Tiparet psikologjike dhe shpirti i racave

SHKRUAR NGA GUSTAVE LE BON

Si i klasifikojnë natyralistët llojet. Zbatimi i metodave të tyre te njeriu. Anët e dobëta të klasifikimit modern të racave njerëzore. Bazat e klasifikimit psikologjik. Tipat e mesëm të racave. Deri në ç’shkallë të lejon vrojtimi të thellohesh. Faktorët psikologjikë që përcaktojnë tipin e mesëm të racës. Ndikimi i të parëve dhe i prindërve të drejtpërdrejtë. Pasuria e përgjithshme psikologjike që e kanë të gjithë individët që bëjnë pjesë në një racë të dhënë. Ndikimi kolosal i brezave të vdekur mbi njerëzit e gjallë. Arsyet matematike të këtij ndikimi. Si shtrihet shpirti kolektiv nga familja në fshat, qytet e krahinë. Përparësitë dhe rreziqet që vijnë nga formimi i qytetit. Rrethanat në të cilat pamundësohet formimi i shpirtit kolektiv. Shembulli i Italisë. Si ua lanë vendin racat natyrore racave historike.

Natyralistët e bazojnë klasifikimin e llojeve duke u nisur nga prania e veçorive të njohura anatomike që riprodhohen nga trashëgimia përmes një rregulli dhe qëndrueshmërie të paracaktuar. Tanimë e kemi të qartë se këto veçori ndryshohen nga grumbullimi i trashëguar i ndryshimeve të vogla e që në sy të parë nuk vihen re ose injorohen. Megjithatë, nëse e kundrojmë vetëm periudhën e shkurtër të kohës historike, atëherë mund të themi se llojet janë të pandryshueshme.

Metodat e klasifikimit të natyralistëve, të zbatuara te njerëzit, na japin mundësinë të përcaktojmë një numër të konsiderueshëm tipash krejtësisht të ndryshëm me njëri-tjetrin. Duke u bazuar në shenja thjesht anatomike, si p.sh. ngjyra e lëkurës, forma dhe vëllimi i kafkës, u bë e mundur të përcaktohet se raca njerëzore përbëhet nga disa lloje krejtësisht të dallueshme nga njëra-tjetra dhe, me sa duket, me origjina krejtësisht të ndryshme. Për shkenctarët që mbajnë një qëndrim dashamirës ndaj traditave mitologjike, dëshiroj të them se këto lloje të ndryshme nuk janë asgjë tjetër përveçse raca. Por, siç është thënë me të drejtë, “nëse zezaku dhe kaukaziani do të kishin qenë kërmij, atëherë të gjithë zoologët do të kishin deklaruar njëzëri se ata përbëjnë lloje të ndryshme që nuk mund të kenë ardhur kurrsesi nga po ai çift prej të cilit janë larguar gradualisht”.

Këto veçori anatomike, e të paktën ato që kanë lidhje me analizën tonë, të lejojnë të bësh vetëm nënndarje jo të sakta e shumë të përgjithshme, sepse dallimet midis tyre shfaqen vetëm te llojet njerëzore që janë krejtësisht të dallueshme nga njëra-tjetra, si bie fjala te njerëzit e bardhë, te zezakët dhe lëkurëverdhët. Megjithatë, popujt që ngjajnë me njëri-tjetrin nga pamja e jashtme, mund të dallohen shumë nga njëri-tjetri, duke filluar nga mënyra se si ndiejnë dhe veprojnë ata, e rrjedhimisht edhe nga qytetërimet, besimet dhe artet e tyre. A mund t’i futësh në të njëjtin grup një spanjoll, një anglez dhe një arab? A nuk u bjen të gjithëve në sy dallimi psiçik që ekziston mes tyre dhe a nuk lexohet ky dallim në çdo faqe të historive përkatëse?

Në mungesë të veçorive anatomike për klasifikimin e disa popujve, më është dashur të mbështetem në elemente të ndryshme, si p.sh. gjuha, besimi fetar dhe institucionet politike. Jam i vetëdijshëm se klasifikime të tilla, në dukje të parë, nuk i bëjnë ballë kritikës serioze. Megjithatë, sipas rastit, do të dëshmojmë se shumë popuj kanë arritur të asimilohen duke i shndërruar gjuhët e huaja, besimet fetare dhe institucionet e huaja deri në atë shkallë sa ata u përshtatën e u puqën me shpirtin e këtyre popujve.

Bazat për klasifikim që nuk mund t’i japin anatomia, gjuhët, mjedisi dhe grupimet politike, na i jep psikologjia. Kjo e fundit tregon se pas institucioneve, arteve, besimeve e përmbysjeve politike të çdo populli ndodhen veçori të njohura morale e intelektuale, prejt të cilave rrjedh evolucioni i tyre. Në tërësi, këto veçori formojnë atë që mund të quhet shpirti i racës.

Çdo racë e posedon një organizëm aq të qëndrueshem psiçik, sa edhe organizmi i saj anatomik. Që e para të jetë në varësi të ndërtimit të trurit, nuk mund të ketë asnjë dyshim. Por meqë shkenca nuk ka përparuar ende aq sa të na tregojë hollësi tjera të mekanizmit të saj, ne nuk mund ta marrim këtë vrojtim si bazë, megjithëse ndarja më e afërt me te nuk mund të ndryshojë aspak përshkrimin e organizimit psiçik që rrjedh prej saj e që na e zbulon vrojtimi.

Veçoritë morale dhe intelektuale përbëjnë tërësinë që shpreh shpirtin e një populli, ndërsa në vetvete këto veçori përfaqësojnë sintezën e gjithë të shkuarës, trashëgiminë e të parëve dhe arsyet që e shtyjnë atë të sillet në këtë apo atë mënyrë. Tek individë të veçantë të të njëjtës racë i dallojmë tiparet e fytyrës, por vrojtimet e thella tregojnë se shumica e individëve të asaj race kanë gjithmonë një numër të përbashkët veçorish psikologjike po aq të qëndrueshme sa edhe shenjat anatomike sipas të cilave klasifikohen llojet. Ashtu si këto të fundit, edhe veçoritë psikologjike janë të trashëguara. Madje, veçoritë psikologjike trashëgohen rregullisht dhe pa ndërprerje.

Ky agregat i veçorive të përgjithshme psikologjike që vërehet te të gjithë njerëzit e një populli, e përbën atë që me të drejtë quhet karakteri kombëtar. Për më tepër, tërësia e këtyre veçorive e formon tipin mesatar që na jep mundësinë të përcaktojmë saktë një popull. Mijëra francezë, mijëra anglezë, mijëra kinezë të marrë e të grumbulluar rastësisht, sigurisht që dallohen nga njëri-tjetri, por si pasojë e trashëgimisë së racës së tyre, ata kanë edhe cilësi të përbashkëta, mbi bazën e të cilave mund të krijosh tipin ideal të francezit, anglezit e kinezit, analog me tipin ideal si e parafytyron natyralisti kur ai i përshkruan veçoritë e përgjithshme të qenit ose të kalit. Ky përshkrim i përmbanë vetëm shenjat e përgjithshme, e jo aspak ato shenja sipas të cilave mund të dallosh racat e tyre të shumta.

Në rast se një racë është mjaft e lashtë e rrjedhimisht edhe homogjene, atëherë tipi i saj mesatar është aq i përcaktuar, sa që ai zë vend shpejt në mendjen e vëzhguesit. Kur vrojtojmë një popull të huaj, vetëm veçoritë që na mahnitin mund t’i quajmë të përbashkëta për të gjithë banorët e atij vendi, sepse vetëm ato përsëriten në vazhdimësi.

Dallimet individuale përsëriten rrallë e prandaj i rrëshqasin vëmendjes tonë dhe ndodhë shpesh që jo vetëm që nuk jemi në gjendje të dallojmë me vështrimin e parë një anglez, një italian e një spanjoll, por fillojmë të dallojmë te ta veçoritë e njohura morale e intelektuale që përbëjnë plotësisht ato cilësi bazike, për të cilat folëm më lart. Një anglez, një gaskon, një normand e një flamand klasifikohen në mendjen tonë dhe futen në tipa të caktuar që mund t’i përshkruajmë me lehtësi. Por për një individ të veçantë, përshkrimi mund të jetë i pamjaftueshëm dhe jo i saktë, ndërsa kur përshkruajmë një shumicë individësh të një race të caktuar, atëherë e japim përshkrimin më të saktë. Puna e pavetëdijshme e trurit me anën e të së cilës përcaktohen tipat fizikë e psiçik të ndonjë populli, është në thelb krejtësisht e njëjtë me metodën që i jep mundësinë natyralistit të klasifikojë llojet.

Ky element i barazisë së metodave të organizimit psiçik të shumicës së individëve të një race të caktuar e ka nje bazë shumë të thjeshtë fiziologjike. Çdo individ është në të vërtetë produkt jo vetëm i prindërve të tij të drejtpërdrejtë, por edhe produkt i racës së vet d.m.th., të të gjithë brezave të paraardhësve të tij. Shkenctari ekonomist Shejson ka llogaritur se në Francë, po të numërosh tre breza në çdo shekull, secili prej nesh ka në damarët e tij gjakun e të paktën 20 milionë bashkëkohësve të mijëvjeçarit: “Të gjithë banorët e të njëjtit vend e të të njëjtës krahinë, kanë paraardhës të përbashkët, janë bërë nga e njëjta baltë dhe çohen vazhdimisht mbrapsht drejt tipit të mesëm të atij zinxhiri të gjatë e të rëndë, duke qenë hallkat e tij të fundit. Ne jemi në të njëjtën kohë, bijtë e prindërve tanë dhe të racës tonë. Prandaj jo vetëm ndjenja, por edhe fiziologjia dhe trashëgimia e bëjnë për ne mëmëdheun një nënë të dytë”.

Po qe se ndikimet të cilave iu nënshtrohet individi i përkthejmë në gjuhën e mekanikës, ndikime këto që udhëheqin sjelljet e tij, mund të themi se ato e kanë një karakter të trefishtë. I pari dhe, me sa duket, më i rëndësishmi është ndikimi i të parëve. I dyti është ndikimi i prindërve biologjikë dhe i treti që zakonisht quhet ndikimi më i dobët, është ndikimi i mjedisit ku jeton.

Ky i fundit, po të kuptojmë me të ndikimet e ndryshme fizike e morale, të cilave njeriu iu nënshtrohet gjatë githë jetës së tij, e sigurisht, gjatë gjithë edukimit të tij, shkakton ndryshime shumë të vogla. Ndikimet e mjedisit fillojnë të veprojnë vetëm atëherë kur trashëgimia i ka grumbulluar ato në të njëjtin drejtim dhe për një kohë shumë të gjatë.

Çfarëdo që të bëjë njeriu, gjithmonë e para së gjithash, ai është dhe mbetet përfaqësues i racës së vet. Tërësia e ideve dhe e ndjenjave që e bartin me vete në botë, individët e të njëjtit vend, formojnë shpirtin e racës. Në thelbin e tij, ky shpirt i padukshëm është shumë i dukshëm në shfaqjet e tij, sepse në fakt, ky shpirt e drejton në tërësi evolucionin e një populli.

Një racë mund të krahasohet me tërësinë e qelizave që formojnë një qenie të gjallë. Këto miliarda qeliza kanë një ekzistencë shumë të shkurtër, ndërkohë që kohëzgjatja e vazhdimësisë së qenies së formuar prej tyre është shumë e madhe. Rrjedhimisht, këto qeliza, aty ku shërbejnë si lëndë, në të njëjtën kohë bëjnë jetë personale dhe jetë kolektive. Po kështu, edhe çdo individ i ndonjë race të caktuar, e ka një jetë individuale shumë të shkurtë, dhe një jetë kolektive shumë të gjatë. Kjo jeta e gjatë, është jeta e racës në të cilën ai ka lindur, vazhdimësinë e së cilës ai e ndihmon dhe nga e cila varet gjithmonë.

Për këtë arsye, raca duhet parë si një qenie e përhershme që nuk i nënshtrohet veprimit të kohës. Kjo qenie e përhershme përbëhet jo vetëm nga vetëm nga individët që jetojnë në një moment të dhënë dhe që e formojnë atë, por edhe nga breza të tërë të vdekurish që kanë qenë të parët e kësaj race. Andaj, për të kuptuar rëndësinë e vërtetë të racës, vrojtimi duhet shtrirë në atë fushë që nuk shihet dot e që në vetvete i mban nën pushtetin e saj të gjitha shfaqjet e mendjes e të karakterit. Fatin e një populli, në shkallën e saj më të lartë, e udhëheqin brezat e vdekur, sepse ato breza i kanë hedhur themelet e racës. Shekull pas shekulli, brezat e vdekur kanë krijuar idetë dhe ndjenjat, rrjedhimisht, edhe të gjitha shkaqet e motivet që vënë lëvizje sjelljen tonë. Brezat e vdekur na japin jo vetëm organizmin e tyre fizik, por ato na i sugjerojnë edhe mendimet e tyre. Ne të gjallët, mbi supet tona e bartim peshën e gabimeve të tyre dhe gjithashtu, shpërblehemi për virtytet e tyre.

Formimi i strukturës psiçike të një populli nuk kërkon, siç kërkon krijimi i llojeve të kafshëve, ato periudha gjeologjike, vazhdimësia kolosale e të clave as që mund të llogaritet. Por sidoqoftë, formimi i strukturës psiçike kërkon një kohë mjaft të gjatë, sa që, për të krijuar një popull si ky i yni me të gjitha ndjenjat e mendimet, madje edhe në një shkallë mjaft të dobët, do të duheshin më shumë se disa dhjetëra shekuj! Kjo periudhë që është shumë e gjatë për analet tona, në realitet është mjaft e shkurtër. Po qe se ky interval kohor relativisht i shkurtër është i mjaftueshëm për të forcuar disa veçori të caktuara, kjo kushtëzohet nga fakti se ndonjë shkak që vepron për një kohë të gjatë në të njëjtin drejtim, sjell shumë shpejt rezultate të mëdha. Matematikanët na kanë treguar se kur ky shkak vazhdon të prodhoje po atë pasojë, ateherë shkaqet rriten në progresion aritmetik (1, 2, 3, 4…), ndërsa pasojat rriten në progresion gjeometrik (2, 4, 8, 16, 32…). Shkaqet janë logaritmet e pasojave. Në problemin e njohur të dyfishimit të farërave në fushën e shahut, numri përkatës i kutisë së shahut, është logaritmi i numrit të farërave. Po kështu, edhe për kapitalin e futur me përqindje, ligji i rritjes së fitimit është i tillë që numri i viteve është logaritmi i kapitalit të rritur. Kështu shpjegohet fakti që shumica e dukurive sociale mund të shprehet me kurba që kanë rritje të shpejtë. Në një studim tjetër më është dashur të provoj se ato mund të shprehen me anë të ekuacionit analitik të parabolës ose hiperbolës. Miku im shkencëtar, M. Cheysson, mendon se ato shprehen më mirë e më saktë me anë të një ekuacioni eksponencial.

Ndoshta puna më e mirë e revolucionit francez ishte se ai e përshpejtoi këtë formim, duke asgjësuar pothuajse tërësisht kombet e vogla si pikardët, flamanët, burgonjasit, gaskonët, bretanët, provensialët etj., të cilët, dikur e bënin Francën të coptuar. Por, natyrisht, duhet që bashkimi të jetë i plotë, sepse pikërisht për shkak se francezët përbëhen nga raca shumë të ndryshme dhe rrjedhimisht kanë ide e ndjenja shumë të ndryshme, ata bien pre e grindjeve dhe e ndasive që nuk i njohin popujt homogjenë, si për shembull anglezët. Te anglezët, anglosaksoni, normandi dhe bretani i lashtë, kur në fund të fundit u shkrinë në një, formuan një tip të një gjinie dhe prandaj edhe mënyra e veprimit të tyre është e njëjtë. Si pasojë e kësaj shkrirje, anglezët formuan për veten e tyre tri bazat kryesore të shpirtit popullor: 1. ndjenjat e përbashkëta, 2. interesat e përbashkëta dhe 3. besimin e përbashkët. E kur ndonjë komb e arrin këtë bashkim, atëherë vendoset harmonia instinktive e të gjithë pjesëtarëve për të gjitha çështjet, dhe aty nuk mund të shfaqen më mosmarrëveshje serioze në gjirin e tij.

Ky bashkim i ndjenjave, ideve, besimit dhe interesave, krijon një ngjashmëri të madhe dhe një forcë të pathyeshme, duke i siguruar atij populli në të njëjtën kohë edhe një fuqi kolosale. Është po ky bashkim që krijoi madhështinë e Romës në lashtësi, epërsinë e anglezëve në ditët tona dhe kur ky bashkim zhduket, popujt shpërbëhen. Roli i Romës mori fund atëherë kur ajo e humbi ndjenjën, idenë dhe besimin e përbashkët.

Ky bashkim pak a shumë ka ekzistuar te të gjithë popujt, por zgjerimi i tyre progresiv kryhej me shumë ngadalësi. I kufizuar në fillim në kufijtë e familjes, e mëpastaj gradualisht i perhapur në fshat, qytet e krahinë, shpirti kolektiv i përfshin të gjithë banorët e vendit. Madje, vetëm te popujt që shpërfaqet shpirti kolektiv, lindë nocioni i atdheut në kuptimin siç e kuptojmë ne sot. Ky kuptim bëhet i mundur vetëm atëherë kur formohet shpirti kombëtar.

Grekët e lashtë nuk janë ngritur asnjëherë mbi kuptimin e qytetit dhe qytetet e tyre luftonin gjithmonë ndërmjet tyre, sepse ata ishin shumë të huaj për njëri-tjetrin (në kuptimin e shpirtit kolektiv).

India, gjatë 2000 vjetëve nuk ka njohur formë tjetër bashkimi e uniteti përveç fshatit dhe ky është shkaku përse ajo gjatë dy mijëvjeqarëve ka jetuar githmonë nën pushtetin e sundimtarëve të huaj, monarkitë e të cilëve shkatërroheshin po aq shpejt sa edhe formoheshin. Duke qenë shumë e dobët në pikpamjen e fuqisë ushtarake, por me një nocion të qytetit në kuptimin e atdheut, e që ishte shumë i fortë sa i përket qytetërimit. Shpirti i qytetit është më i vogël se shpirti i atdheut, por ndonjëherë, shpirti i qytetit ka qenë më produktiv. Athina në lashtèsi, Firencja dhe Venecia, me grumbullime jo shumë të mëdha njerëzish, janë dëshmia më e mirë.

Kur qytete të vogla ose krahina jo shumë të mëdha jetojnë për një kohë të gjatë një jetë të pavarur, ato në fund të fundit arrijnë të tillë shpirt të qëndrueshëm, saqë shkrirja e tij me shpirtrat e qyteteve dhe provincave fqinje që duan të formojnë shpirtin kombëtar, bëhet e pamundur. Një shkrirje e tillë, bile edhe atëherë kur mund të arrihet, pra kur pjesët që bashkohen nuk janë edhe aq të ndryshme, nuk është kurrë diçka që ndodhë brenda një dite, por është punë e shekujve të tërë. Duhen Rishelje ose Bismarkë që të kryejnë një punë të tillë dhe me kusht që një bashkim i tillë është parapërgatitur për një kohë mjaft të gjatë. Sigurisht që ndonjë vend si Italia, e ka mundësinë që për shkak të rrethanave të veçanta të formojë një shtet unik, por do të kishte qenë gabim i madh të supozonim se ajo, me shpalljen si shtet i veçantë, do ketë edhe shpirtin kombëtar. Unë i dalloj mirë në Itali piemontezët, sicilianët, venecianët, romanët etj., por nuk po i shoh ende italianët.

Sido që të jetë sot raca e shqyrtuar, homogjene apo jo, dhe vetëm nga fakti se është e qytetëruar dhe ka shumë kohë që ka hyrë në histori, duhet parë gjithmonë si racë artificiale, e jo si racë natyrore. Sot, raca natyrore mund të gjejmë vetëm te popujt e egër. Vetëm tek ata mund të vërejmë popuj të pastër nga çdo lloj përzierje. Sot, shumica e racave të qytetëruara nuk janë asgjë tjetër veçse raca historike.

Tani, nuk kemi pse të shqetësohemi për prejardhjen e racave dhe nuk ka kurrfarë rëndësie nëse ato janë formuar nga natyra apo nga historia. Neve na interesojnë vetëm veçoritë e tyre, ato që i ka gdhendur një e shkuar e gjatë. Të ruajtura përgjatë shekujve dhe duke jetuar në të njëjtat kushte të ekzistencës e të grumbulluara brez pas brezi, këto veçori, në fund të fundit kanë arritur një qëndrueshmëri të madhe dhe kanë përcaktuar tipin e çdo populli.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top