SHKRUAR NGA PAULIN ZEFI
“Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe Beteja e Drinit (23.07.1448) “.
Triumfi kundër Republikës Veneciane.
*Mobilizimi i përgjithshëm ushtarak që shpallën autoritetet veneciane në territorin e kontrolluar prej tyre, loja e tyre e shumëfishtë dhe humbja e durimit nga ana e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, për të cilin intrigat veneciane ishin bërë të padurueshme, solli si produkt përballjen midis tyre në fushë të hapur, në betejën e Drinit, më 23 korrik 1448, e cila shënon kulmin e Luftës Shqiptaro-Veneciane(1447-1448).
Në fillim të muajit korrik, ngjarjet morën një kthesë pozitive për Republikën Veneciane, sepse ushtria e despotit serb, Gjergj Brankoviç, pësoi një humbje të rëndë përballë trupave veneciane, duke i dhënë mundësinë që e gjithë vëmendja të përqëndrohej vetëm në drejtim të Kryetarit të Lidhjes së Lezhës. Ushtria veneciane, duke u mbështetur në epërsinë e saj numerike, kishte planifikuar që të asgjësonte ushtrinë arbëre pranë mureve të Danjës, sepse parashikonte të realizonte një sulm nga dy drejtime të ndryshme: a)-forcat kryesore të nisura nga Shkodra do t’i godisnin nga shpina dhe b)-garnizoni i kështjellës së Danjës do t’i kundërsulmonte ballëpërballë. Objektivi kryesor i venecianëve konsistonte në asgjësimin e bërthamës së ushtrisë arbëre të komanduar nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe më pas sulmi i tyre do të vijonte pa ndërprerje deri në largimin ose asgjësimin e plotë të forcave kundërshtare që kishin ngritur rrethimin e Danjës, por i gjithë ky plan i mirëmenduar i venecianëve do të përfundonte në një disfatë të madhe për ta! I lajmëruar nga komandanti i kufirit lindor, Vrana Konti, në lidhje me vërshimin e ushtrive osmane nga Maqedonia në drejtim të Arbërisë, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu vendosi që fillimisht të ndeshet me ushtrinë veneciane, në mënyrë që të siguronte frontin perëndimor përpara se të ballafaqohej me trupat osmane në Dibër. Ai marshoi drejt kryeqendrës së Arbërisë Veneciane, qytetit të Shkodrës, në krye të një ushtrie prej 10.000 vetash, por pa e hequr rrethimin nga qyteti dhe kështjella e Danjës, ku la një numër të konsiderueshëm trupash, rreth 4.000 veta, për të vazhduar bllokadën. Për ta ndihmuar në realizimin e kësaj sipërmarrje kaq jetike, Gjergj Arianiti i dërgoi 3.000 ushtarë, Teodor Korona Muzaka (I Riu) 600, Stefan Cernojeviçi 400, Andrea Topia 300 dhe princat e tjerë të gjithë së bashku 500 trupa(1).
E gjithë pjesa tjetër ishin ushtarë nga zotërimet e Gjergj Kastriotit-Skëndërbeu. Hyrja triumfale e trupave arbëre në zotërimet e Republikës Veneciane pranë qytetit të Shkodrës, gjeneroi një kryengritje të gjerë, ku morën pjesë kryesisht fshatarët bujkrobër të lidhur me proniarët venecianë. Burimet zyrtare veneciane përmendin vetëm fshatin e madh e të pasur të Baladrinit (Balldreni, Lezhë), i administruar nga venecianët, ku të gjithë banorët e aftë për të mbajtur armë u ishin bashkuar rradhëve të ushtrisë arbëre që në fillimet e para të luftës Shqiptaro-Veneciane. Por sipas autorëve bashkëkohës dhe nga burime të ndryshme dokumentare, rezulton se kjo kryengritje u shtri shumë shpejt deri në rrethinat e Ulqinit e Tivarit, ku turma të mëdha me njerëz u vërsulën si të tërbuar, duke u vënë zjarrin shtëpive të proniarëve dhe ashtu siç ishin, të armatosur keq, ata vrapuan për t’u bashkuar me Gjergj Kastriotin-Skënderbeu. Edhe pse e kishte ndarë ushtrinë e tij në dy pjesë, ai kaloi lumin Drin dhe marshoi drejt qytetit të Shkodrës në krye të trupave kalorsiake dhe me flamujt e hapur(2).
Sipas M. Barletit, kur banorët e Danjës panë se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu po largohej, ata kujtuan se shpëtuan nga rrethimi, sepse ushtarët e garnizonit të kështjellës bënin roje si me dembeli para portave, prania e ushtarëve mbi mure filloi të rrallohej dhe shpeshherë qytetarët i prisnin kundërshtarët përmes portave të hapura. Ata ishin të sigurtë se askush nuk mund të përballonte sulmin e ushtrisë së fuqishme veneciane dhe prandaj po prisnin lajmin e fitores së dëshiruar(3).
Beteja e Drinit nuk u zhvillua në vjeshtë, siç e jep M. Barleti, por në pikun e verës dhe në muajin korrik, siç e pohon G. Biemmi. Kjo vërtetohet edhe nga një akt i Senatit Venecian, që mban datën 29 korrik 1448, ku thuhet se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, sapo u njoftua për arritjen e ushtrive osmane, u largua menjëherë nga zotërimet veneciane dhe u nis për të mbrojtur shtetin e tij(4).
Lokaliteti ku u zhvillua beteja e Drinit, më 23 korrik 1448, ndodhet pranë fshatit të sotëm Vukatanë, në bregun verior të lumit Drin. (Drini i Shkodrës dhe jo shtrati i vjetër i njohur si Drini i Lezhës). Fshati fushor i Vukatanës ndodhet në një distancë të barazlarguar midis qytetit të Shkodrës dhe rrënojave të kështjellës së Danjës. Pikërisht pranë këtij vendi, në mëngjesin e datës 23 korrik 1448, Gjergj Kastriotin-Skënderbeu po e priste me ankth Guvernatori i Shkodrës, Daniel Juriç Sjebeniku, në krye të 15.000 ushtarëve, ku sipas burimeve arkivore veneciane, kjo ushtri përbëhej kryesisht nga mercenarë lokalë arbër të armatosur me heshta(5).
Ushtria veneciane përbëhej nga 1.000 italianë, 3.000 dalmatë dhe plot 11.000 arbër(6).
Daniel Juriçi e rreshtoi ushtrinë e tij në këtë mënyrë: në qendër ai vendosi fisnikët arbër Andrea Humoi dhe Simon Vulkatani, që komandonin trupa të përziera (kryesisht këmbësorë) dhe mbajtësit e flamujve(7).
Në krahun e majtë u vendos fisniku shkodran, Kolë Humoi, dhe në krye të trupave vendase, në krahun e djathtë qëndroi vetë Danieli, që komandonte një trupë elitare, kalorësi e rëndë, e cila përbëhej nga dalmatë (kroatë) dhe italianë(8).
Ushtria veneciane e kishte ndërtuar formacionin e luftimit, duke e ndarë në tre grupime të vendosura në dy skalione dhe në krahun e djathtë, të komanduar nga Daniel Juriçi, ai kishte mbajtur pranë vetes kalorësinë e rëndë, duke vendosur 2.400 veta në skalionin e parë dhe 1.100 në skalionin e dytë. Në grupimin e krahut të majtë, të komanduar nga shkodrani, Kolë Humoi, dhe në qendrën e udhëhequr nga vëllai i tij, Andrea Humoi, së bashku me fisnikun vendas, Simeon Vulkatani, në secilin nga këto dy grupime ishin vendosur nga 3.700 këmbësorë në skalionin e parë dhe nga 1.500 këmbësorë në skalionin e dytë. Ndërsa, në pjesën e përparme të formacionit luftarak qëndronin 1.100 këmbësorë të armatosur me heshta. Pra, në qendër u vendosën kryesisht këmbësorë, me një përbërje tepër heterogjene dhe me rradhë të çrregullta, të cilëve iu paraprinin 1.100 heshtëtarët që ishin i vetmi formacion kompakt dhe cilësor i këtij grupimi. Autori, G. Biemmi, shkruan se ushtria veneciane arrinte në 15.000 veta, që në pamje të parë ata dukeshin të shumtë në numër, por në fakt ishin pak të aftë, sepse kjo ushtri përbëhej nga 1.000 italianë e 2.500 sllavë (kroatë), kryesisht kalorës, të cilët formonin ajkën e saj dhe ndërsa pjesa e tjetër, që ishin 11.500 ushtarë (arbër nga zotërimet veneciane), përveç 800 luftëtarëve profesionistë nga qyteti i Shkodrës, e gjithë pjesa e mbetur pra, 10.700 veta, nuk kishin asnjë lloj përvoje nëpër fushëbeteja të hapura(9).
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e konsideronte të fituar këtë betejë që me shikimin e parë, edhe pse ai kishte një ushtri më të pakët në numër, 10.000 kundër 15.000. Duke analizuar me shumë vëmendje pozicionimin e trupave armike, ai e rreshtoi ushtrinë arbëre në këtë mënyrë: në krahun e majtë, përballë Daniel Juriçit, u vendos vetë në krye të Gardës Pretoriane, që përbëhej nga 2.000 kalorës profesionistë të mbështetur nga 1.000 këmbësorë dhe në krahun e djathtë të ushtrisë (përballë Kolë Humoi), u vendos Moisi Golemi, i cili qëndronte në krye të 3.000 vetave, 2.000 kalorës e 1.000 këmbësorë. Ndërsa në qendër (përballë Andrea Humoi dhe Simeon Vulkatanit) u vendos Tanush Topia, i cili komandonte 4.000 trupa të përzier: 2.000 kalorës së bashku me 2.000 heshtëtarë e harkëtarë. Në vijën e parë të sulmit dhe përpara kalorësve dhe heshtëtarëve, që ishin pozicionuar në qendër, nën komandën e Tanush Topisë, do të vepronin 1.000 harkëtarët profesionistë, të cilët do të ndiznin zjarrin e betejës, duke lëshuar një shi me shigjeta mbi kokat e luftëtarëve venecianë, menjëherë pas rënies së trumbetave të Gardës Pretoriane. Raporti i forcave ishte 1.5: 1 në favor të ushtrisë veneciane, e cila gëzonte një superioritet numerik mjaft të dukshëm ndaj ushtrisë arbëre. Por Gjergj Kastrioti-Skënderbeu kishte dy avantazhe në raport me kundërshtarin e tij, Daniel Juriçi, sepse përballë 3.500 trupave veneciane të kalorësisë së rëndë ndodheshin 6.000 luftëtarë arbër të kalorësisë së lehtë dhe nga ana tjetër, 11.500 trupat me kombësi arbëre, që formonin këmbësorinë e lehtë veneciane, nuk do t’i rezistonin dot shigjetave të harkëtarëve Skënderbegianë dhe aq me tepër luftimit trup me trup me këmbësorinë e rëndë të mbuluar me koraca metalike dhe të pajisur me heshta të gjata apo sulmit asgjësues të kalorësisë së lehtë, ku dominonin “2.000 ëngjëjt e vdekjes”, që bënin pjesë tek Garda Pretoriane! Gjithashtu, duhet nënvizuar fakti se pikërisht këtu, në betejën e Drinit, ushtria arbëre përdori për herë të parë këmbësorinë e rëndë të pajisur me armatura metalike dhe kjo dëshmonte fuqizimin ekonomik dhe ushtarak të Shtetit të Lidhjes së Lezhës. Rendimi luftarak i ushtrisë arbëre u konturua në një skalion me tre grupe kuadratike, ku secili prej tyre ishte ndërtuar me formë të shkallëzuar dhe me linja shumë të rregullta, duke nisur që nga vija e parë e sulmit e deri në pjesët fundore, ku ishin pozicionuar repartet e trupave rezervë. Duke u nisur nga rreshtimi i ushtarëve në formacion luftarak, si dhe nga zhvillimi i veprimeve luftarake, mund të gjykojmë se plani i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu ishte: të goditej armiku me grupimin e krahut të majtë, duke sulmuar midis kalorësisë së rëndë veneciane dhe grupimit të këmbësorisë së qendrës, me qëllim që të izolonte kalorësinë nga këmbësoria dhe që andej të depërtonte në krahë e në shpinë dhe ta asgjësonte ushtrinë veneciane pjesë-pjesë(10).
Kurse plani i Daniel Juriçit ishte, që, duke përqëndruar të gjithë kalorësinë e rëndë në krahun e djathtë, mendonte që me goditje frontale t’i shpartallonte forcat kryesore të ushtrisë arbëre dhe ta shpërndante atë(11).
Me ndihmën e këmbësorisë së rëndë, ai kishte parashikuar të thyente krahun e djathtë të palës kundërshtare. Posa të thyente përfundimisht qëndresën e ushtrisë arbëre, Daniel Juriçi, mendonte ta ndiqte atë, më pas ta rrethonte në bregun e Drinit dhe aty t’i detyronte luftëtarët arbër të zgjidhnin midis dorëzimit ose mbytjes në lumë(12).
Por në se ushtria kundërshtare do të mundej dhe do të kalonte lumin Drin, atëherë Daniel Juriçi do t’i ndiqte ushtarët arbër në drejtim të Danjës dhe këtu, në bashkëveprim me garnizonin venecian të kësaj kështjelle, do t’i vinte midis dy zjarreve, t’i asgjësonte ato dhe në fund të zhbllokonte qytetin e Danjës(13).
Sipas autorit, D. Radëshi, i cili bazohet kryesisht te M. Barleti, Beteja e Drinit u zhvillua në katër etapa.
Etapa e parë: Pykëzimi i kalorësisë arbëre midis këmbësorisë dhe kalorësisë veneciane dhe shkëputja e kësaj të fundit nga forcat e tjera. Luftimet më të përgjakshme u zhvilluan në krahun e djathtë.
Etapa e dytë: Shpartallimi i qendrës së ushtrisë veneciane.
Etapa e tretë: Shpartallimi i krahut të majtë të ushtrisë veneciane dhe thyerja përfundimtare e krahut të djathtë të tyre.
Etapa e katërt: Ndjekja e kundërshtarit të thyer deri rrëzë mureve të kështjellës Rozafa në qytetin e Shkodrës(14).
Humanisti, Dh. Frangu, na përcjell detajet e fillimit të kësaj beteje, ku sipas tij, sulmi i ushtrisë arbëre nis menjëherë sapo Gjergj Kastrioti-Skënderbeu “Thirri me zë të lartë: “Pas meje!” dhe marshoi para me gjithë ushtrinë për të arritur venedikasit(15).”
Sulmin e nisën në fillim heshtëtarët venecianë, që ishin të vendosur në rradhët e para, por ato u përballën me kundërpërgjigjen e menjëhershme të harkëtarëve arbër. Pasi sulmi i parë venecian u thye, ata ndërmorën një sulm të dytë, duke ngushtuar rrezen e goditjes së harkëtarëve arbër, të cilët i lanë harqet me shigjeta dhe rrëmbyen shpatat për t’u ndeshur trup më trup. Pikërisht në këto çaste, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u vërsul me kalorësit e pamposhtur të Gardës Pretoriane, duke e mbuluar fushën me trupat e vrarë të këmbësorëve armiq dhe me këtë manovër, iu dha mundësi harkëtarëve të vet që të tërhiqeshin pak prapa dhe t’i riktheheshin përdorimit të harqeve dhe shigjetave, për të mbuluar sulmin e tij kundër kalorësisë armike(16).
Kalorësia e rëndë italo-dalmate, edhe pse të pajisur me uniforma metalike, nuk mundën t’i bëjnë ballë sulmit të harkëtarëve arbër, të cilët e kishin errësuar qiellin me shigjeta, që lëshoheshin si shtrëngata shiu mbi kokat e tyre, për t’i krijuar hapësirë kalorësisë së lehtë arbëre që depërtuan rrufeshëm, duke prishur rradhët dhe dërrmuar krahun e djathtë të komanduar nga vetë Daniel Juriçi. Pavarësisht se heshtëtarët venecianë bënë një rezistencë mjaft të ashpër, Garda Pretoriane e çau këtë formacion këmbëngulës dhe u vërsul kundër grupimit të djathtë, duke realizuar rrethimin e kalorësisë së rëndë armike. Harkëtarët profesionistë arbër, të veshur me uniforma metalike, ku binin në sy parzmoret ose pancirat rrezatuese, u hodhën sërish në sulm, duke iu dhënë zemër të gjithë bashkëluftëtarëve dhe për këtë arsye u angazhuan edhe kalorësit dibranë, të komanduar nga Moisi Golemi. Arbërit kishin epërsi të theksuar ndaj kundërshtarit në sasinë dhe cilësinë e këmbësorisë së tyre, ndërsa venecianët kishin epërsi numerike të përgjithshme, veçanërisht në këmbësori(17).
Midis krahut të komanduar nga Moisiu dhe atij të Kolë Humoit, ku dibranët ishin të parët që u hodhën në sulm, nisi një luftë shumë e ashpër dhe me fuqi të barabarta, sepse luftëtarët arbër ndeshën në qëndresën kokëfortë të venecianëve. Ndërsa skuadronet e qendrës në njërën anë dhe ata nga ana tjetër, po vazhdonin të mbanin pozicionet fillestare dhe, ashtu të patrazuar, i kthenin sytë sa majtas-djathtas mbi supet e tyre, duke ndjekur në distancë rrjedhën zhvillimore të kësaj beteje(18).
Moisi Golemi, i gjendur në një situatë kritike, po përballej me shumë vështirësi me krahun e majtë të ushtrisë veneciane e, ndërsa qëndra e të dy ushtrive vazhdonte akoma të bënte sehir deri në momentin kur repartet e kalorësisë së lehtë arbëre iu vërsulën armikut, të frymëzuar nga manovrat e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu(19).
Pranë vendit ku ndodhej komandanti venecian, Daniel Juriçi, luftimet u zhvilluan për një kohë të gjatë deri në çastin kur, sipas M. Barletit, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu “duke ngarë kalin për atje bashkë me disa kalorës të pakët, u hodh në mes të ushtrisë armike dhe ia hoqi venedikasit shpresën e fitores nga duart, pasi shumë i la të plagosur e shumë i bëri t’ua mbathnin nga frika(20).”
Më në thellësi të sulmit, venecianët u grumbulluan me shpejtësi dhe mundën që të riorganizohen, duke e mbyllur rrugën e afrimit të trupave arbëre në drejtim të vendit ku po qëndronte komandanti, Daniel Juriçi, por edhe ky vendim nuk do t’u sillte ndonjë dobi, sepse tashmë venecianët e kishin humbur iniciativën. (21).
Grupimi i qendrës së ushtrisë arbëre, i komanduar nga Tanush Topia, duke vlerësuar gjendjen e rëndë në të cilën ndodhej armiku në krahun e djathtë dhe i frymëzuar nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, u lëshua me tërbim përballë, duke i çarë rradhët e trupave armike dhe pasi depërtoi matanë, filloi sulmet si nga krahët edhe në shpinë(22).
Këmbësoria veneciane, e tmerruar nga ky sulm i befasishëm i kalorësisë arbëre, edhe pse raportet e forcave ishin në favorin e tyre, 5.200 kundër 2.000, ata nuk mundën që t’i përballojnë goditjet dhe kaluan në krahun e djathtë pranë komandantit Daniel Juriçi, me qëllim për të mbrojtur veten e për t’i shpëtuar asgjësimit të plotë. Shpartallimi i armikut në qendër dhe rreziku për rrethim ngjalli panik e mosbesim në forcat e tjera veneciane(23).
Por situata e re që u krijua e vështirësoi gjëndjen në drejtim të grupimit ku komandonte Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe kjo bëri që raporti i forcave të ndryshojë në favor të venecianëve, sepse rradhët e shtuara pranë vendit ku qëndronte Daniel Juriçi, bënë që luftimet të zgjateshin në kohë. Pjesa e mbetur e grupimit venecian të qendrës u shpartallua gjatë procesit të tërheqjes nga fusha e betejës ose u dorëzuan, duke hedhur armët me shpresën se do të mbijetonin falë zemërgjerësisë së Gjergj Kastriotit-Skënderbeu. Sipas asaj që shkruan G. Biemmi, Tanush Topia e kishte vonuar sulmin, duke pritur momentin më të përshtatshëm, por edhe miratimin nga ana e nipit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, Ivan Cernojeviç (djali i Stefan Cernojeviçit) dhe fisnikut Pjetër Strazimiri (Pietro Strusimero), i cili ishte kapiteni i trupave ushtarake të dërguara nga princi Gjergj Arianiti(24).
Konfrontimi midis forcave ndërluftuese që komandonin Moisi Golemit dhe Kolë Humoi vazhdoi të ishte në nivele të barabarta dhe nga të dyja palët po derdhej shumë djersë dhe gjak, deri në çastin vendimtar, kur Tanush Topia arriti që ta shpartallojë plotësisht qendrën e ushtrisë armike, duke kapur shumë robër dhe sidomos dy komandantët shkodranë, Andrea Humoi dhe Simon Vulkatani(25).
Shpartallimi i qendrës së ushtrisë armike krijoi kushtet ideale për krahëmarrjen e grupimit të kalorësisë së rëndë, që komandonte Daniel Juriçi dhe të forcave të këmbësorisë, që ishin ngjeshur pranë tij. Dy gjeneralët e shquar arbër, që luftonin për Republikën Veneciane, të cilët u zunë robër nga Tanush Topia së bashku me një grusht ushtarësh besnikë, ata edhe mundet të kishin shpëtuar pa u kapur, por u vinte turp për t’u arratisur nga fusha e betejës, edhe pse u braktisën nga pjesa dërrmuese e këmbësorisë veneciane, që ia mbathën me të shpejtë në drejtim të Shkodrës. Bashkë me ta u kapën rob edhe një numër i konsiderueshëm funksionarësh të lartë të administratës shtetërore veneciane. Pikërisht rënia e komandantëve Andrea Humoi dhe Simon Vulkatani në duart e Tanush Topisë, i cili u hodhi prangat dhe i solli në kampin qëndror të ushtrisë arbëre me duart e lidhura pas shpine, përcaktoi edhe fatin e kësaj beteje. Duke vlerësuar situatën e vështirë në të cilën ndodhej qendra e shpartalluar e ushtrisë veneciane, që komandohej nga vëllai i tij, Andrea Humoi, Kolë Humoi braktisi frontin e vet dhe u drejtua me një pjesë të ushtrisë për t’i ardhur në ndihmë. Manovra e dëshpëruar për të shpëtuar të vëllain, Andrean, duke braktisur grupimin e vet në krahun e majtë për t’u vërsulur në drejtim të qendrës, ishte një veprim i ngutshëm emocional, që rezultoi një çlirim i plotë për Moisi Golemin dhe trupat e tij. Ky veprim luftarak, jo vetëm që nuk mund të ndikonte në rivendosjen e situatës në qendër, për arsye se bëhej me shumë vonesë dhe me forca të pamjaftueshme, por në të njëjtën kohë e dobësonte edhe grupimin e krahut të majtë të ushtrisë veneciane, ku rezistenca e saj ishte shumë e ashpër(26).
Kundërsulmi i Kolë Humoit në qendër, jo vetëm që nuk e stabilizoi situatën, por rezultoi një dështim i plotë, sepse trupat e komanduara nga Tanush Topia i shpartalluan forcat veneciane gjatë ecjes nëpër fushë, duke i përçarë dhe asgjësuar pjesë-pjesë. Këtë manovër të gabuar të kundërshtarit e shfrytëzoi me shumë mjeshtëri edhe Moisi Golemi, i cili deri në ato momente ishte krejt i pashpresë dhe në prag të thyerjes. Forcat arbëre të këtij grupimi, si rezultat i dendësimit të goditjeve të fuqishme të armikut dhe vijimësisë së tyre, kishin filluar të tregojnë shenja lodhjeje dhe ishin gati për t’u tërhequr nga fusha e betejës(27).
Vetëm pas ndërhyrjes energjike të Moisi Golemit, ato vijuan betejën dhe shumë shpejt u hodhën në kundërsulm. Ai u thirri dibranëve të vet me fjalët që na i përcjell M. Barleti: “Ç’është kjo plogështi, Burra? A ka ndodhur ndonjëherë që dibrani ta lërë i gjallë vendin që i kanë caktuar? Ku është ajo ushtri që shkatërroi fuqitë e Ali Pashës, që i vuri frerë kryelartësisë së Ferizit, që dërrmoi forcat e Mustafait dhe i mbushi shtëpitë epirote me plaçkë të barbarëve? Kështu po ja ktheni Dejën Skënderbeut(28)?!”
Kaq mjaftoi që dibranët e tërbuar nga ky qortim dhe nga fjalët prekëse të komandantit, të vërsulen kundër trupave armike, duke i detyruar ata që të merrnin arratinë për të shpëtuar kokën. Pra, si përfundim, edhe në krahun e djathtë të ushtrisë arbëre gjëndja ndryshoi, sepse këmbësoria armike filloi të çorganizohej, të thyhej e të tërhiqej dhe fusha e betejës në këtë krah u ngeli plotësisht luftëtarëve arbër(29).
Historiani ushtarak, D. Radëshi, gabon kur thotë se gjatë këtij kundërsulmi të fuqishëm që ndërmori krahu i djathtë i ushtrisë arbëre, venecianët thyhen keqas dhe “në përleshje e sipër zihet rob edhe komandanti i tyre, Kolë Humoja(30), sepse këtu ngatërron emrin e Kolës me të vëllain, Andrean…! Sidoqoftë, tashmë mbetej vetëm grupimi i komanduar nga Daniel Juriçi, që përbëhej nga kalorësia e rëndë dhe nga një numër shumë i madh këmbësorësh, të cilët e kishin braktisur qendrën për t’i mbijetuar sulmit shkatërrimtar të udhëhequr nga Tanush Topia. Trupat që kishte në dispozicion Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e kishin të pamundur që të ngushtonin darën e rrethimit kundër grupimit venecian, që ishin më të shumtë në numër, por menjëherë pas përforcimeve që u dërguan aty nga Tanush Topia, raporti i forcave për Kryezotin e Arbërisë u përmirësua ndjeshëm brenda një kohe të shkurtër. I gjendur në këto pozita, i rrethuar dhe i sulmuar nga të katër anët, Daniel Juriçi, i cili po qëndronte përballë kundërshtarit më tepër nga turpi se sa nga fuqia, kur e pa se trupat e veta të dërrmuara mezi po prisnin për t’u arratisur, nuk u mendua shumë gjatë por “i dha kalit dhe mori arratinë për të shpëtuar veten(31).”
Në këtë çast të shumëpritur, u vërsulën pothuajse të gjithë luftëtarët arbër, duke i goditur armiqtë e llahtarisur, që ishin shpërndarë nëpër fushë. Me urdhër të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, ata i ndoqën mbeturinat e ushtrisë veneciane deri në portat e qytetit të Shkodrës. Kalorësia e rëndë, së bashku me një pjesë të këmbësorisë veneciane, u tërhoqën dhe u mbyllën brenda në kështjellën e Shkodrës, por pjesa tjetër e këmbësorisë u shpërnda nëpër fushë, duke ikur në drejtime të ndryshme(32).
Ata që rezistuan u shkuan në shpatë dhe ndërsa pjesa më e madhe e trupave veneciane që mbetën pas në fushë duke hedhur armët, u kapën të gjallë, sepse Gjergj Kastrioti-Skënderbeu kishte dhënë urdhër që robërit të mos prekeshin me dorë(33).
Duke ndjekur forcat armike këmba-këmbës, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u mundua që, në rrëmujë e sipër, të futet edhe vetë brenda mureve të kështjellës së Shkodrës së bashku me arratiakët e tmerruar venecianë, por ky plan i tij nuk u realizua, sepse garnizoni i Rozafës i mbylli portat menjëherë sapo kalorësit e Gardës Pretoriane iu afruan mureve të kështjellës. Në mungesë të artilerisë së rëndë, Prijësi arbër nuk e mori mundimin për ta sulmuar kështjellën e Shkodrës, që asokohe ishte një qytet i fortifikuar me mure të forta dhe të pakapërcyeshme. Sipas autorit, A. Biancotti, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu nuk e kishte ndërmend të sulmonte Shkodrën, edhe pse frika për një sipërmarrje të tillë ishte përhapur gjerësisht në rradhët e qytetarëve të saj, por përkundrazi; ai “e respektoi” atë, sepse objektivi i tij kryesor ishte marrja e kështjellës dhe qytetit të Danjës(34).
Sidoqoftë, fitorja madhështore që korri kundër ushtrisë veneciane në Betejën e Drinit, ishte një goditje shumë e rëndë dhe rënie e shënuar prestigji për Republikën e Shën Markut. Të gjithë ushtarët venecianë të kapur si robër lufte u mblodhën pranë kështjellës së Shkodrës. Më pas, thotë H. Hodgkinson, ata u parakaluan jashtë mureve të qytetit, për të treguar natyrën e kundërshtarit, që Republika Veneciane e kishte marrë aq lehtë dhe ky ishte një gjest i mrekullueshëm, i denjë për një rracë që përbuz pakujdesinë morale dhe pretendon prejardhjen nga Pirro i Epirit dhe Aleksandri i Madh(35).
Parakalimi i kalorësve arbër nën muret e kështjellës Rozafa në qytetin e Shkodrës, duke u tallur me qytetarët shkodranë dhe duke u treguar robërit që u kishin zënë në betejën e Drinit, zgjati disa orë në pasditen e datës 23 korrik 1448. Shkodranët e tmerruar dhe të paaftë për të reaguar, vetëm heshtnin dhe vrojtonin nga muret e larta të kështjellës, por nuk guxonin që t’i ngacmonin fitimtarët që po talleshin me ta, nga frika se mos ata do të hakmerreshin, duke ekzekutuar robërit. Pas kësaj skene homerike, të denjë për Iliadën, me që po afronte edhe nata, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu urdhëroi tërheqjen dhe të gjithë ushtrinë e përqëndroi sërish pranë qytetit të Danjës. Sipas C. Simonit dhe G. Francione, komandanti venecian, Daniel Juriçi, la në fushën e betejës 2.500 të vrarë dhe 1.000 robër e ndërsa nga ushtria arbëre mbetën 400 të vrarë, më të shumtët nga krahu i djathtë, ku komandonte Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, sepse aty përleshja kishte qenë shumë e ashpër(36).
Por, në se i referohemi autorit, G. Biemmi, bilanci i humbjeve për ushtrinë e shpartalluar veneciane, në bazë të llogarive që kishte bërë komandanti, Daniel Juriçi, dy ditë pas zhvillimit të betejës (25. 07. 1448), ishte plot 2.170 të vrarë dhe ndërsa në lidhje me humbjet në njerëz që kishte pësuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, ekzistonin dy variante: 280 ose 360 veta(37).
Numri i ushtarëve venecianë të kapur rob ishte rreth 1.000 veta dhe sipas Dh. Frangut, komandantët Simon Vulkatani dhe Andrea Humoi, u mbajtën të burgosur nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në “njërën prej fortesave nga më të fortat e që mbante emrin Shkëmbi i Bardhë (Petralba në Mat). Simbas urdhërit të tij, ata u trajtuan fort mirë.(38)”.
Ndërsa pjesën tjetër pra, rreth 1.000 veta, ai i përdori për të demoralizuar qytetarët e Danjës, duke i ekspozuar pranë mureve të kështjellës së rrethuar, por duke qenë se as kjo manovër nuk e dha efektin e dëshiruar, atëherë urdhëroi që t’u hiqeshin prangat e robërisë dhe të gjithë këta burra të ktheheshin nëpër familjet e tyre pa paguar asnjë lloj çmimi. Komandanti i garnizonit të Danjës, Nikollë Moneta, nga qyteti i Shkodrës, kundërshtoi çdo kërkesë për dorëzimin e kështjellës dhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e vazhdoi bllokadën, sepse duke mos pasur artileri të rëndë, nuk i mbetej asnjë shpresë për ta marrë me ndonjë mjet apo mënyrë tjetër(39).
Por fitorja e shkëlqyer që arriti në betejën e Drinit kundër ushtrisë së fuqishme Republikës Veneciane, pati një jehonë shumë të madhe në Europën Perëndimore dhe si e tillë, e tejkaloi rëndësinë e çdo fitoreje të mëparshme që kishte korrur kundër Perandorisë Osmane. Kjo fitore pati edhe një efekt tjetër, sepse Dukagjinasit u pajtuan me Gjergj Kastriotin-Skënderbeu, së paku për një kohë të shkurtër dhe prandaj pozita e luftëtarit arbër u bë shumë më e fortë(40).
Lufta Shqiptaro-Veneciane dhe lufta që zhvilloi Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në dy fronte në vitet 1447-1448, i dha një famë të pakufishme, sepse ai kishte arritur të përballonte me shumë sukses dhe të fitonte kundër dy fuqive më të mëdha të kohës, Perandorisë Osmane dhe Republikës Veneciane(41),: e para, e pathyeshme në tokë dhe e dyta, mbretëreshë e deteve. Prandaj me siguri mund të themi se Republika e Përndritur ose “La Serenissima” krenare u mbulua me turp gjatë përballjes me Arbërinë e lirë ose Shtetin e Lidhjes së Lezhës, që deri asokohe e kishte trajtuar si një produkt politiko-ushtarak të vetin. Në mënyrë të letrarizuar (figurative) mund të themi se: “Luani i Shën Markut u përul me respekt të imponuar nga frika përballë Shqiponjës dykrenare të Kastriotëve” dhe ndërsa lavdia e Francesco Foscari-t, i cili njihet si Dozha, që shërbeu më gjatë në këtë detyrë (34 vjet, 6 muaj dhe 8 ditë) në historinë 1.100 vjeçare të Republikës Veneciane (697-1797), u zbeh përballë fuqisë, gjenialitetit, madhështisë dhe personalitetit të jashtëzakonshëm të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu.
“BIBLIOGRAFIA”:
1)-J. Pisko, Skanderbeg, Historische Studie, f. 37; Shih edhe C. Simoni, Skënderbeu, Heroi i Shqipërisë, f. 60.
2)-G. Biemmi, Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander-Begh, f. 112; Shih edhe J. V. A. Fine Jr., The Late Medieval Balkans, A Critical Survey from the Late Twelfth Century to the Ottoman Conquest, University of Michigan Press, 1994, f. 557.
3)-M. Barleti, vep. cit. f. 146.
4)-Dh. S. Shuteriqi, Moti i Madh, f. 143; Shih edhe K. Frashëri, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, jeta dhe vepra , f. 155.
5)-J. Pisko, Skanderbeg, Historische Studie, f. 38; Shih edhe H. Hodgkinson, Scanderbeg, f. 87.
6)-C. Simoni, Skënderbeu, Heroi i Shqipërisë, f. 61.
7)-A. Biancotti, Giorgio Castriota detto lo Scanderbeg, f. 66-67.
8)-J. Lavardin, Histoire de Georges Castriot Surnomé Scanderbeg, Roy d’Albanie, Paris, 1593, f. 98; Shih edhe C. Simoni, Skënderbeu, Heroi i Shqipërisë, f. 61.
9)-G. Biemmi, Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander-Begh, f. 112.
10)-Sh. Leka, Skënderbeu, Strateg dhe komandant legjendar, f. 70.
11)-D. Radëshi, Beteja e Drinit dhe Oranikut, f. 22.
12)-D. Radëshi, Beteja e Drinit dhe Oranikut, f. 22-23.
13)-Sh. Leka, Skënderbeu, Strateg dhe komandant legjendar, f. 71.
14)-D. Radëshi, Beteja e Drinit dhe Oranikut, f. 24.
15)-Dh. Frangu, vep. cit. f. 22.
16)-C. C. Moore, George Castriot, surnamed Scanderbeg, King of Albania, f. 84; Shih edhe A. Biancotti, Giorgio Castriota detto lo Scanderbeg, f. 67.
17)-Historia e artit ushtarak shqiptar nga lashtësia deri në vitin 1939, Shtëpia Botuese e Ushtrisë, Tiranë 2001, f. 74.
18)-G. Biemmi, Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander-Begh, f. 117; Shih edhe A. Biancotti, Giorgio Castriota detto lo Scanderbeg, f. 67-68.
19)-J. N. Duponcet, Exploits héroiques de Scanderbeg, Roi d’Albanie, f. 97.
20)-M. Barleti, vep. cit. 152; Shih edhe C. C. Moore, George Castriot, surnamed Scanderbeg, King of Albania, f. 84-85.
21)-Sh. Leka, Skënderbeu, Strateg dhe komandant legjendar, f. 72.
22)-J. Lavardin, Histoire de Georges Castriot Surnomé Scanderbeg, Roy d’Albanie, Paris, 1593, f. 99.
23)-Historia e artit ushtarak shqiptar nga lashtësia deri në vitin 1939, Shtëpia Botuese e Ushtrisë, Tiranë 2001, f. 74.
24)-G. Biemmi, Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander-Begh, f. 118.
25)-J. N. Duponcet, Exploits héroiques de Scanderbeg, Roi d’Albanie, f. 97; Shih edhe C. Simoni, Skënderbeu, Heroi i Shqipërisë, f. 61; A. Biancotti, Giorgio Castriota detto lo Scanderbeg, f. 68.
26)-Sh. Leka, Skënderbeu, Strateg dhe komandant legjendar, f. 74.
27)-Historia e artit ushtarak shqiptar nga lashtësia deri në vitin 1939, Shtëpia Botuese e Ushtrisë, Tiranë 2001, f. 74.
28)-M. Barleti, vep. cit. f. 153; Shih edhe J. Lavardin, Histoire de Georges Castriot Surnomé Scanderbeg, Roy d’Albanie, Paris, 1593, f. 100).
29)-D. Radëshi, Beteja e Drinit dhe Oranikut, f. 28.
30)-D. Radëshi, Beteja e Drinit dhe Oranikut, f. 28.
31)-M. Barleti, vep. cit. f. 154; Shih edhe A. Biancotti, Giorgio Castriota detto lo Scanderbeg, f. 68.
32)-D. Radëshi, Beteja e Drinit dhe Oranikut, f. 30.
33)-A. Biancotti, Giorgio Castriota detto lo Scanderbeg, f. 68.
34)-A. Biancotti, Giorgio Castriota detto lo Scanderbeg, f. 69.
35)-H. Hodgkinson, Scanderbeg, f. 87.
36)-C. Simoni, Skënderbeu, Heroi i Shqipërisë, f. 61; G. Francione, Skënderbeu, Një hero modern(hero multimedial), f. 68.
37)-G. Biemmi, Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander-Begh, f. 120.
38)-Dh. Frangu, vep. cit. f. 22; Shih edhe B. Bindoni, Skanderbeg, Princi i Epirit, f. 50.
39)-F. S. Noli, Vepra IV, f. 531-532.
40)-A. Gegaj, L’Albanie et l’invasion turque au XVe siècle, f. 69.
41)-G. Francione, Skënderbeu, Një hero modern(hero multimedial), f. 72.