Ura e gabimeve

Shkruan: Edison YPI

Ka fjalë të folura, që mund të jenë të bukura dhe shumë të bukura, por i merr era.
Ka fjalë të shkruara në letër, që sado të rëndësishme dhe të mrekullueshme të jenë, jetojnë derisa libri griset.
Ka dhe fjalë të gdhendura, që mbeten përgjithmonë, dhe si të tilla duhet të jenë të përsosura.
Këtë renditje të rëndësisë së fjalës, e kemi të përmbysur.

Kryevepra e idiotllëkut tonë grafologjik me rreth 150 fjalë gërmë për gërmë gabim të gjitha gabim është e gdhendur mbi një pllakë spjeguese tek Ura e Tabakëve.

Ja çfarë, mbi atë urë, analfabeti ka gdhendur, burokratët kanë aprovuar, redaktorët heshtin, historianët s’bëzajnë, kalimtarët lexojnë;
“Ura e Tabakëve është një monument kulture”
Sa keq që ajo urë nuk qënka 3 apo 7 apo 9, por vetëm 1 monument kulture.
“i ndërtuar në Tiranë”

Ku ndodhet një urë në Tiranë dhe është ndërtuar në Kumanovë, ose është ndërtuar në Laskovik dhe ndodhet në Prizren ?
“në shekulln e XVII – XVIII-të”.
Asnjë ndërtim mbi planetin tonë nuk ka zgjatur me shekuj. Ura e Tabakëve e paska thyer këtë rekord.
“Ura ka një lartësi rreth 7.5 metra”.
Shkruesi gdhë ka përtuar ta masi lartësinë e urës me metër, e ka matur me sy dhe thotë “rreth”.
“Ura e Tabakëve e mori këtë emër për shkak të pozitës së veçantë të esnafit të Tabakëve…”.
Po. Sepse në shekullin e XVII në Tiranë s’ka pasur komunista që t’i vinin urës emrin e ndonjë atentatori vrasës.
“Ajo ka një strukturë të gurtë të formuar me dy harqe dhe e shtruar me kalldrëm”.
Ura e gurtë me strukturë të gurtë, shtazëri deskriptive e padëgjuar.
“Ura dallon për strukturën e saj harmonike si dhe për shpërndarjen proporcionale të elementëve të saj”
Llapaqenëria e fjalëve drejtuar atyre që urën e kanë para syve, të lë pa mënt.
“Ura përbëhet nga një hark kryesor mbi të cilin ngrihet ura në formë kurrizi”.
A mund të ketë gjë të gjallë, njeri që ecën, lopë që ha bar, gomar që pëllet, gjarpër që zvarritet, zog që fluturon, të mos shohi se dy harqet e kësaj ure nuk ulen në formë barku por ngrihen në formë kurrizi ?
“Ky hark e ka hapësirën e dritës 2.5 metra dhe është ndërtuar me dy rreshta harqesh anësor me trashësi 1 metër. Lartësia nga niveli i ujit ishte 3.5 metra”

Hollësira arkitektonike dhe konstatime evidente deri në lodhje, që nuk i interesojnë askujt.
“Kalldrëmi i urës me gjërësi 2.5 metra, është ndërtuar me gurë lumi të vendosur pa ndonjë rregull”.
Nuk ka gjallesë me çrregullim mendor aq të madh sa të përfytyrojë ndonjë kalldrëm me gurë lumi të vendosur “me ndonjë rregull”.
“Në të dy anët e harkut kryesor janë ndërtuar dy harqe në formë segmentesh rrethor me hapësirë të vogël”.
Tjetër spjegim lodhës për njerëz që urën e vjetër duan thjesht ta kqyrin dhe jo të vrasin mendjen për harqe, rrathë, segmente, hapësira, proporcione.
Ky tekst i skëterrshëm nuk duket si i shkruar për atë që ndodhet pranë urës dhe po lexon pllakën, por për njerëz që ndodhen larg urës, brazilianë, australianë, eskimo, fukarenj që Urën e Tabakëve nuk kanë asnjë shpresë ta shohin nga afër.
Ky tekst i pështirë që ndodhet i gdhendur në pllakën pranë Urës së Tabakëve, mund të gjindet i përsëritur edhe në Internet në disa site. Ku, si të mos mjaftonte idiotlleku i tekstit të pllakës, të tjerë shkarrashkruesa trutharë e trushpëlarë e kanë “pasuruar” budallallëkun grafologjik duke i shtuar edhe një paragraf gjithaq katastrofik;

“Ura e Tabakëve e luajti funksionin e saj për kalimin nga një breg i Lanës në tjetrin deri nga vitet ‘30. Më pas Lana mori drejtim tjetër”.
Urat e gurit dridhen, vibrojnë, madje edhe kullojnë, madje edhe qajnë, por nuk “luajnë”. Sipas budallait që ka bërë këtë tekst Ura e Tabakëve mbi Lanë mund të shërbente edhe për kalimin nga një breg i Lanës në tjetrin breg të Vjosës. Në cilin vit Lana mori drejtim tjetër mor injorant dembel që edhe nuk di edhe nuk pyet ? Lana mund të ndërroj shtratin vetvetiu. Por që kjo të ndodhi, Lanës i duhen shekuj. Lana nuk mori drejtim tjetër. Shtratin e Lanës në atë kohë e ndryshuan arkitektët dhe urbanistët italianë gjatë sistemim-ndërtimit të asaj që është sot, dhe gjithmonë do të jetë, Qendra e Tiranës.
Dhe pyesin të habitur pse të rinjtë u largohen leximeve.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top