SHKRUAN: GANI MEHMETAJ
Qëndrimi i Vladan Gjorgjeviqit, sikurse thotë Mustafa Kruja nuk është vetëm “shpifje e poshtër prej halabaku serb” është më shumë, është një platformë e zhdukjes sistematike të shqiptarëve, është udhëzues për brezat e serbëve që ta kenë vath në vesh.
Është vështirë të gjesh në një libër aq shumë shpifje, insinuata, kurdisje e urrejtje të sëmur si në librin “ Shqiptarët dhe fuqitë e mëdha” të shkruar në fillim të shekullit të kaluar. Është edhe më vështirë të kuptosh shkallën e tillë të urrejtës patologjike sikurse atë të V. Gjorgjeviqit. Librat si ky duhet të vlerësohen raciste që nxisin urrejtje e udhëzon për gjenocid, mirëpo atëbotë diplomacia serbe dhe propaganda e tyre jo vetëm nuk e fshehën, por e përkthyen në shumë gjuhë botërore.
Para Vladan Gjorgjeviqit mbase edhe krimineli Milosheviq do të stepej. Sikur ta lexonin udhëzimin e tij, do të zgurdullonin sytë edhe ideologët e gjenocidit pansllavistë në Rusi. Është Vladan Gjergjeviqi ai që i ka frymëzuar serbët të bëjnë krime në Kosovë e në territoret etnike shqiptare, është ky “shkencëtar’ ai i cili e nxjerrë në shesh platformën serbe për zhdukjen e shqiptarëve, në mënyrë që t’ua merr territoret, sepse thotë ai, Serbia ka nevojë për dalje në det, ndërsa shqiptarët kanë det me bollëk. Ata nuk ia kanë nevojën shtetit prandaj as nuk dinë ta bëjnë, këlthet ai në kulm të tërbimit kundër shqiptarëve.
Ky ish-kryeministër pastaj përpiqet të arsyetoj para qarqeve diplomatike evropiane pse duhet të zhduken shqiptarët nga faqja e dheut, pse serbët duhet ta kryejnë këtë “mision të shenjtë” sa më shpejt dhe më mënyrë sa më të përbindshme. Zhdukja e shqiptarëve është gjëja me e shenjtë për Serbinë, dhe për qytetërimin evropian, çirret ai në kupë të qiellit. Harron, ose përpiqet ta lë në heshtje që nuk është as populli i tij në shkallë më të lartë të qytetërimit, përkundrazi. Por ata u çliruan nga zgjedha turke disa dhjetëvjetëshe më herët, e patën mbështetjen e madhe të aleatëve të fuqishëm në armatim dhe në zhvillimin ekonomik, kurse shqiptarët nuk ditën të bëjnë aleatë. Por edhe sikur të ishin fshatarët serbë më të qytetëruar se sa shqiptarët, kjo nuk u jep të drejtë të zhdukin të tjerët, sikurse përpiqet të arsyetoj ky përbindësh i propagandës serbe.
Përgjumja e shqiptarëve
Meqë përgjumja e shqiptarëve zgjati më shumë se sa përgjumja e të gjithë popujve të Gadishullit Ilirik, fqinjët vendosën t’i zhdukin dhe t’ua marrin territoret. Dhe këtë gjë në pjesën më të madhe e bënë: Serbia, Greqia, po edhe Bullgaria e Mali i Zi okupuan territoret shqiptare, zhduken pjesë të madhe të shqiptarëve në ato territore dhe u zgjeruan në mënyrë të përbindshme në kurrizin tonë. Dy të tretat e territoreve shqiptare mbetën nën pushtimin e huaj. Turqia në tërheqje e sipër jo vetëm nuk i ndihmoi shqiptarët, por ua fali tokat shqiptare serbëve e grekëve, ndërsa i dogji dhe i masakroi shqiptarët në tërheqje e sipër, në mënyrë që t’ua lehtësonte serbëve e grekëve pushtimin e Shqipërisë. Prandaj Gjorgjeviqi shkruan: “Turqit janë më të mirë se sa shqiptarët” (faqe 107).
Duke e lexuar librin “Shqiptarët dhe fuqitë e mëdha” të Vladan Gjorgjeviqit, botuar në shqip me 1928 në Zarë, përkthyer nga ish kryeministri shqiptar Mustafa Kruja nuk të le pa frymë shkalla e dhunës e vrasjeve të cilën përpiqet ta arsyetoj ky oligark serb para fuqive të mëdha, sa të habitë fakti që këtë udhëzim për zhdukej e shqiptarëve e kanë ndjekur më përkushtim serbët, pavarësisht shkallës së hierarkisë shtetërore apo nivelit intelektualë. Luftërat ballkanike të cilat e gjymtuan Shqipërinë dhe e përgjysmuan popullin shqiptar, ishin vetëm uvertura e vrasjeve të mëvonshme edhe më të mynxyrshme. Gjenocidin dhe urrejtjen ndaj shqiptarëve e kanë yshtur e kultivuar si oficerët serb, pushtetarë e nëpunës, ashtu edhe pjesa më e madhe e intelektualëve: shkrimtarë, piktorë, artistë, gazetarë e publicistë, të cilët shkumëzonin në periudha të caktuara të histerisë kolektive antishqiptare. Dhe kjo formë e histerisë kolektive ka filluara shumë më herët, është përshkallëzuar në faza të caktuara, kur makineria vrastare serbe ishte në përparësi apo ishte jashtë fokusit të bashkësisë ndërkombëtare. Kjo urrejtje vazhdon të kultivohet edhe sot e kësaj dite nga shteti serb, nga kisha e tyre, nga intelektualët dhe nga shkrimtarët.
Urrejtja e Gjorgjeviqit “shkencëtar” ndaj shqiptarëve është e njëjtë sikurse urrejtja e Gjorgjeviqit sundimtarë Ai e kërkon lejen e bashkësisë ndërkombëtare jo vetëm për dalje në det, por edhe për vrasjen kolektive të shqiptarëve, këtyre “lekurekuqëve të Evropës”, sikurse i quan ai, sepse sipas tij janë barbarë, të egër. Është “shkencëtari” i parë që i cilëson pa fije skrupulli njerëz me bisht, duke e cituar shpifësin tjetër, konsullin rus Jastrebovin në Prizren.
Në përpjekjen që t’i fyej e ti denigroj sa më shumë shqiptarët, ai citon autorë të ndryshëm tekstet e të cilëve i përmbys, i falsifikon, i citon pjesërisht apo gënjen fund e krye. Të skandalizon shkalla e falsifikimeve dhe e shpifjeve kundër shqiptarëve edhe përmes falsifikimit të autorëve të huaj, ashtu sikurse të le pa frymë mendja e çoroditur e këtij ish-kryeministri të një vendi fshatar, ku kultivimi i derrave dhe prodhimi i kumbullave e rakisë ishte burimi kryesor i të ardhurave. Prandaj një zyrtar francez i asaj kohe shqetësohet se si do t’i kthejë borxhet Serbia, meqë Franca e Rusia i dhanë kredi për armatim, kur ata pos derrave e kumbullave s’kanë asgjë tjetër.
Libri i Gjorgjeviqit, sikurse thotë Mustafa Kruja nuk është vetëm “shpifje e poshtër prej halabaku serb” është më shumë, është një platformë e zhdukjes sistematike të shqiptarëve, është udhëzues për brezat e serbëve që ta kenë vath në vesh.
Sikur të tregoheshim të mençur qysh në atë kohë kjo platformë do të duhej të na mobilizonte, të na bënte të vetëdijshëm për organizimin tonë, për kundërvënien e duhur ndaj tyre. Madje mu për këtë arsye M. Kruja e përkthen librin, sepse sikurse thotë në parathënie duhet të dimë çka mendojnë serbët dhe fqinjët për neve. Por duket se nuk mjaftuan as platformat antishqiptare, as gjenocidi kundër nesh, sepse historia po na përsëritët në mënyrë të dhimbshme, ndërsa ne në vend të luftojmë armikun e vrasim kundërshtarin politik të kombit tonë.
Urrejtja e serbit kundër veriut shqiptar
Ish-kryeministri serb akuzon Austro-Hungarinë (që e bëri Shqipërinë) pse i mbështet shqiptarët. Prandaj ai baltos shqiptarët, në veçanti baltos shqiptarët katolik, për shkakun e të cilëve u bë shteti shqiptar. Meqë shpreson se do ta kthejë vëmendjen e diplomacisë evropiane, ai pjesën më të madhe të librit ia kushton përpjekjeve për denigrimin e veriut, duke i paraqitur fiset katolike të Malësisë sa më errët. Është e habitshme se kjo urrejtje ndaj shqiptarëve katolik është bartur edhe të partizanët e Miladinit, të cilët e nxitën luftën civile duke bërë gjenocid ndaj shqiptarëve të veriut dhe duke e shpartalluar Kishën Katolike Shqiptare.
Me gjithë këto mynxyra ne vështirë këndellemi e mobilizohemi. Madje as platformat e shfarosjes, nuk na bëjnë bashkë, ne vazhdojmë të jemi e keqja e vetës.
Shpifjet kundër shqiptarëve vazhdojnë edhe në ndarjet dialektore, edhe në ndarjet fetare, pro edhe në mënyrën e të jetuarit e të punuarit. Ai nuk flet për zhvillimin e qytetit, ai nuk flet për personalitetet shqiptare, ai përpiqet ta shtrembëroj traditën e kulturën shqiptare, ai përpiqet të zhvlerësoj çdo gjë tonën.
Gjorgjeviqi ka qene nje vazhdues i politkes shoveniste serbe te filluar nga Garashanini dhe Akademia e shkencave te Serbise.Mjerimi me i madh eshte se si shqiptaret jane rene pre e ketyre mashtrimeve dhe po vazhdojne edhe sot ?!