Tomisllav Nikoliq do të jetë fajtor nëse Vatikani e njeh Kosovën

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se nëse Vatikani e njeh pavarësinë e Kosovës, atëherë fajtor do të jetë ish-presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq. Ai është shprehur kështu, duke iu përgjigjur akuzave që i janë bërë pse ka ftuar Papa Françeskun që të vizitojë Serbinë.

“Nuk i kam bërë dëm shtetit duke e shpallur të vërtetën mbi vizitën e Papës, por dëmin e ka bërë Tomisllav Nikoliqi kur njëherë e ftoi e pastaj hoqi dorë nga vizita e prijësit të Kishës Katolike”, u shpreh Ivica Daçiq, duke iu përgjigjur akuzave të ish-shefit të shtetit.

Nikoliq i kishte thënë të përditshmes së Beogradit, “Novosti”, se Ivica Daçiq “i ka shkaktuar dëm shtetit, përmes veprimit jo diplomatik, duke e njoftuar opinionin me korrespondencën që ka mbajtur ish-presidenti i Serbisë me Papën e Kishës Katolike”, pa e pyetur Kishën Ortodokse të Serbisë.

“Nëse është dashur ta pyeste Kishën Ortodokse të Serbisë, pse nuk e kishte pyetur para se t’i dërgonte Papës ftesën për vizitë në Serbi”, i është përgjigjur Ivica Daçiq, në gazetën “Novosti”.

“Kështu dalim joseriozë. Papa nuk është vetëm lider fetar, por edhe shef i shtetit që nuk e ka njohur Kosovën dhe që është me shumë rëndësi në luftën e Serbisë për krahinën tonë jugore. A do të lejojmë që Papa të shkojë në Prishtinë dhe të mos vijë në Beograd? Atëherë mos të ankohemi nëse Vatikani e njeh Kosovën”, është shprehur Ivica Daçiq.

Vizita e Papës në Serbi ishte dakordësuar në janar të vitit 2016. Nga Vatikani atëherë ishte konfirmuar 21 e 22 maji si data të vizitës, ndërkohë kishte mbërri nota me të cilën propozohej që delegacioni i Vatikanit të arrinte në Beograd më 24 janar për të nisur përgatitjet. Por, në Serbi atëherë u shpallën zgjedhjet dhe kjo u përdor si shkas për heqjen dorë nga vizita e Papës.

 

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top