Tue kujtue Xhafer Devën

SHKRUEN: KUJTIM ZEHRI

Disa karakteristika të personalitetit të tij

Nganjiherë asht edhe kërshërija qi i shtyn njerzit me i njoftë e takue ata qi janë të jashtzakonshëm. Ndër tjera, edhe kjo asht nji arsye qi t’shtyn me njoftë e bashkëpunue me autoritetet në za si Xhafer Devën, burrin e shtetit shqiptar etnik, sa t‘adminruem e të drejtë, aq edhe populluer; sa edhe të rrebtë e të vendosun; sa pris, aq edhe populluer; sa lakonik zyrtarisht, aq edhe parabolik kur u shtronte bisedimi për rrafshi me ata qi kishin dishirë me e ndigjue; sa biblik, aq edhe modern; sa i thjeshtë, aq edhe i thellë; sa patriot, aq edhe ndërkombëtar e sa bujar, aq edhe kursimtar.

Thom “t’admiruem e të drejtë” sepse mbasi ta njifshe nga afër, të tërhiqte vetvetiu me ndigjue me vemendje kah e sillte lehtas bisedimin në thelbin e çashtjevet jetike shqiptare kosovare, thueja gjithherë tue lanë me kuptue nji vuejtje e ndrydhje shpirtnore të tijën, e cila domosdo duhej nda me të: gjuhën e nanës të mohume, mënia e përbuzje e shamje se ishim tjetërkush e kishim e kemi tjetër gjuhë e besim e shpresë e sjellje e mendje e bindje; bereqetin e marrun katundarëve, taksat e stërtepruem qytetarëve, reformën agrare për shpronësimin dhe dhanjen e tokave të pronarëve shqiptarë kolonistave serbo-malazez, të dhetat e bejlerëve, marrjen me përdhunë n’ushtri, kolonizimin, shpërnguljet e “muhaxhirllekun”, dhunimet e plaçkitjet ligjë e pa ligjë, vrasjet e vllavrasjet e nxitura nga pushtuesit, zgjedhjet farsë e shoqnue me kërcënime, dajak e burgosje, vrasje të mëshefta e të hapta aty e deri në parlamentin monarkist, arratisjet e ndjekjet e persekutimet e popullsisë së pafajshme, mbylljen e të gjitha shtiqeve për përparim, e mandej fanatizmin tonë arkaik e paditunin frymëmarrëse shpirtdërmuese qi e shoqnonte dhe e mbulonte me tis të zi kët skllavërim të hatashëm. Secilën prej këtyne pikave e tjera si këto, Xhafer Deva i binte me shembuj rrënqethës, me datë e me emër, me vend të ngjarjes, me shkak e përfundim t’atypëratyshëm e rrjedhim të përgjithshëm. Thueja se asnji ngjarje nuk e rrëfen të thatë e të paprime ose të pandjekun me ndonji hymje prralle ose parabole. Ky ishte bari e takti i tij për ta ba ndigjuesin për vete. Këtë urtësi bindëse e kishte fitue si nga jeta familjare patriarkale dhe veçanarisht e prindërvet qi i adhuronte, ashtu edhe nga jeta e gjatë peripatetike studenteske e burrnore e poashtu nga virtyti për ta ndigjue me shumë vemendje bashkbiseduesin, nga takimet, udhtimet dhe leximet.

Tue e ndigjue bisedimin e tij, të bahej sikur ta kishte ble mendimin tand e ishte tue folë ti e jo ai, sidomos po të kishte përjetue edhe vet ndonji nga ngjarjet a pikat qi rrifeshin.

Shtoju këtyne cilësive edhe njohunin e plotë të shumë gjuhëve, të cilat i flitte edhe i shkruante, Xhafer Deva, jo vetëm ishte në gjëndje ta bindte bashkatdhetarin e madje edhe kundërshtarin, por edhe të huejt miq, asnjanës e çka asht ma me randësi, edhe anmiq, të cilët janë të prirun mos me na ndigjue e me na përbuzë.

“Të drejtë”, e pse jo edhe “të dashtun”, sepse ai deshi me forcë të madhe e pa kurrfarë hilje ate qi deshën e duen shumica e shqiptarëve e veçanarisht e shqiptarëve të robnuem përtej kufijve të cunguem. Ata në Devën panë folësin e pishtarin e tyre. Deva u-përpoq me shumë matuni me shkue mbas gjurmëve të një sinteze kombëtare të predikueme nga ripërtrisit e atdheut tonë a rilindasit si asht ba zakon me u thanë. Disa prej tyne Deva i ka njoftë personalisht dhe i nderonte për përpjekjet e tynë e vetmohimin shembullor. Ndër rrethana jashtzakonisht të vështira Deva u-mundue me u-ba zbatuesi i perpjekjeve dhe shpresave të tyne të rimëkambjes së kombit, sepse edhe ai, tamam si rilindas nuk mund t’i pranonte n’asnji mënyrë vendimet e matrapazlleqet e fuqive të mëdha për të kënaqë fqijt e pangishëm me jetën e tokat e kombit tonë. Kët parim ai e ndoq me kthjelltësi e bindje tue ngulmue n’ate qi ai e quente ‘besa e dhanun vetit para çdokuj tjetër’.

“Të gjithve mund t’u hikish, por jo vetes; bile edhe hijes sate mund t’i hikish tue u-futë në nji hije ma të madhe se tanden, por ndërgjes e besës s’ke kah ia mba. Ajo të mundon deri në vorr e ndoshta e paguen edhe mbrapa vorrit”, thoshte ai në përmbylljen e arsyetimit të këtij parimi shqiptar. Prandaj ai jetonte pa kthesa e mëdyshje e anime dhe pranonte haptasi të shumtën e herëve ose me heshtje ose me durim robi të gjitha rrjjedhimet e veprimtaris së tij.

“T’urrejtun e të dashtun“, sepse ata qi u-përqafuen me anmiqt e kombit tonë kur ky komb pati nji rast me u-përblue nëpër njifarë vezullimi lirije për nji shans lirije të plotë, nuk mundshin me pasë tjetër për të veç urrejtjes e drojes, të cilat ishin inxheksjonue ndër ta po nga anmiku n’emër t’opiumit utopik të vllaznimit ndërkombëtare të kohës së luftës së dytë botnore. Ata u-njipërnjisuem jo ni, por dy herë me pushtuesit e rij tue e shartue jetën e kombin e ndamë n’ate të të huejve. Këtë gja Deva as nuk e pritte, as nuk mund ta duronte nga shqiptarët dhe prandaj ai luftoi vendosmënisht e haptas si ma i miri antikomunist. Përsa u përket nacionalistëve emigrant kundërshtarë, ata, tue pasë qenë të ndihmuem prej tij në Shqipni, ashtu edhe në mërgim, thueja se nuk e kanë zanë në gojë aq sa mund të kishin dishrue, ndoshta nga frika e nji përplasjeje me të vërtetën historike. Këtu ban përjashtim vetëm editori i “Diellit”, i ndiemi Qerim Panariti, i cili, kur emigroi Deva në Shtetet e Bashkueme t’Amerikës në tetuer të 1956-ës, përvodh nga gazetat komuniste të kohës së luftës dhe vuell vner kundër tij sa me i shkue mendja lexuesit se ai ishte kryetari i gjyqit të Nurimbergut.

“T’urtë” në kuptimin e fjalës shqipe qi përmbledh llogjikën e shprehun qetas dhe të dokumentueme, aftësin e ndigjimit të pikave të bashkëbiseduesit dhe të drejtën e rendit të fjalës së tij. Deva neveritej sa nga retorizmi shurdhues parafrazues i egos mendemadhe t’atyne qi u ka rrëshqitë dërrasa patriotike në hurdhat e ujnave rrëmbyese dhe rrijnë tue namë e sha sa landë e pyllit aq edhe ujin, e aq ma tepër nga zogjt bishtshkundsa e ferracakë pseudopatriot. Megjithate ai e kishte parim mos me i sulmue n’asnji mënyrë ata qi kanë dalë jashtë atdheut si nacionalista. Këtë vendim ai e kishte marrë jo nga frika, por nga urtija.

“Të rrebtë e të vëndosun” sepse e kishte kurajon civile me marrë përsipër personalisht vendime e ndërmarrje të skajshme për derisa ia thonte ndërgjegja e ia pritte mendja se ishte në të drejtën e çashtjes kombëtare. Këto vendime ai zbatonte kategorikisht tue shikue drejt përpara, i bindun se po vepronte simbas besës qi i kishte dhanë vetit qysh në momentin kur më 1941, mbas daljes nga burgu i Mitrovicës, vendosi të ndërhynte për të shmangë hakmarrjet arbitrare personale dhe për të zhdavaritë në Kosovë kaosin qi la shpartallimi i Jugosllavisë monarkiste. Deva e provoi rrebtësin e tij edhe me njerzit qi i shërbejshin kur dënoi nji vullnetarë prizrenjan në Shadërvanin e Prizrenit sepse ai kishte vra nji serb pa e paditë, pa gjygj e pa paralajmrim dhe në kokë të vet për hakmarrje. “Duhej me domos t’epej shembull drejtësije shtetnore, përndryshe na do të kishim ra në nji gjendje ma të keqe se çetnikët”, e arsyetonte këtë vendim të zbatuem.

“Pris” e bani guximi, vetëdija, nevoja e përngutshme, çastet kritike kombëtare dhe nji moment humanitar qi asht zor me e besue sidomos kundërshtarët. Me shkatrrimin e Jugosllavisë monarkiste, anarkija, mllefi, frika, terrori i çetnikëve, hakmarrjet, grabitjet dhe nga pala shqiptare, shpërnguljet e kolonistave serbomalazez me nguti ose kambëngulja e tyne për qindrim, rikapja e pronavet të humbuna me reformën agrare, rasti për aventura e nam të ri për t’iu-përshtatë nji politike të re ishin rendi i ditës. Shumë kosovarë e shqiptarë tjerë të Jugosllavis skllavëruese niseshin për të marrë vesht në vendin e sherbimit ushtarak të djelmave e farefisit të tyne ose drejtoheshin kah burgjet ku ata ishin, por mbarojshin nën bajonetat e trojkave çetnike. Ma shumë se çashtja e luftës me Gjermani, për shqiptarët e robnuem, në këto momente frika e masakrave, rendi publik dhe rikthimi në qetsi sa mund ta lejonte lufta, ishin shpresat e shumicës tue përfshi edhe serbët vendas. Në të vertetë kanë qenë serbët e Mitrovicës vendas e nënpunës qi i zu lufta aty, të cilët, porsa Xhafer Deva duel nga burgu ku e kishin futë ditën e dytë qi shpërtheu lufta, qi i u-lutën dhe në njifarë mënyre i u-përgjujzuen për t’i dorëzue kryesinë e bashkisë së Mitrovicës për të mujtë kështu me i shpëtue, me u- ba si njifarë ndërmjetsi me ta, me shqiptarë e me gjermanë dhe për të pengue euforin e hakmarrjeve. Kjo kërkesë qi i paraprini asaj të shqiptarëve të Mitrovicës n’ato momente terrori e frike të gjithanshme përkoi plotësisht me at besën e dhanun vetvetes dhe Xhafer Deva hyni për të parë herë nga jeta profesionale e tregtare në jetën politike.

Prej atij momenti ai, natën ose ditën, të shumtën e herës vetëm ose i shoqnuem me nji a dy njerëz ngitte me automobilin e tij gjithku shkrepte trazimi ose vazhdonte kaosi jo vetëm në rrethet e Mitrovicës, por anë e kand Kosovës; e kur ma vonë e pru puna qi të bante pjesë në qeverinë e Shqipnisë, edhe nëpër të katër qoshet e atdheut nanë. Hapat zyrtar të përcjellun me shkresa burokratike kur nevojitej me i prekë çashtjet me dorë, nuk kishin kurrfarë kuptime për te. Diqysh ai nuk donte me e pranue idenë e prisisë ose t’udhëheqsisë nga karrika: atij i dukej sikur po don me u-mëshefë mbas saj e nën shkresa, të cilat sidomos në kohë të luftës, bijnë në dorë të kujdohit. Ai donte t’ishte, edhe të shumtën e herës ishte aty ku ndodhshin ngjarjet. Ai ishte zemra, forca motorike dhe shpresa e atyne qi i besojshin dhe qi e ndiqshin. Kështu në vjetin 1943 ate mund ta gjejshe në Berat, Tomorricë, në Vlonë, në Dibër, në Shkodër e gjetiu përveç Tiranës; kurse më 1944 në çdo front lufte të Kosovës: në Kollashin, në Gjilan, në Preshevë në Podujevë, në Prizren, Prishtinë, Dragash, Pejë, Gjakovë, Junik e kudo qi sulmojshin partizanët. Dhe për derisa levizi kështu mbi nji kamion të hapur, në ball të karroceris, ku vojti me pak vullnetarë e me pak ose edhe pa asnji gjerman, zmbrapi frontin. E ritheksoj se, në qoftë se ndonjiherë 4 a 5 vetë ose nji togë gjermanësh ndodhej në front me të, ata kurr nuk i kanë pri Devës, por janë përzie me vullnetarët e tij qi rrajshin në potere të zjarmit. Për vullnetarët ai ishte fuqija bashkuese magnetike, kurse për anmikun bomba shpërthyese dinamike. Ishte fuqi magnetike sepse masa e madhe popullore, sidomos ajo fashatare e ndiqte me besim të pathyeshëm e vetmohim tradicional shqiptar. Kjo thanje mos të duket e teprueme, sepse kanë qenë në shumicë katundarët ata qi kanë pësue masakrat dhe burgimet ma të hatashme mbas mbarimit të luftës. Dhe ka qenë ky besim i anasjellshëm ndërmjet Devës e katundarëve qi ia ka përforcue Devës bindjen e qindresës dhe me pri deri në fund. Deri në fund sepse fundi erdhi atëherë kur brigadat e Shqipnisë u ranë Prizrenit, Dragashit, Gjakovës, Junikut e Pejës mbas shpine për të plotësue premtimin e dorëzimit të Kosovës me vendet tjera etnike babës së tyne, Marshallit Tito. Ky sulm, sado i pritun por i pabesueshëm, shkaktoi hjekjen dorë nga gjakderdhja e kotë. Udhëheqësit e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, kryetari i së cilës në këto momente kritike ishte vetë Xhafer Deva, pjesërisht u-shtërnguen të largoheshin dhe me këte qindresa e organizueme në masë mori fund përsa i përket pjesës jugore të Kosovës. Megjithate Deva mbeti përsëri pris i masave kosovare dhe shpresa e tyne në vend e në mërgim derisa dha shpirt.

“Lakonik” sepse nuk i pëlqente me e stërgjatë çashtjen ose me i u-përsjellë çashtjes me shmangëje qi shpeshherë të çojnë në nji temë tjetër dhe nuk i lidhin krye bisedës. As arsyetimet e flashkëta teorike e, si u-tha ma nalt, as burokracin zyrtare s’i kishte për zemër; megjithate, kur e lejonte momenti e koha, ai ishte në gjendje me i bindë të tjerët për thezën e rastit si pakkush ndër shqiptarët. Ma së tepërmi ai kishte zët ndërhymjen në bisedë dhe humbjen e fillit të saj. Në këso rasash ai heshte krejtësisht dhe nganjiherë kur s’i durohej ma, e folësi e kishte shprazë thesin me të papërçapmet e veta, ai e përfundonte kuvendin me ndonji përrallë të tipit të Nastradinit ose t’ Ezopit.

“Biblik” sepse n’argumentat e tij dinte se ku me i përdorue e përshtatë me vend e kohë të shkruemet e Kuranit e t’Ungjillit tue mos lanë jashtë as pjesët profetike.

“Modern” kur ia lypte rasa e nevoja sidomos me të huej, sepse shkollimin teknik e kishte shartue me nji kuptim praktik tregtar dhe me nji pragmatizëm filozofik amerikan pa e përjashtue n’asnji mënyrë nevojën absolute humanitare e kombëtare tonën. Këte përvetsim e dhuratë natyrore polifonike e zbatoi edhe në vetë jetën e tij si mërgimtar kur shpesh u-gjet në rasa të vështira e kriza ekonomike: ndërsa ai punonte n’Universitetin e Stamfordit të Kalifornis si llogaritar me kompjuterat modern, kur e lypte nevoja e lente punën pa marrë parasysh rrezikun e humbjes së saj dhe ngitte në nji thirrje për çashtjet tona kombëtare, ase edhe për t’i ardhë në ndihmë e dalë përpara e mprojtë ndonji emigrant qi ndeshte në trazim.

“I thjeshtë” e mund të shtohet edhe “i përvujtë” në sjellje e veshje e zyrë e me kedo në shtëpi e shoqni e kudo. Kjo thjeshtësi dukej qartë sidomos me katundarët e malsorët tanë në nji mënyrë aq tërheqëse sa me të dhanë përshtypje se edhe ai vetë ishte katundar i thjeshtë e me rrajë ose ndonji filiz prisi a plaku tradicional populluer malsuer qi s’kishte pasë tjetër veç shkollës së përvojës s’arsyetimit të shtruem të kuvendit kanunuer. Ndoshta kjo vinte sepse ai ishte aq i shkolluem me jetë e i edukuem sa të kuptonte se me folë me njerzit e thjeshtë në gjuhën qi ata nuk e kuptojnë, donte me thanë qartë “me shitë mend” ose “me folë me vehte”, me folë në nji gjuhë qi tjetri nuk e kupton dhe rrjedhimisht me tregue përbuzje e mospërfillje dhe poshtrim. Përgjegjet e urta dhe mostrat e ngjarjevet dhe të bisedimeve me njerëzit e thjeshtë i shfrytzonte mrekullisht edhe në bashkfjalimet me intelektualët shqiptarë e të huej. Kjo i epte nji larmeni e hijeshi mahnitse argumentave të tij, gja qi të huejt e pëlqejshin dhe e çmojshin aq shum, sa nuk dojshin me u n-da prej tij. Së këndejmi dilte në pah mbrumja e virtyteve të lashta arbnore me at intelektualen e fitueme ndër shkolla, lexime e marrëdhanje me botën e qytetnueme dhe prandaj theksoj se thellësija e zgjanimi i rranjëve të tija vazhdimisht ushqeheshin nga nji humus shqiptar i përziem, i plleshëm dhe i pashterrshëm i përvojës njerzore. Këto e bajshin me qenë edhe “i thellë” në vështrimin filozofik të fjalës.

“Patriot” sepse tue i pasë të gjitha të mirat, mundësin e zotësiin për të ba nji jetesë të “rehatshme” e fitimpruse për ta pasë lakmi, dhe shansin për ta shumfishue at pasuni simbas rasës ma mirë se çdo tjetër shqiptar, ai braktisi çdo gja tjetër për nji ideal e parim kombëtar, të cilin e përvetoi dhe e besoi me ngulmim jo për qellime vehtiake, por për dalzotjen e ndihmën e atyne qi kurkush nuk i mprojti, as organizoi, as i udhëhoqi, as i këshilloi, as u dha shembullin vetmohues si Xhafer Deva. Në të vërtetë, i vetmi pendim i tij, mbas zhgënjimit të fuqive prendimore dhe të përpjekjeve të tija për bashkim t’emigracionit shqiptar ishte se pse ai nuk qindroi në vend si vullnetarët e tij t’orës së parë për të mbarue si ata në fushën e nderit. Ky pendim i shkaktuem nga masakrat e komunistave shqiptaro-serbo-malazezo-maqedonas mbi popullin shqiptar t’atyne anave dhe nga deshtimi i riorganizimit dhe ribashkimit t’emigracionit të ri i ishte ngulë si thikë në zemër dhe e mundonte furishëm herë si nji sëmundje kronike e pasherueshme dhe herë si nji akt i shpejtuem në besimin antikomunist botnuer e veçanarisht prendimuer. Dishprimi i tij në këso rasash i përziem me nji lloj vetëdije të humbjes dhe të fjalës së dhanun vetes sidomos në kohën e fundit të jetës së tij e bante ndigjuesin me i u-dhimtë. Dhe ishte mu kjo vuejtje shpirtnore e tipit klasik të burrave të përkushtuem çashtjes e idealit atdhetar qi e shpejtuen për kah gryka e vorrit.

Atributi “ndërkombëtar” i mveshun këtu sipri Xhafer Devës duket si kundërthanje jo vetëm në kuptimin qi ka fjala ndër komunista, por edhe ndër nacionalista. Ai përkundrazi ishte “ndërkombëtar” jo në kuptimin e ngushtë partiak ase thjeshtë nacionalist a shovenist për hir të sedrës kombëtare, por në kuptimin human e demokratik të fjalës. I rritun, edukuem e sprovuem në marrëdhanje me njerëz të kombësive të ndryshme, ai nderonte fenë, kombin, kulturën e traditat e sejcilit dhe spikatte haptas si virtytet ashtu edhe të metat e tyne tue përfshi në to edhe tonat. Theksi i tij binte ma fort në vlerat, të mrrijtmet dhe botkuptimet përparimtare të tyne se sa në të metat. Ai, tue ba krahasime kryqëzuese, e niente nevojën e ndërveprimit ndërkomëtar në frymën rindërtuese shpirtnore e materiale degasperiane e kenediane. Ai i vlersonte aktet heroike të lashta e moderne të të huejve me nderim të posaçëm. Kurr nuk e lëshonte gojet nji episod prekës kur gjatë luftës së dytë botnore u vranë nga Çetnikët katër gjerman në një lagje të kryeqytetit Kragujevac të Serbis. Komandanti gjerman i qytetit i paska shkue në zyrë kryetarit të bashkis dhe i paska vu përpara disa letra të bardha për të ba listat e 400 serbëve qi simbas ligjit për zonat e pushtueme duheshin pushkatue pa tjetër. Kryetari, pa ba asnji fjalë, paska shkrue emrin e tij të parin dhe ja paska kthye komandantit letrat me këto fjalë: ”Listën e fillova simbas urdhnit tand, ti plotsoje vetë”. Nuk dihet si ka përfundue fati këtij serbi guximtar, por komandanti ka shkue drejt në gjimnazin e qytetit me njerzit e vet dhe ka pushkatue 400 nxanës e profesora në vend për hakmarrje. “Nuk do mend, -shtonte Deva- se lufta frontale klasike me kësi akti barbar të papërpjestim kishte marrë fund, por kryetari i bashkis së Kragujevacit i kishte shtue trimnis serbe nji hyll të ri”.

“Bujar” sepse nuk kursente gja as për nevojtarët as për shoqni, as për çashtjen e shqiptare nuk i mbet gja mbas shpirti në mërgimin e gjatë veç shtëpije modeste në Palo Alto të Kalifornis në saje të së shoqes intelektuale nikoqire, Zojës Osvalda. Nëse dikush i lypte nji ndihmë materiale dhe ai nuk mund t’i përballonte, i ndiemi Deva e bante zemrën gur dhe lypte dikujt uha për t’i pre konop atij që ishte ngusht. Ai, si ndante me qejf mendimet e hallet me të tjerët, po ashtu ndante me ta kafshatën e gojës.

“Kursimtar” sepse bante nji jetë tepër të thjeshtë: i dhimse me shpenzue për vete përtej nevojës së domosdoshme qoftë edhe nji qintar; ishte i përkorët n’ushqim sa me i shkue mendja tjetrit se mos ishte koprrac ose i sëmundë, sadoqi shëndeti i tij ishte në rregull; kursente dhe shtinte në punë edhe sendet qi zakonisht të tjerët mund t’i hudhshin ase i hudhshin; automobili i tij mbas 20 vjetësh përdorimi e ma tepër dukej si njivjecar; kur e lypte puna diku, kurr nuk e kqyrte as bante ‘oh!’ se sa i kushton; në thirrje e grishje e gëzime e idhnime e dhanje peshqeshesh shkonte me duer plot, përvujtni e evari sa me ia kalue çdo dorëlëshueti a havadari shqiptar ase të huej dhe nuk donte me ia përmendë at punë askush. Parimi i tij në kët pikë ishte: ”Paraja asht me pre konop e me zbardhë faqen e njerëzve e krijue gëzim e ba nderë në kët jetë sepse nuk do ta marrim me vete n’at jetë”.

“Edhe Bajram Curri – thonte – ka mujtë me u-ba i pasun nga rrethanat, por i ka pëlqye me nda me tjerët dhe ka vdekë i vorfën: çka ka marrë e ka nda me miq e fukara. Na (familja e tij) kemi qenë të pasun, un kam shtue diçka n’at pasuni me mundë e punë, po ku shkoi sa qindroi? – dhe përgjegjej vetë – : as jeta jonë. Atëhere pse me e kursye përveç ditës së ngushtë?” E rikujtonte me andje e buzëqeshje salikimin e fundit të pasanikut Howard Huse dhe fjalën biblike qi shqiptoi prifti salikues n’at rast: “Ke le pa gja (pare) në ket jetë e asgja nuk merr me vete”.

Xhafer Deva nuk ka dashtë as lajka, as lavdrime, as shkrime; megjithate ai ka hy në historinë tonë kombëtare e veçanarisht kosovare moderne si tipik i pamposhtun e i pakompromis antikomunist. Për katundarët e tokavet të robnume ai mbetet idhull dhe për brezat e ardhshëm kosovarë nji legjendë misterioze nëse historija tregohet cinike si deri tash me te.

Vetëm shqyrtimi shkencuer i paanshëm i korrespondencës së tij i mbajtun shum në rregull do ta nxjerri në shesh figurën e vërtetë patriotike të këtij biri të palodhshëm e të përkushtuem tanësisht çashtjes sonë etnike.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top