Vrasja misterioze e ish-luftëtarit të UÇK-së, Bedri Curri

Bedri Curri, 37-vjeç, nga Korrotica e Epërme e Drenasit nuk ishte as 19 vjeç kur ishte bërë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Bashkëluftëtarët e tij e njohin si një prej ushtarëve më të guximshëm në Brigadën 114 “Fehmi Lladrovci”. Pas përfundimit të luftës, Bedriu kishte shkuar në Zvicër, por siç thonë në Drenas, ai vinte shpesh në vendlindjen e tij. Ai edhe tani kishte ardhur në Korroticë të Epërme të Drenasit për të qëndruar shkurt në familje. Mësohet se edhe babait i tij, Vehbiu, të cilin në Drenas e njohin si rrobaqepësin më të vjetër, kishte ardhur nga Zvicrra, ku ndodhej në vizitë tek Bedriu.

Por ardhja e fundit në vendlindjen e tij doli të jetë fatale për ish-luftëtarin e UÇK-së. Të enjten rreth orës 18:15, Bedriu gjet i vrarë me një plumb në kokë në një mal në fshatin e tij, në afërsi të shkollës. Komandanti i Stacionit të Policisë në Drenas, toger Driton Morina, tha se me këtë rast është duke u marrë policia rajonale dhe se çdo informacion duhet të merret atje.

Ndërkaq, Policia e Kosovës ka dalë me një komunikatë, por nuk ka dhënë asgjë konkrete e as ndonjë detaj të ri për këtë rast, “përveç se trupi është gjetur pa shenja jete dhe se rasti është kualifikuar si vrasje”.

“Policia ka zgjeruar rrethin e hetimit duke intervistuar një numër personash në cilësi të dëshmitarëve apo edhe të tjerë, në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin. Rasti është cilësuar si vrasje”, thuhet mes tjerash në komunikatën e Policisë së Kosovë. Ndonëse policia nuk ka dhënë shumë detaje për këtë rast, njerëz që kanë parë vendin ku është gjetur viktima, por edhe të tjerë, kanë shprehur dyshimet e tyre, se Bedriu është vrarë në ndonjë vend tjetër dhe pastaj është sjellë aty.

Në anën tjetër, vëllai i viktimës, Bujar Curri, i cili edhe me disa familjarë dhe kushërinjtë të tij kishte ardhur për t’u konsultuar me drejtuesit e OVL-së në Drenas rreth varrimit, nuk ka mundur pothuajse ta nxjerr asnjë fjalë. Ai vetëm ka thënë se as si familje, e as Bedriu e anëtarët tjerë nuk i kanë pasur hak askujt. Në pyetjen e Zërit se mos kanë marrë vesh diçka, Bujari, i cili nuk mund t’i ndalte lotët, vetëm ka rrudhur supet.

Asnjë koment për këtë rast nuk ka mundur ta jap as kryetari i Drenasit Nexhat Demaku. I pyetur për reagimin e tij dhe të institucioneve komunale, Demaku tha se nuk mund të thotë asgjë. “Nuk po dihet asgjë. Nuk di si të reagojmë kur nuk po dihet kurgjë. Kam biseduar me drejtorin e Policisë në Drenas, por tani për tani nuk kemi çka me thenë”, ka thenë Demaku.

Vrasja e mistershme e 37-vjeçarit Bedri Curri, nga Korrotica e Epërme e Drenasit, ka shqetësuar tej mase qytetarët e Drenasit. Këtë akt kriminal, ata e komentojnë në mënyra të ndryshme, madje ka të tillë që këtë vrasje e lidhin edhe me Gjykatën Speciale.

E ndërkaq, Enver Hajdari, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës, dega në Drenas, i cili me familjarët e viktimës po përpiqej t’i dakordonte punët rreth varrimit të Bedriut, që do të bëhet në ora 17:00, tha se ish-luftëtari i UÇK-së, Bedri Curri, ka qenë një prej luftëtarëve të parë dhe se shquhej për guxim dhe trimëri. Ai tregon për një rast, kur Bedriu, pikërisht në vendin ku është gjetur i vdekur, kishte sulmuar policë dhe ushtarë serbë. “Ka qenë ushtar i fortë, i ri ka qenë atëherë, por ishte trim. Ai ka qenë shumë i shkathtë, edhe në luftë, por edhe në jetën e përditshme”, thotë Hajdari. Ai ka shtuar se nuk ka pasur asnjë informatë, apo ndonjë indikacion, që Bedriu i ka bërë dikujt ndonjë telashe. (BotaSot)

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top