Uli Forte: urime për pranimin e FFK-së në UEFA

Sot në Cyrih u zhvillua finalja e turneut tradicional të FC BlueStar FIFA Youth Cup, në të cilën turne, të rinjtë e GC Zürich dolën me meritë fitues, duke e mundur në finale ekipin anglez West Ham United me rezultatin përfundimtar 2:0. Në prag të finales, për portalin tonë biseduam me Uli Forte, ish-trajnerin e GC dhe Young Boys Bern.

Uli Forte, kaloi një kohë që jeni larguar nga BSC Young Boys. Si e keni shfrytëzuar këtë periudhë të pushimit, ta themi të padëshirueshëm?

Uli Forte: Faleminderit për pyetjen. Momentalisht jam duke qëndruar te US Sassuolo Calcio në Itali, duke e përcjellur punën e mrekullueshme të shtabit teknik dhe të klubit, ndërsa gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar kam qëndruar te Pep Guardiola, me ekipën e parë të Bayern München. Si trajner e ke për detyrë të shtosh angazhimin, të ndiqni rrjedhat në futbollin evropian dhe të jesh i motivuar për ofertat që pritet të vijnë.

A ju pëlqeu kualiteti i turneut të këtij viti dhe si e shihni zhvillimin e futbollit në Zvicër?

Kualiteti ishte i nivelit jashtëzakonisht të lartë, sikurse edhe gjatë viteve të mëparshme. Me përjashtim të klubit kinez Guangzhou Evergrande, i cili ishte për herë të parë mysafir në një turne të tillë, dhe i cili për nga kualiteti la shumë për të dëshiruar, të gjitha ekipet tjera lanë një mbresë jashtëzakonisht pozitive.

Si e pritët lajmin e pranimit të Federatës së Futbollit të Kosovës në UEFA?

Së pari dëshiroj t’ju shprehë urime të gjithë shqiptarëve, e mëpastaj edhe FFK-së në veçanti, sepse pas pavarësisë së shtetit, çështja e pranimit në UEFA ka zgjatur një kohë shumë të gjatë. Megjithatë, duke e njohur shumë mirë angazhimin e rinisë shqiptare në Zvicër, besoj që edhe ata që ndodhen në Kosovë do të marrin shembull se si duhet punuar për të arritur rezultate kulminante. Unë kam dëgjuar që atyre ju mungon infrastruktura përkatëse. Si qytetarë, e keni për detyrë të angazhoheni që qeveria juaj të ofrojë hapësirë dhe infrastrukturë të përshtatshme, përndryshe gëzimi mund të kthehet shumë shpejt në hidhërim.

Xhaka, Shaqiri dhe të tjerët, na bashkojnë apo na ndajnë. Si i shihni marrëdhënjet Zvicër – Kosovë në të ardhmen dhe a duhet të gjejmë një formulë efikase të bashkpunimit?

Është shumë e vështirë të jeshë në lëkurën e Shaqirit, Xhakës dhe të tjerëve. Shpresoj që FFK-ja do ta marrë për bazë këtë fakt dhe do të angazhohet për marrëdhënje sa më miqësore me Federatën e Futbollit në Zvicër. Duhet ta dimë se këta djem i kanë mbrojtur ngjyrat e Zvicrës dhe nuk do të ishte e mirë që të bëhen mollë sherri mes dy federatave tona. Kosova ka shumë talente të futbollit, disa prej të cilëve sot po i shohim edhe në turneun që po zhvillohet këtu.

Ju faleminderit, Uli Forte

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top