Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dheLirive të Njeriut, duke komentuar taksën prej 100% ndaj prodhimeve që importohen nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, thotë se masa ishte e nevojshme për mbrojtjen e prodhuesve vendorë. Ndërsa, ultimatumin e Federika Mogherinit, KMDLNJ e ka konsideruar si të pamoralshëm.
“Ultimatumi jo normal i Federika Mogherinit, si promotore e ndërhyrjes së Serbisë në punët ekskluzivisht të brendshme të Kosovës është veprim i pamoralshëm, nga pozita e të fortit dhe në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut, si vlera themelore të demokracisë e të cilat në përfundim të mandatit të saj i shkel brutalisht”.
Sipas KMDLNJ-së Kosova nuk duhet t’i nënshtrohen këtij Ultimatumi të pamoralshëm por duhet të shkojnë përtej këtyre masave ndaj Serbisë duke e zbatuar reciprocitetin 100%.
KMDLNJ po ashtu ka kërkuar edhe pezullimin e bisedimeve.
“Institucionet e Kosovës duhet t’i pezullojnë bisedimet në afat të pacaktuar derisa Kosova të trajtohet nga BE në bazë të atyre standardeve me të cilat po trajtohet Serbia dhe vendet e rajonit. Kosova, nga BE dhe disa burokrat të saj nuk po trajtohet si duhet por po keqtrajtohet në kundërshtim me të drejtat elementare të njeriut”, thuhet në fund të njoftimit të shpërndarë nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.