Shkruan: Edison YPI
Myzeqarët janë të qetë, të urtë, të butë. Por edhe ta presin kokën, ta hedhin në mes të rrugës dhe me kokën tënde luajnë futboll nga njëri trotuar në tjetrin.
Devollinjtë janë të treshë, mirpo devollinjtë nuk përdorin gotë, ujin ta japin në pirun.
Në hapësirën; Kamëz, Ishëm, Fushkuqe, Milot, Laç, Mamurras, Krujë, Kamëz, thikat në fyt, sqeparët pas kokës, janë më të shpeshtë se kudo tjetër.
Në burgjet e diktaturës lebërit kanë qënë nga më qëndrestarët, më besnikët, mirpo në Labëri nuk të japin nuse pa ua dëshmuar aftësinë për të vjedhur.
Sulovarët lindin, rriten, punojnë, mbjellin, korrin, dashurohen, martohen, shumzohen, trashëgohen. Por kanë një të keqe, s’vriten e s’theren mesvedi. Duke mos u vrarë e prerë, s’prodhojnë krim. Meqënse s’prodhojnë krim nuk i merr asnjë gazetë e asnjë televizion. Meqënse s’e merr gazeta as televizori, Sulova që ekziston realisht, nuk ekziston mediatikisht.
Të nisesh nga Elbasani, që është kërthiza, të ikësh tepështë drejt ëmbëlsirës së botës mespërmes pjesës me lesh të fundbarkut të Shqipërisë që është Dumreja, hutohesh krejt, të kapin ca mornica, nuk e kupton dot nëse je në tokë apo në qiell, po ndjehesh fatlum deri në fatkeqësi, apo fatkeq deri në lumturi.
Zotësia multifunksionale dibrane, femrat frymëndalëse shkodrane, deliri kolonjar, qytetaria korçare, inteligjenca problematike gjirokastrite, sofistikimi përmetar, zevzekllëku lezhjan, sqima çorovodiane, të ndjerët krejt ndryshe nga një çvendosje vetëm pak metra më tutje, zëvendësimi periodik i zotnilerëve me hyzmeqarët, vërshimi i papërmbajtur i mediokërve dhe mediokretit që përdhos gjithçka, strukja nëpër skuta e të urtëve dhe urtësisë që i duhet progresit etj etj. lista e paradokseve shqiptareske është e pafundme.
Koloriti shqiptaresk të fut nëpër katakomba logjike marramendëse lodhëse dhe dëshpëruese.
Çfarë ka në origjinë të kësaj laryshie misterioze, ku e ka fillin ky moskuptim kaq i thellë, cili është karburanti që e mban ndezur këtë motorr, cila dorë e tund këtë kaleidoskop, si mund të interpretohet sado përciptaz ky mozaik mahnitës labirintik.
Nuk ka asnjë gjasë që shqiptaria funksionon me fjalë, pra verbalisht. Ka pafund prova që vërtetojnë se fjala e folur nuk është e rëndësishme ndër shqiptarë. Kemi pasur dhe kemi oratorë të ndritur, perfeksionistë të hatashëm por të paefektëshëm të fjalës së rëndë dhe të bukur.
Shqiptaria nuk funksionon as me fjalën e shkruar, me libra, me penë e bojë, me tekst. Prej shqiptarëve kanë dalë gjeni të letrave që kanë gdhendur kyevepra. Vetë shqiptarët s’kanë lënë thikë pas shpine pa ngulur për t’i përdhosur dhe groposur.
Me shpatë, pra me trimëri, as që bëhet fjalë të punojë shqiptaria. Jo që s’kemi fituar, por as që kemi bërë kurrë ndonjë luftë.
Nga lahuta te pianoja, baruti i shqiptarizmit ska asnjë gjasë të jetë muzika.
Nga kasollet te grataçielat, arkitektura ska asnjë lidhje me sa po themi.
Shtoi këtyre vështirësive të tjera taksirate që shkakton moskuptimi, si fryrja e barkut, keqfunksionimi i gjëndrave endokrine, rënia e flokëve, kalbja e dhëmbëve, hemorroidet, ulçerat, të vjellat, kllapitë, tabloja bëhet më e pashpresë se shkretëtira, më e llaftarisur se një shesh ku ka rënë bomba.
Megjithatë, përtej vështirësive për ta gjetur atë që secili në mënyrën e vet i vjen rrotull pa e prekur dot, një kapsollë që e ndez, një këmbëz që e shkrep, një lugë që e ushqen, një barut që e shpërthen, një kod që e zbaton, një urdhër që e respekton, një ligj që i bindet, një anije që e bart, një erë që e shtyn, një çengel që e tërheq, një shtyllë që e mbështet, një shtysë që e mban gjallë, një shkak origjinal që shkakpasojën shqiptareske e determinon, nuk mund të mos ekzistojë.
I pari që e vuri re ishte Konica, kur tha;
“Banorët e katundeve tona gustojnë ujërat e përrenjve njësoj si parizienët verërat”.
Pak më pas Lasgushi e llamburiti në Qiell, dhe aty e la;
“Këto kopështe ku fryn era, muar ngjyrën e floririt”.
Jemi kështu si jemi, bëjmë këto që bëjmë, na ndodhin këto që na ndodhin, sepse baruti ynë, shkrepsja jonë, ndezja jonë, është nuhatja. Shqipëria nuk flitet, nuk shkruhet, nuk pikturohet, nuk muzikohet. Shqipëria vetëm nuhatet. Shqipëria është e zhytur në miliona aroma. Shqipëria është një qelqe me përmasa gjiganteske me të gjitha aromat brenda. Gjithçka shqiptare përcaktohet nga aromat. I lumtur ose i palumtur, i shëndetshëm apo i sëmurë, i suksesshëm apo dështak, shqiptari është ose s’është në varësi të aromave që janë ose s’janë të tilla apo të atilla. Shqipëria është vend aromatik. Ose Zoti nuk ekziston.