You are currently viewing Tragjedia e Himarës, skafi me flamur të Rilindjes

Tragjedia e Himarës, skafi me flamur të Rilindjes

Shkruar nga Armend Shkullaku

Në tragjedi të përmasave të tilla si ajo e së martës në Himarë, ku faktet dhe përgjegjësitë janë të qarta, ndonjëherë të duket e tepërt t’i përsëritësh ato. Në vorbullën shpërthyese të revoltës, patetizmit e protagonizmit masiv, kujdesi për të mos e kaluar masën në raste fatkeqësish bëhet edhe më i madh. E nëse për qytetarët ky sens mase tronditet pas ngjarjeve të tilla, për qeverinë, përgjegjëse për sigurinë e tyre, ai duhet të respektohet me përulësi dhe përgjegjësi.

Por çfarë ndodhi 24 orë pas ngjarjes tragjike në Potam të Himarës? I kapur në një krim, që nuk fillon e as mbaron tek skafi i policit të Rilindjes, kryeministri Rama, me një pandjeshmëri emblematike, nisi refrenin e tij të shpifur të akuzave ndaj opozitës dhe medias. Me një fjalor që të shkaton trazira në stomak, figura e Rilindjes, zbriti vetë nga skafi i krimit dhe ngjiti aty Berishën, Metën, gazetarët, qytetarët… Ata kanë faj që në 10 vite të qeverisjes së tij, çdo sezon turistik përsëriten tragjedi që në një vend normal janë të paimagjinueshme.

Pas figurës së Rilindjes, kolonia e veglave mediatike filloi fushatën e relativizimit të krimit. Ngjarje të tilla ndodhin kudo, në det është e vështirë të ruash sigurinë, në kohën e Berishës janë vrarë njerëz, Ilir Meta ka qënë spiun, etj, etj. Paralelisht me relativizimin, u ndez edhe makineria zyrtare e propagandës. Ministra që hidhen në aksion, lajme e kronika për 130 gomone e jetski të sekuestruara brenda ditës, shkarkimi i drejtuesve të policisë në Vlorë dhe kulmi u shënua me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano, që në stilin veliaj-balluku doli të bëjë deklaratë me molin e Himarës në sfond, ku dalloheshin uniformat e policisë medemek në punë, dhe i kthyer nga drita e diellit për të patur një imazh sa më të arrirë për kamerat.

Dhe në këtë mjedis të helmuar, shfaqet figura e Rilindjes që pa pikë droje dhe turpi shpalos qëndrimin e tij plot me gënjeshtra. Sezoni më i qetë dhe më i sigurtë turistik deri në ngjarjen e djeshme, thotë kryeministri pa u skuqur, kur dy javë më parë vetëm fati e shpëtoi një çift që u fluturoi gomonia mbi kokë në bregun e Jalës. Pa përmendur dhjetra incidente të tjera e humbje jete, pikërisht për shkak të mungesës së sigurisë. E sikur të mos mjaftonin gënjeshtrat e drejtpërdrejta, kryeministri gjen rastin që tragjedinë e një familje ta përdorë në mënyrë neveritëse për të goditur kundërshtarët politikë dhe për të bërë propagandën qorre të “Shqipërisë kampione rajonale të turizmit”.

Rasti i Himarës bind edhe më shumë se tashmë Edi Rama është i dënuar ta mbyllë jetën e tij politike mes gënjeshtrës, propagandës dhe pamundësisë për të bërë diçka të mirë për ktë vend. Ai ngjiti në skaf Berishën dhe Metën sepse nuk mund të pranonte që autori i tragjedisë është një prodhim tipik i regjimit të tij. Një zyrtar i shtetit, që paguhet me taksat e shqiptarëve për t’i shërbyer Rilindjes. Ai është pasqyra e një regjimi ku dhe ministri i Brendshëm kishte licensë për skaf dhe për bashkëpunim me trafikantë droge, ku bandidët dhe shefat e policisë hanë e pinë bashkë dhe ndajnë plaçkën e zgjedhjeve, ku oficerë me uniformë përfshihen në skandale zgjedhore dhe u premtohet ngritje në detyrë, ku kriminelët kontrollojnë qytete, marrin tendera e vënë nën urdhëra policinë sepse i shërbejnë figurës së Rilindjes ditën e zgjedhjeve.

Kryeministri do të vazhdojë të na tregojë përrallën e Shqipërisë kampione në turizëm dhe vampirëve politikë e mediatikë që po e sulmojnë atë, por ngjarja e Himarës është realiteti i degradimit të një shteti. Mjafton të pyesësh banorët atje për të kuptuar se kush janë kampionët që kanë marrë licensë për të betonizuar jugun, kush i ka hotelet, restorantet luksoze, skafet e gomonet pa leje. Madje edhe kush i ndan e kush i merr hapësirat për plazhe private. Të gjitha lidhjet, politike apo kriminale, të çojnë te organizata e Rilindjes.

I vetëdijshëm për këto, kryeministri nuk mund të sillej me përulësi e ndjenjë përgjegjësie pas tragjedisë së të martës në Himarë. Ajo është pasojë e një sistemi të çthurrur që motivohet vetëm nga etja për të fituar dhe që ka arkitekt vetë Edi Ramën. Prandaj gjithnjë e më shumë kryeministri do ta lëshojë gjuhën e mëndjen me shpresën se një ditë do të na bindë të gjithëve të shohim atë që do ai dhe jo atë që kemi përpara syve.

Lini një Përgjigje