VJOSA NË WASHINGTON, KQZ NUMËRON, GJYKATA SPECIALE DËRGON FTESA

Zgjedhjet e 6 tetorit të këtij viti shkaktuan një tronditje të thellë në skenën politike të Kosovës, në skenën politike të Shqipërisë, si dhe shkatërruan themelet e politikës aktuale të Serbisë, e cila synonte që përmes Hashim Thaçit e Edi Ramës të imponojë ndarjen e Kosovës.

Ramush Haradinaj, ish-kryeministri i Kosovës, megjithëse humbës i madh në zgjedhjet vendore, do të mbahet mend për qëndrueshmërinë e tij karshi presionit të brendshëm dhe të jashtëm, duke mos hequr dorë nga qëndrimi refuzues ndaj planit për ndarjen dhe shkatërrimin e shtetit të Kosovës. Dorëheqja e tij i hapi rrugë zgjedhjeve të parakohshme, duke i mundësuar opozitës që të rikthehet fuqishëm në skenën politike të dominuar nga PDK e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

Fitorja e LDK-së dhe LVV-së është meritë e dy kandidatëve për postin e kryeministrit. Në njërën anë, Vjosa Osmani, kuadër i dëshmuar dhe me kualitete që i kërkon koha e tashme e politikbërjes, kurse në anën tjetër, Albin Kurti, udhëheqës karizmatik i Lëvizjes Vetëvendosje, një subjekti të majtë që nuk ngurron të identifikohet edhe me vlerat e nacionalizmit shqiptar, gjë që, nga elita e Kosovës dhe qendrat e vendosjes ndërkombëtare është parë dhe vazhdon të shihet me syrin skeptik. Arsyet e këtij skepticizmi të theksuar kanë të bëjnë me të kaluarën e errët të nacionalsocializmit, një ideologji e praktikuar në Gjermaninë e Adolf Hitlerit dhe pjesërisht edhe në Italinë e Benito Mussolinit. Këtë skepticizëm të elitës vendore dhe qendrave të vendosjes ndërkombëtare, LVV-ja e Albin Kurtit duhet ta marrë shumë seriozisht, sepse rrëshqitja e këtij subjekti në vorbullën e demagogjisë dhe retorikës nacionalsocialiste, do ta dëmtonte rëndë shtetin dhe interesin kombëtar. Pas çertifikimit të rezultateve zgjedhore, Albin Kurti dhe LVV-ja do të ballafaqohen me kërkesën ultimative për ndarje të detyrueshme nga retorika nacionalsocialiste dhe ndarje të menjëhershme nga kuadrot me të kaluar të dyshimtë në kënetën e islamit politik.

Përderisa Lëvizja Vetëvendosje është duke e shijuar fitoren dhe po pret me padurim çertifikimin e rezultateve nga KQZ-ja, fituesja tjetër e këtyre zgjedhjeve, Vjosa Osmani, po qëndron në një vizitë zyrtare, javore, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vjosa, si kandidate e Lidhjes Demokratike për postin e kryeministres, në SHBA është duke zhvilluar takime të shumta dhe me rëndësi të veçantë. Gjatë këtyre ditëve, Vjosa Osmani është pritur në takime që kanë zgjatur më shumë se zakonisht dhe që kanë rezultuar tejet të suksesshme për ambiciet e saj drejtuese. Ndër të tjera, këto takime i ka shoqëruar interesimi i lartë i SHBA-ve për Kosovën dhe për një elitë politike të çkapur nga korrupcioni dhe krimi i organizuar. Po ashtu, në Washington DC, Vjosa Osmani ka marrë edhe instrukcionet shtesë për fazën finale të dialogut përmbajtësor mes Kosovës dhe Serbisë.

Bërjen e koalicionit mes subjekteve fituese në zgjedhjet e 6 tetorit, po e ngadalson KQZ-ja e udhëhequr nga zonja Valdete Daka. Arsyet zyrtare të këtij ngadalsimi nuk e kontestojnë fitoren e LDK-së dhe LVV-së, por, nëse pas këtij rinumërimi vjen deri te kalimi i pragut nga ana e Partisë Nisma Socialdemokrate, atëherë edhe koalicioni mes LDK-së dhe LVV-së do të sfidohej seriozisht.

Ashtu siç kemi paralajmëruar gjatë fushatës zgjedhore, Gjykata Speciale vetëm se ka dëshmuar intensifikimin e punës së saj. Ftesat e dërguara këtyre ditëve, pritet të shoqërohen edhe me akcione tjera që mund të rezultojnë me burgosjen e të dyshuarve.

Kosova e paszgjedhjeve të 6 tetorit po e pret me padurim kthimin e Vjosës nga SHBA, si dhe bërjen sa më parë të koalicionit të premtuar mes LDK-së dhe LVV-së.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top