Vendlindja për mua është një dritë që rri e ndezur gjithmonë

SHKRUAN: FLAMUR HOXHA, KANDIDAT I PD-SË PËR ZGJEDHJET E 25 PRILLIT

E kam dashtë Kukësin gjithmonë siç do njeriu fëmijërinë e tij e sidomos kur nuk e lënë ta gëzojë atë fëmijëri por ia presin në mes me dhunë.

Unë u bëra dikush në jetë me punën time pa asnjë përkrahje shtetërore. U bëra nje sipërmarrës dhe mbështetës i librit e kulturës, pa asnjë tendër nga shteti, pa asnjë ndihmë shtetërore.

Gjithmonë më ka munduar ideja se duhet të bëj diçka modeste për Kukësin brenda mundësive të mia.

Fillimisht bashkëpunova për ekipin e futbollit. Pastaj mendova për diçka më shpirtërore, më elitare, më jetëgjatë, për diçka që jeton në përjetësi dhe dëshmon gjithmonë shpirtin tonë. Mbështeta Klubin e Poezisë për botimin e trashëgimisë shpirtërore të krahinave të Kukësit, Hasit, Malsise së Gjakovës, Fanit, Malziut, duke i bërë një shërbim të madh kujtesës kombëtare, Albanologjisë, duke nderuar edhe origjinën time Bicajt.

Profesor Shefqet Hoxha e kishte te mbledhur gjithë trashëgiminë shpirtërore nga njerëz që nuk jetojnë më dhe unë mbështeta botimin e saj, i bindur se po të mos botohen këto vlera të shpirtit tonë do të shuheshin përgjithmonë pasi nuk ka më mbartës të asaj trashëgimie, nuk ka më, në Nangë psh., njerëz që dinë ti tregojnë ato përralla me atë të folme të vjetër, nuk ka më njerëz që i dinë ato këngë të vjetra të dasmës apo ato vaje të vjetra.

Natyrisht me këto pasuri shpirtërore të botuara në mijëra faqe libri, rajoni i Kukësit është në pararojë dhe i bën një shërbim të madh kulturës e kujtesës kombëtare.

Me këtë kartolinë librash dhe me dekorimin që iu bë, unë ia uroj 87 vjetorin profesor Shefqet Hoxhës, i uroj shëndet e jetë të gjatë dhe e siguroj se ne krenohemi me të.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top