Tortura ç’njerëzore ndaj grupit të Kumanovës

Pjesëtarë të njësisë speciale dyshohen se po rrahin brutalisht pjesëtarët e Grupit të Kumanovës, gjatë transportimit të tyre nga burgjet drejt gjykatave. Këto veprime mizore heshturazi po ndodhin në autoblindat, që udhëtojnë disa orë nga burgjet e Manastirit dhe Prilepit drejt gjykatave në Shkup. Ky shqetësim është bërë edhe nga familjarët dhe avokatët mbrojtës. Sipas tyre, rrahja po ndodhë nga pjestarë të njësiteve speciale, të cilët janë të maskuar.

“Jemi të informuar se ata po rrihen nga pjesëtarë të njësisë speciale, të cilët po ushtrojnë dhunë brutale. Ka ndodhur që nga një qytet i largët deri në gjykatë ata janë lënë të shtrirë në autoblinda dhe kanë shkelur mbi ta e kanë bërë çmos. Ky është krim, pse të përdoret kjo mizori. Ka drejtësi dhe jo hakmarrje apo krim i tillë”, theksojnë për INA, familjarë të grupit të Kumanovës, që akuzohen për ngjarjet e 9 dhe 10 majit në Lagjen e Trimave në Kumanovë.

Avokatët mbrojtës kanë vazhduar të alarmojnë se anëtarët e Grupit të Kumanovës nuk janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe se për ta duhet trajtim i posaçëm mjekësor dhe kurim në Klinika.

Një pjesë e tyre po vuan nga sëmundje që tanimë kanë vështirësuar gjendjen e tyre shëndetësore. Njëri nga avokatët e tyre theksoi se rastet e tilla janë alarmuar dhe se maltretimet po ndodhin në burgjet në Prilep dhe Manastir.

Ministria e Drejtësisë vazhdon të heshtë për këto veprime të paligjshme që po ndodhin nëpër burgje. Rasti i fundit ishte me Demë Shehun, që për shkak të gjendjes së përkeqësuar shëndetësore, u anulua seanca gjyqësore.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top