SHKRUAN: BAJRAM MJEKU
Kryeministri Isa Mustafa, këto ditë paralajmëroi mbylljen definitive të listës së veteranëve të UÇK-së. Sipas tij, mbyllja e listave duhet të ndodh deri në maj të këtij viti.
Kur u themelua Komisioni Qendror për Verifikim të Veteranëve të UÇK-së, Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës përmes protokollit ia kam dërguar listën prej 26 punonjësish të Qendrës për Informim të Kosovës (QIK). Kërkesa nuk ka të bëj për pensione e benifite, por për njohje institucionale dhe njohje të stazhit të punës për një dekadë gjatë okupimit serb.
Tash tre vjet, Grupi Parlamentar i LDK-së as e ka trajtuar, as e ka hedhur për diskutim në Parlamentin e Kosovës!
Për çka u sakrifikuam një dekadë? Veteranë të cilave institucione ishin Xhemail Mustafa, Enver Maloku e të tjerë? Nëse LDK njeh kontributin tonë vetëm në fushata elektorale, kush do ta njoh kontributin tonë të jashtëzakonshëm nën kushtet dhe rrethanat e regjimit serb? Jo vetëm LDK, partitë tjera politike dhe përfaqësues të institucioneve paralele të Republikës së Kosovës, por edhe qendrat ndërkombëtare të vendosjes e njohin mirë punën e QIK-ut nën kushtet e rënda të okupimit serb. Ky përkushtim na kushtoi me shkatërrim të ekonomive familjare dhe me pasoja tjera të rënda, të cilat na përcjellin edhe sot…
Kur lista e fryrë disa herë prej rreth 50 mijë pjesëtarësh të UÇK-së, nuk qenka pengesë për miratim në Parlamentin e Kosovës, kujt i pengon njohja e kontributit të 26 punonjësve të Qendrës për Informim të Kosovës?!
Përnjëmend, veteranë të kujt jemi ne?