TRAJTIMI I PADREJTË NDAJ KOSOVËS DUHET TË NDALET

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kritikuar politikën e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, në takimin që delegacioni i Qeverisë së Kosovës mbajti sot me zyrtarë të BE-së në kuadër të Këshillit të MSA-së.

Mediat kanë siguruar fjalimin e plotë të kryeministrit Haradinaj, i cili në mbledhjen e Këshillit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në Bruksel u shpreh se qytetarët e Kosovës pavarësisht se janë të izoluar dhe nuk mund të bëjnë tregti të lirë, “po arrijnë suksese në botë”.

Fjala e plotë e Kryeministri Haradinaj në takimin e Këshillit të Stabilizim-Asociimit:

E nderuar Përfaqësuese e Lartë Mogherini,

I nderuar z. Danielsson, Të nderuar përfaqësues të shteteve anëtare të BE-së Republika e Kosovës mirëpret Këshillin e Tretë të Stabilizim Asociimit, me qëllim të rishikimit të progresit dhe sfidave në rrugën tonë europiane. Përkundër neglizhencës dhe mungesës së qartësisë për perspektivën tonë europiane nga ana e BE-së, Republika e Kosovës është fuqimisht e vendosur për anëtarësimin në BE si prioritet i lartë i saj, gjersa vazhdon të punojë pandërprerë për të arritur zbatimin e plotë të MSA-së, dhe të respektojë angazhimet e bëra në këtë kontratë të përbashkët. Qëndroj këtu sot si kryeministër i një shteti sovran.

Unë përfaqësoj popullin tim që ka vuajtur për besimin e tij në liri – dhe vazhdon të vuajë edhe sot. Me bindje të plotë mund të them se nuk ka vend në Europë më të përkushtuar ndaj idealeve të Bashkimit Europian se sa Kosova.

Vlerat tona janë vlerat tuaja, shpresat tona për fëmijët tanë janë të njëjta me shpresat tuaja për fëmijë tuaj. Kosova është shoqëri dinamike, që ka rini shumë aktive. Ata nuk i gëzojnë liritë që për ju janë normale. Ata nuk mund të udhëtojnë lirshëm, nuk mund të tregtojnë lirshëm, nuk mund të luajnë lirshëm dhe nuk mund të marrin pjesë plotësisht në komunitetin e kombeve të lira. Përkundër këtij fakti fatkeq, ata thyejnë barriera, edhe pa pasur viza, duke arritur rezultate të klasit botëror në sport, muzikë, arsim, inovacion.

Dhe kjo shumë lehtë mund të jetë arritje edhe e Europës. Edhe pse Kosova zbatoi të gjitha 95 kriteret e paracaktuara siç është konfirmuar nga Komisioni në maj, reflektimi që marrim nga BE, është i thyer dhe i pashpresë. Edhe përkundër angazhimit të plotë në Agjendën e Reformës Europiane(ERA), dhe reformave të fuqishme të ndërmarra për të fuqizuar sundimin e ligjit dhe institucionet e tij, ne ndihemi të tradhtuar dhe të zhgënjyer nga BE.

Njerëzit tanë sprovohen përtej të arsyeshmes ose të drejtës. Koha nuk është miku ynë. Duhet të shohim progres. Të nderuara shtete anëtare të BE-së, kjo është thirrja ime për ju: Duhet të përshpejtojmë proceset e integrimit. Caku përfundimtar i rrugëtimit është i qartë – por ende, nuk është brenda mundësive.

Kemi nevojë për një sinjal të qartë nga ju se i respektoni arritjet tona dhe se kemi mbështetjen tuaj, në mënyrë aktive, veçanërisht në regjimin pa viza. Qeveria dhe unë, asnjëherë, nuk e kemi vënë në pikëpyetje rëndësinë e dialogut. Kjo është e vetmja rrugë përpara për Kosovën dhe Serbinë, që të bëhemi anëtarë të barabartë të familjes europiane.

Megjithatë, njëzet vjet pas luftës, dhjetë vjet pas pavarësinë, dhe pesë vjet pas Marrëveshjes së Brukselit, realiteti është se, përparimi drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka qenë minimal, dhe në fakt tani ka dalur krejtësisht nga binarët, veçanërisht me diskutimin publik mbi idenë fatale të korrigjimit të kufirit dhe shkëmbimit të territorit; Ka dëmtuar seriozisht kredibilitetin e ndërmjetësuesit, dhe ka dëmtuar arritjet që kemi bërë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE për më shumë se 7 vjet.

Më lejoni të theksoj edhe një herë, unë si Kryeministër dhe Qeveria e Kosovës, kundërshtojmë fuqishëm dhe e refuzojmë këtë ide, e cila do të sjellë vetëm luftëra dhe tragjedi të reja në Ballkan. Kushdo që flet për kufijtë, territoret, apo ndonjë korrigjim tjetër të vendit tim, është armiku ynë. Si Kryeministër, ndodhem këtu për t’iu ballafaquar me të vërtetën, realitetin dhe orientimin e vendit tim, jo çfarë doni të dëgjoni, ose për çka keni qenë të njoftuar nga dikush tjetër. Realiteti është se ne jemi shtet sovran, demokratik dhe multi-etnik, dhe bazuar në këtë të vërtetë të padiskutueshme, ne duam të arrijmë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

Prandaj, si Kryeministër, unë kam ecur përpara dhe kam paraqitur një draft Marrëveshje Gjithëpërfshirëse që e keni parë, si hap fillestar drejt arritjes së një marrëveshje përfundimtare ligjërisht të obligueshme midis Kosovës dhe Serbisë dhe të ecim përpara.

Përveç kësaj, më 15 dhjetor Parlamenti i Kosovës votoi delegacionin e Kosovës për dialog. Delegacioni do të bashkëkryesohet nga Zëvendëskryeministri Limaj dhe kreu i Partisë Social Demokratike të partisë opozitare Shpend Ahmeti. Është delegacion gjithëpërfshirës me synimin që të përfshihen edhe palë të tjera.

Ky është hap madhor në demokracinë tonë dhe i përgëzoj të gjithë deputetët e Kosovës që votuan delegacionin. Marrëveshja përfundimtare synon të sjellë paqe afatgjatë dhe të sigurojë të ardhme prosperuese europiane për të dy kombet.

Përfshirja e Shteteve të Bashkuara në udhëheqjen e dialogut është kyç, përderisa BE-ja ofron garanci, për të mbushur hendekun e mundshëm midis dy vendeve. Le të jemi seriozë, të sinqertë dhe të drejtpërdrejt përballë këtij misioni.

Të nderuara shtete anëtare, Jemi shumë mirënjohës për ndihmën tuaj përgjatë dekadave.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top