VAZHDOJNË TA PËSHTYJNË ADEM JASHARIN!

SHKRUAN: REXHEP SHAHU

Lexoj shkrime e komente të neveritshme për Adem Jasharin nga njerëz që hiqen si miq e shokë të tij të idealit por që nuk iu gjenden pranë kurrë, e lëpijnë për me marrë yndyrë prej trimërisë së tij, e tallin, e fryjnë, e fyejnë, e bëjnë hero prej letre. Edhe kur e nxjerrin në fotomontazhe, ia vënë në duar a krahëqafë mitralozin më të madh se sa është vetë Ademi, i varin në qafë aq shumë fishekë sa duhet një kamion me i mbajtë…

E bëjnë Skënderbe, e bëjnë Ismail Qemal, e bëjnë komandant legjendar, e pështyjnë, fyejnë e tallin pafund, duan ta bëjnë si veten e tyre që mashtrojnë se kanë luftuar e sikur kanë bërë namin, ndërkohë kanë bërë një vrimë në ujë, nuk u ka hyrë gjëmb në këmbë, kanë marrë të ardhura e benefice pafund, kanë shaluar lavdinë e rreme, bëjnë terror politik ndaj njerzve të thjeshtë dhe i imponohen historisë e cila nuk i përfill, nuk ua shkruan emrin askund .

Lavdia e Adem Jasharit është vetëm e Adem Jasharit, jo e UÇK.

Adem Jashari ka qenë bir i Kosovës dhe jo ushtar i asnjë partie. Ka qenë i LDK aq sa ka qenë i tillë çdo shqiptar i Kosovës. Ai ka qenë ushtar i Kosovës. Ai me sjelljet e veprimet e veta e ka pranuar se ka patur përkrahje e nevojë për institucionet e Kosovës, ashtu siç ata ishin, është mbështetë tek ato institucione, tek Ibrahim Rugova si udhëheqës i Kosovës dhe këtë e ka bërë legalisht pa i marrë leje asnjë çapaçuli, asnjë spiuni të Serbisë sepse Adem Jashari ka qenë sovran dhe ka pyetur veç veten e tij e jo Serbinë. Çdo tentativë për ta vënë përballë Rugovës, duke dashtë me e përçmue Rugovën, përveçse ligësi kapterrash e hajduta konservash, është fyerje për Ademin, ai nuk ka konkuruar në histori si udhëheqës i Kosovës, por si ushtar i lirisë së saj, si ushtar i denjë i Kosovës.

Çdo tentativë spekullante për ta mbiçmuar Adem Jasharin, për të tentuar për ta quajtur burrë shteti, është ta rivrasësh sot e kësaj dite. E dinë shumë njerez se një grup krerësh kryesorë të të ashtuquajturit krah i luftës, janë gëzuar dhe e kanë demonstruar kënaqësinë edhe me zgërdhirje e fjalë përçmuese e shumë fyese ndaj Ademit kur e morën vesh në dalje të sallonit të Rognerit në Tiranë se është vra Adem Jashari.

Adem Jashari është heroi shqiptar që sakrifikon veten për idealin, që bëhet shembull, që beson se “po nuk vdiqa për kojshi… tibe n’zotin nuk vdes për ty…”. Ani se për Ademin nuk vdiq asnjë ushtar UÇK, asnjë kojshi, asnjë nga Shqipëria, asnjë kapterr Shqipërie që shitet për gjeneral e kumandar në Kosovë, aq sa shitet për kalë me shalë gomari gërdallë.

Adem Jashari nuk vdes si ushtar UÇK, nuk vdes si komandant, nuk vdes si politikan, nuk vdes si udhëheqës, nuk vdes si burrë shteti, nuk vdes si legjendar, ai vdes si shqiptar, ai behet frymëzim si shqiptar si hero shqiptar, si ushtar i lirisë së shqiptarëve.
Nëse ka pasë UÇK aty pranë apo rrotull, ajo del se e ka tradhëtue Adem Jasharin sepse as nuk u plagos as nuk u vra as nuk vdiq asnjë ushtar UÇK-je pos familjarëve të Adem Jasharit por si shqiptarë e jo si ushtarë UÇK-je.

Nuk u shkreh asnjë plumb nga trimat e UÇK. Nuk iu gjend pranë askush, nuk i erdhi në ndihmë askush.

Adem Jashari është vetëm Adem Jashari, i del e tepron vetja e tij, nuk ka nevojë të jetë Skënderbe as Ismail Qemal, ka jetuar në kohë historike, para 20- vitesh ka qenë mes nesh, nuk është as komandant UÇK as legjendar as nuk ka qenë asnjëherë. Ata që mashtrojnë për Adem Jasharin dhe për UÇK-në, që duan t’i bëjnë të mistershëm, që duan t’i mbështjellin me fshehtësi, kanë hall të na ushqejnë me mashtrime dhe të shesin veten e tyre si trima si ushtarë UÇK që kanë bërë namin duke u fshehur në fakt, duke u fshehur skutave, duke luftuar klubeve krah për krah me mua në Tropojë, Has, Kukës, Tiranë, Durrës, Zyrih, Shtutgard, Bernë etj etj.

Mashtrimet nuk i duron gjatë historia. Mashtruesit kujtojnë se kanë shaluar historinë, por ajo i hedh prej shale.
Mashtrojnë sikur kanë luftuar në luftra të ndryshme individë që ndonjëherë në të rrallë, gjatë gati dy vjetëve, të shoqëruar e mbrojtur si veshka mes dhjamit, kanë hyrë nga Shqipëria në Kosovë dhe mund të kenë marrë pjesë në ndonjë pritë rasti e çasti, në ndonjë betejë çasti që e shpallin luftë dhe epope, por nuk kemi heroj nga Shqiperia që kanë qëndruar gjithë kohën në Kosovë në luftë sepse jo gjithë kohën ka pasë luftë në Kosovë. Deshmitarë për këtë janë dy milionë njerëz, ndërsa mashtrues lufte janë një grusht trimash e kumandarësh që ngrenë mullarë mashtrimi.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top