U JAPIM PËRGJIGJE TË VËRTETAVE TË MËDHA HISTORIKE

Dosja e komunistëve të ditëve tona.

– Ringjallja e shpirtrave të vdekur, ose rikthimi i mashtrimeve dhe falsifikimeve të historisë.

– Skllevërit dhe komunistët nuk kanë vetdijen për të kuptuar krimin dhe diskriminimin.

– Si iknin me bisht ndër shalë ballistët e Ruzhdi Bajramit!

– Në se thua atë që dëshëron, duhet të dëgjosh edhe atë që nuk dëshëron.

Nga Enver LEPENICA

“Vërtet që ka përbindsha, por ata janë shumë pak për të menduar se prej tyre vjen rreziku. Rreziku i vërtetë janë ata të cilët ne i mendojmë si njerës normal”.

Primo Levi, i mbijetuari i Holokaustit

Si vlonjat nuk mund veçse të ndihem i lumtur për angazhimin e gjith atyre që përpiqen t`i japin zë ngjarjeve historike, që janë lënë në heshtje; historisë së fshatrave dhe atyre burrave që i frymëzuan dhe i udhëhoqën bashkfshatarët për liri dhe përparim.

Me këtë ndjenjë mora dhe lexova librin e Ruzhdi Bajramit “Bolena në optikë vitesh”, botuar këtë vit në Vlorë.

Kapitulli i Luftës së Dytë Botërore, dhe kapitulli rënia e sistemit socialist, tek të cilët do të ndalem në këtë shkrim është shkruar mbi bazën e kujtimeve të Enver Hoxhës dhe bandës tij kriminale Byrosë Politike, kështu që ndieva zhgënjim, për falsifikimet e fakteve historike.

Mashtrimet e tij kanë marrë edhe bekimin e disa profesorëve, natyrisht, besoj unë, pa e lexuar fare librin!?

Mbetet gjithashtu e pa kuptueshme se si Ruzhdi Bajrami ka pranuar si recezent Albert Abazin një njeri që është ngatërruar keq me ata që iknin me bisht ndër shalë, bile ky është thelluar në “krime” më shumë se të tjerët duke shkruar e botuar libra për Hysni Lepenicën dhe Musa Koshenën, komandantë të Ballit Kombëtar!

Me këto shtrembërime autori përdhos kujtimin e të parëve të tij, kulturën, shpirtin dhe identitetin e atij fshati patriot, por më e keqja, ai shtrëmbëron të vërtetin historike duke u mohuar të vërtetën brezave të ardhshëm. Para kësaj situate nuk duhet të heshtim.

Është gjë e mirë kur merr në dorë libra historie, por është krim kur merr mashtrimin dhe falsifikimin e historisë dhe përbuzjen e racës tënde për të vetmën arsye se ata mendonin ndryshe.

Mësimet që vijnë nga historia na tregojnë se vendi ndreqet me falje dhe dashuri, po ku duan të dijnë avokatët e djallit nga mësimet e historisë. Ata janë mbrujtur me mësimet e shokut Enver, të Shefqet Peçit, të bariut analfabet Luftar Bolena e të tjerë të kësaj bande kriminale.

Historian çek Milan Hub, thotë se: “Hapi i parë në likujdimin e një populli është fshirja e kujtesës së tij. Shkatërrimi i librave, kulturës, historisë. Pastaj dikush duhet të shkruaj libra të rinj … të sajojë një histori të re”.

A nuk vepruan kështu kriminelët komunist? A nuk po vazhdojnë kështu mbeturiat komuniste duke shkruar se ballistët iknin me bisht ndër shalë, se komunizmi dështoi se lufta e klasave qënka bërë me vend e pa vend!?

Enver Hoxha dogji të gjitha librat para tij por edhe librat e kohës së tij kur zbuloheshin “armiq të popullit”, kështu vazhdon edhe Ruzhdi Bajrami duke mohuar librat e shkruar në liri.

Komunistët shqiptarë ecën në udhën e kriminelëve më famkeq të historisë si rasti i Perandorit të parë kines Qin Shi Huang, i cili në vitin 210, para Krishtit, dogji librat. Ai dogji edhe njerës të gjallë. Këtë trashgimi tragjike e përsëriti Mao Ce Duni. Hitleri në vitin 1933, ndryshe nga paraardhësit dogji një botë të tërë, ndërsa Enver Hoxha, ktheu në skllevër tre milion shqiptarë, duke u marrë edhe pulat nga koteci pa çka se për pulat akuzonte Ballin Kombëtar.

*     *     *

Ky shkrim që merr shkak nga një libër, nuk bëhet për atë libër dhe as për autorin e tij, por në kërkim të së vërtetës, për fenomenin e ditëve tona kur avokatët e krimeve të diktaturës komuniste janë kthyer në një fenomen kombëtar.

 

Çdo ditë përballemi me fenomenin e mashtrimit dhe falsifikimit të historisë, haptazi në kundërshtim me rezolutën e Këshilli i Europës nr.1481 e vitit 2006 „Për domozdoshmërinë e dënimit ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste“ dhe rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë nr.11, datë 30 tetor 2006, miratuar me vota unanime si dhe shumë ligje dhe vendime qeverie.

Debatet për këtë problem janë të shumta. Një grup vazhdojnë të ushqehen me veprat e kriminelëve komunist dhe shkruajnë “histori” mbi bazën e kujtimeve të këtyre kriminelëve si rasti Ruzhdi Bajramit.

Në shkrimet tona, për këto probleme, nisemi nga filozofi shquar Karl Poper i cili mendonte se fitorja në një debat, s`është asgjë, ndërsa sqarimi sado i vogël qoftë edhe i një problemi të vetëm është një sukses i madh.

Në këtë shkrim unë dua të hedh poshtë idetë kriminale se “lufta e klasava qenka bërë me vend dhe pa vend” dhe të sqaroj se lufta e klasave ishte tragjedia më e madhe e këtij populli, se ballistët ishin shqiptar dhe jo njerëz me bisht, ashtu siç kanë propoganduar ideologët serbë dhe komunistët shqiptar dhe disa skllevër të ditëve tona.

E di se Ruzhdi Bajrami sipas mësimeve të Partisë do më shpallë mua ballisto-zogist, pra “armik populli”, por qëllimi im nuk është të mbroj veten, por ndryshimin e mentaliteteve dhe gjykimeve mbi historinë, veçanërisht për Ballin Kombëtar.

Për këtë arsye shkruhet ky artikull. “Në se doni të bëni armiq, përpiquni të ndryshoni diçka”, ka thënë ai burri i Madh Uidro Ullson që shpëtoi Shqipërinë në vitin 1920.

Kërcënimi për të shuar debatin në liri dhe për të kthyer muret dhe telat me gjemba është rikthim në kohën e zezë të diktaturës komuniste.

*       *       *

Si vlonjat do t`i thoja Ruzhdi Bajramit të mos mërzitet nga shkrimi im se: Në se thua atë që dëshëron duhet të dëgjosh edhe atë që nuk dëshëron.

Komunistët s`lënë gjë pa i vënë bisht.

Për bishtin ka shumë histori… Bishti është organ i kafshëve. Njerëzit janë privuar nga ky organ miljarda vjet më parë, por serbët me anë të Dr.Vladan Gjorgjeviqit, 95 vjet më parë bënë një „zbulim“ sensacional: ka shqiptar me bisht! Intelektualët shqiptar si Mustafa Kruja iu përgjegjën me shprehjen: „Shpifje e poshtër prej halabakëve serb“.

Kaluan shumë kohë dhe ndërsa bota e kishte harruar këtë shpifje të ndyrë, në vitin 1941 na vjen në Shqipëri një serb tjetër Dushan Mugosha i cili ”zbuloi” se ballisto-zogistët i kishte parë vetë se iknin me bisht ndër shalë, pra ishin njerëz me bisht dhe kështu komunistët shqiptarë trashëguan nga etërit e tyre serb këtë „zbulim“ dhe nuk iu ndanë ballisto-zogistëve gjatë afro 50 vjetëve të sundimit të tyre.

Serbët duhet të „zbulonin“ bishtin e shqiptarëve në përfundim të Luftës Parë Botërore kur Fuqitë e Mëdha do të vendosnin fatin e Shqipërisë, komunistët e „zbuluan“ bishtin e shqiptarëve falë serbit të pa shpirt të rracës sonë, Dushan Mugoshës gjatë Luftës Dytë Botërore me qëllim që të sundonin Shqipërinë.

Gjatë luftës 1939 – 1944, komunistët e ngritën në një shkallë më të lartë „autoritetin“ dhe rëndësinë e bishtit. Ata sipas mësimeve të Dushan Mugoshës i bënë gjysmit e shqipatëve me bisht. Në udhën e etërve, Ruzhdi Bajrami nga Bolena me librin e tij vjen ta vërtetojë se ka njerëz që iknin me bisht ndër shaëlë!

2. Bishti kometës dhe komunistët.

Astriti dhe Kujtimi më tregonin se kur ishin në „shkollën e riedukimit“ në Spaç, gazeta „Zëri i Popullit“, shkruante për kometën Hallej me një bisht të gjatë që rezikonte të godiste tokën.

–       Xhelal Bej, i thanë një të moshuari të burgosur, Kometa ka një bisht të gjatë dhe rrezikohet të godas tokën.

–       Nga e morët vesh këtë lajm?, i pyeti ai.

–       E lexuam tek “Zeri i Popullit”, i thamë ne.

–       Budallej, na u përgjegj ai, po lënë gjë këta pa i vënë bisht!

Kjo histori mu kujtua ndërsa po lexoja librin e Ruzhdi Bajramit ”Bolena në optikë vitesh”, sepse edhe Ruzhdiu, ashtu si etërit na i bën ballistët me bisht.

3. Bishti i gjeneral Halim Xhelo Dukatit.

Një nga komunistët më të egër të Vlorës, ose sinonimi i komunistit, Halim Xhelua nga Dukati ka shkruar edhe ky për punën e bishtit: ”Sot në mëngjes, më 3 janar 1943, mora një letër nga Skënder Muçua, i cili më fton për tu takuar tek Axhem Imeri. Rreth orës 12 u takuam tek arat e Çeloalie. Ai më foli se: ”Rruga që kemi filluar ne komunistët është rrugë pa krye, se kjo rrugë mund të shpjerë në katastrofë popullin shqiptar dhe se kështu neve komunistët do të rrezikojmë indipedencën e Shqipërisë. Zoti avokat më tha gjithashtu se ”familja juaj njihet si familje nacionaliste dhe pa njolla”, bile arriti deri atje sa që të më propozojë që ”po të vete me Ballin Kombëtar më rezervohet një vend shumë i mirë në organet drejtuese”. Avokati iku me bisht në shalë duke më kërcënuar:

– Do të pendohesh po do të jetë vonë!

Dhe unë iu përgjegja:

– Koha do të tregojë se kush do të pendohet unë apo ti zoti Avokat. (Shih: Halim Xhelo ”86O ditë lufte”, Tiranë 1960, f. 20)

Skënder Muçua ra dëshmor i atdheut, ndërsa Halim Xhelua u arrestua më 16 shkurt 1966 dhe shokët e tij komunistë e mbytën në burg, pra ai lau me lëkurën e tij një pjesë të krimeve të kryera si oficer e hetues i lartë i Sigurmit të Shtetit. Është e lehtë të kuptohet se kujt i dha të drejtë koha.

4. Bishti kalit dhe Ruzhdi Bajrami.

Tipat si Ruzhdiu paraqiten para shoqërisë si burra përparimtarë se në shkrimet e tyre janë objektiv dhe kundër diktaturës komuniste, por si puna e bishtit të kalit: Një herë organet e kalit diskutonin se kush ishte më trimi.

-Unë, tha bishti i kalit.

-Po pse ti?, e pyetën atë, ti je vendosur dhe në një vend të keq.

– Më keni parë mua tha bishti si e godas kalin një herë majtas dhe një herë djathtas.

– Po i thanë atij por… kur do kali dhe si do kali.

Kështu si bishti kalit e godet komunizmin edhe Ruzhdi Bajrami me shokë.

Të shkuara të harruara do të thotë dikush, por jo, se edhe në ditët e sotme na dalin ca Ruzhdi dhe si Nikollaj Gogoli kërkojnë të ringjallin shpirtrat e vdekur komunist, pra rikthejnë para shqiptarëve historinë e bishtit. Mirpo këtu na del një pyetje llogjike: Kur ua ka parë bishtin ballistëve Ruzhdi Bajrami me shokë?

Mashtrim, tingëllon në veshët e shqiptarëve, mashtrim tipik serb.

5. Alergjia nga mbiemri Lepenica

Ruzhdi Bajrami nervozohet kur dëgjon toponimin Lepenica si mbiemër timin. Dikur, në një kafe, m`u drejtua mua i revoltuar: “Nuk të takon mbiemri Lepenica!” Dhe më urdhëroi që të mos shkruaja dhe të mos botoja më me këtë mbiemër.

Ç`keqe i vinte Ruzhdi Bajramit nga mbiemri im? Përse kishte atë shqetësim dhe urrejtje?

E kuptova shqetësimin e tij pasi lexova librin “Bolena në optik vitesh”. Aty autori njësoj si serbët i nxierr ballistët njerëz me bisht dhe i bën jehonë luftës së klasave ose siç thonë në Bolenë luftës së glasave!

Athere e kuptova se mbiemri Lepenica i kujtonte atij ata ballistët e qelbur që trembeshin e iknin me bisht ndër shalë para komunistëve trima si Ruzhdi Bajrami, i kujtonte atë ballistin e madh Hysni Lepenica, por i kujtonte edhe atë fshatin ballist Lepenica dhe natyrisht Ruzhdiu i edukuar me mësimet e Partisë duhet ti godiste fort “armiqt e popullit”.

Përgjigjen për mbiemrin Lepenica ia kam kthyer herët celulës komuniste të Bolenës dhe nuk po harxhoj kohë me Ruzhdi Bajramin. (Gazeta “55”, dt. 28.1.2001)

Me këtë rast i kërkoj ndjesë Ruzhdi Bajramit që edhe këtë artikull e nënshkruaj: Enver Lepenica.

6.  Si iknin me bish ndër shalë ballistët e Ruzhdi Bajramit!?

Prof. Matteo Mandala, Universiteti Palermos Itali na thotë se “Një popull ka të drejtën e patjetërsueshme ta njohë historinë e vet”, por jo mashtrimet dhe propogandën e komunistëve.

Të mëkuar me ushqimin e egër e helmues propogandistik komunist, Ruzhdi Bajrami, me shokë kanë mbetur skllevër dhe s`mund veçse të bëjnë ”armiqt e klasës” me bisht, pa e kuptuar se ky ”historian” ka ndëshkuar veten.

Janë përcaktime të turpshme ato se ç`far shkruan për Ballin Kombëtar: “Ishin kundër komunistëve dhe konferencës së Pezës… morën pjesë në krime ndaj popullit… Me urën e zjarrit në dorë bënë krime… Xhemil Meço me suitën e tij të agallarëve mbriti dhe në Bolenë… Nacionalistët me Xhemil Meçon e kompani ikën me bisht ndër shalë”, f. 186-187.

Në një libër të tij Ruzhdi Bajrami më ka përmënduar edhe mua Enver Memishaj, por ka harruar të më vërë bisht! (“Halil Leli”, Monografi). Pra shoku Ruzhdi dhe Ruzhditë e ditëve tona, nuk bëjnë gjë tjetër veçse kopjojnë kujtimet e shokut Enver dhe shokut Dushan Mugosha për Ballin Kombëtar.

Konkluzionet për njerëz me bisht s`mund të jenë veçse reminishenca të kohës së Dushan Mugoshës dhe Shefqet Peçit. Pa na tregur ndonjë ballist me bisht nga Bolena na hidhet si lepur në Mesaplik e zbulon se Xhemil Meçua paska bisht!?

Tjetër gjë thot Idajet Jahaj nga Mesapliku për Xhemil Meçon, në veprën madhore të tij. Ai thotë se Xhemil Meçua ishte një atdhetar i madh se me pasurinë e tij ngriti shkollën në vendlindjen e tij në Mesaplik, nje tregëtar i zoti, një bamirës i nderuar, se gjatë luftës ishte një ndër udhëheqësit e Ballit Kombëtar, por pa asnjë faj apo bashkëpunim me armikun dhe të gjith pasurinë e tij që i kishte mbetur e harxhoi për luftën. (Idajet Jahaj “Mesapliku”, Vlorë 2010, f. 359)

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top