VIZITA E PATRIARKUT TË MOSKËS DHE GJITHË RUSISË NË SHQIPËRI

Këtë fundjavë, Tiranën e vizitoi patriarku rus Kirill. Bashkë me Patriarkun Kirill, në Shqipëri mbërritën edhe njësi speciale Ruse, të cilat u angazhuan për të garantuar sigurinë e tij.

Kjo është vizita e parë e zhvilluar nga kreu i Kishës Ortodokse të Rusisë dhe vetë Kirill e ka përshkruar këtë rrugëtim si një vizitë historike.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, patriarku Kirill zhvilloi takime edhe me krerët më të lartë të shtetit shqiptar, si presidentin Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama.

Para se të nisej për vizitë në vendin tonë, patriarku rus Kirill deklaroi:

“Shpresoj se me mëshirën e Zotit, në fund të këtij muaji do të realizohet vizita ime zyrtare në Shqipëri. Do të jetë vizita e parë në histori e primatit të Kishës Ortodokse Ruse në Kishën Ortodokse të Shqipërisë, e cila po përjeton sot periudhën e ringritjes pas asgjësimit të plotë të fesë, të çdo simboli fetar dhe çdo shprehjeje të ndjenjës fetare si pasojë e persekutimeve më të ashpra ndaj kishes në këtë vend në shekullin XX”, është shprehur Patriarku i Moskës.

Mysafiri nga Moska mbërriti në Tiranë rreth orës 16:00 të së shtunës. Në aeroportin e Rinasit, ai u prit nga kryepeshkopi Anastas Janullatos si edhe nga Ambasadori i Rusisë në Shqipëri, Aleksandër Karpushin. Më pas, Kirill i është drejtuar kishës Ortodokse sëbashku me Janullatos.

Në Katedralen Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, për herë të parë u organizua një meshë e shenjtë nga patriarku rus.

Vizitën e tij në Tiranë, Patriarku Kirill e ka vlerësuar si pikënisjen e një epokë të re marrëdhëniesh mes dy kishave, duke u kujtuar nga Kryepeshkopi Janullatos, për kohën kur Shqipëria ka qënë një vend ateist.

“Kam mbërritur këtu me emocione të ndritshme. Unë e vlerësoj këtë mundësi të bashkëndaj me Ju gëzimin e Pashkës së Shenjtë, të ngushëllohem bashkë me ju me anë të besimit të përbashkët (Rom. 1:12) dhe të përulem para vendeve të shenjta të tokës shqiptare. Shpresoj se me ndihmën e Zotit vizita ime paqësore të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet midis Kishave Vëllazërore Orthodhokse.”, nënvizoi patriarku Kirill.

Rikujtojmë lexuesit tanë se kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, e ka vizituar zyrtarisht Kishën Ortodokse të Rusisë në vitin 1999.

Në Moskë, gjatë një ceremonie zyrtare në Qendrën Kulturore të Kishës Katedrale të Shpëtimtarit, Kryepeshkopi Anastas është nderuar me çmimin: “Për kontribut të shquar në unitetin e Ortodoksëve” (2008).

Në mbrëmjen e së dielës, presidenti Ilir Meta shtroi një darkë për nder të patriarkut rus.

 

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top