhe të frigsueme nuk ishin në gjendje me mbrojtë jeten dhe pasuninë e popullësisë që gjindej vazhdimisht nën terrorin e atentateve politike dhe të hakmarrjeve personale. Shkurtasi, gjendja në Shqipni të 1913-tes kishte mbrri në nji shkallë që nuk mund të flitej ma per nji jetë të perbashkët të rregullit e të drejtësisë shtetnore.

Gjendja në Kosovë

Në kontrast me sa ma sipër, gjendja në Kosovë paraqitej normle edhe e qetë. Me gjith se nuk kishte ma lidhje normale të drejta me Tiranën, administrata shtetnore, tue perfëshi edhe organet e sigurimit publik, vazhdonte me funksionue në rregull të plotë. Koshjent të rrizikut të perherëshem nga ana e grupeve shoveniste serbe (çetnikve), formacionet vullnetare Kosovare që ishin ngarkue me mbrojtjen e kufivet gjindeshin në krye të detyres.

NË PRAG TË KAPITULLIMIT ITALJAN

Në mbështetje të marreveshtjes me Perfaqsuesin e Plotfuqishem per Evropen juglindore të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Dr.H.Neubacher, shteti gjerman kishte dhanë sigurime per sa vijon:

a) Bashkimin e krahinave shqiptare të Kosovës, Tetovës etc. që gjindëshin nën  okupacionin ushtarak italjan me shtetin shqiptar të 1913-tes;

b) Vazhdimin perkohësisht me mbajtë statusin e deritanishëm të 4 Nënprefekturavet të banueme me shumicë prej shqiptarve të Mitrovicës, Vuçiternit, Podujevës dhe të Pazarit të Ri, që gëzojshin nji autonomi shqiptare mbrenda shtetit Serb;

c) Gjermanija, në nji çast të volitshem me ngjarjet në zhvillim e siper të kapitullimit italjan, do të bante nji shpallje zyrtare, në të cilen të njihen: çkuptja e shtetit shqiptar nga Perandorija italjane dhe pamvarësija shtetnore e tij.

d) Gjermanija per gjatë luftës madhe në vijim do të vendoste formacione ushtarake në disa pika strategjike të Shqipnisë, tue premtue terheqjen e tyre të plotë në mbarim të luftës.

Në dijeni të plotë të gjendjes së pershkrueme ma siper, mbas nji udhtimit të shpejtë prej Belgradit në Mitrovicë, mbrrina me 7 Shtator 1943 në Prizren. Pernjiherë mora kontaktet e nevojshme me parinë e Prizrenit dhe me disa personalitete shqiptare që gjindeshin aty, dhe së bashkut vendosem me ba nji mbledhje, në të cilen të bisedoheshin të gjitha problemet që mund të rrjedhëshin nga kapitullimi italjan. Per ket qellim, të gjith ishin të nji mendimit me mbajtë nji Kuvend në Prizren, ku të merrshin pjesë perfaqsues të zgjedhun të të gjitha krahinave shqiptare të ish Mbretnisë jugosllave per me themellue nji organizatë që do të fliste dhe vepronte në emer të kësaj popullate shqiptare. Në bazë të propozimit të bamë prej z.Tahir Zajmit, mbledhja pranoj njizanit që Kuvendi i ardhëshem të ket emnin “LIDHJA E II E PRIZRENIT”, si pasardhëse e Kuvendit historik të Lidhjes së Prizrenit. Me qellim me përgaditë sheshin e mbajtjes së këtij Kuvendi u caktue nji Komitet i perbamë prej shtatë personash që kryesohej prej patriotit të vjeter të Prizrenit, Musa Shehut.

Mbas këtyne vendimeve, vazhdova udhtimin per në Shkoder, ku me 8 Shtator mësova kapitullimin e Italisë. Pa humbë kohë vazhdova udhtimin per Tiranë me nji qellim të përcaktuem, të çlirimit nga kampi i Porto Romanos afër Durrësit të disa prijsave të njoftun të Kosovës që gjindeshin të internuem prej italjanëve siç ishin: Rexhep Mitrovica, Bedri Peja, Xhelal Mitrovica etj. Bashkë me këta personalitete u formue nji perfaqësi që mund të fliste në emen të Kosovës me përfaqsuesët e dalluemë të Shqipërisë së 1913-tes.

Në ket kohë gjëndja në Shqipni paraqitej mjaft e perzime dhe konfuze per arsye se grupet politike nacionaliste që sigurisht paraqitshin shumicen e popullit shqiptar, nuk ishin qenë në gjendje jo vetem me krijue bashkimin midis tyne, por as me koordinue veprimtarinë e tyne në lidhje me rrethanat e reja që priteshin të ngjajnë mbas kapitullimit italjan dhe nderhymjes eventuale të ushterisë gjermane në Shqipni.

Dy grupet kryesore politike nacionaliste në mbështetje të lidhjeve që kishin me misionet aleate veprojshin me konceptet që deri dikund i pengonte me marrë pergjegjësina të hapta në periudhen e realitetit gjerman në token shqiptare. Si rrjedhje e natyrëshme e kësaj gjendje, u paraqiten disa personalitete shqiptare të gjenerates ma të re, të cilët tue pa rrizikun e madh që i kercnohej Atdheut nga veprimtarija e vendosun dhe e mirë e koordinueme e t’ashtuquejtunes Lëvizja nacional-çlirimtare e udhehjequn prej emisarve të partisë komuniste jugosllave dhe materijalisht dhe moralisht e perkrahun prej Komandës aleate të Mesdheut, ishin gadi të merreshin pergjegjesina të randa ndaj popullit shqiptar. U formue nji grup i perbamë prej 22 vetëve, midis të cilëve gjindeshin persona qi nuk kishin te kalueme politike të maparëshme, dhe persona qi kishin lidhje si me grupet e mdhaja nacionaliste shqiptare, ashtu edhe me grupin e vendosun anti-komunist që deri dikund kishte pasë lidhje me qeveritë e periudhës italjane.

Folësitë e grupit të 22 vetave, tue pasë mbështetjen e plotë të antarvet, hynë pernjiherë në bisedime paraprake me Perfaqësuesin e Plotfuqishem të shtetit gjerman, Dr.H.Neubacher. Mbas diskutimeve të gjata ma në fund u mbërri nji marrëveshje në baza që janë shque në pikat e shënume ma siper. Grupi i 22 vetave, ase Këshilli në fjalë, zgjodhi nji komitet ekzekutiv të perbamë prej 7 vetave, të cilët nga ana e tyne zgjodhen si Kryetar z.Ibrahim Biçakun, bir i patriotit dhe ish antarit te Këshillit Naltë, Aqif Pashë Elbasani.

DETYRAT KRYESORE TË KOMITETIT EKZEKUTIV ISHIN:

  1. Pranimi imediat i dorëhjekjes së qeverisë së fundit të periudhës së kalueme;
  2.  Fuqizimin dhe normalizimi I jetës administrative shtetnore dhe t’organeve të sigurimit;
  3. Përgaditja e sheshit për mbledhjen e nji Kuvendit Kushtetues Kombtar, që lypsej të mbahej mbrenda nji kohës së shpejt;
  4. Çlirimi i ma se 2000 të burgosunëve politikë nga kampi i Porto Romanos, midis të cilëve gjindeshin edhe komunista të njoftun.

ZHVILLIMET E NGJARJEVE NË KOSOVË

Në ket nderkohë Këshilli ekzekutiv i Prizrenit i perbamë prej: Xhafer Deva dhe Asllan Boletini prej Mitrovicës; Musa Shehu, Sheh Hasani, Lukë Simon Mjeda dhe Pjeter Vuçaj prej Prizrenit; Tahir Zajmi prej Gjakovës dhe Qazim Bllaca prej Suharekës, që ishte ngarkue me organizimin e Kuvendit në Kosovë, kishte marrë të gjitha masat e nevojëshme për krijimin e komiteteve përkatëse në të gjitha Prefekturat, Nënprefekturat dhe Komunat në Kosovë, Tetovë, Dibër, Ulqin, etj. Përnjiherë qenë dhanë udhëzimet e nevojëshme për zgjedhjen e perfaqsuesave të krahinavet shqiptare të sipershenueme që do të merreshin pjesë në Kuvend. Mbarë popullësija e këtynve Prefekturave caktoj për secilen Nënprefekturë nga dy perfaqsuesë të zgjedhun simbas sistemit demokratik me vota të dyta. Mbledhja e kuvendit u ba me 16 Shtator 1943 nën entuziazmin e madh të popullësisë së Prizrenit dhe të krahinavet tjera të Kosovës. Kuvendi që njizani u pagëzue “LIDHJA E II E PRIZRENIT”, caktoj pikat e rendit të ditës, mbasi zgjodhi Kryesinë të perbame prej:

Musa Shehu, Kryetar, Aqif Bluta, Nënkryetar, Rexhep Krasniqi, Nënkryetar dhe Bedri Gjinaj, sekretar, dhe u muerrë me problemet jetsore të kohës siç vijojnë:

  1. Bisedim mbi shpalljen e vullnetit të popullit per bashkimin e viseve të Kosovës, Dibrës, Strugës, Ulqinit dhe të Tuzit si pjesë integrale të Shtetit Shqiptar;
  2. Mbi bashkimin me Shqipni gjithashtu të Mitrovicës, Vuçiternit, Podujeves dhe Pazarit të Ri që ndodheshin nën pushtimin gjerman dhe administrativisht bajshin pjesë në shtetin Serb;
  3. Mbi organizimin politik e ushtarak të popullit dhe përgatitjen e mbrojtjes së kufijëvet ethnik;
  4. Mbi krijimin e nji Komiteti Qendror me seli në Prizren dhe të Nënkomiteteve në të gjitha qendrat e tokave të lirume për të drejtue veprimtarinë e nevojshme të qeverisjes dhe të mbrojtjes së vendit;
  5. Mbi perpilimin dhe aprovimin e kushtetutës së organizates Kombëtare LIDHJA E II E PRIZRENIT;
  6. Mbi proceduren që do të ndiqet per zgjedhjen e perfaqsisë së krahinave të Kosovës, Dibrës, Strugës, Ulqinit e të Tuzit per në Kuvendin Kombëtar që do të mbahej në Tiranë.

Kuvendi vazhdoj bisedimet e veta mbasi zgjodhi të gjitha pikat të shenume ma siper dhe u shpernda me 23 Shtator 1943, tue ngarkue si autoritet suprem nji Komitet Qendror të perbam prej nji Kryetarit, Rexhep Mitrovica, dhe 6 antarëve në Prizren.

KUVENDI KUSHTETUES KOMBTAR NË TIRANË

Perfaqësuesat e Kosovës që do të merrshin pjesë në Kuvendin Kombëtar ishin zgjedhë me frymë demokratike në mbeshtetje te udhëzimeve të LIDHJES dhe të nji qarkores së Komitetit Ekzekutiv në Tiranë. Nji veprim i tillë per pjesen e Shqipnisë së 1913-tes ishte teknikisht i pamundëshem të realizohet nga rrethanat kaotike që ekzistojshin në at kohë atje. Prandaj, nji komision i zgjedhun prej Komitetit Ekzekutiv të Tiranës i perbamë prej personaliteteve të shqume shqiptare që ndodheshin në Tiranë, që u kryesuen prej patriotit të njoftun Lef Nosi, kishte marrë persiper me zgjedhë perfaqsuesat e të gjitha Prefekturavet të Shqipnisë së 1913-tes që do të merrshin pjesë në ket Kuvend.

Në ket nderkohë, komiteti Ekzekutiv, tue u marrë me pikat e shënueme ma parë të veprimtarisë së vet, në radhë të parë pranoj dorehjekjen e kabinetit të ma parëshem që u paraqitë në tanësi në godinen e Kryeministrisë në Tiranë. Mandej, me disa veprime të shpejtume por afektive, iu vuni fre, sa ishte e mundëshme, veprimeve kriminale, si atentatave, djegjeve dhe vjedhjes së pasunisë shtetnore dhe private në Tiranë dhe qytete tjera të vendit. Ne ket menyrë, mund të thuhet se autoriteti shtetnor filloj të forcohet sa me e ba të mundshme mbajtjen e Kuvendit. Siç ishte parapa, Kuvendi u hap me 23 tetor 1943 në ish pallatin e ri mbretnor në rrugen Tiranë- Elbasan. Simbas rregullavet të zakonëshme, Kuvendi Kushtetues Kombtar, në të cilin per të paren herë në historinë kombtare, merrëshin pjesë perfaqsuesa të zgjedhun të krahinave shqiptare t’ish mbretnisë Jugosllave, të lanuna padrejtësisht jashta kufinit të Shqipnisë së 1913-tes, zgjodhi Kryesinë e vet të perbame prej Lef Nosit, Elbasan, Kryetar, Mark Gjon Markaj, Kapidan i Mirditës, Nenkryetar; Dr. Rexhep Krasniqi, Kosovë, Nënkryetar.

Me gjith perpjekjet e komunistave me e ba te pamundëshme mbajtjen e Kuvendit, mbledhja kombetare vazhdoj punimet e veta në lidhje me programin e rendit të bisedimeve të caktume nga Kryesija. Pikat kryesore të ktij program ishin:

1. Anullimi i statusit që kishte kalue Shqipnija gjatë okupacionit italjan dhe rishpallja e pamvarësisë shtetnore shqiptare;

2. Anullimi i kushtetutes dhe i të gjitha ligjëvet t’imponueme gjatë okupacionit të huej dhe  këthimin e statusit ligjor të periudhes së pamvarësisë;

3. Me gjith qenjen e ushterisë gjermane në tokat shqiptare, u ba shpallja e neutralitetit shqiptar në konfliktin e madh botnuer në vijim e siper;

4. Në mbështetje të kerkesës së njizanit të perfaqesisë legale të tokave shqiptare të ish Mbretnisë jugosllave, nën nji atmosferë të enthuziazmit të papershkrueshem, bahet Shpallja e Bashkimit të tokave dhe e popullsisë shqiptare të shënueme ma siper me Shtetin Shqiptar;

5. Zgjedhja e Këshillit të Naltë të Regjencës si autoritetet shtetnor supreme të perbamë prej patriotëve nder ma të shqueme të kohës: Medhi Frasheri, Pader Anton Harapi, Lef Nosi dhe Fuad Dibra.

Mbas betimit të bamë të antarvet të Këshillit Naltë të Regjencës, me perjashtim të Pader Anton Arapit, i cili ma vonë e kreu betimin e vet para Parlamentit, Kuvendi Kombetar Kushtetues u transformue në nji Parlament, në të cilin per arsye të gjendjes se luftes, bajshin pjesë vetem frakcione të kufizume të krahinave që kishin marrë pjesë në Kuvend. Në vend të Lef Nosit, Kryetarit të Kuvendit, që u zgjodhë antar i Këshillit Naltë të Regjencës, u zgjodhë nji Kryetar i ri i Kuvendit dhe ma vonë i Parlamentit, patriot veteran i mirënjoftun Idhomen Kosturi prej Korçës. Ky i fundit pakë ditë ma vonë ra viktim e nji atentati të përgaditun nga komunistat. Kryesija e Parlamentit u plotsue së shpejti me zgjedhjen e Prof. Mihal Zallarit si Kryetar.

FORMIMI I QEVERISË

Këshilli i Naltë i Regjencës, mbas konsultimevet të zakoneshme, ngarkoj z. Rexhep Mitrovica me forminin e qeverisë. Ky, pa vonesë, muerr kontaktet e nevojshme me personalitete shqiptare dhe me grupe politike të njoftuna të nacionalizmit shqiptar, megjithë sa prej ktyne formalisht gjindeshin në luften e rezistences kundra okupatorit të ri.

Mbrenda nji kohe të shkurt Kabineti i kryesuem prej Rexhep Mitrovicës u paraqitë para Parlamentit në ket formacion:

Kryetar i Qeverisë, Rexhep Mitrovica

Minister i Drejtësisë, Rrok Kolaj

Minister i Punëve të Mbrendëshme, Xhafer Deva

Minister i Ekonomise, Ago Agaj

Minister i Financave, Sokrat Dodbiba

Minister i Botores, Musa Gjylbegaj

Minister i Kultures e i Propagandes, Kolë Tromara

Minister i Arësimit, Koço Muka

Minister i Punëve të Jashtme, Bahri Omari

Nënsekretarë të Shetit, Vehbi Frashëri, Qazim Bllaca dhe Ernest Çoba.

Kjo qeveri që muerr pelqimin e plotë të Parlamentit, siç mund të shifet, perbahej prej personaliteteve politike te të gjitha krahinave shqiptare, disa të cilëvet konsideroheshin si perfaqsuesë të grupeve politike nacionaliste që formalisht gjindeshin në luftë të qindreses kundra okupatorit.

Si mbas programit të paraqitun perpara Parlamentit, detyrat kryesore të kësaj qeverije ishin: Me sigurue qetësinë e mbrëndshme në të gjitha fushat e jetës shtetnore; me shque poziten neutrale të Shqipnisë ne boten e jashtme, gja që u njoftue zyrtarisht në vijën diplomatike shteteve neutrale siç ishte Vatikani, Svicra, Tyrqija etj. Mbi këto, u banë edhe këto veprime: shpallja e lirisë së plotë të mbledhjeve, e fjales dhe e shtypit per të gjitha grupet politike me perjashtim të partisë komuniste; Ndermjetësimi pranë shtetit gjerman per çlirimin e gjithë atyne shqiptarëve që gjindeshin t’internuemë në Itali; Ndermjetësimi pranë shtetit gjerman per transferimin prej Romës në Tiranë e të gjitha banknotave shqiptare (120 milion franga) që ndosheshin në Banca d’italia në Romë, dhe njikohësisht të veglave per shtypjen e banknotave në fjalë; Perpjekje per konsolidimin e jetes ekonomike-tregtare që  kishte pësue tronditje të thella si rrjedhje e kapitullimit të Italisë.

Midis masave të marruna nga qeverija në sheshin ekonomik dhe financjar lypset shque marrëveshja monetare me shtetin gjerman, gja që i siguronte monedhes shqiptare të drejten e qarkullimit të vetem në token shqiptare dhe, që detyronte shtetin gjerman per nevojat t’ushterisë vet në Shqipni me ble frangat shqiptare me monedha ari.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top