GJENERAL TELLINI

GJENERAL TELLINI

Vrasja e Gjeneral Tellinit, ngjarja që bëri bujë në Evropë

Shkruar nga Ergys Alushi

Konsiderohet një ndër atentatet më të bujshme të shekullit të 20.
Një atentat ku mbetën të vdekur 5 njerëz, midis të cilëve një general.
Një ngjarje që bëri bujë në Evropë. Që vendosi gati në gjendje lufte dy shtete, Greqinë e Italinë.

Një vrasje që i kushtoi shtetit grek një dëmshpërblim monetar prej 50 milion lirash, shumë e madhe për kohën. Një ngjarje për të cilën Italia pushtoi Korfuzin dhe e lëshoi vetëm pasi mori dëmshpërblimin. Por, megjithë pasojat e rënda që shkaktoi dhe hetimet e gjithanshme e nga shumë shtete, mbeti përsëri pa autor.

Vrasja e Gjeneralit Italian Enriko Tellini

Në numrin e saj të datës 2 shtator 1923 gazeta “Shqipëria e Re”, në një korrespodencë nga Athina të datës 28 gusht, me anë të një shkrimi me titull “Ngjarja tragjike”, njoftonte për vrasjen e pjesëtarëve të delegacionit Italian për caktimin e kufirit shqiptaro-grek. Ndër të tjera në njoftim do të shkruhej ‘Mëngjesin e datës 27 gusht, në afërsi të Kakavijës, do të vriteshin pjesëtarët e të gjithë delegacionit Italian për caktimin e kufirit shqiptaro-grekë. Prita ndaj delegacionit u organizua në aksin rrugor të Janinës, në pyllin e Kakavijës, pranë vendit të quajtur Zharovinë. Nga goditjet me pushkë kanë mbetur të vdekur Gjenera Telini, dr. Kurtin, Nëntoger Menacini, shoferi i makinë me të cilën udhëtonin Ferneti dhe dragomanin e tyre, Kraverin…”

Njoftimin për vrasjen në kufi të delegacionit do ta jepte edhe gazeta “Ora e maleve” në numrin e datës 1 shtator 1923..” Komisjoni i kugivet i grinë prej grekvet në rrugën Janinë-Sarandë” – Gjeneral Telini vet i gjashti i grin mizorisht – Me dorë hreke, në tikë greke. Delegacjoni ushtarak italjan i kufievet ra viktimë të nji krimit të ligshtë të papritun. Gjenerali Telini, Major Corti, Toger Bonacini, nji Marshal bashkë me dragomanin e shërbtorin shqyptar, afër Delvinaqit, qenë vram nga tufa grekësh…”

Vrasja e delegacionit Italian do të bënte bujë të madhe për kohën e do të shkaktonte zemërimin jo vetëm të palës italiane, por edhe në Shqipëri. Menjëherë sapo kanë mësuar për vrasjen, të dy qeveritë, greke dhe shqiptare, kanë marrë masat për identifikimin dhe kapjen e vrasësve, të cilët dyshoheshin se mund të kishin qenë një grup prej më shumë se 4-5 personash dhe që e njihnin mirë zonën, në të cilën kanë vepruar për t’u maskuar, kryer vrasjen e për t’u larguar pa lënë gjurmë. Qeveria greke vendosi si shpërblim 1 milion dhrami ( 5 mijë dollarë ) për kapjen e vrasësve . Dy qeveritë I shprehën atë ditë ngushëllimet ambasadorëve të Italisë në Greqi e në Shqipëri, duke u distancuar nga vrasja e cila kishte qenë e papritur për të gjithë dhe e kryer me një guxim të madh. Gjenerali Italian, Telini, njihej si një filoshqiptar I zjarrtë dhe një mbrojtës I drejtë dhe këmbëngulës I zbatimit të vendimeve të Konferencës për caktimin e kufijve të Shqipërisë.

Nga shtypi I kohës mëson se delegacioni ishte nisur herët në mëngjes nga Janina, për të vendosur disa gurë kufitar në kufirin e përcaktuar midis Shqipërisë dhe Greqisë. Ishin bashkë tre makina, pala greke, shqiptare dhe pala italiane e delegacionit.

Në afërsi të Janinës, në vendin e quajtur Zepe, rreth 50 km larg Janinës ose 4 km larg Delviqanit dhe 10 km larg kufirit shqiptar, Kakavijë, vrasësit, që kishin në shënjestër Gjeneral Telinin bllokuan rrugën në një kthesë me drurë të mëdhenj. Njëri pas tjetrit u vranë të gjithë ata që ndodheshin Brenda në makinë, në tentativat e para për të larguar drurët, për të mbrojtur gjeneralin dhe në fund mbeti I vrarë edhe vet general Telini. Vrasja është mbajtur e fshehtë deri në orët e para të pasdites, ku megjithë insistimin e palës shqiptare dhe misionit italain në Shqipëri e në Greqi, pala greke nuk e bënte të ditur ngjarjen, derisa ajo u mësua rreth orës 19.

Kush ishte Gjeneral Tellini

Ai ka lindur në 25 gusht 1871 në Kastelnuovo të Garfanjanës, krahinë buzëdetit në lindje të Gjirit të Xhenovës, në Italinë e Veriut. Mësimet e para i mori në shkollën e vendlindjes, kurse studimet ushtarake i kreu gjatë viteve 1884-1900 në kolegjin e Firences, në Akademinë Ushtarake në Torino në degën e Artilerisë Bregdetare dhe në Shkollën e Luftës. Me punë, shërbime e vullnet të pakursyer ndaj vendit të vet, Enriko Telini I ngjiti një nga shkallët e karrierës në ushtri derisa u gradua Gjeneral. Për merita në fushën ushtarake, por edhe politike e diplomatike, Telini u caktua kryetar I caktimit të kufijve shqiptarë-grek të caktuar nga konferenca e Ambasadorëve në Paris më 8 nëntor 1921, që vendosi që kufijtë shqiparo-grekë të mbeteshin po ato të caktuara nga Protokolli I firences. Në nëntor të vitit 1922 Gjeneral Telini erdhi në Shqipëri. Ai ka kontributin e madh dhe firmën e tij në lënien brenda shtetit shqiptar të 12 fshatrave dropullite që ishin lënë asnjëanës, por që deri në atë kohë mbaheshin prej shtetit grek. Gjithcka e kryente në bazë të parimit se aty ku flitej gjuha shqipe ishte tokë shqiptare.

Italia kërkon dëmshpërblim për vrasjen dhe pushtoi Korfuzin

Vrasja e gjeneralit dhe shoqëruesve të tij, shkaktoi krizë në marrëdhëniet italo-greke. Italianët fajësuan Greqinë për vrasjen dhe kërkuan dëmshpërblim. Bashkë me kërkesën për dëmshpërblim, italianët pushtuan edhe Korfuzin. Qeveria greke nuk iu përgjigj të gjitha kushteve që vendosën italianët për vrasjen e Gjeneralit të tyre. Në të tilla kushte, më 31 gusht, flota detare italiane vendoset përballë ishullit të korfuznit, në detin Jon. Një ushtarak I lartë Italian zbriti në ishull dhe kërkoi dorëzimin e ishullit. Refuzimit të autoriteteve greke të ishullit, italianët iu përgjigjën me lënien kohë vetëm për 10 minuta, në ndihmë të popullatës, që të zhvendosej nga zonat që mund të goditeshin nga artileria dhe avionët bomardues.

Vetëm pasi grekët depozituan 50 milion lira në bankë, atëherë trupat italiane u tërhoqën nga Korfuzi. Dhe kështu ndodhi. Nga bombnardimet e para vdiqën rreth 70 njerëz e u dëmtuan shumë banesa, por grekët e ishullit nuk bënë rezistencë dhe pas një ore italianët hynë në ishull dhe flamuri Italian u valëvit në kështjellën e korfuzit. Megjithë kundërshtimet e Greqisë pranë konferencës së amasadorëve të Evropës, vetëm në datën 8 tetor kur Greqia depozitoi në bankën zviceriane 50 milion lirat italiane ( 2.5 milion dollar ) ushtria italiane u tërhoq nga ishulli I korguzit dhe ishujt e tjerë më të vegjël, përreth.

Për shqiptarët ishte një hero

Parlamenti I shqipërisë mbajti 24 orë zi për vrasjen e gjeneralit dhe njerëzve të tij, duke I ndërprerë punimet për nder të veprës së tij.
Drejt familjes së gjeneralit u dërgua me dhjetëra telegrame ngushëllimi nga personalitete të larta shqiptare dhe gati nga të gjitha qytetet.
Në tiranë e në Korcë, u dhanë mesha, ku ishin të pranishëm mijëra njerëz. Populli i Vlorës ditën e 3 shtatorit 1923, kur do të përkujtonte me festime me rastin e 3 vjetorit të çlirimit të qytetit nga forcat italiane, vendosi të shfaqte hidhërimin e tij për vrasjen çnjerëzore me anë manifestimesh. Manifestuesit që arrinin në rreth 4000 vetë, që u drejtuan në konsullatën italiane ku i shprehen ngushëllimet konsullit italian dhe më tej prej andej shkuan në kishën katolike ku u bë një përshpirtje.

Hetimet për vrasjen dhe zgjuarësia e japonezit Shibo

Megjithëse qeveritë greke e shqiptare kishin marrë masa për hetimin e ngjarjes, një komision hetimi special ngriti dhe Konferenca e ambasadorëve. Por, as ky komision e as komisionet e të dy shteve nuk arritën në ndonjë përfundim konkret për ngjarjen, shkaqet dhe atentatorët. Kishte dyshime se mund të ishin shtetas, pjesëtarë të një fisi në Jug të Shqipërisë, të paguar nga grekët, por nuk mund të provohej, megjithë tentativat për t’I bërë të dyshuarit që të flisnin, deri edhe vite më vonë.

Në krye të komisionit të hetimit, u vendos koloneli japonez me emrin Shibo. Veprimi I japonezit në vendin e ngjarjes, I habiti të gjithë të pranishmit në vend dhe indirect u kuptua se kush ishin vrasësit e Gjeneralit. Koloneli japonez shtiu dy herë me pistoletë dhe pas kësaj priti. Menjëherë në vend do të vinin ushtarë grekë të një poste aty pranë të cilët do të rrethonin zonën dhe komisionin e hetimit të ngritur nga Konferenca e Ambasadorëve. Sapo pa mbvërretjen Brenda pak minuta të ushtarëve hrekë, Shibo deklaroi se “Hetimi përfundi”. Të habitur nga ky veprim dhe ky konkluzion, pjesëtarët e tjerë të komisionit e pyetën kolonelin Shibo dhe ai u përgjigj “ “Në një kohë që krismat e dy të shtënave revolveri u dëgjuan nga ushtarët, si është e mundur që qindra të shtëna pushkësh nuk u dëgjuan prej tyre ?!”.

Deklarata e Gjeneralit grek Kasapidhit për vrasjen

Në numrin e datës 8 dhjetor 1928 “Gazeta e Re” boton një artikull me titullin “ Gjeneral Kasapidhi vërteton takimin e tij me Rexhenjt për krimin e Kakavijës”

“Gazeta e Re” ka botuar një intervistën e Gjeneral Kasapidhit të dhënë për gazetën greke “Elliniki”, në datën 25 nëntor 1923.
Ndër të tjera ai dëshmon se “ Kur zëvendësoja Komandatin e Trupit të Pestë të Ushtrisë, gjeneralin zotin Leonardopullo në vjeshtë 1923, mora irdhër nga Qeveria e aherëshme kryenfritëse të nënshkruar nga Kryetari i Kryengritjes zoti N.Pllastira që të vi në marëvesveshje me hajdutët Rexhenj për të sbuluar auktorët e vrasjes së Gjeneralit Italian Telini, me qëllim që të clirohesh Korfuzi, që ishte zaptuar ahere nga fllota italiane. Qeveria ishte zotuar t’u jepte Rexhenjvet amnisti dhe 1.500.000 dhrhami shpërblim, në qoftë se ata do të pranonin të përpiqeshin për të sbuluar dhe për të zënë vrasësit. Me të marë këtë telegram shkova të takoj Rexhenjt, duke u shoqëruar nga Kapiteni zoti Papathanasi i cili e kish pregatitur që më parë takimin jashtë Janinës dhe afër kufirit shqiptaro-grek. Hajdutët i takuam në rrugë ku na prisnin. Me t’u afruar u thashë në pranojnë të marin amnisti dhe shpërblimin, po me konsditë që të na paraqitnin vrasësit. Po ata u treguan të hezituar. Më në fund, pas një bisedimi të shkurtër, i lashë pasi më siguruan se do kujdesen të më përgjigjen me letër, po të cilën nuk m’a dërguan…”

Pasi shpreh dyshimet për hezitimin e Rexhinjvet dhe mospërpjekjen për të gjetur vrasësit përkundrejt aministisë dhe shpërblimit të madh, gjenerali grek shton se “…Kam besim të patundur se Rexhenjt janë fajtorë në vrasjen e general Tellini-t…’

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *