VASIL SHANTIQ (SHANTO) ATENTATORI I ADEM BOLETINIT

Heroizmi i Isa Boletinit dhe lufta e tij për lirinë e trojeve shqiptare vazhdon të jetë burim frymëzimi për brezat atdhetar të shqiptarëve. Vrasja më 23 janar 1916 në Podgoricë, nuk ishte fundi i Isa Boletinit. Drama e Boletinëve vazhdoi. Rënia e Isës ishte një rifillim tjetër edhe Boletinët e mbetur, të cilët do t’i nënshtroheshin një represioni dhe dhune sistematike nga pushteti serb dhe malazez. Familja e tij ishte halë në sytë e armiqve shqiptar, ashtu siç ishte vetë Isa Boletini në kohën e tij. Ndaj Boletinëve nuk do të kursehet asnjë masë ndëshkuese, ata do të vriten dhe do të burgosën pamëshirshëm përgjatë shumë dekadave. Por ku janë sot Boletinët? Si jetojnë ata, dhe cila është pozita shoqërore në dy shtetet shqiptare? Një shkrim më të gjatë e publikuar RTK, të cilin po e transmetojmë të plotë.

Xhavit Boletini sot jeton në Mitrovicë me të birin–Gazmendin dhe nipin – Erisin, si të vetmit pinjoj të familjes së madhe Boletini që jetojnë në Kosovë. Ai rrëfen për Radio Kosovën vuajtjet e tij nën regjimin komunist jugosllav.

“Pas hyrjes së komunizmit na kanë djegur. Xhaxhallarët dhe babën m’i vranë. Axha im, Pajaziti, që ka qenë komandant në Zveçan. Menjëherë e ka thirr edhe babën tim për t’u tërhequr, sepse komunistët kanë qenë duke hyrë. Baba nuk ka pranuar të ikë dhe ka thënë do të vdes duke luftuar dhe nuk ka shkuar më të”, thotë Xhavit Boletini.

Duke u nisur nga të parët, prej serbëve janë vrarë 15 Boletinë: Në vitin 1833 është vrarë Halil Boletini, në vitin 1892, Mujë Boletini. Në vitin 1894 vritet vëllai i Isës, Ahmet Boletini. Në vitin 1916 në Podgoricë vritet Isa Boletini me dy djemtë e tij, Halilin dhe Seidin, bashkë me dy nipat, Jonuzin e Halitin. Në vitin 1944 vritet Musa Boletini dhe Skënder Boletini, ndërsa në vitin 1945 Asllan Boletini. Në këtë vit janë vrarë edhe nipat e Boletinëve, Rasim Dajqi e Hysni Rudi. Ndërsa në vitin 1947 janë vrarë Faik Boletini dhe Isuf Boletini.

“Dhe pas një jave që i vranë, shkijet nuk kanë besuar se ata janë të vrarë. Dhe për t’u bindur se vërtetë ata janë të vrarë, i kanë zhvarrosur dhe i sjellin në qendër të qytetit dhe i ekspozojnë. Unë jam kanë gjashtë vjeç dhe me motrën time kam shkuar tri herë, e kam pa babanë të vrarë”, rrëfen më tej Xhavit Boletini.

Ata që kanë shpëtuar nga vrasja e serbëve, nuk kanë shpëtuar edhe nga torturat dhe burgosjet. Në kohën e Jugosllavisë, Mujë Boletini ka mbajtur tri vjet burg, mandej Kapllan Boletini 14, Ali Boletini është mbajtur në burg dy herë nga 3 vjet. Në vitin 1945 janë burgosur edhe Tafil Boletini, Igballe Boletini dhe Kumrie Boletini.

“Pajaziti ka shkuar në Beograd dhe prej Beogradit ka shkuar në Egjipt te Mbreti Faruk dhe ka qëndruar në Egjipt deri sa ka qenë në pushtet Faruku. Pas rrëzimit të Mbretit Faruk, ai ka dalë në Francë, ku është takuar me Mbretin Zog dhe ka qenë këshilltar deri në vdekjen e tij. Thonë se gjatë asaj kohe sa ai ka qenë këshilltar i Mbretit Zog dhe ka qenë i martuar me njërën prej motrave të tij, pra me motrën e Ahmet Zogut”, shton nipi i Isa Boletinit, Xhavit Boletini.

Hiq më mirë se në ish-Jugosllavinë e Titos, familjarët e Isa Boletinit nuk kishin kaluar as në Shqipërinë e Enver Hoxhës. Ata do të vriten, burgosen e internohen. Hakmarrja komuniste ndaj familjes Boletini filloi që në nëntorin e vitit 1943, kur komunistët shkodranë, të udhëhequr nga Vasil Shantiq (Shanto), vranë me atentat nënkolonel Adem Boletinin, djalin e tretë të Isës, i cili kishte mbaruar akademinë ushtarake në Vjenë. Vrasja e Adem Boletinit ishte urdhëruar nga klika komuniste e bashkuar rreth Enver Hoxhës, Fadil Hoxhës dhe Milladin Popoviqit. Ademin e vranë, për shkak se ai ishte njëri nga organizatorët dhe mbështetësit kryesor të vendimeve historike të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, vendimet e së cilës më 14-15 mars 1944 do t’i miratonte edhe Asamblea Kombëtare e shtetit shqiptar në Tiranë.

Pos vrasjes së Adem Boletinit, numri i Boletinëve të burgosur është i madh edhe në Shqipëri. Në vitin 1945 është burgosur Tafil Boletini. Burgun e kanë përjetuar edhe Adile Boletini në vitin 1947, mandej janë burgosur edhe Ismet Boletini dhe nipi, Enver Dajçi.

Përderisa në ish-Jugosllavi Boletinët konsideroheshin si familje armiqësore, në Shqipërinë komuniste nuk vlerësohej figura e Isa Boletinit. Regjimi komunist ndaj familjes së Boletinëve ndoqi po atë politikë të cilën kishte ndjekur për shumë vjet regjimi komunist i Titos. Si rezultat, vetëm në vitin 1962, pushteti akordoi për Isa Boletinin titullin e lartë Hero i Popullit. Megjithatë, edhe pas kësaj, familja e tyre nuk pati ndonjë trajtim më të mirë. Madje, vetëm një herë pati ftesë zyrtare për të shkuar në Vlorë në përvjetorët e Ditës së Flamurit, ndërsa me rastin e inaugurimit të shtatores së Isa Boletinit në Shkodër, në vitin 1981, prej Boletinëve mori pjesë vetëm e bija Isa Boletinit, Ajetja.

Duke folur për rolin e Isa Boletinit në historinë e krijimit të shtetit shqiptar më 28 Nëntor 1912, Dr. Xheladin Shala, historian në Institutin Albanologjik, thotë se ai u dha vulë shumë ngjarjeve të rëndësishme kombëtare dhe, padyshim, ishte ndër më të merituarit për qëndresën kombëtare në Kosovën martire, që për shumë dekada u bë vatër më e përgjakshme e lirisë dhe pavarësisë së mbarë Shqipërisë, u bë vendi ku u organizuan Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878, Lidhja e Pejës më 1899, Kuvendi i Ferizajt më 1908, kryengritjet e viteve 1909 – 1912 që zgjatën deri në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 28 Nëntor të vitit 1912.

“Duke parë që popujt tjerë po e fitojnë lirinë dhe pavarësinë edhe populli shqiptar u bind se, si e kanë quajtur të sëmurin e Bosforit, i ka ditët dhe muajt e numëruara në Ballkan. Kështu që për të mos u zënë të papërgatitur këta vendosin që t`i qesin para aktit të kryer shtetet fqinje por edhe fuqitë e mëdha”, thotë historiani Shala.

Sipas tij, populli shqiptar dhe udhëheqësit e tij kurrë nuk u pajtuan me vendimet e fuqive të mëdha, me Traktatin e Shën Stefanit, me Kongresin e Berlinit, Konferencën e ambasadorëve në Londër, Paqen e Versajës dhe Konferencën e Parisit. Ndërsa, sipas tij, në ballë të këtyre kryengritjeve qe Isa Boletini.

“Prandaj, Isa Boletini luajti rol parësor në lëvizjet dhe kryengritjet e atyre viteve të që më të vërtetë nuk e kanë fituar por pjesa tjetër e Shqipërisë e fitoi dhe e shpalli pavarësinë. Ndërkaq Isa Boletini ka qenë alfa dhe omega e lëvizjeve dhe kryengritjeve të shqiptarëve në Kosovë dhe më gjerë”, shton më tej Xheladin Shala.

Përkundër rrethanave të vështira në Kosovë, figura e Isa Boletinit asnjëherë nuk e kishte humbur shkëlqimin. Ai gëzonte një respekt të madh në mesin e intelektualëve, studentëve dhe gjithë qytetarëve. Ishte një shembull i vetëmohimit për lirinë dhe shtetin shqiptar. Figura e tij pati një ndikim të madh në ndjenjën kombëtare tek shqiptarët e Kosovës, sidomos pas demonstratave të vitit 1981.

Boletinët sot jetojnë të shpërndarë në të katër anët e botës, në: Tiranë, Sarajevë, Pazar i Ri, pastaj në Itali, Angli, Francë, madje edhe në Brazilin e largët, por megjithatë ata vazhdon t’i lidh fryma atdhetare e rrënjës së vjetër. Gazmend Boletini është gjenerata e katërt e Boletinëve. Ai punon si ciceron në Institutin Arkeologjik në Mitrovicë. Me rastin e 100-vjetorit i kishte dhënë mision vetës që t’i tubonte të gjithë Boletinët e gjallë në Kullën e Isës në Boletin të Shalës.

“Së pari e kam gjetur në Shamballa të Brazilit, djalin e axhës së babait, Orhanin, familja e të cilit jeton në Brazil. Një vajzë e tij, Natana, është aktore e teatrit, bile kur u njoftuam së pari, më pyeste kush jam, nga jam”, rrëfen Gazmendi.

Sipas Gazmendit, pas gati një shekull vuajtje dhe përndjekje, Boletinët vazhdojnë të jenë të degdisur nëpër botë, por sot ata e gëzojnë respektin dhe nderimin e institucioneve dhe të shoqërisë shqiptare gjithandej.

“Ata e mbajnë mbiemrin e njëjtë, nuk e kanë ndërruar, Boletini ende e mbajnë. Me Boletinët kudo që janë i mbaj lidhjet. Atyre u dërgojë letra, fotografi të familjes sonë”, thotë Gazmend Boletini.

Krenarë me të kaluarën e tyre të lavdishme Boletinët vazhdojnë të jenë po ata: një familje e madhe shqiptare që ndërtoi histori.

6 thoughts on “VASIL SHANTIQ (SHANTO) ATENTATORI I ADEM BOLETINIT”

  1. Dora e gjate e Serbise, vrau Adem Boletinin – Vasil Shantiq, Komisari i Cetes se Pezes, qe “Killer me pagese”, ashtu si dhe Kapua I saj – Babe Lymi, qe me ate kobure ne brez, pat vra shume njerez, ” me pagese”,se ndryshe do kishte ngordhe “per pike”, ate zanat kishte. Shantiq-i qe me i ri dhe akoma me i rrezikshem, se kishte pas vetes Miladinin dhe Dushan Mugoshen e krejt Serbine.

  2. Nese ceshtja shqiptare i qaset hallit DIBER e MAdhe dhe MITRIVICES ,askush nuk do te mund ta ndaloje Bashkimin e trojeve tona. President RUGOA nga do qe shkonte neper BOTE si DHURATA miqve u dergonte pjese nga THESARI i MITROVICES. Miku pra e od edhe nje ‘peshqesh”-DHURATE se keshtu do te te kujton perhere se je i MADH!

  3. Shqipetaret i kane shume borxhe familjes Boletini. Kjo familje si asnje familje, breza te tere u flijuan per atdhe per komb.Jane krenaria e jone kombetare. Komunizmi armiku me i eger i shqipetaris ,fatkeqesija jone kombetare i vrau i burgosi i shperndau, sa turp.Bijet e pinjollet e tyre nuk lane patriot si ketu ne shqiperi dhe jashte per ti zhdukur. C’bene keta ,komunistat, me patriotet do ta kishin zili armiqet tan shekullor.Te zhduken emrat e guerrilasve qe vran patriotet tan dhe qe sot ne i nderojme me emertime te shesheve e rrugeve per hesap te komunizmit.A kane pergjegjesi e moral qe krenohen me Vasil Shantoviqin?!

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top