Vdekjet në Burgun e Burrelit sipas letrës së Muharrem Xhakonit

SHKRUAN: KASTRIOT DERVISHI

Në vijim të letrës së tij, Muharrem Xhakoni shkruan për disa vdekje të ndodhura në Burgun e Burrelit. Më poshtë pjesa përkatëse e letrës së shkruar në vitin 1963. Në kllapa janë shënimet e mia plotësuese për çdo person që përmendet. 

Në foto bashkëlidhur është Xhakoni para se të dënohej me burgim.

Xhevat Korça. I sëmurë prej një viti, kërkonte që të shkonte në spital në Tiranë, për operacionin e ulcerës dhe për analiza dhe kura komplet. Lutjet e tij të herëpashershme verbale dhe me shkrim u refuzuan kategorikisht prej ndihmësmjekut Kamber. Xhevati bëri grevën e urisë dhe mbasi prej kësaj nuk e fitoi spitalin. Vdiq në burg pas 15 ditëve. Ndihmësmjeku Kamber, për justifikimin zyrtar mori një mjek tjetër dhe mbasi i bënë autopsinë, shkruajnë se gjoja kish pas edhe kancer. Vdekja e tij dihet nga të gjithë.

(Xhevat Korça. Ish ministër i Arsimit. Profesor, u dënua në gjyqin special më 13.4.1945 me burgim të përjetshëm. Vdiq më 27.7.1959)

Gjergj Kokoshi. Ju zu uji i vogël (urina). Kërkesat verbale dhe me shkrim që ta dërgonin në Tiranë, Kamberi iu përgjigj negativisht. Me ndërhyrjen nga lart, u rregullua një automobil, por kur mbërriti në sallën e operacionit të spitalit kombëtar në Tiranë, sëmundja e kishte bërë punën e saj dhe i sëmuri nuk u përgjigj më. Pra zotërinj, një operacion i vogël kirurgjikal i hapte kanalin e urisë së bllokuar, i shkarkonte ujin e mbledhur, siç ndodh çdo ditë në spitalet tona shtetërore dhe i sëmuri Gjergj Kokoshi do ishte gjallë.Ai vdiq pse uji i mbledhur në bark dhe vonesa e operacionit kaloi 20 ditë.
(Gjergj Jacim Kokoshi, lindur më 1904 në Shkodër, profesor, ish ministër i Arsimit arrestuar më 23.1.1946. U dënua më 2.7.1946 si “armik i popullit dhe sabotator i pushtetit” me 30 vjet burgim. Vdiq më 20.8.1960)

Estref Myftiu. Vuante nga eperoniti specifik. Kërkesat e tij për ta dërguar në spitalin e Tiranës u hodhën poshtë për afro 5 muaj nga ndihmësmjeku Kamber. Një analizë që u dërgua në laboratorin e spitalit Tiranë, njoftoi telegrafikisht se i sëmuri duhej të shtrohej në spital për analiza e kura komplet. Me qenë se këto formalitet janë kryer në mënyrë private, ndihmësmjeku Kamber i hodhi poshtë. Kur Estrefi qante si fëmijë dhe premtonte se i paguante vetë shpenzimet e automobilit, Kamberi u tallte se nuk kishte atë sëmundje por gazra. Thoshte se do shërohej në burg. Me ndërhyrjen e një majori nga Tirana, mbasi sëmundja kishte 5 muaj në aktivitet dhe pasi barku ishte mbushur me ujë deri te buza, e dërguan në spital. Kur po i hiqnin ujin ditën e parë, vdiq. Është provuar shkencërisht se kur eperitoniti është në fillim, shërohet lehtë me streptomicinë. Por kur të sëmurët kalojnë 4-5 muaj dhe barku mbushet me ujë, 99% e tyre vdesin.
(Estref Mehmet Myftiu, i vitlindjes 1898 nga Berati, dënuar më 25.5.1945 nga Gjykata Ushtarake e Beratit me burgim të përjetshëm sepse ishte nëpunës dhe kishte qenë zëvendëskomandant i Ballit në Lushnje. Vdiq më 6.6.1962)

Akile Tasi. Vuante nga mëlçia e zezë. Më vonë kaloi dhe botkinin. Ditën e dytë që doli nga infermieria, nga botkini, e futën në birucë me një të ftohtë nën zero. I hoqën kapotën dhe pa asnjë batanije e mbajtën 7 ditë. Mori një të ftohur në mëlçia e zezë që ishte e prekur nga botkini më parë dhe ky komplikacion kthehet në cerozapatike. Të gjithë lutjet me shkrim u hodhën poshtë nga Kamberi. Mbas tre muajsh, i sëmuri vdiq.
(Akile Tasi u dënua në gjyqin special më 13.4.1945 me 30 vjet burgim. Vdiq më 30.1.1961)

Ismail Qazimi. Ankohej se vuante një vit më parë prej tensionit të gjakut dhe mëlçisë së zezë. Gjithmonë kërkonte për spital në Tiranë, por Kamberi iu përgjigjej me përbuzje. Duke qëndruar muaj me radhë i shtrirë për vdekje, ai vdiq me një mizerje të pashpjegueshme. Kur drejtoria deshi ta dërgonte në Tiranë, ndihmësmjeku Kamber refuzoi t’i lëshonte raport-thotë i dënuari Zenel Shëndellia.

(Ismail Lik Qazimi, lindur më 1914 në Vasije të Lumës, arrestuar më 24.3.1946 dënuar më 11.12.1946 nga Gjykata e Lartë Ushtarake me burgim të përjetshëm. Vdiq më 16.11.1962)

https://www.ballikombetar.info/2018/03/05/rruga-e-gjakosur-dhe-masakra-e-planifikuar-e-tivarit/

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top