Shkruar nga Rexhep SHAHU 2001
Ne varrezat publike te qytetit te Kukësit, krahas varreve te vendasve, jane edhe 171 varreza te shqiptarëve te Kosovës. Dhe vendasit i emërtojnë thjeshtë :Varret e Kosovës.
171 të varrosurit janë shqiptarë të Kosovës që u prehen aty që nga fundmarsi i vitit 1999 e deri ne mesqershorin e atij viti, kur u çlirua Kosova.
Por sot vetëm 55 prej ketyre varreve janë të pazhvarrosur, sepse të tjerët janë marrë prej familjarëve të tyre dhe janë sjellë në Kosovë.
Nga këto 55 njerëz që prehën në Varret e Kosovës në Kukës, 40 janë të paidentifikuar dhe nuk ka të dhëna për to.
Specialistë të bashkisë Kukës që merën me këto punë e që janë marrë ato kohë me këto punë, thonë se listat që janë mbajtë atëhere nuk janë të sakta. (Për të intersuarit pohojmë se listat janë). Sepse atëhere janë varrosë njerëz pa ua ditur identitetin e plotë dhe të saktë, janë varrosë njerëz që nuk i ka njohur askush nga të pranishmit. Ose edhe janë varrosë njerëz që u është ditur vetem se nga janë. Pa adresë të saktë, pa moshë të saktë, pa emër të saktë. Kështu që në listat që disponohen shënohet p.sh: “…plakë nga Malisheva…”.
Në bashkinë Kukës, së fundi, shprehen se tani nuk ka asnjë pengesë ligjore për të zhvarrosur të vdekurit pasi ka kaluar afati tre vjeçar që duhet. Njerëzit mund t’i marrin të afërmit e tyre dhe t’i vendosin ku të duan në Kosovë.
Por edhe t’i lënë në Kukës, nuk është keq. Është dëshmim i madh i historisë që në Kukës të jenë Varret e Kosovës. Është tejet njerzore që pranë atyre varreve të vijnë për të vënë një lule njerëz nga Kosova. Sepse ajo kohë që mbolli varre të Kosovës në Kukës, edhe na bashkoi. Ose më saktë, na e pohoi, na e tregoi se jemi bashkë.
Por së pari ato të varrosur në Kukës, duhet të identifikohen. Me çdo mënyrë. Por pa bërë biznes askush. Pa dhënë askush asnjë euro dhe pa marrë askush asnjë euro. Se është turp prej atyre që prehen aty. Të ndërtohen dhe mirëmbahen varret, por pa biznes xhenazesh siç edhe ka ndodhë…
Edhe ato varre na lidhin dhe na e kujtojnë se jemi bashkë. Do të ishte shënim i madh nëse një ditë do të organizoheshin njerëz nga Kukësi e nga Kosova me ardhë për homazh tek ato varre. Mos me folë askush. Por veç me heshtë një çast dhe me vendosë nga një lule. Sepse shumica e atyre që janë varrosë në Kukës, kanë qenë të pamundur. Kanë qenë viktimat e xhelatit serb dhe janë martirë shqiptarë.
Më mirë e dinë ato që i kanë të afërm të varrosurit në Kukës se çfarë duhet të bëjnë me to. Por unë them se është mirë të dimë t’i nderojmë të vdekurit. Sepse kjo tregon se si e çfarë jemi ne të gjallët.
Varros – zhvarros – varros – zhvarros – varros… të vjen në majë të hundës përdorja e varreve si pllakatë trimërie, patriotizmi e devocioni. Të vijnë në majë të hundes fjalimet para të vdekurve, para të rënëve, nga të gjallët që duan medeomos ta kompensojnë mungesën e trimërisë me fjalime para varreve në varrosje- zhvarrosje-varrosjet e pafundme.
Ti lëmë të vdekurit ku janë dhe të bëhemi njerzorë e të shkojmë, ndoshta rrallë, për të heshtë para tyre. Të shkojmë për tu bërë fisnikë e pak më njerzorë. Le të mundohemi pak, le të udhëtojmë pak, le të lodhemi pak që të shkojmë në varreza, aty ku prehet cilido i ndjerë që duhet nderuar. Dhe të mos i sjellim varret aty ku do dikushi a kërkushi që ta ketë afër me dalë e me gri sallatë para të vdekurve kohë e pa kohë e vend e pa vend.
Mjaft me varre në shpinë. Se nuk ecin të vdekurit, nuk përdorën të vdekurit për përfitime të të gjallëve.
E duke qenë Varret e Kosovës në Kukës, duhet që edhe marshuesve të përvitshëm që nisen nga Mitrovica për në Kukës, për pelegrinazh, tu shkojë mendja të përfshijnë në axhendën e tyre edhe një vizitë pranë këtyre njerëzve. Sepse ato kanë dhënë jetën e tyre dhe falë edhe atyre, ndoshta më shumë se shumëçka tjetër, vijnë plot gaz e hare marshues për në Kukës.
Por para së gjithash të kërkohet identifikimi i njerëzve që prehën në Varret e Kosovës në Kukës. Që shumëkush të qetësohet. Pastaj fjalimtarëve profesionistë që luftojnë si dragoj para të vdekurve, ndoshta u shkon mendja të vijnë edhe në Kukës pranë Varreve të Kosovës.