Trimëritë dhe betejat e Hysni Lepenicës, iu faturuan Hysni Kapos

BOTUAR NË 2011

Luftën e Gjormit dhe shumë beteja të tjera i ka bërë Hysni Lepenica, por komunistët e kanë lënë qëllimisht në harresë figurën e tij, duke ia atribuar, padrejtësisht Hysni Kapos”. Kështu u shpreh nipi i Hysni Lepenicës, Shkëlqimi, i cili njëkohësisht, rrëfen se mbiemri i familjes së tyre, në të vërtetë, është “Hysa”, por populli i vuri Hysniut, si mbiemër, emrin e krahinës së vet.

A ka pasur luftë civile në Shqipëri?

Kjo nuk diskutohet. Dhe nuk jam unë i pari që e them këtë. Sepse Partia Komuniste, i konsideroi të gjithë nacionalistët, apo ballistët si antikombëtar dhe si bashkëpunëtorë të okupatorëve, duke e mohuar kategorikisht, luftën e tyre. Mbi këto shpifje, komunistët ndërtuan alibinë e vëllavrasjes dhe luftës civile.

Çfarë ka ndodhur saktësisht gjatë luftës me xhaxhanë tuaj, në Grehot të Gjirokastrës?

Ushtarët dhe oficerët italianë të batalionit “Peruxhia”, kishin kapitulluar dhe ata ishin grumbulluar në Grehot, të Gjirokastrës. Ata prisnin dhe kërkonin vetëm një mundësi, se si të kalonin në Igumenicë dhe t’i hipnin anijeve e të iknin. Problemi ishte se kush do t’i shoqëronte këta njerëz, deri tek anija. Dhe Hysni Lepenica së bashku me dy të tjerë shkoi për bisedime dhe ranë dakord, që këta do të shoqëronin. Natyrisht në këmbim të marrjes së armatimeve dhe mjeteve luftarake.

Si u zhvilluan ngjarjet të nesërmen?

Këtu qëndron pabesia e komunistëve. Pas një marrëveshjeje të fshehtë, komunistët, kishin vendosur të fusin në kurth forcat nacionaliste dhe kështu kanë bërë. Sapo forcat nacionaliste të Hysni Lepenicës hynë tek dera e garnizonit, partizanët që ishin pozicionuar rreth e qark, hapën zjarr.

Çfarë ndodhi më tej?

Atëhere italianët, të papërgatitur, hapën zjarr kundër 36 vetëve. Dhe natyrisht, që pati luftime të ashpra, por forcat e Hysni Lepenicës u gjendën në befasi. Dhe u asgjësuan të gjithë, me përjashtim të dy vetëve që mbetën të plagosur. Aty mbeti i vrarë edhe xhaxhai im Hysni Lepenica. Ndërsa nga të plagosurit, njëri nga këta është bashkëfshatari ynë, ndërsa tjetri është nga Nivica. Njëri prej tyre, pra bashkëfshatari nga Lepenica, jeton akoma, ndërsa për tjetrin nuk kam informacion të plotë.

Si u justifikuan partizanët për këtë pabesi?

Që atëhere, deri tani, nuk ka pasur ndonjë sqarim publik të komunistëve. Por kjo ngjarje u shënua si një akt pabesie i partizanëve. Nga ky akt humbën jetën, 34 njerëz. Dhe sado që të kërkojnë të justifikohen përballë këtij fakti, çdo gjë del e zbuluar.

Cilat ishin pasojat e familjes suaj?

Në vitin 1948 u arrestuan 80 burra, të cilët ishin pjesëtarë të fisit, ku bënte pjesë edhe babai im, apo dajua im. Gjithashtu, komunistët arrestuan për motive politike edhe djalin e vetëm të Hysni Lepenicës. Djali sapo kishte mbaruar gjimnazin dhe komunistët e dënuan me 10 vjet burg. Dhe këtu lufta civile vazhdoi edhe më e tmerrshme, por  u zhvillua nën petkun e luftës së klasës.

Çfarë dënimi morën këta njerëz?

Dhjetë ose dymbëdhjetë prej tyre u dënuan me pushkatim në Kalanë e Gjirokastrës dhe të tjerët morën dënime të larta, duke u burgosur, apo internuar. Masakra ndaj banorëve të zonës së Lepenicës ishte shumë e madhe. Dhe shkaku i vetëm kishte të bënte me mbështetjen që ata i dhanë patriotit legjendar, Hysni Lepenica, i cili në çdo veprim që kryente, gjithmonë vinte në plan të parë interesat e kombit shqiptar.

Po njerëzit e tjerë si reagonin ndaj familjes suaj?

Dihet mirë nga të gjithë, se pas dënimeve zyrtare të sistemit, vinte rrethimi i vogël që u bëhej familjeve nacionaliste. Por, për hir të së vërtetës duhet thënë se gjatë gjithë kësaj periudhe askush, nuk mundi të hedhë dot baltë mbi figurën e tij. Të gjithë njerëzit e thjeshtë që e kanë njohur, e kanë vlerësuar atë, si një patriot e luftëtar të paepur të kombit tonë.

Në librat e historisë së komunizmit, si ka hyrë figura e Hysni Lepenicës?

Këtu ka një problem. Sepse nomenklatura komuniste e ka pasur shumë të vështirë që këta patriotë të mund t’i njollosë kaq shumë. Pastaj, Hysniu përfshihet në ato figurat e rralla të historisë, ku nuk gjendej dot asnjë shteg, për t’i manipuluar. Mos harroni se atë e kishin vrarë italianët dhe kjo i pengonte komunistët që të abuzonin.

A është akuzuar Hysni Lepenica nga komunistët si bashkëpunëtor i fashizmit?

Jo, Hysni Lepenica nuk është akuzuar asnjëherë si bashkëpunëtor i okupatorëve. Kjo për vetë, faktin se ai u vra duke luftuar kundër italianëve. Dhe ky fakt nuk i la ata që të ngrenë akuza për bashkëpunim, por gjithashtu nuk i pengoi dot ata për të organizuar masakrën tinëzare ndaj njerëzve të tij, të afërt, apo bashkëfshatarëve të Lepenicës.  Këtu, natyrisht, nuk mungoi zelli për të manipuluar historinë.

Në ç’kuptim?

Sa herë që flitej për luftrat heroike, antifashiste që ishin drejtuar nga Hysni Lepenica, gjithmonë lihej një pauzë për emrin e tij dhe këto beteja i faturoheshin si suksese, Hysni Kapos.

Për cilat beteja e keni fjalën konkretisht?

Le të marrim psh. Luftën e Gjormit, ose luftra të tjera që njihen prej të gjithëve si beteja të bëra nga Hysni Lepenica. Por komunistët ndërtuan një strategji harrese dhe shpifjesh, për të fshirë figurën e Hysni Lepenicës. Në mënyrë që të vihej në pah roli i Hysni Kapos.

A keni një argument tuajin për të treguar se Hysni Lepenica nuk pranonte vëllavrasjen apo luftën civile?

Unë nuk kam përse të nxjerr një argument të tillë, kur në thelb, nuk kam asnjë argument kundër Hysniut. Pra, po flasim për një njeri që doli dhe luftoi për atdheun, po flasim për një njeri që u vra në luftë, nga pushtuesit, për lirinë e vendit të tij. Ai ishte një patriot që luftonte vetëm për Shqipërinë dhe jo për grupime të caktuara. E kundërta ndodhi me komunistët të cilët montuan vëllavrasjen në emër të interesave të pushtetit. Dhe pastaj, atë luftë civile që nisën gjatë luftës, e vazhduan dhe e thelluan më tej, me montimin e diktaturës.

Çfarë ndodhi pas vitit ‘90-të, me figurën e tij?

Ai u njoh si dëshmor i kombit. Por në të vërtetë, populli e kishte njohur prej kohësh si një patriot dhe si një luftëtar trim që u flijua për interesat e lirisë së vendit tonë.

Në Konferencën e Dytë të Labinotit

Konferenca e Dytë Nacionalçlirimtare i filloi punimet, më 4 shtator 1943, në Labinot. Në të morën pjesë afro 50 delegatë, të zgjedhur nga këshillat nacionalçlirimtarë nga i gjithë vendi, delegatë të organizatave antifashiste, që kishin aderuar në Frontin Nacionalçlirimtar, të Shtabit të Përgjithshëm, si dhe anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të Përkohshëm. Abaz Kupi mungonte, po si ftesa, ashtu dhe problemet që do të diskutoheshin, i ishin dërguar si gjithë të tjerëve në kohën e duhur. Problemi kryesor që trajtoi Konferenca ishte çështja e pushtetit demokratik popullor në Shqipëri, e cila, me thellimin e procesit revolucionar të luftës, merrte një rëndësi gjithnjë më të madhe, aq më tepër që Balli Kombëtar dhe reaksioni në përgjithësi bënin të gjitha përpjekjet për të marrë pushtetin politik në duart e tyre. Sikurse ishte vendosur, në Konferencë janë mbajtur 6 referate, ka pasur shumë diskutime e debate, ndër të cilët shquhen Medar Shtylla, Omer Nishani, Nako Spiru, Spiro Moisiu, Baba Faja, Hasan Pulo, Abdyl Agalliu, Ramadan Çitaku, Et’hem Bajrami, Spiro Koleka. Kanë folur dhe Koço Tashko, Sejfulla Malëshova, Hulusi Spahiu, Ymer Dishnica, Kadri Hoxha e ndonjë tjetër. Si referatet dhe diskutimet janë përshkuar nga një ide e përbashkët: pushteti duhet të centralizohej, të shpallej pushteti i vetëm i popullit në Shqipëri dhe të bëheshin të gjitha përpjekjet që ky pushtet të ushtronte sa më mirë detyrat e rolin e tij në gjithë vendin, si dhe të forcohej e të mbrohej si pushtet i pacënueshëm i popullit kryengritës. Konferenca ka vlerësuar se punët nuk ecnin si në vaj. Në ato momente Enver Hoxha theksonte se në veprimtarinë e këshillave kishte të meta e dobësi. Po kryesorja ishte se këshillat ekzistonin e vepronin, njiheshin nga populli dhe luanin rolin e pushtetit të popullit. Ky realitet duhej ligjëruar e duhej shpallur, që të mos e rrëmbenin të tjerët. Rreth këtij problemi Enver Hoxha kishte përgatitur dhe mbajti në Konferencën e Dytë Nacionalçlirimtare referatin me temë “Mbi qëndrimin kundrejt rrymave të ndryshme jashtë Lëvizjes Nacionalçlirimtare”. Në referat ai u bën një analizë të plotë vijës e punës së Partisë për krijimin e forcimin e Frontit e të këshillave nacionalçlirimtarë, trajtonte me hollësi çështjen e Ballit Kombëtar dhe Mbledhjen e Mukjes, ka theksuar se ballistët tani që hodhëm poshtë ujdinë e Mukjes po përpiqen të gjejnë shtigje të tjera drejt pushtetit dhe ka propozuar që Konferenca të merrte vendim për t’i shpallur këshillat nacionalçlirimtare pushtet të vetëm të popullit në Shqipëri. Pjesëmarrësit dhe ata që kanë diskutuar në Konferencë kanë mbështetur me duartrokitje referatin e Enver Hoxhës, kanë pranuar konkluzionet e Komitetit Qendror të paraqitura në Konferencë prej tij, kanë aprovuar qëndrimin e mbajtur prej Këshillit të Përgjithshëm ndaj Ballit Kombëtar e rrymave të tjera në përgjithësi e ndaj Mukjes në veçanti. Në diskutimin e tij Ymer Dishnica edhe këtu e ka pranuar, në përgjithësi, fajin e madh që kishte bërë, po sërish është përpjekur të justifikonte gabimin. Gjinishi i ka bërë bisht përgjegjësisë duke nxjerrë lloj – lloj justifikimesh, po ndërhyrjet e Enver Hoxhës dhe të diskutantëve të tjerë nuk e kanë lejuar të kalonte lehtë një gjë të tillë.

Konferenca e Dytë Nacionalçlirimtare e Labinotit e dënoi botërisht Marrëveshjen e Mukjes si një akt që cënonte parimet themelore të Konferencës së Pezës dhe ishte kundër interesave të Luftës Nacinalçlirimtare e të bashkimit të popullit shqiptar. Ajo i shpalli këshillat nacionalçlirimtarë si pushteti i vetëm i popullit në Shqipëri. Me këtë vendim dënoi me forcë kompromisin tradhëtar të Mukjes për ndarjen e pushtetit me Ballin Kombëtar, u dha një goditje të fortë përpjekjeve të reaksionit për marrjen e pushtetit dhe afirmoi një realitet të madh historik: lindjen e pushtetit popullor në zjarrin e luftës. Vendimet që mori Konferenca e Dytë Nacionalçlirimtare për luftën e armatosur të popullit shqiptar dhe për pushtetin e tij patën vlera të jashtëzakonshme, prandaj ajo do të mbetet një prej ngjarjeve më të rëndësishme në vargun e ngjarjeve të mëdha të LANÇ – it.

Në përfundim të punimeve të saj, Konferenca e Dytë Nacionalçlirimtare mori një varg masash që shërbenin për forcimin e zgjerimin e bazës demokratike dhe për centralizimin e pushtetit popullor, e rriti Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar në 62 anëtarë nga 7 anëtarë të zgjedhur në Konferencën e Pezës. Nga ana e tij, Këshilli zgjodhi Kryesinë e vet të përbërë prej 16 anëtarësh: Mustafa Xhani, Myslim Peza, Omer Nishani, Enver Hoxha, Kostë Boshnjaku, Ymer Dishnica, Ollga Plumbi, Liri Gega, Haxhi Lleshi, Fetah Ekmekçiu, Medar Shtylla, Nako Spiru, Sejfulla Malëshova, Ramadan Çitaku, Abaz Kupi dhe Spiro Moisiu.

 

 

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top