Shkruan: Edison Ypi
Tani që çfarë la pa thënë komunisti Gianni Balla e plotësoi më së miri marksisti Taulant Pitella dhe çfarë i mungoi retorikës brilante të Massimo Blushit nuk e la pa e mbuluar me talentin e tij të rrallë oratorik Ben D’Alema, por sidomos pasi Abas Aliu i Tomorrit, alias Ilir Meta i Skraparit, u ngjit të flasi për të thënë ato që tha në tribunën e kongresit shoqëruar nga tinguj të zgjedhur pianoje që të tingëllonin si muzikë horrori, torollepsja blushirama mori formën e shumëpritur, u bë e përsosur. Shurdhimit çorroditës të torollepsjes nuk i shpëton dot askush. Torollepsja trumpirëse blushirama të gjen e të futet nëpër të gjitha vërrat dhe zgavrat. Edhe në brim të urithit të jesh fshehur. Edhe prapa diellit të kesh ikur. Torollepsja blushirama të troket re dera, të vjen nga rruga, të hyn nga ballkoni, të depërton nga dritarja, të buçet nga dyshemeja, të bie nga tavani, të fanepset nëpër ëndërra.
E vetmja gjë që mund t’i bësh torollepsjes së papërmbajtur që të ndjek këmbakëmbës, është ta durosh, ta përballosh. Në të gjitha mënyrat, sado të vështira. Ndonjëherë edhe si më ndodhi mua. Që shkak për tu marrë me atë torollepsje u bë një budalla i djathtë që e mban veten për teoricien konservativ. Hajvani në fjalë, i rrëmbyer nga bukuria e pashoqe e torollepsjes propagandistike, paskej dalë në përfundimin mahnitës se Blushi është më i mirë se Rama. Dhashë e mora ta qartësoj budallanë e torollepsur. I thashë se protagonistët e torollepsjes nuk synojnë torollepsjen e njëritjetrit dhe as të partisë së tyre por torollepsjen e kampit përballë, një nga viktimat e të cilit ishte ai vetë. Të mirë dhe të këqinj mund të kenë qënë partizanët dhe gjermanët e filmave të kurvit por jo edhe politikanët në një shtet demokratik.
U përpoqa t’i bëj të qartë gjithashtu se torollepsja në fjalë nuk ka lidhje me përpjekjet e herëshme të pasuksesëshme të Blushit që përmes gazetës koha jonë të transferonte puçrrën e vet beninje në puçërr kanceroze mbi faqen e Doktorit, as me pakujdesinë e Ramës për të pranuar dhe zbatuar më së fundi diçka nga përvojat e Doktorit lidhur me vështirësitë specifike për të qeverisur shqiptarët. Kjo mesele është e gjitha një torlllepsje, asgjë më pak, asgjë më tepër. Meazalla. Nuk e binda dot budallanë konservativ.
Por edhe nuk mund të ndahesha aq lehtë prej tij. Nuk e sheh, i thashë, se Rama, Blushi, Partia Socialiste, kongresi i saj, grindjet, përçarjet, propaganda, gazetat, televizionet dhe gjithçka tjetër që po ndodh mes tyre, anash tyre, rretheqark tyre, pra torollepsja që po përhapin, po synon të injektojë në mendjet e shqiptarëve idenë se në këtë vend politikën, propagandën, bukën që hamë, ujin që pimë, kripën që i hedhim gjellës, shiun që na bie nga qielli, erën që na vjen nga mali, diellin që na ngroh, hënën që na trishton, janë të gjitha tyret, i kanë të gjitha ata, e majta liberale e bijve, nipërve, sorollopërve të nomenklaturës së diktaturës, ndërsa gjithçka tjetër, praktikisht asgjënë, pra noc rrokun, e ka e djathta, elektorati i djathtë, të cilët janë aq pak dhe aq të parëndësishëm, aq të pafuqishëm, të papërfillshëm, të lodhur, të ngordhur, të vdekur, sa zëre se nuk ekzistojnë, ose me lejen e tyre edhe mund të ekzistojnë, por vetëm si dekor i pazararshëm që të majtës nuk i prish asnjë punë, përkundrazi vetëm e zbukuron duke e rrethuar me aureolën e tolerancës, mëshirës. E majta pra, përmes kësaj torollepsje do të tregojë se është aq e avantazhuar në sasi dhe cilësi, sa të djathtën nuk e llogarit fare. Tabloja e trishtë që përpiqet ta përhapi torollepsja blushirama, nuk është dhe nuk mund të jetë e reale. Por rreziku që përbën kjo torollepsje e së majtës për ta bombarduar elektoratin e djathtë me këtë pamje të gënjeshtërt nuk është i vogël. Se njerëzit, të majtë ose të djathtë qofshin, janë të influencueshëm, janë të luhatshëm. Njerzit e paluhatshëm ekzistojnë vetëm në librat dhe filmat e torollepsjeve propagandistike pararendëse të torollepsjes së sotme.
Jo që jo.
Ore idiot që mbahesh për konservativ, i thashë më së fundi, mblidhe veten. Blushi që ty të duket sikur po lufton dhëmb për dhëmb me Ramën, luan teatër. Për komunistat që japin edhe jetën për të mirën e partisë dhe të popullit, të luajnë teatër është gjëja më e kollajtë që e bëjnë me shumë qef. Kuptoje kaq gjë; Problemi nuk është Rama, as Blushi, aq më pak partia e tyre, dhe kurrë populli. Problemi është torollepsja çorientuese mbi të djathtën, e cila duhet të bëjë kujdes të mos bjeri në këto kurthe, duhet ruajtur të mos katandiset në atë derexhe sa të kujtohet se është e sëmurë pasi të ketë vdekur.