Vendimi i SHBA-ve për tërheqjen e trupava ushtarake solli një përkeqësim dramatik në Siri. Sulmeve të Armatës së Turqisë, udhëheqësit kurd të rezistencës i janë përgjigjur me marrëveshjen politike dhe ushtarake të nënshkruar me regjimin e diktatorit Bashar al Asad. Fitues përfundimtar nga zhvillimi aktual në Lindjen e Afërt do të jetë edhe presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin, pasi që tërheqja amerikane i mundësoi të realizoi objektivin e tij për ruajtjen dhe fuqizimin e diktatorit Asad. Në të njëjtën kohë, krahas fuqizimit të regjimit diktatorial të Bashar al Asad, Putin ia arriti qëllimit që të fusë një mosbesim të madh të aleatëve të NATO-s me Turqinë.
Tërheqja amerikane në kohën kur populli dhe rezistenca e kurdëve gëzonte garancionet nga SHBA është edhe një mesazh shumë domethënës për të gjithë të tjerët që kanë ambicie identike, sepse atyre u vështirësohet pozicioni politik dhe në të ardhmen zgjidhjet politike duhet t’i kërkojnë përmes metodave tjera, duke mos u mbështetur më 100% te garancionet e SHBA-ve, të cilat, në rastin konkret dolën të jenë ushqyer me premtime që presidenti aktual amerikan nuk i mori fare në konsideratë.
Humbësit e luftës në Siri janë edhe vet europianët, veçanërisht BE-ja, sepse vendet e saj do të detyrohen të bartin barrën më të madhe të kostos së refugjatëve nga Lindja e Afërt. BE-ja u tregua shumë indiferente dhe e painteresuar të angazhohet në gjetjen e një zgjidhje që sigurisht nuk do ishte tërësisht e kënaqshme për të gjitha interesat e involvuara në rajon, por së paku do të kishte një garancion se edhe interesat e kontinentit të kaltër do të mirreshin deri diku në konsideratë. Vala e refugjatëve që pritet të rritet në prag të kërshëndellave, do të jetë sfida e radhës me të cilën do të përballen vendet e BE-së, duke e risjellur në debatin publik si asnjëherë më parë nevojën e koordinimit, bashkpunimit dhe përfaqësimit cilësor të interesave europiane në politikën globale.