Shkruar nga Nexhmedin SPAHIU
Vangjel Koça, krahas Sami Frashërit e Branko Merxhanit, është intelektuali më i madh shqiptar i të gjitha kohërave. Poliglot me dije enciklopedike, me stil të lehtë e gjuhë të përkryer. Fryma e mendimeve të tij ishte tërësisht pozitive e edukative. Frymë e thellë dhe kulluar patriotike. Baba i mendimit pozitiv shqiptar.
Me konstatimet e mia të mësipërme pajtohen të gjithë ata që e kanë lexuar Vangjel Koçën, Por, e vërteta është se shumica e intelektualëve të sotëm shqiptarë as që ka dëgjuar për të.
Meritën për risjelljen e këtij gjeniu para publikut shqiptar e ka Ndriçim Kulla, i cili edhe vet na qenkësh habitur se si vite të tëra pas rënies së komunizmit, askush nga bashkëmoshatarët e tij nuk ia ka risjellë publikut shqiptar.Për dallim nga rilindësit shqiptarë, apo edhe nga intelektualët shqiptarë të para Luftës së Dytë Botërore, që rrjedhin nga familjet e pasura, Vangjel Koça rridhte nga një familje e varfër ortodokse e Gjirokastrës.Vangjel Koça u lind në Gjirokastër më 1900, që do të thotë se ishte gjashtë vite më i ri se Branko Merxhani (i lindur në Nish më 1894, vdekur në Stamboll më 1981), të cilin do ta konsideronte prijatar në idenë e Neoshqiptarizmës, por që me asgjë nuk do t’ia lëshonte rrugën qoftë me dije enciklopedike, qoftë me patriotizëm të kulluar, qoftë më gjuhë e stil të veçantë.
Gjuha dhe stili i Vangjel Koçës është njëkohësisht edhe gjuhë e stil akademik, edhe gjuhë e stil artistik, por edhe gjuhë popullore. T’i thuash arritjet më të mëdha të kohës në të gjitha fushat e dijes me një gjuhë të kuptueshme për publikun e gjerë, këtë arritje nuk e ka bërë askush tjetër jo vetëm ndër shqiptarë, por ndoshta askush në botë, pos Vangjel Koçës.Vangjel Koça vdiq aksidentalisht në gusht të vitit 1943, kur u fundos anija me të cilën po udhëtonte. Vdiq në moshën 43 vjeçare në kulmin e krijimtarisë së tij. Po edhe sikur të mos i ndodhte aksidenti, po që se nuk do të arrinte të largohej nga Atdheu, atë do ta pushkatonin komunistët një vit më vonë. Vangjeli ishte tepër i madh që të bashkëjetonte me komunistët. Prandaj, ata e ndaluan veprën e tij dhe i ndaluan çdo studiuesi ta zinte në gojë emrin e tij.Ja se çfarë shkruante Vangjel Koça në prill 1937 për idenë komuniste që e kërcënonte Shqipërinë:
“Komunizma është një ide. Një ide antikombëtare, shkatërronjëse. Po është një ide. Dhe siç dihet, ideja nuk zhduket në kërbaç, po me një kundër-ide më të mirë. Këtë na e mëson historia e njerëzimit dhe e evolucionit të regjimeve shoqërore.Hamleti që vërtitet me pallë ngjeshur kundër hijes dhe shpresave që ta shpëtojnë, përfytyron njeriun që i vërtitet me armë një ideje dhe shpreson që ta shpojë. Po gjer më sot nuk është gjendur ndonjë çelik kaq i mirë sa për të bërë një pallë kaq të mirë, që mund të vras një ide. Provë: Paganizmën nuk e vrau palla, por fuqia dhe madhështia morale e kristianizmës së kohërave të para. Pra, për të mundur idenë komuniste na duhet një kundër-ide më e mirë. Për ne kundër-ideja më e mirë është vetëm Ideja Kombëtare”.
Vangjel Koça është kritiku më i mirë shqiptar i të gjitha kohëve. Çdo i ri që merrte penën në dorë gjente përkrahjen dhe kritiken e Vangjelit. Çfarë ishte kritika e Vangjel Koçës? Gjithnjë në frymën pozitive, me referenca të panumërta nga letërsia angleze, amerikane, gjermane, franceze, italiane, greke, ruse, persiane, indiane. Me dashamirësi prindërore, shkrimtarë, kritikë, filozofë e sociologë, të panumërt nga bota, ndërtojnë pikat referente në kritikat e Vangjel Koçës. Por, karakteristike janë kritikat ndaj Et’hem Haxhiademit, Ernest Koliqit, Faik Konicës e Sterjo Spasses.Në kohën kur shkruante Vangjeli, Faik Konica ishte perëndia e letërsisë shqipe, por për Vangjelin kjo nuk ishte asnjë pengesë që të fliste për të si për çdo shkrimtar tjetër. Asnjë meritë e Faikut nuk iu mohua, por edhe të gjitha të metat iu numëruan një nga një nga Vangjeli. Kur Sterjo Spasse botoi romanin “Pse”, Vangjeli ia numëroi meritat e autorit dhe përmendi gjithë letërsitë dhe filozofët nga është ndikuar Spasse. Por, Vangjeli si pozitivist nuk mund të pranonte idenë nihiliste të Spasses. Thotë: mirë që ka lexuar këtë e atë autor, po përse Spasse të mos ta ketë lexuar filan e filan autorët.
Dhe, tragjikisht në shkollat tona, për 50 vite u detyruam t’i lexojmë romanet e Sterjo Spasses, por jo edhe kritikën shembullore të Vangjel Koçës.Ajo që mund të thuhet për Vangjel Koçën, është se gjynah që shkroi në shqip, sepse po të shkruante në ndonjërën nga gjuhët e shumta që ai i dinte, tani do t’ishte emër me famë botërore. Por, fatkeqësisht një gjeni i tillë u la në harresë edhe në vetë vendlindjen e tij.Më 1943, në 61-vjetorin e ligjëratës së famshme të Ernest Renanit për kombin (1882), Vangjel Koça shkroi për konceptin latin (francez) dhe atë gjerman për kombin. Pas një zbërthimi shkencor vjen në përfundim se nuk kemi të bëjmë me dy lloje të kombeve, siç mendohet botërisht, po për shkallë të ndryshme të zhvillimit të kombeve. D.m.th. se një komb në fillimet e veta është i tipit gjerman, ndërsa në një fazë më të avancuar ai shndërrohet në atë të tipit francez.Këtë përfundim, teoricienët botërorë të kombit e nxjerrin tek së voni në shekullin XXI. Gjeniu ynë këtë e kishte nxjerrë shtatë dekada më parë. Sikur Vangjeli ta kish botuar jo në gazetën “Roja Kombëtare” po në ndonjë prej gazetave apo revistave në anglisht, gjermanisht, frëngjisht apo italisht, emri i tij do t’ishte përjetësuar në përmasa botërore.Por, Vangjeli shkruante shqip, sepse në radhë të parë donte ta përparonte kombin e vet, donte që kombi i tij të krijonte avantazhe karshi të tjerëve. Por, kombi i tij, dy vite pas vdekjes e përjashtoi nga gjiri i vet.
Tani kur Ndriçim Kulla na e ka risjellur Vangjel Koçën, ai duhet të jetë në çdo libër leximi në shkolla fillore e të mesme. Sheshet dhe bulevardet e çdo qyteti shqiptar duhet ta mbajnë emrin dhe përmendoren e tij, siç duhet të kenë emrin e tij edhe shkolla e universitete.Ja se çfarë shkruante Vangjel Koça në shkrimin në fjalë: “Për të kuptuar më mirë dallimin mes konceptit gjerman dhe konceptit latin për kombin, ne shqiptarët mund të bëjmë një krahasim që i përket historisë sonë: Rilindjen tonë nga Lidhja e Prizrenit e tëhu e nisëm me konceptin gjerman: tokë, gjak e gjuhë, pas kaq peripecive të mëdha kemi arritur tani në konceptin latin: në shpirtin e kombit që për ne do të jetë ndërgjegje kombëtare”.
Vlen të përmendet se edhe një intelektual tjetër shqiptar ka bërë një avancim të tillë të shkencës një shekull më parë, por bota këtë ia atribuon Ernest Gellnerit një shekull më vonë.Për dallim prej Karl Marksit, i cili në shekullin XIX, historinë e njerëzimit e ndante në pesë periudha (parahistorike, skllavopronare, feudale, kapitaliste dhe sipas tij e ardhme komuniste), Ernest Gellneri, në fund të shekullit XX, historinë e njerëzimit e ndanë në tri periudha (e gjuetisë, agrare dhe industriale). Por, në fillim të shekullit XX këtë ndarje të historisë në tri periudha e ka bërë Mit’hat Frashëri në një shkrim qortues për shqiptarët.Fatkeqësia që këtë gjë Mit’hat Frashëri e ka shkruar në shqip e jo në ndonjë gjuhë që kishte me i dhënë famë botërore.Shpesh ndodhë që njerëz që shkojnë në Perëndim për të doktoruar ankohen se duan të marrin tema që do ta ndihmonin vendin, por nuk po gjejnë tema të përshtatshme. Ja rasti i Mit’hat Frashërit dhe Vangjel Koçës janë dy mundësi të shkëlqyeshme për të dëshmuar se si këta dy shqiptarë janë meritorë për këto koncepte që tani u përshkruhen tjetërkujt.