Profesori Servet Pëllumbi e ka konfirmuar disaherë se dokumenti Katovicës që ka paraqitur në një emision TV është autentik. A ishin Nano dhe Berisha të përzgjedhurit e Ramiz Alisë? Tani që Ramiz Alia nuk është më midis nesh, mungesën e tij më tepër duhet ta ndiejnë dyshja Nano-Berisha. Por edhe këta të dy kanë të drejtën e kundërshtimit. Koha le të gjejë kush ka të drejtë – thotë Servet Pëllumbi
Pas intervistës që dha për ‘Channel One’ ku zbuloi dokumentin e Katovicës, Profesor Servet Pëllumbi konfirmoi për gazetën ‘DITA’ se dokumenti është origjinal dhe ai e disponon atë kopje.
Profesor, a është autentik materali që ju treguat në intervistën që dhatë në ‘Channel One’?
Po është autentik. Ky material nuk është fare i panjohur për opinionin shqiptar, pasi për të është folur herë pas here, janë trajtuar pjesë të tij, por jo në tërësi. Në fakt, është një mbledhje e Byrosë Politike, ku Ramiz Alia me më shumë se dy vjet vonesë, u zbulon byroistëve përmbajtjen e platformës së Katovicës, të cilën e kishte marrë nga Gorbaçovi.
A u zbatua ajo platformë në Shqipëri?
Me përpikmëri. Unë këtë e kam trajtuar në intervistën që dhashë në tre drejtime kryesore: Në pluralizmin politik që do ta udhëhiqnin të emëruarit nga partitë komuniste, në trajtimin e ish-të përndjekurve politikë dhe në qëndrimin ndaj pronarëve.
Ju thatë në intervistë që stafetën e Katovicës sot e mban ai që flet më shumë për bllokmenët, pra Berisha, apo jo?
Këtë unë ua kam sqaruar më hollësisht në intervistën që kam dhënë për gazetën ‘DITA’ më 18 mars të këtij viti, pra më shumë se tre muaj para zgjedhjeve të 23 qershorit. Në atë intervistë unë i jam shprehur ekzaktësisht kështu pyetjes suaj për ata që vënë shenjën e barazimit mes Nanos dhe Berishës:
“ Më fute në histori me këtë pyetje. Për Nanon e Berishën, si për çdo protagonist ngjarjesh të rëndësishme historike, fjalën e fundit do ta thonë historianët mbi bazën e dokumenteve. Dhe kjo do kohën e vet. Megjithatë, nuk mendoj se bëjnë ndonjë mëkat “ata, nga radhët e opozitës,siç thoni ju, që venë shenjën e barazimit midis Nanos dhe Berishës”. Qenia për disa vjet e Nanos në krye të PS-së, apo thirrja nga disa socialistë “si lider historik”, nuk e bën të paprekshëm nga “kritika historike” dhe as u ndalon socialistëve e jo socialistëve të shohin pika takimi në binomin Nano-Berisha. Ka plot të dhëna që u japin të drejtë të dy palëve. Realisht, të zhveshur nga glorifikimet, duhet thënë, se midis Nanos e Berishës, ka ndryshime jo to vogla pozicioni politik, interesash, karakteri, niveli intelektual, etj, siç ka dhe gjera të përbashkëta të shfaqura në disa marrëveshje të fshehta, pse jo dhe pazare midis tyre. Lexuesi apo dhe telespektatori i vëmendshëm, nuk e kanë të vështirë të kujtojnë disa prej tyre. Të dy, në heshtje, kanë qenë të përzgjedhurit e Presidentit Ramiz Alia për të ndjekur zbatimin e klauzolave të Katovicës dhe për të drejtuar, majtas-djathtas, dy partitë e mëdha në vend.
Ka plot mistere politika shqiptare. Sa ishte gjallë R. Alia, në një pritje në Sheraton, e takova dhe i thashë, si me shaka, në prezencën e të nderuarit president Alfred Moisiu: “Mosha bën të vetën, ndriçoji disa enigma, tregona si i zgjodhe në krye të dy partive të mëdha Nanon e Berishën, trego për letrën e Gorbaçovit për Katovicën”? Ai në vend të përgjigjes, siç e kishte zakon, qeshi në formë mohuese dhe e hodhi bisedën në diçka tjetër… Gjithsesi, tani që R. Alia nuk është më midis nesh, mungesën e tij më tepër duhet ta ndiejnë dyshja Nano-Berisha. Por edhe këta të dy kanë të drejtën e kundërshtimit. Koha le të gjejë kush ka të drejtë. Kjo është demokracia…!”
A mund të konsiderohet tashmë i mbyllur kapitulli i Katovicës në Shqipëri?
Urojmë të jetë mbyllur. Nano dhe Berisha nuk kanë më pushtet politik.Por porosia e Katovicës ishte që klasa komuniste në pushtet për dy-tri legjislatura të shndërrohej në klasë kapitaliste. Kjo është arritur dhe në këtë aspekt mund të bëhen shumë diskutime. Koha do të tregojë se është mbyllur përgjithmonë kapitulli Katovicës. Do kemi rast të flasim sërish për të.
Pse Ramiz Alia?
Takimi i partive komuniste që u mbajt në Katovicë (Poloni) në vitin 1986 vazhdon të mbetet një nga ngjarjet më të mistershme të shekullit. Kjo, jo vetëm për faktin se, nuk ka asnjë të dhënë të hollësishme në lidhje me çfarë është diskutuar, por se ky takim shënoi përfundimisht shpërbërjen e bllokut komunist në tërësi dhe atij lindor në veçanti. Dihet në terma të përgjithshëm se në këtë takim ish-udhëheqësi i BRSS-së, Mihail Gorbaçov u ka deklaruar vendeve të lindjes se ekonomia jonë po shkon drejt katastrofës dhe se ne nuk jemi në gjendje të furnizojmë me material për industritë civile dhe ushtarake ekonomitë tuaja. Ndaj duhet të gjejmë metoda të reja të mbijetesës sipas sistemit perëndimor, por duke trashëguar pushtetin me metoda dhe mënyra të tjera.
Kaq dihet dhe se ky takim ende edhe sot përbën një mister, i cili rri i fshehur apo arkivuar dhe askush nuk ka mundur të marrë më shumë informacion. Ky takim u pasua pas disa vitesh me rënien e Murit të Berlinit dhe shpërbërjen e Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike. Kjo i detyroi vendet e lindjes që në bazë të një strategjie, e cila ishte e paracaktuar në nivele të larta midis Moskës dhe Uashingtonit të fillonin përgatitjet për një kalim të butë nga sistemi i mëparshëm socialist drejtë atij të kapitalizmit bashkëkohor. Sigurisht që, lufta e ftohtë jo vetëm që krijoi tensione mes dy blloqeve , të cilat po të mos ishin zbutur nga toleranca dhe mendjet e ftohta mund të kishin sjellë katastrofën atomike për rruzullin tokësor. Ndaj ky kapërcim i butë do të ishte në fund të fundit edhe ardhja e lirisë së pritur dhe krijimi dal ngadalë i demokracive të reja në vendet lindore.
Alia ishte një nga njerëzit që në mënyrë të heshtur dhe me dijeninë e udhëheqjes së kohës, mbante lidhjet e tërthorta me ish- bllokun lindor dhe ka qenë ndër të vetmit që ka patur njohuri dhe dijeni për atë çka orientoi takimi i Katovicës. Kjo nuk ishte rastësi, pasi vetë Alia kishte studiuar dhe kishte një njohje të hershme me vetë Gorbaçovin.
Deri në 1979, Ramiz Alia ishte zëvendës i Hysni Kapos, drejtor ky i Shërbimit Sekret të partisë që kontrollonte dhe vetë Sigurimin. Me vdekjen e tij, Ramiz Alia mori krejt kontrollin gjë që, se ka pranuar kurrë edhe pse askush nuk e ka pyetur kurrë. Mirëpo ndërkaq kjo dihet brenda e jashtë vendit. Më vdekjen e Enver Hoxhës agjencitë e huaja lajmëruan që zëvendësuesi i tij ishte shefi i Policisë Sekrete partiake. Si i tillë nuk të çudit e ashtuquajtura mundësi e tij potenciale për të ushtruar dhunë edhe në “demokraci”.
“Por kemi edhe organet tona të dhunës. Nëse do të jetë e nevojshme do të kemi edhe mbështetjen e aleatëve të jashtëm(aludim në Serbinë) ideologjikë në PUSHTET, që ju i dini mirë se sa na kanë ndihmuar, pavarësisht konflikteve që kemi pasur me ta, duhet ta dini se na bashkon kauza e pushtetit të komunistëve pavarësisht nga nuancat dhe përplasjet e përkohshme”
(Projekt Pluralizmi, Ramiz Alia mbledhja e Byrosë Politike në 1989)
Teksti i plotë i pacensuruar i mbledhjes së Byrosë Politike që u mbajt në tetor të vitit 1989:
Diskutimi top-sekret i Ramiz Alisë në mbledhjen e Byrosë politike në vitin 1989 dhe platforma që ai mori nga Gorbaçovi. Ja kush do të jetë demokracia jonë (Marrë nga vendimet e Byrosë Politike në tetor, viti 1989)
Sistemi ynë ka kapitulluar përballë atij Kapitalist, ndaj jemi të detyruar të ndryshojmë strategji, u tha Ramiz Alia të pranishmëve.
Kjo strategji do të synojë në dy drejtime:
Në respektimin e të drejtave të njeriut dhe në
Në krijimin e pluralizmit politik.
Të drejtat e njeriut janë diçka brenda nesh dhe mund të abuzohet me to deri diku, por pluralizmi do të bëhet se s’bën.
Do t’i nxisim të krijohen parti sa të duan; të majta dhe të djathta e të qendrës, por gjithsesi këto parti duhen të kontrollohen e të drejtohen nga ne, programet e themelimit të këtyre partive do i formulojmë ne.
Në krye të tyre duhen të nxirren njerëz që të përkrahin strategjinë. Partia që do të marrë pushtetin do të shajë komunizmin në themel e në çati, në këtë mënyrë do të fitojmë simpatinë e Perëndimit dhe të Disidencës anti-komuniste.
Ata që janë në burgje, të dënuarit dhe të persekutuarit politikë, do të thonë për ne: Dhe këta e urrejnë Komunizmin. Do të aferohen e do na përkrahin. Ne na intereson karta morale e tyre, do t’i aferojmë dhe do t’u japim punë të parëndësishme; Por kurrë nuk do ti lemë të marrin pushtetin, sepse ata sapo të marrin fuqinë, fillojnë dhe hakmerren, Neve bëhemi izmeqarët e tyre.
Në zbatimin e të drejtave të njeriut, duhet që tu japim dhe kompensim në para të burgosurve e tu kompletojmë komoditete banimi. Të sekuestruarve dhe të ç’pronësuarve do t’u japim nga një letër në dorë, që ju njihet prona, por asnjëherë nuk do tu a japim. Në forma të ndryshme do ti ngatërroni, nga Gjykata e Shkallës Parë në të Dytën dhe për difekte teknike kthehen për rigjykim në Shkallën e Parë. Këta janë të moshuar dhe fuqi nuk kanë, duhet të kemi kujdes nga fëmijët e tyre; Por këta duke ju dhënë një pasaportë dhe me pak presion i largojmë jashtë, ata që do pretendojnë dhe do të këmbëngulin, do të lëndohen. Pasuria, e tëra na përket ne. Se ne e bëmë.
Materialin që më dërgoi Gorbaçovi, kam dy vjet që studioj dhe ata kanë ecur shumë përpara, për këtë jeni në dijeni.
Neve kemi kuadër sa për shtatë Komitete Qendrore dhe të mos kemi frikë. Ne kemi studimin dhe platformën gati për zbatim, do të ketë shumë intelektualë që do kundërshtojnë, këtyre nuk do ju japim punë.
Një shqetësim mund të jenë intelektualët pensionistë, këtyre do tu aferojmë krijimin e Shoqatës Veteranëve të Luftës dhe të Punës, do u japim një mini pension dhe do ju mbajmë ison.
Kosova është në pragun e shpalljes së Kushtetutës, le të bëjnë si të duan, neve kemi Platformën tonë.
Çdo gjë e kemi programuar, strategjinë e kini të gjithë të qartë dhe kemi caktuar rrugët për qëllimin e misionit tonë.
Nën një propagandë ekstreme kundër Komunizmit dhe me disa ndëshkime të vogla të nomenklaturës së Lartë Komuniste, Ne komunistët reformatorë do të zbatojmë strategjinë tonë në ekonomi, që kapitalistët dhe pronarët e ardhshëm në një vend socialist të jemi ne, Njerëzit tanë.
Me këtë strategji, brenda dy a tre legjislaturave do të kemi ish-klasën komuniste në klasë kapitaliste.