XHAFER DEVA - HERO I KOMBIT SHQYPTAR

XHAFER DEVA DHE PLANI USHTARAK I WASHINGTONIT PËR KOSOVËN

Nga Sejdi Peka 2009

Në këtë rishkrim për historinë, ndriçimi i rolit të intelektualit Xhafer Deva për mbrojtjen e hebrejve në Shqipëri, gjatë luftës së Dytë Botërore, si edhe organizimin e rezistencës së popullit shqiptarë për mbrojtjen e kufijve etnik të Kosovës në drejtimin e “Lidhjes së dytë të Prizrenit”, merr një rëndësi të veçantë.

xhdKur, kryeministri Berisha hodhi idenë e rishkrimit të historisë dhe çlirimin e saj nga trajtimi ideologjik, disa nëpunës të katedrave të historisë së marksizëm-leninizmit në Tiranë dhe në Prishtinë, reaguan negativisht. Tani pas gati dy vjetësh, ideja e kryeministrit ka ardhur duke u fashitur derisa duket e harruar. Edhe përpjekjet e historianëve si Dr.Beqir Meta dhe Dr.Muharrem Dezhdiu, për trajtimin e historisë së pas pluralizmit, u atakuan në mënyrën më primitive, nga historianët-politikanë të së majtës ish-komuniste.

Ndaj falsifikimit të historisë tonë kombëtare, sidomos asaj të Luftës Dytë Botërore dhe pas saj, të paktën ne, ish-të përndjekurit politikë të Shqipërisë, nuk mundet të heshtim dhe të pranojmë që historinë tonë kombëtare ta shkruajnë edhe në ditët tona, historianët e sëmurë dhe të infektuar me ideologji komuniste. Në këtë shkrim unë po marr përsipër të ndriçoj në dritën e fakteve dhe të së vërtetës, rolin e intelektualit Xhafer Deva për mbrojtjen e hebrejve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, si edhe organizimin e rezistencës shqiptare në Kosovë me organizimin e “Lidhjes së Dytë të Prizrenit”, që merr një rëndësi të veçantë.

Nuk ka asnjë dyshim se njëri nga kapitujt më të shkëlqyer te historisë tonë kombëtare është “Lidhja e dytë e Prizrenit”. Është shpallur dita e 26 janarit, si dita përkujtimore e viktimave të holokaustit në mbarë botën. Për ne shqiptarët kjo përkujtimore ka një rëndësi dyfish të veçantë. E para se ne jemi ndër ata popuj që në vendin tonë nuk lejaum vrasjen e asnjë njeriu me kombësi hebreje nga fashistët gjermanë dhe për këtë kemi përse të jemi krenarë. Dhe e dyta, me këtë rast ne përkujtojmë holokaustin e diktaturës komuniste që për 50 vjet ushtroj kundër popullit tonë; për marrjen e pushtetit deri në vitin 1944 dhe për mbajtjen e pushtetit pas këtij viti deri në rënien e komunizmit.

Historia jonë, e një populli të vogël, por “mjaft fatkeq”, siç shkruan Abdyl Frashëri, është një histori e shkruar me gjak dhe me vuajtje, prandaj edhe meriton të shkruhet ashtu siç është. Është e vërtetë se populli shqiptar i strehoi dhe i mbrojti hebrejtë, ashtu siç duhet të pranojmë të vërtetën historike se hebrejtë i mbrojtën edhe qeveritë e ashtuquajtura “kuislinge” sipas historiografisë komuniste, në rastin konkret qeveria e Rexhep Mitrovicës. Në këtë kohë ministër i brendshëm ka qenë po sipas historiografisë komuniste edhe “kuislingu” Xhafer Deva – që po të shikojmë historinë ky njeri do të ishte më vonë po sipas historiografisë komuniste edhe “kuisling” i amerikanëve për përmbysjen e komunizmit dhe vendosjen e demokracisë në Shqipëri. Në vitin 1949, menjëherë me formimin e Aleancës së Atlantikut të veriut NATO, do të ishte një bashkëpunëtor i ngushtë i kësaj aleance. Deva me përkushtim dhe vendosmëri, si njeri i traditës dhe besës së vendit që e kishte lindur, i mbrojti hebrejtë me nder dhe dinjitet nga shfarosja e synuar prej gjermanëve. Me këtë rast ky fakt i rëndësishëm nuk mundi me u përmendë si e vërtetë historike. Kundër Xhafer Devës dhe të gjithë nacionalizmit shqiptar në përgjithësi, është hedhur kaq shumë baltë nga komunistët, saqë është mjaft e vështirë të përgatitet opinioni për të mësuar të vërtetën e historisë tonë kombëtare sidomos në periudhën gjysmë shekullore të regjimit komunist. Me emrin e Xhafer Devës është e lidhur e ashtuquajtura masakra e 4 shkurtit 1944, që po sipas historiografisë komuniste ishte një vepër mizore e Xhafer Devës, si nata e Shën Bartomeleut. Po a është e vërtetë masakra e 4 shkurtit në Tiranë ashtu siç e kanë shkruar komunistët? Kjo mbetet për t’u parë nga historianët në të ardhmen dhe gjithësecilit i duhet dhënë “haku” që i takon me faktet që duhen shikuar në dritën e diellit, pa emocione të natyrës komuniste. Por, sipas fakteve historike rezulton se komunistët në luftë për marrjen e pushtetit dhe për të përligjur vrasjet dhe masakrat e tyre anë e kënd Shqipërisë, gënjeshtrën dhe propagandën i kishin parësore.

Në internet është i publikuar një shkrim i një autori sipas rrëfimeve të një veterani, një dëshmitar okular i kësaj ngjarje. Që në fillim të rrëfimit, megjithëse historiani ka qenë pedagog i katedrës së historisë PKSH dhe sekretar i komitetit të Partisë së Punës në Lushnjë, bëhet fare i pabesueshëm. “Atë natë dimri të ashpër”, e fillon rrëfimin e tij veterani, kur dihet se në Tiranë nuk mundet të ketë dimër të ashpër kur trëndafilat çelin gonxhe edhe në dimër. “Duke tërhequr zvarrë nëpër rrugica e kanale u pushkatuan barbarisht 84 njerëz, u arrestuan dhe u internuan 500 të tjerë”. Dhe autori i shkrimit duke cituar tregimin e një nëne që ia kishin pushkatuar djalin atë natë të 4 shkurtit 1944, shkruan thëniet e të tjerëve: “Lidheni qenin, bërtisnin Qazim Mulleti dhe Osman Kazazi”. Është përsëri fare e pabesueshme që prefekti i Tiranës ne atë kohë të shkonte shtëpi më shtëpi dhe rrugë më rrugë duke pushkatuar njerëz. Por historiani veteran nga 84 njerëz që sipas tij u pushkatuan atë natë, megjithëse ka patur më shumë se një gjysmë shekulli kohë në dispozicion, nuk ka mundur të grumbullojë më tepër se 30 emra – edhe këta ka shumë mundësi të jenë vrarë në rrethana të tjera.
Duke cituar gazetën “Bashkimi” të dt.03.02.1945, që në atë kohë ishte organi më i besueshëm i komunistëve shqiptarë, themi se ishte shkruar një njoftim: “ftohen familjet, farefis ose shokët dhe çdo qytetar, që di emrat e martirëve të 4 shkurtit 1944, të njoftojë brenda ditës së sotme pranë këshillit N.çl. të qytetit të Tiranës”. Siç shihet edhe një vit nga koha e kësaj ngjarje, komunistët megjithëse ishin ustallarë në fushën e propagandës, nuk kishin mundur të plotësonin emrat se kush ishte vrarë në “natën e Shën Bartolemeut”. Gazeta Bashkimi, në deklaratën e Komitetit Qendror të PKSH me rastin e 4 Shkurtit, jep vetëm emrat e katër personave të vrarë. Me dt.9 shkurt po kjo gazetë shkruan se Ali Visha po në këtë datë të një viti më parë “kishte vdekur nga torturat e xhelatëve të popullit”. Ndërkohë historiani veteran, dr.i shkencave historike, në listën që paraqet me të vrarët e 4 shkurtit 1944 është edhe Ali Visha. Është fare e pakuptimtë që i njëjti person të jetë vrarë me 4, por edhe me 9 Shkurt. Duke e parë në këtë këndvështrim dhe shumë fakte të tjera, në të njëjtën kohë duke ndjerë mjaft keqardhje nëse me të vërtetë ka patur të vrarë, një gjë është shumë e vërtetë; se 4 shkurti ishte sajesë e propagandës komuniste për të diskredituar Xhafer Devën dhe në të njëjtën kohë për të justifikuar vrasjet e masakrat e tyre kundër popullit në të katër anët e vendit.

Po kush është Xhafer Deva për të cilin shqiptarët janë të informuar vetëm me propagandën komuniste, si njeri kuisling në shërbim të fashizmit, injorant, katil dhe tradhtar i interesave kombëtare. Dhe për këtë njeri që për një kohë ka bërë emër në historinë tonë kombëtare, e vërteta mbulohet me natë në mënyrë të qëllimshme. Personalisht nuk e kam njohur Xhafer Deven. Por kam patur fatin të njoh dhe të bisedoj gjatë me Prof. Dr. Rexhep Krasniqin, ish-ministër i Arsimit, ish nënkryetar i Kuvendit Kombëtar të Shqipërisë në vitin 1943, Nënkryetar i Lidhjes së dytë të Prizrenit në vitet 1943 – 1944 dhe kryetar i Komitetit Shqipëria e lirë në New-York nga viti 1956-1992. Edhe këtë fakt duhet të njohin shqiptarët, se Komiteti “Shqipëria e Lirë” ka patur pothuajse atributet e një qeverie provizore në mërgim, me përkrahjen morale dhe materiale të qeverisë amerikane. Qindra mijëra shqiptarë të ndjekur nga regjimi komunist dhe që strehoheshin në kampe, si në Itali, Jugosllavi, Francë, Austri etj., me ndërhyrjen personale të Krasniqit pranë qeverisë amerikane erdhën në Amerikë. Komiteti Shqipëria e lirë,me këtë përkrahje ka punuar pa u lodhur në fushën diplomatike, politike dhe ushtarake për përmbysjen e regjimit komunist dhe vendosjen e demokracisë ne Shqipëri. Tani, kolosi i patriotizmit dhe nacionalizmit shqiptar, Rexhep Krasniqi nuk jeton më, por unë i jam shumë mirënjohës z.Idriz Lamaj, për një kohë të gjatë gazetar dhe spiker i “Zërit të Amerikës” në gjuhën shqipe dhe z.Hysen Biberaj një luftëtar i papërkulur për një Shqipëri etnike demokratike, që më mundësuan ta njoh këtë personalitet, këtë shkencëtar të letrave shqipe. Gjatë një muaj të qëndrimit në New-York, nuk kishte pothuaj asnjë ditë që nuk bisedoja me Krasniqin. Nuk është për t’u çuditur kur kryeministri Berisha ju drejtua vetëm pak kohë më parë deputetëve të Kuvendit duke i pyetur: “E njihni ju kush është Rexhep Krasniqi” dhe heshtja në sallë. Përsëri i përgjigjet pyetjes së vet Kryeministri: “e shikoni se nuk e njihni?”. Rexhep Krasniqi ka qenë bashkëpunëtori më i ngushtë i Xhafer Devës gjatë luftës së dytë botërore. Deva ka qenë kryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe Krasniqi nënkryetar i kësaj lidhje, që organizoi popullin e Kosovës në luftën e armatosur për jetë a për vdekje kundër instalimit të regjimit kriminal bolshevik serb në Kosovë. Më vonë bashkëpunimi i tyre do të vazhdonte në emigracion në kuadrin e Komitetit “Shqipëria e lirë” në Amerikë. Arkivi i këtij Komiteti, veprimtaria e të cilit përfshin një kohë mëse 35-vjeçare, hedh dritë edhe në veprimtarinë e Xhafer Devës. Rexhep Krasniqi në shkrimet dhe kujtimet e tij tregon se Deva ka mohuar gjithnjë në mënyrë kategorike për ndonjë masakër që mundet të jetë bërë me urdhrin e tij për sa kohë ai ka qenë Ministër i Brendshëm në qeverinë e Rexhep Mitrovicës.

Shkollimi – Xhafer Deva ka lindur në Mitrovicë në vitin 1904, në një familje me origjinë qytetare nga Gjakova por që shumë herët kishte zbritur nga Deva e rajonit të Hasit. Një njeri i shkolluar me profesion inxhinier, ishte një poligliot në njohjen e shumë gjuhëve si anglisht, gjermanisht, turqisht, frëngjisht dhe italisht. Në librin “Isa Boletini”, autori Skender Luarasi, duke bërë fjalë për kreshnikun e Kosovës shkruan se “vetëm për atë natë që me trimat e Kosovës e ndali ushtrinë e Xhavit Pashës në kodrat e Levanit për të mos hyrë në Vlorë,duke mbrojtur flamurin dhe shpalljen e pavarsisë,asnjë vepër tjetër mos të kishte bërë, Isa Boletini është Hero i Popullit”. Në këtë kuptim, gjithë jetën e tijë, Xhafer Deva e ka shkrirë në luftë dhe përpjekje të jashtzakonshme për çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb dhe bashkimit me Shqipërinë të të gjitha trojeve të mbetura jashtë shtetit amë. Në fushën diplomatike dhe ushtarake, edhe në emigracion me përkrahjen e qeverisë amerikane, përpjekjet e tij nuk kanë pushuar asnjëherë për rrëzimin e regjimit komunist dhe vendosjen e demokracisë në Shqipëri dhe në Kosovë. Me 9 prill 1950, Xhafer Deva i shkruan Rexhep Krasniqit i cili në atë kohë ndodhej në Australi: “Shpërthimi i një lufte në Ballkan dhe ma gjanë nuk duhet të na gjejë të papërgatitur. Na nuk mund të bëjmë mrekulli, por me një batalion, të cilin mund ta krijoj dhe udhëhiqi, do të zbarkojmë në Tropojë dhe nga aty mund të thejmë një pikë sa me hy në Rrafsh të Dukagjinit.” (Idriz Lamaj,Angazhimi i Xhafer Devës për përfshirjen e Kosovës në planin ushtarak të Washingtonit fq.2). Dhe po aty, Lamaj shkruan se, “me 26 qershor 1950, pak para mesnate filloj hedhja e parashutistëve të Xhafer Devës në Shqipëri. Ata ishin të gjithë kosovarë dhe të veshur me uniformë ushtarake amerikane. Ata ishin përgatitur në një kamp ushtarak amerikan duke patur Devën ditë për ditë në fushën e stërvitjes”.

xhafer devaNë këtë kohë komunistët në Beograd dhe në Tiranë u alarmuan si ata e njihnin mjaft mirë se kush ishte Deva. Gazeta “Zëri i Popullit” në Tiranë dhe si motra e saj në Beograd “Veçerne Novosti”shkruanin artikuj të gjatë se “Xhafer Deva ishte në lëvizje”. Duke hequr një paralele me atë që ndodhi 49 vjet më vonë në Kosovë, kur UÇK shpërtheu kufirin pikërisht në Tropojë në drejtim të Koshares duke hyrë në rrafshin e Dukagjinit, tregon atë strategji dhe aftësi të Devës si prijës ushtarak shumë i zoti. Qeveria e Rexhep Mitrovicës, në të cilën ministër i Brendshëm ishte Deva, akuzohet nga historiografia komuniste si qeveri kuislinge. Duhet shkuar më tej strategjisë së kësaj qeverie e cila kishte për qëllim të shfrytëzonte koniukturat politike të kohës për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. “ Asnjëherë në këtë kohë në Shqipëri nuk ka ekzistuar një parti naziste, as nuk ka patur formacione të organizuara të rinisë shqiptare. Në asnjë godinë shtetërore ose qendër publike, përveç flamurit kombëtar, nuk është ngritur flamur i huej” (Rexhep Krasniqi, “Xhafer Deva, jeta dhe veprimtaria, fq.73”). Ago Agaj, “i quajturi krenaria e Vlorës”, bashkëluftëtar i Devës në luftë për një Shqipëri etnike, demokratike dhe kundër komunizmit, prefekt i Mitrovicës, ministër i Ekonomisë Kombëtare në qeverinë e Rexhep Mitrovicës, në kujtimet e tij në shkrimin “Si e njofta Xhafer Devën” shkruan se, “Shkruaj si njeri në moshë të kaluar por edhe si njeri para Zotit. Zoti dhe kombi nuk duhet të gënjehen. Xhafer Deva kishte këto vetijet e kosovarit dhe hidheshe në luftë pa i vënë gurë ballit si asnjë tjetër për të mbrojtur popullin e tij. Ishte burri, shqiptari më i shkëlqyer i gjeneracionit të tij” (Po aty,fq.1 dhe 116). Është me të vertetë për të ardhur shumë keq kur të gjithë ata që gjith jetën e tyre luftuan për një Shqipëri etnike, demokratike dhe kundër instalimit të murtajës komuniste në Kosovë dhe në Shqipëri të mos vlerësohen por përkundrazi të injorohen. Kjo tregon se shoqëria jonë dhe politika në Shqipëri është tejet e infektuar nga reminishencat e regjimit komunist. Nga ky batak që kemi rënë sa më parë duhet të ngrihemi që të rendim në rrugën e vështirë të demokracisë dhe të bashkohemi me kombet e tjera të qytetëruara. Tradhtia kombëtare nuk ka qenë kurrë dhe asnjëherë në anën e nacionalistëve. Nacionalistët ishin të vendosur në idenë e tyre, të një Shqipërie etnike, demokratike, të bashkuar me të gjitha trojet e sajë, të mbetura padrejtësisht jashtë shtetit amë nga konferenca e Londrës e vitit 1913. Shqipëria dhe çështja kombëtare u tradhtua nga Enver Hoxha dhe komunistët që shërbyen në veprën e tyre kriminale kundër popullit shqiptar. “Këtu provohet se qëndrimi kundrejt Kosovës është tradhtia më e madhe e Enver Hoxhës që dërgoj shqiptarët me derdh gjakun për me u sigurue komunistëve jugosllav sundimin e Kosovës” (Shih Tajar Zavalani, Historia e Shqipërisë, pjesa e dytë, fq.278/79, Londër 1966). Lidhja e Dytë e Prizrenit e udhëhequr nga Deva dhe intelektualët e tjerë më të spikatur të Kosovës, do të mbetet ndër kapitujt më të shkëlqyer të historisë tonë kombëtare. Në këtë kohë populli i Kosovës që po luftonte për jetë a për vdekje kundër brigadave serbo-malazeze, në mbrojtje të kufijve etnikë, në vjeshtën e vitit 1944, u sulmuan pabesisht edhe nga brigadat partizane shqiptare të Enver Hoxhës. Forcat ushtarake të Lidhjes së dytë të Prizrenit tani më kishin mbetur ndërmjet Skillës dhe Karibdës. Edhe Shaban Polluzha me trimat e Drenicës legjendare kishin mbetur të rrethuar, nga brigadat serbo-malazeze të Titos dhe në anën tjetër nga brigadat partizane shqiptare të Enver Hoxhës. Egërsia komuniste nuk kishte të ndalur. Më tepër se 44 fshatra u bënë shkrumb e hi. “Numri i të vrarëve dhe i viktimave të pafajshme që u pushkatuan nga komunistët në Kosovë dhe vise të tjera në Maqedoni e Mal të Zi, arrin në 47-50 mijë shqiptarë. Në listën e gjatë me qindra mijëra dëshmorësh po shënojmë vetëm disa prej tyre: Musa Shehi – kryetari i kuvendit të Lidhjes së dytë të Prizrenit, prof.Kol Marxhini – nënkryetar i komitetit qendror të Lidhjes, Aqif Bluta nënkryetar i Lidhjes, djemtë e Isa Boletinit, Asllan Boletini, Mujo Boletini, Pajazit Boletini; nipat e Isa Boletinit, Kapllan Boletini, Skënder Boletini, Bedri Peja, sekretari i Lidhjes; Uk Sadik Berisha dhe Shaban Berisha dy djemtë e Sadik Ram Berishës, udhëheqësi i kryengritjes së rrafshit të Dukagjini, Skënder Curri, Esat Berisha, Mulla Idriz Gilani etj. “Një vend nderi të posaçëm lypset dedikuar batalionit “Hasan Prishtina të përbërë prej të rinjve në një moshë fare të njomë, që u shkri në tërësi prej 300 vetash në grykat e Podujevës në mbrojtje të një pike strategjike,kundër ushtrisë bullgare e udhëhequr prej komisarëve komunist. Këtë betejë të përgjakshme poeti shqiptar e ka quajtur “Termopilet e Kosovës”. Brigadat partizane shqiptare u dorëzuan forcave komuniste jugosllave që po pushtonin Kosovën edhe shumicën e oficerëve të Lidhjes si: kol.Fuat Dibra, komandant i forcave ushtarake të lidhjes dhe shtabin e tij, kol.Asllan Vela, n/kol.Sidki Shkupi, kapiten Hajdar Planeja, kap.Rasim Dajçi, kap.Gjon Destanishta, major N.Hoxha, kap.Mark Thani, toger Nush Dobruna, n/toger Qazim Gostivari, asp.Reshit Kaçaniku etj. Të gjithë këta oficerë janë dorëzuar në komandën e brigadës partizane në Prizren, e cila menjëherë i ka dorëzuar në autoritetet komuniste jugosllave që i kan ekzekutue pa vonesë” (Kosova në vjetët 1941-1945 dhe Xhafer Deva -R. Krasniqi, fq.67/68). Masakrat vazhduan edhe pas vendosjes së regjimit komunist serb në Kosovë. Në pranverën e vitit 1945, 8 mijë luftëtarë të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe patriotë të tjerë, lulja e djalërisë kosovare, u grumbulluan në Prizren dhe në internatin Kukës, Pukë, Shkodër, në marrëveshje me qeverinë komuniste të Enver Hoxhës u dërguan në Tivar dhe u ekzekutuan.

Xhafer Deva dhe emri i tij, nuk mundet më të mbulohen me natë dhe të mbeten peng i historianëve të institutit të studimeve marksiste – leniniste. Emigracioni politik antikomunist në Europë dhe Amerikë, kanë bërë përpjekjet e duhura pranë qeverisë së Kosovës, dhe së shpejti eshtrat e Xhafer Devës, nga Amerika, do të pushojnë në Mitrovicën e tij legjendë të Isa Boletinit, në tokën shqiptare, për të cilën gjithë jetën luftoi me nder e dinjitet.

14 thoughts on “XHAFER DEVA DHE PLANI USHTARAK I WASHINGTONIT PËR KOSOVËN”

  1. Fol për vete se ai ishte një vrasës . Bashkëpunëtor me nazifashistët, ky dhe Bari Omari bënë masakrën e 4 shkurtit.në Tiranë.

  2. Unë e lash dhe ju e hoqet komentin,
    Xhafer Deva vlerat e tije i dha ne institucionalizimin nazifashizmit te pushtimit te Shqiperise. Sipas vlerësimeve tuaja ne përkujtimore te luftës se dyte botërore duhet te jete ne tribunë fatkeqësisht eshte në krahun humbes, dmth.nuk eshtë në krahun e grupit te paktit te Atlantikut. Eshte i pari qe nxiti luften civile në shqiperi si bashkëpunëtore me gjermanet,
    Nata e 4 shkurtit masakra nuk eshte çpifje por realitet ndodhi dhimbje gjenocid shtetëror fashist i vertete drejtuar nga Xhafer Deva listen e personave qe vrau e vodhi dhe ja dha Xhafer Deves Bari Omari e mori ne dhomën e shtepise se tije qe strehonte Enver Hoxhën ishte lista e vullnetarëve te rinj qe i bashkoheshin LANÇIT. USHTRISË NACIONAL ÇLIRIMTARE dhe Enveri nuk ja fali dhe nuk e beri publike nuk falej pabesia, e pushkatoi më vonë me gjygj. Nata e 4 shkurtit ishte një masakër e paster e dhunes shtetërore në popullsinë civile.

  3. Hajahaha , ne jemi popull si delet,po ku munden me u krahasu disa lepiresa te ish Jugosllavis e te pa shkoll, e te pa ditur , ta udheheqin kombin ma mir se ky kolos i kohes Xhafer Deva.
    Po te mjer jemi, po kto gjera nuk duhen koment ne diten e sodit.
    Po shihet se ende jemi ne mjegull.

  4. Aq shume ka pakjartesi,kontradikta, fakte te paverifikuara sa qe, te bejne te vjellesh,te bejne te qmendesh!Aq shume kemi ndasi ne mes veti si ne Kosove,Shqiperi, Maqedoni,Mal te Zi,Kosoven Lindore ( Presheve,Bujanoc e Medvegje ) saqe,do te kalojne edhe disa gjenerata per te arritur ate qka deshirojme dhe me te vertete ate qe na takon !

  5. Po këto figura të ndritura të kombit Xh.Deva,Regjep Mitrovica,këta nacinalist për bashkimin e trojeve në në shtet luftuan tanë jetën.
    E kanë pasë shumë vështirë,më bë luften më murtajen,Përbindshin kulqendren e kuqe,në krye më të kuqet komunistet.Po vep e Xh. Deves nuk mund të mbulohet më nnatë.Mos të mbeten këto figura të ndritura të kombit pengë e Marksitve ,Leninistve .

  6. Ardiani Gjakove.

    Pasiqe nuk po shkruaj shume per kete por duhet te thuhet se Xhafer Deva ka pasur nje Oficer shume te larte dhe perkrahes ne ate kohe i ndjeri Brah Mehmetukaj,eshte nje histori shume me e gjere.Ky ka qene nga Tropoja ..ka dokumenta ne Tirane….

  7. Kur do qerohet kolerja komuniste. Ata qe nuk njohen vlla e baba por partin .Kur truri i tyre do te clirohetnga ky mashtrim i madh ? Kur do te clirohen nga makthi per te thene te verteten . Kur do te vije edhe nje here koha per te patur nje brez luftetaresh kaq te perkushtuar per shqiperin etnike . Kosova ka traditen e vazhdimesine nje ndjenje kaq fisnikeShqiperia ,lavdia e saje eshte shkruar menga heronje te tille si Isa Buletini Rexhep Krasniqi. Xhelal Mitrovic.Hasan Prishtina e mijra e mijra heronje qe historianet komunista jo vetem qe per 55vjet por dhe tani nuk u ka ardhe mendja ,ndergjegja per te thene te verteten.Sot ndergjegja shqipetare duhet te mesoj te verteten te jete e kthjellet.Nuk munt te ecet akoma me dogmat antikombetare te se shkuares.

  8. E degjova me vemendje prononcimin e ketij veterani qe nuk munda te ia mesoi emrin.Mbase,ky duhet t; jete nga jugu i Shqiperise.Interesant !Është çuar shumë pluhur kundër Xhafer Devës nga b llokmenet e PKSH dhe PKJ.Është akuzuar pa fakze për kinëse ky intelektual i formuan në Gjermani paska bërë masakran e 4 Shkurtit të vitit 1944.Xhafer Diva,Bedri pejani,Musa Sheh zade,Kolë Margjini,Sheh Hasani,Rexhep Mitrovica,Bedri Gjinaj,e shumë të tjerë,formuan Lidhjen e Dytë të Prizrenit në vitin 1943.Me platëformën e kësaj Organizate politike,ata me largpamësin e tyre trguan për rrezikun e serishëm jugosllav për aneksimin e Kosovës.Në fillim të nëntorit të vitit 1944,burri i madh i Kosovës,Xhafer Deva,nga prizreni,iu drejtua të gjithë komandanteve të njësiteve të armatosura,të majtë e të djathë,të bashkojnë armët,të dalin në vardar,Moravë e Ibër dhe të mbrohën nga invazioni serb dhe bullgar.Por,komandantet e pashkolle t nacionalçlirimtarës ,nuk i besuan thirrjes së tij dhe nacionalistëve tjerë.NCL e Shqipërisë dhe e Kosovës preferuan ti besonin pallavrave të Titos,Milladinit,tempos,Ristiqit,Gjillasit,për gjoja luftën e përbashkët dhe për vllazrim-bashkimin.Dhe..kështu na mori lumit,deri në vitin 1999,kur përseri u rilindiëm,si feniksi.

    1. Fol për vete se ai ishte një vrasës . Bashkëpunëtor me nazifashistët, ky dhe Bari Omari bënë masakrën e 4 shkurtit.në Tiranë.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top