TRENI SHOVINIST DHE POLITIKA E SHTETEVE PERËNDIMORE

SHKRUAN: SKENDER MULLIQI

U kthye mbrapa treni ruso-serb me do udhëtarë që Zoti e di çka ishte puna e tyre, sigurisht njerëz të shërbimeve sekrete, të cilët morën një aventurë ndoshta më shumë mediatike e që do ta tregojë koha.

Kjo aventurë e Serbisë dhe e Rusisë nuk është asgjë e re për shqiptarët e Kosovës. Tashmë jemi mësuar që shumë vite me provokimet serbe në veri për destabilizimin e Kosovës. Edhe në disa shkrime kohët e fundit e kam theksuar faktin e ofensivës politike të Putinit dhe Vuçiçit në Ballkan. Të gjitha provokimet tjera për mua kanë qenë shumë më të rrezikshme se provokimi i fundit me tren i mbuluar me ikonografinë e çetnikizmit serb në pushtet. Nëse vërtet ka pasur diçka serioze në gjithë këtë lojë të re serbo-ruse, ishte më duket mua vetëm një matje e impulsit së pari të Amerikës e cila në krye me Obamën shumë i lëshoi pe hegjemonizmit rusomadh në Lindje të Mesme (Siri) dhe i lëshoi pe me rastin e aneksimit të Krimesë dhe Gjeorgjisë. Kur në krye të Amerikës po vjen i paparashikuari në politikë, Donald Tramp, sigurisht se rusët të cilët po mundohen që ta bëjnë Trampin ashtu të them mik me zor, me duket se veç u ka hy frika në palcë.

Trenin serb e ndali, nese dojmë të bëhemi serioz në politikë bashkësia ndërkombëtare, duke mos e lejuar edhe njëherë tjetër talljen ruso-serbe në shpinë të BE-së dhe Amerikës. Ishte bërë mjaft më me matje të pulsit të shteteve të BE-së dhe Amerikës nga aventurat e pareshtura të diktatorit, Vladimir Putin dhe Serbisë ne veri. NATO dhe BE sigurisht se nuk janë tiger prej kartoni që të frikësohen nga një aventurë me tren të çetnikut Vuçiç. Të lejohet një aventurë e tillë e serbëve të pabesë vështirë të mendohet. Kjo aventurë ishte tepër sipërfaqësore për politikën serioze. Sido që të jetë çdo respekt për mobilizim të forcave të rendit të Kosovës. Gjithë ai investim i bërë në Kosovë nga bashkësia ndërkombëtare nuk lejohet të vihet në peshore me trena të tillë të vizatuar me ikonografi shoviniste serbe. Si duket ne shqiptarëve më shumë na udhëheqin emocionet sesa bërja e politikës serioze dhe pragmatike. Secili nga udhëheqësit shtetëror do të vrapojnë që këtë sukses tia atribuojnë në një mënyrë ose tjetër vetit, e që në fakt është krejt ndryshe. NATO ishte aty dhe nuk kishte asnjë rrezik që treni qesharak serb të futët në Kosovë . Presidenti i PDK dhe LDK-së, Hashim Thaçi doli me deklaratë se treni nuk bën të lejohet të futen në Kosovë.

Unë e them sesa për Thaçin treni nuk do të ishte ndalur. Në qershor të vitit 2014, kur Hashim Thaçi ishte kryeministër, 100 forca speciale serbe ishin futur në veri të Mitrovicës. Forcat tona policore në kufi u kthyen me një polic të vrarë dhe u kthyen me bisht ndër shalë. Puna e ndalimit të trenit është punë ekskluzive nëse thirremi ne organe, e Ministrisë së Punëve të Brendshme, dmth punë e Qeverisë së Kosovës, e jo kompetencë e kryetarit. Thaçi me duket mua e shfrytëzoi rastin per të bërë më shumë fushatë elektorale karshi PDK-së në krizë të thellë. Duket ashiqare se ky koalicion është lëkundur shumë me ngjarjet jo të mira politike që ndodhën në kohën e fundit, dhe me krizën e pafundshme ekonomike. Ndalimi i trenit serb mund të shikohet edhe nga ky kënd, për tia shpëtuar sadopak fytyrën faktori ndërkombëtar kësaj qeverie të kolapsuar. Deklarata e kryeministrit serb, Vuqiq se “shqiptarët mos të provojnë me i sulmuar me armë serbët në Kosovë e Metohi, sepse Serbia këtë gjë nuk do ta lejojë”, është deklaratë provokuese, kur dihet se veprimet e pushtetit të Beogradit zyrtar janë duke e rrezikuar të ardhmen e minoritetit serb në Kosovë. Dhe, se provokime për luftë gjithnjë po vijnë nga Beogradi zyrtar i cili nuk po e pranon realitetin e krijuar pas luftës. Sa më parë që shovinisti Vuqiq do e pranojë pavarësinë e Kosovës aq më mirë do të jetë për minoritetin serb.

Kur jemi te planet gjeostrategjike dhe gjeopolitike ne botë, edhe stacionimi i forcave ushtarake amerikane në Poloni e ka domethënien e caktuar në këtë kohë të krizës globale… – Nuk do të lejohet një destabilizim i ri apo aventurë ushtarake e re si duket nga Amerika në këtë pjesë të Ballkanit. Kjo u nënkuptua edhe nga deklarata e ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delavi me rastin e prononcimit të tij lidhur me trenin ruso-serb…

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top