Nga Ruben Avxhiu
Është shumë domethënëse prania e një letre përshëndetëse nga Senatori Bob Dole botuar në numrin e parë të gazetës “Illyria” në New York, në 21 qershor 1991.
Letra nuk është një formalitet dy-tre rreshtash por një përpjekje për t’i treguar lexuesit shqiptar se shqiptaro-amerikanët dhe shqetësimet e tyre për lirinë në Kosovë e demokracinë në Shqipëri nuk ishin të panjohura për senatorin e shquar.
Nuk duhet harruar se Dole nuk ishte një kongresist çfarëdo. Veteran i Luftës së Dytë Botërore, në të cilën ishte plagosur dhe kishte humbur njërën dorë, ai ishte udhëheqësi i shumicës republikane në Senatin Amerikan. Vetëm pesë vite më vonë, Dole do të shpallej kandidati i Partisë Republikane për postin e Presidentit të Amerikës duke entuziazmuar shqiptarët.
Në fund të fundit, ai ishte politikani që kishte vizituar Kosovën atëhere kur rrallëkush kujtohej për të apo e dinte që ekzistonte. Qysh atëhere ai kishte ndihmuar që politika amerikane të ishte në dijeni të kësaj toke të populluar me shqiptarë, të cilës në një kohë kur e gjithë Europa Lindore po rikthente demokracinë, asaj po i hiqej autonomia e mundësia për t’u vetëqeverisur në shkallë lokale.
Për koinçidencë, ky numër i parë i gazetës “Illyria” hapet me vizitën e kryediplomatit të atëhershëm amerikan, Sekretarit të Shtetit James Baker në Beograd dhe Tiranë. Kjo ishte vizita e parë e një zyrtari të lartë amerikan në historinë e Shqipërisë dhe siç dihet u kthye në një shprehje kolektive e një masiviteti të paparë të dashurisë dhe respektit për Shtetet e Bashkuara të Amerikaës. Gati 10% e popullsisë shqiptare doli në rrugë për ta pritur e për ta parë mikun nga përtej Oqeanit. Baker i premtoi Shqipërisë se Amerika do ta ndihmonte në rrugën drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut.
Po ndoshta më domethënëse gjatë asaj vizita ka qenë kërkesa e tij për t’u takuar në Jugosllavi jo vetëm me qeverinë në fuqi por edhe me presidentët e republikave jugosllave si dhe me Dr. Ibrahim Rugovën, si kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kjo ishte një goditje historike kundër përpjekjes së Millosheviçit për ta ruajtur Kosovën si një problem të brendshëm serb që nuk kishte pse ngatërrohej me diplomacinë.
Baker është i famshëm, apo famëkeq, për deklaratën e tij për luftën në Jugosllavi, se “ne nuk kemi ndonjë favorit në këtë sherr” (We don’t have a dog in this fight!) Ishte e qartë se në atë kohë, duke preferuar stabilitetin mbi parimoren, diplomacia amerikane preferonte të mos mbante anë në konfliktet e krijuara në ish-Jugosllavinë.
Kështu, në fakt, në fund të takimit me Dr. Rugovën, i cili zgjati 25 minuta nga 10 minuta që ishte parashikuar, Sekretari Baker dënoi dhunën kundër shqiptarëve në Kosovë, por theksoi përkushtimin amerikan ndaj integritetit territorial të Jugosllavisë. Gati një vit më parë, Kosova kishte shpallur pavarësinë e saj me Kushtetutën e Kaçanikut. Është e qartë se kjo shpallje u anashkalua si e parëndësishme nga Baker, i cili jo vetëm që shkurajonte Kosovën për ndarje por bënte të njëjtën gjë edhe me Kroacinë e Slloveninë.
Mirëpo, pavarësisht nga këto, kërkesa për takim me Dr. Rugovën ishte shenjë se ndonëse SHBA ende nuk kishte ndonjë pozicion të qartë e specifik lidhur me Kosovën, ajo e kishte vënë re atë, si problem më vete dhe kishte vendosur ta kontaktonte më vete. Ishte hera e parë kur në planin ndërkombëtar një diplomat i lartë i huaj po tregonte se takimi me përfaqësuesit serbë e jugosllavë nuk mjaftonin për Kosovën. Me përfaqësuesit e kësaj të fundit ishte kërkuar takim direkt.
Nga kjo kthesë te ndërhyrja ushtarake e NATOs e akoma më larg te pavarësia mbetej ende një rrugë shumë e gjatë për t’u bërë. Një rrugë që në atë kohë as që mund të ëndërrohej. Por kërkesa për takim nga Baker tregoi se Kosova për herë të parë kishte dalë edhe zyrtarisht në planin ndërkombëtar, nga i cili nuk do të dilte më kurrë.
Sot, mund të diskutohet gjatë, lidhur me atë se si dhe qysh vendosi Baker që të takohej edhe me Ibrahim Rugovën. Është e llogjikshme që një nga versionet e mundshme të ketë qenë ndërhyrja nga kryesenatori republikan Bob Dole, mbështetja e të cilit ishte e rëndësishme për Presidentin Bush, në vitin 1991, kur Amerika përgatitej për fushatën e re presidenciale.
Megjithatë, në numrin e dytë të gazetës “Illyria” Bob Dole botoi letrën që i kishte dërguar Sekretarit Baker që e lavdëron për vendimin e tij për të takuar Rugovën dhe Stipe Mesicin e Jugosllavisë. Me këtë rast ai i shpreh edhe pikpamjet e tij për Kosovën e Shqipërinë. Letra i është dhënë në 17 qershor 1991, vetëm pak ditë përpara nisjes për në Ballkan.
Ndërhyrja e shqiptarëve te Dole dhe ajo e këtij të fundit pranë zyrës së Sekretarit të Shtetit nuk ka qenë e natyrës për të imponuar qendrimin shqiptar mbi diplomacinë amerikane. Përkundrazi, ashtu edhe si shumë vite më vonë, kur ishin shumë më të njohur e më të fuqishëm, gjithshka që donin shqiptarët e Amerikës ishte që Washington-i të dëgjonte edhe versionin e tyre të të vërtetës. Që në këtë kohë kur muret po rrëzoheshin në Europë të mos mbetej vetëm në fjalën e propagandës shtetërore të Beogradit por të dëgjonte edhe zërin e ri pluralist të një popullate që besonte se demokracia dhe shkëmbimi i informacionit të lirë e të sinqertë do të ndryshonte fatin e saj.
Sigurisht, Baker mund ta ketë marrë vendimin në mënyra nga më të ndryshmet. Ndoshta raporte të caktuara të CIA për perspektivat e zhvillimit në rajon mund t’i kenë tërhequr vëmendjen e Kosovës si fuçi baruti, më e mundshme se fjala vjen Bosnja që në atë kohë dukej shumë më e qetë. Diplomati i njohur ka dashur ndoshta të dëgjonte me veshët e tij planet e Rugovës. Ai mund të ketë pasur qëllim që ta inkurajonte atë në rebelimin ndaj Beogradit por edhe mund të ketë dashur që t’i kërkojë që të jetë më i matur duke i inkurajuar atë që më vonë do të cilësohej si “gandizmi i Rugovës”.
Megjithatë, dy gjëra janë të sigurta në këtë hamendje: E para që Bob Dole në atë kohë, jo vetëm që kishte vizituar Kosovën dhe njihte kërkesat, shqetësimet si dhe edhe peshën në rritje të shqiptarëve në SHBA; dhe e dyta që ai sigurisht që ka bërë përçapjen e tij në zyrën e Baker-it që diplomati i njohur të interesohet edhe për Kosovën. Se sa rol ka luajtur pastaj ky faktor mbetet për diskutim, por derisa Baker u interesua për Kosovën, Dole kishte gojë që të lavdërohej se ishte ai që kishte “lëvizur gurin” dhe si rrjedhim, aktivistët shqiptaro-amerikanë kishin arsye të merrnin kurajo se ishte pra praktikisht e mundshme që të ndikoje për të vënë në lëvizje makinën diplomatike amerikane. Pas krijimit të Ligës Qytetare nga DioGuardi, si organizata e pare lobiste në SHBA, shqiptarët po fitonin besimin për të vepruar në Washington dhe po merrnin edhe hapa individuale. Në SHBA po krijoheshin degët e LDK-së, Harry Bajraktari kishte tërhequr kongresistin Engel në fushatën për Kosovën, kurse biznesmeni dhe aktivisti Jim Xhema kishte krijuar lidhjet e tij direkte me senatorin Dole. Që këtej e tutje përpjekjet lobuese të shqiptarëve do të perfeksionoheshin gjithnjë e më tepër e bashkë me to do të qartësohej shumë më tepër edhe politika amerikane për Ballkanin.
Në letrën e senatorit Dole që u botua në numrin e parë të gazetës “Illyria” dhe i drejtohet redaksisë së saj, del qartë konstatimi i tij se tani shqiptarët janë kudo aktivë në hapësirat që të ofron demokracia amerikane. Duke folur për përpjekjet për të afruar SHBA dhe Shqipërinë në demokratizimin e kësaj të fundit ai thotë se “ju jeni pjesëmarrës të plotë në këtë process në një mënyrë të koordinuar dhe efektive me qëllim që të dëgjohet zëri i juaj në këshillimet e qeverisë sonë në nivelet federale, shtetërore dhe lokale”.
Ky është një transformim i imazhit të emigrantit me një traste në dorë që kërkon një vend pune. Ky tashmë është një komunitet që ka krijuar jetën e vet në SHBA e tani kërkon që të ngrejë zërin te qeveria që e përfaqëson, të cilën e zgjedh dhe i paguan taksat. Ky është tashmë një komunitet që ka nevojë për dhe meriton një gazetë si “Illyria”.
Letra e plotë e Senatorit Dole: Krenohem që jam njëri nga miqtë tuaj
“Sot, dëshiroj të bashkohem me miqtë e mij të shumtë në mesin e bashkësisë shqiptaro- amerikane, dhe uroj daljen e numrit të parë të gazetës së re “Illyria”.
Bashkësia shqiptaro-amerikane është një nga pjesët më vitale të mozaikut shumë-etnik të shoqërisë sonë. Shumë nga ju jeni qytetarë amerikanë të breznisë së parë, pothuajse të gjithë ju dhe para-ardhësit tuaj, keni ardhur në këtë vend për arsye të njëjta me ato që kanë bërë Amerikën pishtarin e lirisë për më shumë se dyshekuj, dmth. për të kërkuar lirinë politike dhe fetare si dhe mundësitë për suksese në jetë. Individualisht, dhe si grup, ju keni ardhur që të korrni suksese si dhe të kontriboni në përmasa të medha për shoqërinë tonë. Dhe çdo gjë qëështë arritur është bërë sipas shembullit të të parëve tanë, do të thotë me punë të palodhshme.
Megjithëse ju jeni qytetarë amerikanë, në të njëjtën kohë, ju keni ruajtur lidhjet e ngushta personale, familjare dhe emocionale – me vendet nga të cilat erdhët dhe jeni të preokupuar me problemet që i kanë të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Ju jeni të shqetësuar shumë për arsye të shkeljes së vazhdueshme të të drejtave të njeriut (shqiptarëve) në Kosovë.
Ju ndiqni me vëmendje të veçantë përpjekjet e Shqipërisë – përpjekje këto për të hequr nga kurrizi prangat e shtypjes komuniste e për të vendosur demokracinë dhe ekonominë e tregut. Dhe, ju jeni pjesëmarrës të plotë në këtë process në një mënyrë të koordinuar dhe efektive me qëllim që të dëgjohet zëri i juaj në këshillimet e qeverisë sonë në nivelet federale, shtetërore dhe lokale.
Illyria do të jetë një burim i rëndësishëm infor-mativ për bashkësinë tuaj dhe për ngjarjet që zhvillohen në atdheun tuaj, për botën dhe këtu në Washington. Illyria do të jetë gjithashtu edhe një zë i fortë për mbrojtjen e interesave tuaja, një zë që do të dëgjohet në qarqet politike kudoqoftë.
Ju keni shumë miq, këtu në Washington veçanërisht në Capitol Hill. Unë krenohem që jam njëri nga këta miqtë tuaj. Të gjithë ne këtu jemi të vendosur që të bëjmë tërë atë që është e mundur për sigurimin e drejtësisë në Kosovëqoftë duke ushtruar trysni mbi autoritetet jugosllave dhe serbe, qoftë duke kërkuar nga qeveria jonë që të bëjnë atë që duhet bërë. Ne jemi të dedikuar të japim një formë të atillë të politikës amerikane që të sjellë demokracinë dhe frytet e ekonomisë së tregut të lirë për popullin e Shqipërisë. Punuam shumë muaj për këto dy qëllime dhe premtoj se unë dhe miqtë e mij në kongres do të angazhohemi me forca të reja për t’i çuar më tej këto përpjekje.
Ndërkaq, unë ju këshilloj që të vazhdoni aktivitetin tuaj për zgjidhjen e këtyre dy problemeve që ju shqetësojnë kaq shumë, si nëpërmjettë procesit politik të Amerikës, ashtu edhe për mbrojtjen e interesave të juaja.
Në fund të kësaj letre më lejoni që edhe njëherë të uroj daljen e gazetës Illyria dhe në këtë kontekst të përgëzoj të gjithë ata që mepunë të vështirë po e realizojnë këtë ide. Ju dërgoj urimet e mija të përzemërta lexuesve të Illyrisë dhe të gjithë bashkësisë shqiptaro-amerikane.
Senator Bob Dole
Republican Leader
U.S. Senate”